Dine Dine, një zë nga thellësitë e terrorit komunist …./
Këtë kalvar vuajtjesh, në një realizëm unik, Dine do krijonte simbolikën e varkëtarit të famshëm që kalonte shpirtrat e të vdekurve nga njëri breg i lumit në tjetrin, duke i dhënë titullin romanit të tij të tretë, pra bëhet fjalë për “Karontin e Hadit”…/
Dine do krijonte simbolikën e varkëtarit të famshëm që kalonte shpirtrat e të vdekurve nga njëri breg i lumit në tjetrin, duke i dhënë titullin romanit të tij të tretë, pra bëhet fjalë për “Karontin e Hadit”. Dhe ashtu si shkruan, Jozef Radi në parathënie të këtij botimi, sigurisht që “shërbimi i këtij kalimi në botën e përtejme të të vdekurve, kërkonte tre monedhat e famshme; dy në sy dhe një poshtë gjuhës!! Dhe kjo ide e kalimit të shpirtrave në botën e përtejme mbetet mesazhi më i rëndësishëm i këtij libri…”.
Vepra përfshin një periudhë të vështirë të diktaturës komuniste. Mbas prishjes me Kinën dhe rrënimit ekonomik, nisën gjyqet politike për të mbushur burgjet-miniera që bakri e kromi të çanin bllokadën, nëpër të cilat kaluan disa dhjetëra mijëra njerëz të pafajshëm…
Pjesa e parë e librit “Mbi Varkën e Karontit”, përfshin tri etapa të proceseve të montuara të dënimeve politike: arrestimin, hetuesinë dhe gjykimin; pjesa e dytë, e cila do të përfshihet në një tjetër botim, përfshin “Burgjet”. “Edhe pse me frymë përgjithësuese libri mbetet realist dhe denoncues. Gjithë personazhet e librit, nga operativi i kampit, te dëshmitarët, te shokët apo të afërmit, familja,prokurori, hetuesi, gjykatësit, dëshmitarët, përfaqësuesi i Ministrisë, gardiani i burgut, atmosfera e kohës janë të dhënë me një realizëm të pashoq, ku autori me një aftësi të rrallë ka prekur njerëzoren e secilit, pa e tepruar askund. Ajo çka të bie në sy është se të gjithë këta personazhe janë me emrat e tyre të vërtetë, çka e bën këtë vepër të rrallë në guximin dhe qytetarinë e saj…”, shkruan Radi.
“Dine Dine i përket brezit të të lindurve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shumë nga këta djem të familjeve në zë të elitës, politikës, asaj intelektuale, hierarkisë ushtarake, tregtarëve të mesëm, po edhe familjeve me interesa të gjera kulturore, mbas ngjitjes së komunizmit në pushtet do të etiketoheshin me shprehjen tashmë shabllone, e cila do të funksiononte për më shumë se 46 vite:“Familjet e reaksionit”. Pikërisht ky brez fëmijësh do të paguante një taksë tejet të rëndë, të cilën askush s’e kish besuar se mund të ndodhte deri në kësi trajtash kaq ekstreme”.
Dine Dine edhe pse hyn te pësuesit e mëdhenj, luftoi të dalë i pacenuar në staturën e tij të dinjitetit. Radi na njeh me faktet: ai e kish nisur qysh gjashtë vjeç jetën e kampeve: prej Porto Palermos në Tepelenë, prej Savrës në Gjazë; e më pas jetën e burgjeve prej atij të Spaçit tek ai i Qafë-Barit, prej atij të Zejmenit te kompleksi sportiv “Dinamo”. Ndërsa Bilbil Cami, shkruan mbi romanin: “Përshkrimi i 100 ditëve të hetuesisë të ngërthen e të mban peshë gjer në fund.
Gjuha e natyrshme dhe shprehëse herë-herë merr tone të vrullshme si në një duel dramatik.Duhet theksuar se stili i rrëfimit është krejt I veçantë në romanin në fjalë. Ai stil i ngjeshur,intensiv, i alternuar buron nga dramaticiteti real i subjektit të romanit, nga vërtetësia e përjetimeve dramatike. Faqja e fundit e romanit, ku autori pasi merr dënimin e rëndë “10 vjet burg”, ndahet në korridorin e gjykatës nga e shoqja, me fëmijën në krah, nga nëna e mbytur në lot, nga të afërmit. Kjo tablo është e denjë për penelin e Rembrandit.(Kortezi-Mapo)