Nga Elida Buçpapaj/
Në 18 shkurtin e vititi 2011 PS zhvillonte demonstratën e dytë përpara kryeministrisë që asaj kohe kishte si kryeministër Sali Berishën.Kjo demonstratë vinte pas tragjedisë së 21 janarit dhe me frikën për të degjeneruar rishtas dhunë, gjë që nuk ndodhi.Gjashtë vjet më vonë në të njëjtën datë dhe në të njëjtin shesh, po përpara kryeministrisë, kësaj here vice versa, do të ishte PD në opozitë si organizatore e demonstratave, që do t’i emërojë si “protesta”.Protesta e PD e 18 shkurtit 2017 ngjan si dy pika uji dhe riciklon demonstratën e PS të 18 shkurtit 2011.Edhe demonstratat e 2011, edhe protestat e 2017 bien erë makutëri për pushtet, s’kanë kauza.Pretendimet për zgjedhje të lira janë vetëm demagogji.E keni dëgjuar Lulzim Bashën të flasë për ndryshim të Kodit Zgjedhor prej nga ku vjen e keqja ? Kurrë!Ndërsa kauza e 21 janarit 2011 për të larguar nga pushteti Ilir Metën pas shfaqjes të videos të Dritan Priftit ngjante si e vërtetë.
Por Edi Rama e rrëzoi përfundimisht këtë kauzë kur e ftoi në bashkëqeverisje dhe vijon ta mbajë me pekule Ilir Metën që e dredh si karavidhe si i përkëdheluri herë me PD e herë me PS.Fakti që në protestën e 18 shkurtit 2017 askush nuk e përmendi Ilir Metën, tregon se PD i jep prova besnikërie pas një lidhje morboze që ndërtoi me LSI në 2009, çka i kushtoi humbjen në qershorin e 2013.Ajo që dua të them në krye është se si PS ashtu edhe PD janë parti të pasura, që asnjëherë nuk kanë treguar prejardhjen e të ardhurave të tyre.Si PS ashtu edhe PD nuk e kanë problem të paguajnë për të krijuar skenarë protestash apo demonstratash si kjo e 18 shkurtit 2017 që do të vinte gjashtë vjet pas asaj të 18 shkurtit 2011.
PS dhe PD janë anët e së njëjtës monedhë, ata janë shkaktarët e mungesës të shtetit të së drejtës, që herë njëra e herë tjetra, mbajnë si paterica figura të konsumuara si ajo e Ilir Metës, e Fatmir Mehdiut, Kreshnik Spahiut etj.etj. Lulzim Basha në protestën e 18 shkurtit 2017 i kishte “zhdukur” xhaketat e vjetra. Në krah ai mbante nga njëra anë Sali Berishën, si politikani më populist pa të cilin Basha dhe PD nuk ekziston dhe në krahun tjetër Fatmir Mehdiun, me të cilin nuk dihet se çfarë dreqi e lidh. Sa herë shfaqet në publik Fatmir Mehdiu, populli e lidh emrin e tij me tragjedinë e Gërdecit, kur ai ishte Ministër i Mbrojtjes, një figurë fatalitet i PD.
Një gjë desha ta theksoj që duhej ta vendosja në krye dhe e vlerësoj faktin që dje nuk pati asnjë përpjekje për të prishur rendin publik apo tendencë për shkatërrim të pronës veç djegjes të pupacëve të Edi Ramës, si dhe dy ministrave të kabinetit, ministrit të brëndëshëm dhe atij të shëndetësisë. Kjo është e vlerësueshme dhe bën dallim.
Gjithçka tjetër ishte identike.
Sa i përket pjesmarrjes të madhe, ishte një demonstrim forcash i PD, sikur edhe PS në kohën kur ishte në opozitë. PD kishte organizuar sjelljen nga rrethet për fundjavë të përkrahësave të saj, shto këtu edhe ish-administrata e PD e pushuar nga puna me riciklimin në pushtet të PS. Sa për transportin më kujtohet një deklarim i Tom Doshit se pagesën e autobuzëve që sillnin përkrahësit e PS në demonstratat e 2011 i kishte mbuluar ai financiarisht. Edhe nga krahu tjetër, i PD-së duhet të ketë ndodhur e njëjta gjë.
Protesta e PD e 18 shkurtit 2017 ishte një copy paste e demonstratës të PD të 18 shkurtit 2011.
Në demontratat e PS të 2011, Edi Rama dhe aleatët e tij kishin si model përmbysjet dhe revolucionet e shteteve afrikane të Pranverës Arabe, çka ishte një nonsens sepse Shqipëria nuk ishte vend afrikan, por vend anëtar i NATO-s.
PD dhe aleatët e saj po përdorin si model protestat në Rumani, daljen e popullit në sheshe, por që kauza e rumunëve është krej ndryshe me këtë të PD, sepse rumunët duan të largojnë nga pushteti të gjithë klasën politike të korruptuar. Nëse rumunët do të ishin dje në sheshin përpara kryeministrisë ata do të protestonin si kundër Edi Ramës, ashtu edhe kundër Sali Berishës, Lulzim Bashës apo Ilir Metës, Fatmir Mehdiut etj.
Më 18 shkurtit 2011 si kolonë zanarore, PS kishte zgjedhur muzikë funebër, për të shprehur gjoja dhimbjen për katër shqiptarët e vrarë më 21 janar 2011; ndërsa më 18 shkurt 2017, PD kishte zgjedhur muzikë patriotike, për të treguar se gjoja janë patriotë.
Pse them gjoja patriotë?
Sepse ky Kreshnik Spahiu i sotshëm në një emision televiziv disa ditë më parë tha se Ramën do ta rrëzojë Greqia, lobi grek pranë administratës të SHBA, sikur rrëzoi Sali Berishën më 1997. Vangjel Dule, kryetari i PPDNJ-së nga ana tjetër i ka amplifikuar thirrjet për Ilir Metën që ky të largohet nga qeveria Rama. Por populli nuk e harron Kreshnik Spahiun që kur ishte me opozitën, me PS kundër PD, e akuzonte Lulzim Bashën, Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë të asaj kohe se ia ka falur detin Greqisë!
Të kthehemi tek argumentat e skenarit binjak të 18 shkurtit 2011 me 18 shkurtin 2017.
Pankartat dhe sloganët që u përdorën gjatë 18 shkurtit 2011 ishin identike pothuaj me këto të 18 shkurtit 2017, veç ndryshonin emrat.
Pankartat e PS në demonstratatën e 18 shkurtit 2011 ishin: Sali Berisha jep dorëheqjen, zgjedhje të reja pa Saliun, Sali Berisha largohu, ikë, duam zgjedhje të reja, të largohen hajdutët, kriminelët. Lulzim Basha asaj kohe ishte ministër i brëndëshëm, si Saimir Tahiri sot, dhe demonstruesit e shihnin përgjegjës për tragjedinë e ndodhur më 21 janar, sikur Tahiri sot shihet përgjegjës për lulëzimin e trafikut të drogës.
Sloganët që u përdorën më 18 shkurt 2017 nga PD ishin: Edi Rama ik, zgjedhje të lira pa Edi Ramën kryeministër, Edi rama rri në malet e Sharrit, mos u kthe, duam zgjedhje të lira, duam votë të lirë, jeni kriminelë, hajdutë, trafikantë.
Më 18 shkurtin e 2011, ata që e morën fjalën nuk ishin politikanë, por të rinj dhe njerëz të thjeshtë, tekstualisht sikur dje më 18 shkurt 2017. Më 18 shkurtin e vitit 2011 foli si politikan vetëm Edi Rama, në 18 shkurtin e vitit 2017 në podium foli vetëm Lulzim Basha, të tjerët pastaj ishin të rinjadhe njerëz jo nga politika.
Edi Rama më 18 shkurtin e vitit 2011 tha se do të rrinë në demonstrata që do të shtrihen në gjithë Shqipërinë deri sa të largonin Sali Berishën; të njëjtën gjë përsëritën Lulzim Basha edhe Sali Berisha më 18 shkurtin e vitit 2017, se do të rrinë nëpër protesta deri sa të largohet Edi Rama!
Edhe çadrat e bardha, si tenda sulltanësh, përpara kryeministrisë i aplikoi i pari Edi Rama kur ishte në opozitë dhe tani pas tij Lulzim Basha që synon të riciklojë pushtetin kësaj here si kryeministër.
Në një farë mënyrë PD duket si epigon i PS!
Edhe shërbimi i mediave është klientelist. Mediat janë pro krahut politik që i mbulon financiarisht dhe kundër rivalëve të tyre politikë.
Qendrimi i opozitës është kundër Ambasadorit Lu dhe Ambasadores Vlahutin që i konsiderojnë si produkt të Sorosit. Në fakt emrat e tyre lidhen me SHBA, BE dhe reformën në drejtësi.
Në protestat e 2011, Edi Rama mbante qendrim të hapur kundër Ambasadorit Arvizu deri sa gazetarët në shërbim të tij i bënin Ambasadorit Amerikan diskriminim racor.
E reja e vjetër dhe ndryshimi është se PD me pretendimin e manipulimit të zgjedhjeve kërkon qeveri teknike, ashtu sikur në 2011 Edi Rama i konsideronte të vjedhura zgjedhjet e 2009, por nuk kërkonte qeveri teknike.
Por si në 2009, edhe sot më 2017, as Edi Rama atëherë, as Lulzim Basha sot, nuk i rrëzojnë dot qeveritë pasi atë janë legjitime.
Prandaj synojnë që ta bëjnë Ilir Metën për vete, që ky të ndryshojë shtratin bashkëshortor, të kalojë nga Edi tek Luli, sikur kaloi nga Saliu tek Rama. Ilir Meta nuk e ka problem, përkundrazi, e ka për zanat. Ai futet edhe në një shtrat me djallin.
Konkluzioni është se protestat e PD që ngritën siparin më 18 shkurtin e vitit 2018, sikur ato të 18 shkurtit 2011, nuk kanë asgjë të përbashkët me protesta popullore apo me një revolucion demokratik.
E vërteta është se populli është i lodhur nga keqqeverisja 26 vjeçare, nga korrupsioni, trafiku, nepotizmi, klientelizmi, puritanizmi, egërsia dhe mungesa e humanizmit e pushtetit dhe nëse duhet të ngrihet, duhet të protestojë kundër shkaktarëve të vërtetë të vuajtjeve të tyre.Nëse PD do të vijojë me protesta me pretendimin për zgjedhje të lira, duke e kthyer në kauzë fallco qeverinë teknike, kjo manovër e saj nuk do të ketë asgjë në të mirë të popullit dhe do të jetë në disfavor të reformës në drejtësi. Pra tranzicioni postdiktaturë do të zgjatet edhe më dhe shqiptarët do të vazhdojnë të vonohen.
Nëse në Tiranë, protestat do të ishin si në Rumani, populli do të ngrihej edhe kundër atyre që organizuan 18 shkurtin 2011, edhe kundër këtyre që organizuan 18 shkurtin 2017, sepse janë e njëjta gjë, janë anët e së njëjtës monedhë, pasi e gjithë kjo katrahurë dhe ky degradim sistemi ka ardhur pikërisht prej keqqeverisjes së tyre sepse ata janë elita politike, establishmenti, klasa politike, që është ricikluar, ka ndryshuar vend, por pushtetin e ka mbajtur të akumuluar në duart e veta dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë as metodë dhe as fytyrë.
PS Ka edhe diçka tjetër që e kanë të ricikluar PS me PD: në 2011 më sulmonin me fyerje njerëzit e Edi Ramës, tani më sulmojnë njerëzit e Lulzim Bashës. Nuk isha dhe nuk jam asnjëherë me politikën dhe aq më pak me partitë, jam me të mirën e përbashkët të shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike.