Nën Organizimin e të gjitha subjekteve politike shqiptare dhe të Shoqatës ” Alpet Shqiptare”, (01.02.2013) në Plavë u mbajt Protesta popullore e Shqiptarëve, kundër shkeljes te të drejtave të popullit tonë nga ana e institucioneve lokale e shtetërore të Malit të Zi.Protesta u mbajt para Pallatit të Kulturës, në Plavë, ku në ato çaste mbante mbledhjen Kuvendi Komunal i Plavës .Në proteste, folën kryetarët e Degëve të Partive Shqiptare të Plavës e Gucisë .
Nga folësit u parashtruan dhe kërkesat e tyre e të protestuesve. Kërkesat kryesore të kësaj proteste ishin:
1. Kuvendit komunal Plavë,që të shfuqizohet vendimi antikushtetues i aprovuar me 23.11.2012.
2. Kërkojmë nga gjykata kushtetuese të respektoj kushtetutën dhe të anuloj vendimin e Kuvendit Komunal (të Plavës) të datës 23.11.2012.
3. Kërkojmë nga kuvendi komunal që në asnjë mënyrë mos t’i miratoj rezultatet e referendumit për statusin e komunës së Gucisë, për shkak të shkeljes së procedurës zgjedhore.
4. Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme që ta anuloj mendimin nr; 011/12-2279 të datës 29.10.2012, në bazë të ankesës së subjekteve politike të Plavës dhe Gucisë, në lidhje me elaboratin për arsyeshmerinë ekonomike të komunës së Gucisë.
5. Ftojmë vëllezërit boshnjak që të mos i përkrahin iniciativat e disa individëve për ndarje dhe përçarje, duke pas parasysh të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e përbashkët.
6. I bëjmë apel faktorit ndërkombëtar që të shfrytëzoj ndikimin e vet tek institucionet e Malit të Zi , kundër shkeljes te të drejtave tona, për ndryshe integrimi i Malit te Zi drejt Bashkimit Evropian do të mbetet një rruge qorre .
7. Ftojmë Tiranen dhe Prishtinën zyrtare që të merren më seriozisht me problemet e popullit të vet në Serbi dhe në Malin e Zi.
Gjatë protestës dëgjoheshin dhe brohoritje me përmbajtje të ndryshme nga protestuesit, të cilët mbanin edhe pankarta në duar. Disa nga brohoritjet e tyre, mes të tjerash ishin:
‘Shqipëri Etnike’ , ‘Duam të drejtat tona’ , ‘Plavë-Guci , Jemi Një’ , ‘ Shkelja mbi të drejtat tona, nuk është teren i sigurt’ …etj.
Pankartat që mbanin në duar, ishin shumica në gjuhën Shqipe, dhe ndonjë në gjuhën Angleze e Boshnjake (për t’u kuptuar dhe nga tjerët). Në to kishte përmbajte të ndryshme, si për shembull : ‘Shkelja mbi të drejtat tona nuk është teren i sigurt’, ‘S’vendoset për neve, pa neve’, ‘Plavë-Guci – Jemi Një’, ‘Nuk jemi numër i madh, por jemi “kafshatë” e madhe’, ‘ Ata që kërcënojnë Shqiptarët me gojën e kujt po flasin ?’, ‘You can’t go in EU, by walking upon the rights of Albanians (Ju nuk mund të ecni drejt EU-së, duke shkelur mbi të drejtat e Shqiptarëve)’ … etj.
Protesta përfundoi e qetë dhe pa incidente.
Për Malesia.Org: Skender Hasangjekaj , Plavë