Nga Agron Shele/ Bruksel/
“Një vështrim tjetër mbi Historinë” si lajmotiv dhe kjo kryethënie e veprës historike të autorit Myrteza Bajraktari, motivoi dhe u bë objeksion i temës së organizimit të aktivitetit kulturor-letrar të radhës nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë, event i cili u zhvillua me pjesëmarrjen e drejtëpërdrejtë të përfaqësuesëve të Ambasadës Shqiptare dhe asaj të Maqedonisë, intelektualëve te shumtë në Bruksel, miq të autorit dhe të ftuarve të tjerë.
Që në titull ky vështrim dhe pasqyrim hisorik hedh dritë mbi ngjarje dhe të shkuara që janë anatemuar dhe lënë në harresë qëllimisht, ngre pyetje dhe pikëpyetje se përse dhe kujt i shërbejnë këto qëndrime, dhe për më tepër vendos përgjegjësinë mbi historiografinë e sotme, e cila nuk po gjen kurajon për tu ringritur nga ajo e shkuar e hidhur dhe për të reflektuar drejt dhe denjesisht përballë kohezionit historik dhe real sot.
Moderimi këtij aktiviteti u krye nga koordinatorja e Shoqatës së shkrimtarëve të Belgjikës, znj Shqiponja Duro, e cila si fillim uroi autorin për 80-vjetorin e lindjes dhe më pas do të orientonte pjesmarrësit tek vlerat dhe rëndësia e këtij botimi, të rejat dhe faktet historike që ende nuk kanë zëne vendin e duhur në historigrafinë shqiptare, si dhe motivimi i autorit për të hedhur dritë mbi historinwë tonë të sotme. z Lekë Pervizi, si bashkëvuajtës dhe bashkëkohës i autorit nëpër kampet e përqëndrimit qysh në rininë e hershme do të kumtonte dhe do të referohej tek domosdoshmëria dhe reflektimi real për momentet historike që ka përjetuar populli shqiptar, rishikimi saj i drejte dhe pastrimi nga fallsifikimet e regjimit të kohës.
Rreth retrospektivës dhe zhvillimeve të analitikës historike të sotme, tendencat për të minimizuar rolin dhe kontributin e atdhetarëve të vërtetë, bazës shkencore dhe referimit të burimeve të sigurta të informacionit, argumentimi fakteve , etj, do përbënin shtyllën e referimit të z Kolë Tahiri.
Zoti Durak Duraku do të ndalej tek stili dhe mënyra e karakterit tregues të ngjarjeve, modeli dhe fokusimi në ngjarjet 43-45, ngjarje që angazhuan krerët patriotë shqiptarë dhe që kishin për qëllim realizimin e ëndrrës së madhe të Rilindasve Kombëtarë , bashkimin e gjithë trojeve shqiptare.
Zoti Luan Dode, do të përqëndrohej tek roli i arsimimit shqip në mbarë trevat shqip folëse, përpjekjet e bëra për mbulimin e këtyre zonave me arsimtarë shqiptarë, dhe në bazë të statistikave të sakta do të bënte rezomenë e plotë të numrit të shkollave të hapura në Kosovë, Maqedoni dhe nxënësve të regjistruar. Në këtë tematikë ai do përqëndrohej edhe tek inisiatori i gjithë kësaj nisme dhe këmbngulja e personalitetit Ernest Koliqi, që me largpamësi dhe vullnet mundësoi idenë e mësimit dhe shkrimit të gjuhës shqipe.
Pse ka kaluar në heshtje përpjekja dhe realizimi i Kuvendit të II-të të Prizerenit? Pse është anatemuar dhe mohuar përpjekja dhe kontributi i figurave kryesore në përhapjen e shkollimit shqip?
Pse dështoi ëndrra dhe përpjekja e patriotëve kombëtarë për realizimin e Bashkimit Kombëtar? Pse u burgosën dhe masakruan krerët e saj? Pse dështoi përpjekja amerikane dhe pse u ndërprenë marrëdheniet midis dy vendeve? Pse nuk është reflektuar mbi këto ngjarje dhe të vërteta të mëdha historike, dhe pse nuk është rishkruar historia reale, por janë mjaftuar me korrektimin dhe zbukurimin e 30 faqeve të para?
Këto dhe mori të tjera pyetjesh do përbënin debatin dhe komunikimin e auditorit me autorin Myrteza Bajraktari, i cili me argumenta, ngjarje të bazuara në të vërteta historike gati të panjohura dhe me një analizë sa shkencore po dhe kaq serioze, do përmbyllnin këtë takim sa emocionues por dhe kaq impresionues, dhe për më tepër me mjaft dilema të ngritura, sfida që i mbeten të nesërmes për tu zgjidhur.