Flet Prof. Dr. Irakli Premti ( Mineralogjist): Në Fondin Qendror të Gjeologjisë dhe projekteve gjenden mbi 8000 punime shkencore të bëra në 80-100 vjetshin e fundit/
Nga Albert Z. Zholi/
-Ju tregoj katër projektet e mëdha në fushën e gjeologjisë që do e nxjerrin Shqipërinë nga kolapsi
-Shqipëria në aspektin metalurgjik duhet përpunuar, laboruar e dixhitalizuar
– Për çdo vit duhet të planifikohen investimet kërkimore për të gjitha fushat
– Ja si duhet të punohet për furnizimin me ujë të pijshëm gjithë kohës
– Detyrë imediate ndërtimi i tunelit të Orikumit, i gjatë 2.5 kilometër, për të eliminuar Qafën e Llogarasë
– Ku dhe si duhet çarë Llogaraja dhe përfitimet e jashtëzakonshme të shqiptarëve
– Projekti për naftën e gazin dhe kërkimet që duhet të bëhen në të ardhmen
Albert Z. ZHOLI
Në strukturën organizative çfarë i sugjeroni qeverisë?
Në strukturën organizative në rang kombëtar mendojmë dhe i sugjerojmë Qeverisë tonë shqiptare që nën shembullin e organizimit në vendet e KE-së por dhe më gjerë, të aplikohet ky lloj organizimi. Organizimi të bëhet në Shoqatë, ku të marrin pjesë:
1. Shoqata Gjeologjike e Gjeologëve Shqiptarë ku marrin pjesë të gjithë gjeologët shqiptarë në kuadrin e Organizatës Gjeoalb.
2. Shoqata e Fizikantëve dhe Gjeofizikantëve të Shqipërisë, përfshi dhe gjeofizikën, për kërkimet gjeologjike në naftë e gaz, por dhe gjeofizikën që lidhet me tërmetet dhe fatkeqësitë natyrore. .
3. Shoqata Shkencore e Minatorëve ku futen të gjithë anëtarët e të gjitha kategorive, minatorë, zjarrmëtar, vagonist. Shoqata që ka ekzistuar dhe më parë por për arsye thjeshtimi e organizimi duhet të organizohet në këtë mënyrë në analogji me të gjitha atributet e ligjit minerar. Çdo shoqatë duhet të ketë buletinin shkencor, ku do të përfshihen të gjitha zhvillimet në këtë sektor, në përputhje me vendimet e qeverisë.
I. Kjo strukturë organizative e re që lidhet me problemin e menaxhimit dhe drejtimit të punës shkencore duhet:
a. Të drejtohet nga një zv/kryeministër ose në pamundësi nga një ministër fuqiplotë, që të drejtojë dhe të përgjigjet para Kryeministrit për realizimin e menaxhimit,
Në përbërjen e këtij komisioni duhet të marrin pjesë të gjithë ministrat e linjave, ai i Ekonomisë, Drejtësisë, Punës, Ndërtimit etj.
b. Në komisionin e planifikimit duhet të marrin pjesë dhe specialistët më të mirë dhe me përvojë, së bashku dhe me specialist të tjerë në fushën e Gjeologjisë, sizmikës, në fushën e minierave të shfrytëzueshme, miniera, naftë, gaz, drejtori i shërbimit gjeologjik të Shqipërisë (SHGJSH), apo siç quhet Agjencia e Burimeve Minerare që merret me kriteret e zbatimit dhe funksionimit të ligjit minerar, me kriteret e zbatimit sipas fazave të zbulimit e kërkimit.
Për natyrën që ka për nga rëndësia është urgjente që në kuadrin e organizimit të strukturës së madhe të ngrihet pranë Institutit të Naftës e Gazit në Fier, analog me atë të Francës dhe të resurseve natyrale të pasurive që ka vendi ynë, kjo është më se e domosdoshme që të organizohet sa më parë, për shkak të disiplinimit dhe planifikimit shkencor të pasurive nëntokësore e mbitokësore që ka vendi ynë për minierat, gjeologjinë, hidrokarburet, për naftë, gaz dhe ujin e pijshëm.
c. Në aspektin shkencor si anëtar komiteti nacional do të jetë:
1. Rektori i UP Tiranë
2. Dekani i fakultetit Gjeologjik.
Në këtë drejtim duhet të krijohet një hallkë e re, të shtohet një drejtori me specialistët përkatës, me vartësi nga drejtoria qendrore e menaxhimit. Mjafton të theksojmë se si rezultat i projekteve, revistave. referateve, sot në fondet gjeologjike të Fondit Qendror të Gjeologjisë dhe projekteve që janë bërë nga shoqëritë e huaja kryesisht ato të kromit e bakrit, gjenden mbi 8000 punime shkencore të bëra në 80-100 vjetshin e fundit, të cilat lind detyra që kjo pasuri e rrallë nëntokësore e mbitokësore që ka Shqipëria si rrallë shtet në botë për nga madhësia, Shqipëria në aspektin metalurgjik duhet përpunuar, laboruar e dixhitalizuar. Si përfundim, është e domosdoshme që aktualisht të krijohet organizmi i kontrollit të pasurive kombëtare, të rezervave gjeologjike, i cili ka ekzistuar dikur por nuk është më; për mineralet e ngurtë, të lëngët dhe të gaztë, kontroll që duhet të jetë në rolin e një taks force, ose dikur Kontrolli i Shtetit. Për gjendjen e rezervave gjeologjike ky organizëm duhet t’i raportojë Kryeministrit. Mendojmë dhe rekomandojmë që planin e kërkimeve, zbulimeve gjeologjike-minerare detyrimisht të përfshihen investimet që shteti duhet të bëjë për kërkimet për naftë dhe gaz, dhe studimet teknologjike që lidhen me problemet e investimeve që duhet të bëjë shteti për naftën, gazin dhe ujin e pijshëm në rang komunal dhe ato duhet të lidhen me investimet shtetërore, ato duhet të jenë një e të pandara, mbasi për fat të keq, në vitet e kaluara janë lënë jashtë ligjit të Gjeologjisë shqiptare, gjë e cila ka dobësuar kryerjen e investimeve, sidomos për naftën, gazin dhe ujin e pijshëm, çfarë mendojmë se kjo ka qenë një nga defektet serioze të ligjit për Gjeologjinë; kjo duhet të rregullohet dhe kërkimet në gjeologji-miniera duhet të përfshihen dhe investimet në fushën e kërkimeve dhe teknologjisë kërkimore, për të cilat më gjerësisht do të flitet sipas specifikave për çdo minerar të lëngët, të ngurtë apo të gaztë. Është e domosdoshme dhe i rekomandojmë shtetit që në planin e investimeve që duhet të kryejë shteti për çdo vit duhet të planifikohen investimet kërkimore për të gjitha fushat; ato duhet të jenë zë më vete. Është detyrë e njësisë organizative që të ushtrojë kontroll shtetëror për të gjitha arritjet përpara shtetit. Kjo në analogji dhe me përvojën e vendit tonë dhe të vendeve të tjera të KE-së dhe përvojën botërore.
Disa nga projektet që rekomandojmë për tu zbatuar në të ardhmen
Po i rekomandojmë qeverisë shqiptare për zbatim disa nga projektet kryesore të realizuara nga Universiteti Politeknik i Tiranës, me udhëheqës shkencor Akademik, Prof. Dr Jorgaq Kaçani, dhe projekte të tjera të kryera nga Prof. Dr. Irakli Premti me bashkëpunëtorë gjeologë të huaj e vendas, të cilat konsistojnë për probleme të ujit të pijshëm,. për furnizimin me ujë të pijshëm gjithë kohës, pa ngritje hidraulike, me vetërrjedhje në zonat bregdetare nga Gjiri i Vlorës- Himarë-Sarandë 2a. Për furnizimin me ujë të pijshëm gjithë kohës, pa ngritje hidraulike për qytetin e Tiranës e rrethinat, qytetin e Mamurrasit, Gjirit Lazlit, Durrësit, Shijakut dhe Kavajës; (i quajtur projekti TDK). Nga realizimi i këtyre dy projekteve furnizimi me ujë të pijshëm sipas normave të Komunitetit Europian të një popullate rreth 2.5 milion banorë. Detajet e këtyre projekteve do t’i japim më poshtë.
Projekti i tretë, 3a, përfshin furnizimin me ujë të pijshëm të vazhdueshëm pa nevojën e ngritjeve hidraulike të qyteteve Shëngjin-Lezhë-Velipojë-Shkodër-Gruemirë-Koplik.
Këtij projekti i është bërë rikondicioni nga gjeologët, është në fazën e prefizibilitetit, por janë të gjitha mundësitë që edhe ky projekt të realizohet dhe të mundësohet furnizimi me ujë të pijshëm i këtyre zonave.
Projekti i parë 1a, për zonën bregdetare të jugut parashikon ndërtimin e një tuneli, tunelit të Orikumit, i gjatë 2.5 kilometër, për të eliminuar Qafën e Llogarasë (në këtë tunel ka seksion dhe për kalim makinash); mbas tunelit kalohet në Palasë, Dhërmi, buronjat e Kuçit, Qeparo, burimet e Borshit, tuneli i Sasajt, ndërtuar 40 vjet më parë, tuneli i Përparimit, Gjiri i Kakomesë, sifoni i Gjirit të Kakomesë, qyteti i Sarandës, Finiq dhe Butrintit. Është e mundur që nëse dy qeveritë, qeveria shqiptare dhe ajo greke bien dakord për furnizimin me ujë të qytetit të Korfuzit, kjo mundësohet me ndërtimin e një tubacioni nënujor nga Butrinti në Gjirin e Korfuzit, me një gjatësi 2.5 kilometër. Ky projekt është i fazës së fizibilitetit, trasuar në terren, në të cilin parashikohet furnizimi me ujë gjithë kohës në sasi 2.5 -3 metër kub në sekondë. Ky projekt është diskutuar dhe në këshillin shkencor të UPT dhe në ministrinë e Ndërtimit dhe Telekomunikacionit, që në marsin e vitit të kaluar, por për fat të keq, për arsye të panjohura, ky projekt mbeti në letër. Pritet që qeveria të gjejë investitorë të huaj apo vendas që marrin përsipër furnizimin me ujë të pijshëm të zonës së bregdetit, nga Vlora deri në Butrint. Arteri kryesor është 195 kilometër dhe 25 kilometër përbëjnë degëzimet për të furnizuar mikroplazhet dhe plazhet e zonës jonike me ujë. Ky projekt është shkelur në terren, është fotografuar dhe shoqëruar me relacionin shpjegues përkatës, për të evidentuar vendet ku do të kalojë tubacioni. Në këtë projekt janë përcaktuar dhe fazat në kohë për realizmin e tij.
Projekti i dytë, 2a, parashikon furnizimin me ujë të pijshëm nga Mali me Gropa i cili është një serbator i madh ujëmbajtës, që siguron ujin e pijshëm i cili nga burimet e Malit me Gropa sigurohet një sasi ujë e mjaftueshme të qyteteve të Tiranës dhe rrethinave. Ujë është në parametrat e KE-së në cilësi dhe sasi dhe vendimeve të KM të Shqipërisë. Ky projekt është i fazës së prefizibilitetit (i parabërjes), por ai në parim, nga rikonicioni i bërë nën drejtimin e Akademik Prof. Dr. Jorgaq Kaçani dhe udhëheqës teknik, Prof. Dr. Irakli Premti me gjeologët e grupit të projektit garanton furnizimin me ujë të pijshëm të zonave të mësipërme. Në këtë projekt janë gjetur burimet, por nuk janë bërë matjet e debiteve, për neglizhencë të autoriteteve të pushtetit vendor.
Projekti i tretë, 3 a, përfshin furnizimin me ujë të pijshëm të vazhdueshëm pa nevojën e ngritjeve hidraulike të qyteteve Shëngjin-Lezhë-Velipojë-Shkodër-Gruemirë-Koplik. Ky projekt i takon fazës fillestare por është i domosdoshëm të kryhet mbasi lidhet me problemet e furnizimit me ujë të pijshëm të Zonës Adriatike. Projekti në parim nga autorët është shkelur, është bërë faza e rikonicionit, duke evidentuar në terren burimet ujore. Por për të kaluar në fazën e fizibilitetit është e nevojshme të kompletohet ky projekt nga ana e dokumentacionit teknik, me planimetri, harta, fotografi etj. Janë të gjitha mundësitë që me këto tre projekte bëhet furnizimi me ujë të pijshëm me normative të KE-së, për 3 -3.5 milion banorë dhe zgjidhet në këtë mënyrë një nga problemet më kryesore sociale të këtij tranzicioni, mbasi Shqipëria si zonë ujëmbajtëse zë vendin e tretë, pas Norvegjisë. Mundësimi i këtyre projekteve heq një herë e përgjithmonë atë thënien që Shqipëria ujë ka ujë s’ka. .
Projekti i katërt, 4 a. Në vitin 2004, në kuadrin e furnizimit me ujë të pijshëm të Lindjes së Mesme dhe të Largët si Malësitë Golan, Palestinë, Izrael, Greqi, Maltë, shoqëria hidrogjeologjike Kanadeze-Amerikane Alasca Water World (A.W.W), një nga shoqëritë më të mëdha në botë, ishte interesuar për marrjen e ujit të pijshëm nën detar që shkonte dëm në det, për zonën detare për ujërat nëndetar, nga Vlora deri Butrint, pasi në këtë zonë ka burime nëndetare të fuqishme. Për këtë arsye shoqëria kontaktoi me Prof. Dr. Irakli Premti, i cili i paraqiti asaj dhe diskutuan mundësitë e ekzistencës së burimeve nëndetare ujëmbajtëse, nga ku shoqëria nëse ekzistonin të tilla burime, do të realizonte direkt transportin e ujit të pijshëm me tanker. Për këtë qëllim u lidh një kontratë midis shoqërisë në fjalë dhe Prof. Dr. Irakli Premtit, ku kërkohej një rikonicion i gjithë burimeve nënujore të Vlorës nga Vlora deri në Llogara. Nga punimet e kryera nga Prof. Dr. Irakli Premti dhe bashkëpunëtorët e tij si Murat Reshka, Gogo Gjivogli etj, u përpilua raporti gjeologjik dhe u dërguan kopjet e tij në anglisht në Siatëll të Kandasë. Mbas përgjigjes pozitive që u mor nga diskutimet me të gjitha organet lokale dhe qendrore, studimi i cili parashikonte një furnizim me ujë të pijshëm nëndetar deri në 300 litra në sekondë, u aprovua, kaloi në Parlament dhe në të gjitha organizmat e tjera lokale dhe qendrore. Në këtë studim parashikohej marrja e ujit nga dy burime: 4/1 dhe 6/1. Mirëpo mbasi kaloi të gjitha hallkat shtetërore, për çudi, firmës iu refuzua zbatimi i këtij projekti, për arsye që nuk dihen. Në këto kushte firma ia la autorizimin Irakli Premtit, për të drejtën e shfrytëzimit, që nëse do të mund ta realizonte, firma do të merrte 15-20 përqind të fitimit. Kështu që nëse do të realizohej ky projekt, fitimet e shtetit do të ishin të jashtëzakonshme. Raporti me relacione, fotografi, planimetri është i gatshëm, pritet vetëm vullneti për ta nisur zbatimin e këtij projekti, duke gjetur firma koncesionare të interesuara
Projekti për naftën e gazin dhe kërkimet që duhet të bëhen në të ardhmen
Është me vend që për sa i përket kërkimit për naftë e gaz kërkohet që ato duhet të planifikohen investime në vete, sidomos për kërkimet që duhet të bëhen në të ardhmen për naftë e gaz. Për këtë rekomandojmë krijimin e sektorit të gjeofizikës detare që lidhet me problemet e shelfit detar dhe kërkimeve në kontinent. Në këtë fushë problem i ndarjes së kufijve detar sidomos për zonën Greqi, Shqipëri, e cila nuk është thjeshtë ndarje gjeografike si i thonë ndarje me thikë, por ajo si një zonë problematike që është, lind nevoja që në grupin qeveritar që do të krijohet për këtë çështje duhet të marrin pjesë jo vetëm topografë e hartografë me përvojë për gjeologjinë krahinore në Shqipëri, të cilët duhet të jenë të përgatitur për të gjitha ballafaqimet shkencore të gjeologëve krahinorë me gjeologët grekë në kuadrin e Gjeologjisë së Përgjithshme Helenido (Greke) –Albanide (Shqiptare), Italoide (Itali). Struktura gjeologjike krahinore duhet të ndahet më vete dhe të funksionojë brenda organizimit të përgjithshëm të Gjeoshkencës, nëse realizohet një gjë e tillë, në mënyrë paqësore midis shteteve, nën shembullin e ndarjes së kufirit Itali-Shqipëri, kjo do të hapë perspektivën dhe bashkëpunimin e kërkimeve në det dhe kontinent (shelf). Lidhur me problemet e kërkimit të burimeve të naftës e gazit në zonat strukturore naftëmbajtëse, bën fjalë me detaje projekti i katërt, që përfshin zonat e Dumresë, Skraparit dhe të Evaporiteve (gipseve) të bregdetit, si dhe të trevave që ndodhen në kufirin shqiptaro-grek. Në kuadrin e shkëmbimit të përvojës së kërkimit të mineraleve të ngurtë dhe ato të hidrokarbureve, nga qeveria e asaj kohe u mundësua krijimi i grupit studimor, pranë Institutit të Naftës në Fier, grup i përbërë nga Prof. Dr. Irakli Premti, Dr. Isa Bajo dhe Inxh. Gjeolog Luftar Bandilli. Ky grup studioi perspektivën e kërkimit të naftës në zonat naftëmbajtëse, për zonën e Dumresë, duke arritur në konkluzion, pas një pune tetë mujore në laborator dhe terren, se duhej të projektohej një pus shpimi kërkimor.