Në kuadër të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, me mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit, gjatë ditës së sotme janë arrestuar shtatë persona, të dyshuar si të përfshirë në rekrutimin e disa qytetarëve shqiptarë për të luftuar në Siri.
Në një deklaratë për mediat, Drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Eugen Beci, dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi bën të ditur se të arrestuarit akuzohen për veprat penale të “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, dhe të “Nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”.Kështu, Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur masën e sigurisë për personat e mëposhtëm: Genci Balla, nga Librazhdi, i vetëshpallur Imam i Xhamise te Unaza e Re, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, (organizator) si dhe Bujar Asllan Hysa, nga fshati Bastar, Tiranë e banues ne Mëzez, Tiranë, me arsim te mesem, i vëtëshpallur Imam i Xhamise se Mezezit, i paautorizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, (organizator).
Beci bëri të ditur se në banesën e të arrestuarit Hyka u gjetën dhe u sekuestruan, dy aparate telefoni celular, disa karta memorie telefoni celular dhe aparat fotografik, kartë identiteti në gjuhën arabe si dhe një sërë kontrata depozitash bankare në emër të shtetasit Bujar Hysa dhe në emër të disa shtetasve të tjerë, disa libra fetarë, mes të cilëve Libri”Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë Islame me fetë e tjera”.
Gjithashtu, ai tha se në objektin ku ushtron veprimtarinë fetare, u gjetën tre njësi kompjuteri, çantë ushtarake kamoflazhi, dy telefona celularë, 15 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Prokuroria tha se të arrestuarit e tjerë janë Edmond Balla, nga Elbasani, (organizator), Zeqir Imeri nga Dibra dhe banues Yrshek, Tirane, (organizator dhe pjesëmarrës). Në banesën e të ndaluarit Imeri u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës material, 8 telefona celularë, 2 karta telefoni, një granadë ofensive e pa montuar, një armë automatike e tipit kallashnikov, katër krehëra automatiku, 320 (treqind e njezete) fisheke te kalibrit 7.62, një thikë, dy radio dhënëse-marrëse, një xhup kamuflazhi.
Ndërsa tre të arrestuarit e tjetër gjatë këtij operacioni janë Verdi Morava, nga Tirana financues i grupit, Fadil Muslimani (Dervishi), nga Elbasani dhe Astrit Tola, nga Dibra, të dy ndihmësa.
Në banesën e këtij të fundit u gjet një çifte 12 fishekë, 11CD, broshura fetare, fletore me shënime në gjuhën arabe, një sasi kartash SIM dhe disa numra celularë dhe një unfiformë ushtarake.
Prokuroria sqaron se shtetasit Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët ushtrojnë aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar në zonën e Unazës së Re dhe në fshatin Mëzez, Tiranë, dyshohet se kanë kryer veprime aktive për indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Shtetasit Edmond Balla dhe Vervi Morava dyshohet se kanë kryer veprime konkrete për dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri.
Ndërsa shtetasit Fadil Musulmani, Zeqir Imeri dhe Astrit Tola dyshohet se kanë kryer veprime aktive për të ndihmuar organizatorët në rekrutimin dhe më pas dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri.
Gjithashtu, nga forcat e Policisë së Shtetit, në bazë të autorizimit të gjykatës, u ushtrua kontroll në disa ambjente në Tiranë dhe Pogradec, ku ushtronin veprimtarinë e tyre këta persona.
Ndërkohë, në kuadër të këtij hetimi, janë caktuar masat e sigurimit edhe për gjashtë persona të tjerë, të përfshirë në të njëjtën veprimtari kriminale, si edhe po vijojnë hetimet nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe oficerët e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit.