TIRANE, 28 Korrik/- Në Muzeun Historik Kombëtar u promovua “Publicistika që ka vetëm një emërtim kombi”, që është dhe libri më i ri i Vitore Stefa Lekas.Në aktivitet ishte e pranishme edhe zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj.
“Në publicistikën e vet, ajo ka ditur të depërtojë thellë në problemet shoqërore në Diasporë, ka ditur të formulojë se në qenien e saj ekziston mirësia për të krijuar një shoqëri të pastër dhe pa vese. Ka ditur dhe është e para që ka hedhur idenë se t’i shërbesh popullit dhe kombit që i përket është një detyrim madhor. Këtë moto patriotike e shikojmë qartë në të gjitha shkrimet që përmban ky libër i bukur dhe emocionues”, shprehet në parathënien e tij Hasan Aliaj, që është dhe redaktori i librit.
Gjatë promovimit foli dhe presidentja e fondacionit “Nermin Vlora Falaski”, Zenepe Luka. Ceremonia e promovimit kulmoi me një buqetë poezish të recituara nga “Nderi i Kombit”, Margarita Xhepa, e cila në pamundësi të ardhjes fizike të saj, përshëndetjen e incizuar ia kishte besuar gazetarit dhe shkrimtarit Albert Zholi.
Autorja tha se krijimtarinë dhe shkrimet e saj ua dedikon “nënës, “Mësueses së Popullit”, Eleni Stefa, fëmijëve të saj, si dhe të gjithë mikeshave dhe miqve të rinj e të vjetër, që përmes fjalës së tyre i kanë afruar ringjalljen shpirtërore”.