
Rafaela Prifti/
Mjek Robot? Projektligji i paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan hap rrugën Inteligjencës Artificiale (IA) dhe teknologjive të ngjashme të japin receta për medikamente të miratuara nga Agjencia për Ushqim dhe Barna (US Food and Drug Administration, FDA). Propozimi është paraqitur në janar si kërkesë për të shtuar pikën që thotë se “programi i Inteligjencës Artificiale mund të jetë i aftë si praktikues i ligjshëm për të lëshuar receta” – Akti për Teknologjinë e Shëndetësisë 2025 (Health Technology Act of 2025). Deputeti republikan i Arizonës David Schweikert https://www.congress.gov/member/david-schweikert/S001183 e ka paraqitur atë në Komisionin për Energji dhe Tregti në Kongresin amerikan. Nëse miratohet atëherë pika 503(b) e ligjit të FFDCA do ketë shtesën “Inteligjenca Artificiale – praktikant i licencuar me ligj për administrimin e barnave.”
IA NË MJEKËSI
IA ka hyrë tashmë në përdorim në shëndetësi si në radiologji dhe aplikime të tjera, analizimi i kontrolleve dhe rezultateve laboratorike, zbulimet e barnave të reja në farmaceutikë, mbarëvajtje administrative etj, sipas një studimi të kryer nga NIH Biblioteka Kombëtare e Mjekësisë.
Por ekspertët besojnë se IA nuk është gati të hyjë në shumë aspekte të kujdesit mjekësor. Ndonëse programi është shumë i saktë kur bën përzgjedhje në një grup me përgjigje, autorët e studimit vërejnë se shpesh arsyetimi i programit se përse e bëri përzgjedhjen e duhur është shpesh i pasaktë. Ata rekomandojnë studime më të thelluara përpara se të integrohen modele të IA në sistemet e punës klinike. Përdorimi i IA në shëndetësi dhe në kujdesin shëndetësor është një hap që ka shumë dobishmëri dhe shumë rreziqe njëherazi, thuhet në studim. Më konkretisht, nëse informacioni që jep pacienti është i paplotë, atëherë, bazuar në ato të dhëna IA e “plotëson” kartelën dhe mund të japë rekomandime me pasoja katastrofike për pacientin.