Burime të sigurta konfirmuan se çështja do kalojë në Apel. Amb. Arvizu takon kryeprokurorin Llalla. Gjykata e Tiranës: Ambasada ndërhyn në proces…/
Nga Armand Mero/
Në Shqipëri burime të Prokurorisë së Përgjithshme i thanë sot Zërit të Amerikës se do të bëhet ankim në gjykatën e Apelit ndaj vendimi të djeshëm të Gjykatës së Tiranës e cila shpalli dje të pafajshëm komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të akuzuar për vrasjen e tre prej katër manifestuesve që u qëlluan me armë zjarri gjatë protestave të opozitës në 21 Janar të vitit 2011. Sot në mëngjes prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pati një takim me ambasadorin amerikan Alexander Arvizu i cili rikonfirmoi qëndrimin ndaj vendimit të djeshëm të gjykatës, e cila përmes një njoftimi e cilësoi sot deklaratën e ambasadës amerikane si një ndërhyrje në proces. Por sipas ambasadorit Arvizu akuza të tilla ishin të pabaza.Prokuroria shqiptare deklaroi dje se ajo do të priste zbardhjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës për cështjen e 21 janarit, për të përcaktuar hapat e mëtejshëm që do të ndërmerrte. Sot burime nga Prokuroria e Përgjithshme, i thanë Zërit të Amerikës se vendimi që shpalli të pafajshëm dy drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, “do të cohej në Gjykatën e Apelit”, pavarësisht motivacionit mbi të cilin u mbështet dje Gjykata. Më herët në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm ishte ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu.
Dje ambasada u shpreh e tronditur nga vendimi i pafajësisë për komandantët e Gardës duke vlerësuar se një vendim i tillë sipas saj “ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”. Që në mëngjes herët Gjykata e Tiranës ishte kundërpërgjigjur duke theksuar se “deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë është shqetësuese dhe ndërhyn në procesin e rregullt ligjor përmes komenteve mbi një cështje përpara zbardhjes së vendimit, përpara qëndrimit të prokuorirsë mbi hapat e mundshëm dhe përpara mbylljes së procesit” duke bërë thirrje që të “shmanget cdo qëndrim paragjykues ndaj këtij procesi”.
Por ambasadori Arvizu e kundërshtoi deklaratën e Gjykatës: “Me gjithë respektin për deklaratën e Gjykatës së Rrethit Tiranë sot në mëngjes, që sugjeronte se SHBA po ndërhyn në një proces gjyqësor, nuk jam dakord. Kjo akuzë nuk ka bazë. Përfshirja jonë rrjedh drejtpërdrejt nga një kërkesë specifike e Prokurorit të Përgjithshëm dhe kjo kërkesë u mbështet nga qeveria e Shqipërisë”, tha ambasadori amerikan duke ju referuar asistencës teknike që u ofrua për hetim. Laboratori Byrosë amerikane të hetimit, Fbi realizoi ekspertizën nga e cila rezultoi se tre manifestuesë ishin vrarë me plumba të dalë nga arma e komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe përgjegjësit të njësisë speciale Agim Llupo.
Ambasadori amerikan I bëri komentet e tij në përfundim të takimit me kryeprokurorin Adriatik Llalla i cili më pas pasdite u thirr nga presidenti Bujar Nishani. Për ngjarjen reagoi sot edhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë Ettore Sequi. Ai i bëri jehonë komenteve të mbrëmshme të komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, i cili edhe një herë kishte përsëritur se “një sistem gjyqësor i papanshëm që të sigurojë procese gjyqësore të drejta është një parakusht në rrugën drejt BE dhe kishte bërë thirrje për shmangien e cdo polarizimi”.
Edhe Komiteti shqiptar i Helsinkit përmes një deklarate u shpreh i shqetësuar për vendimin e gjykatës i cili sipas këtij Komiteti “nuk të bind për drejtësinë dhe paanshmërinë e tij. Në të kundërtën, rrit edhe më tej mosbesimin e qytetarëve ndaj organeve të drejtësisë”. Komiteti Helsinikit vlerëson të gabuar edhe faktin që Gjykata ju referua një vendimi të Gjykatës së Strasburgut për të motivuar vendimin e saj, duke bërë, sipas Komitetit të Helsinkit “interpretime subjektive dhe të kundraligjshme”. Gjykata sipas këtij Komiteti nuk ka mbajtur parasysh se sipas Kodit penal të vendit “zbatimi i ligjit penal me analogji nuk lejohet”.