Protesta, ku opozita tha se kishte gjysëm milioni pjesmarrës, ka përfunduar në shesh, por ajo po vazhdon në çadrën e madhe e ngritur gjatë së Shtunës nga forumi Rinor Demokrat.
Kreu i PD Basha hyri në çadër rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme tek protestuesit në çadër. Basha u shpreh se protesta do të vazhdojë deri sa të arrihet fitorja elementare, që është ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Është fillimi i një lëvizje popullore. Ajo që mund ta krahasoj është ajo para 27 vitesh. Vendimi i madh që morën së bashku qytetarët shqiptarë. Largimin e kësaj qeverie dhe krijimin e një qeverie teknike. Ata do të rrinë derisa të realizojnë një të drejtë themelore që e kemi fituar me ligj përpara 27 vitesh, të drejtën për të zgjedhur vetë pushtetin. Mendoj se vullneti i qytetarëve është më i fortë se korrupsioni. Do të rrimë deri sa të arrijmë një fitore elementare. Kjo është mënyra e vetme. Çdo mundësi institucionale është ezauruar. Ky shtet ka humbur çdo legjitimitet. Ky është manifestimi më i madh popullor dhe është jo vetëm një shenjë besimi, por edhe shenjë e një ndryshimi të madh që po vjen, përtej kufijve të PD”, u shpreh Basha për mediat.
Më tej kryetari i opozitës u shpreh se, kjo është një forcë që nuk mund të ndalet. “Kam marrë mesazhe nga miqtë tanë ndërkombëtare që përshëndesin këtë protestë të qytetarëve. Kjo kauzë nuk është e Lulzim Bashës, nuk është e PD, është e shqiptarëve, zgjedhje të lira dhe të ndershme”, përfundoi Basha.