Duhet të jemi syhapur dhe të urtë ndaj ndikimeve dhe rrymave radikale fetare/
“Të mbuluarit dhe të mshehurit e fytyrës së gruas s`ka qenë në kohën e profetit, por është shpikur më vonë. Ndalim i madh në përparimin e një kombi”, thoshte Naim Frashëri/
Shkruan: Fahri XHARRA/
Rryma përparimtare që e ka kapluar shoqërinë shqiptare në përgjithësi është aq e fortë, saqë edhe ata që mendojnë ta kthejnë rrotën e historisë prapa, e kanë të kotë. Qysh në vitet e 50`ta të shekullit të kaluar ishte aprovuar Ligji për ndalimin e bartjes së ferexhesë dhe mbulimit të fytyrës së femrës.
Ndalimi me ligj
Me ligj ndalohej çfarëdo detyrimi apo bindje e femrave për të bartur ferexhe, gjegjësisht për ta mbuluar fytyrën, si dhe çfarëdo mbështetje që i bëhej bartjes së ferexhesë dhe mbulimit të fytyrës. Ndërkaq me punë të dhunshme, para të mëdha, apo burg të gjatë dënoheshin ata që detyronin apo cytnin femrën në diçka të tillë. Fatbardhësisht që këso ligjesh as që janë të nevojshme të propozohen, pasi vetëdija e botës sonë mashkullore dhe emancipimi i femrës shqiptare janë shumë të larta. Kemi kulturën, traditën tonë që e kemi kultivuar brez pas brezi e me gjenerata të tëra. Interesant është të theksohet se edhe Naim Frashëri, një ndër apostujt më të mëdhenj të Shqiptarisë, e ka dashur me zemër të përvëluar përparimin e Shqipërisë dhe lartësimin e kombit shqiptar. Ja se çka kishte shkruar Naimi : “ Të mbuluarit dhe të mshehurit e fytyrës së gruas s`ka qenë në kohën e profetit, por është shpikur më vonë. Ndalim i madh në përparimin e një kombi! Si mund të vë mbroth një komb kur gratë domethënë gjysma e njerzisë rronë e mbyllur si në kuvli? Si mund të jetë i zgjuar një komb pa pasur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmisë dhe këto qysh bëhen kur burri rrin veç gruas? Ç`dashuri, ç`arsye mund të
mësojnë e të marrin djemtë në një familje të tillë…Gruaja duhet të jetë më shumë se burri e arsimuar se fëmija së pari e marrin mësimin nga nëna… Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe e krejt njerzisë.” Një nga të mbeturat më të shëmtuara të botës së vjetër është pa dyshim ferexheja që mbulon gruan myslimane. Dhe siç thotë Tajar Zavalani (Bota e re, nr. 14, 1936): “S`na shkon nga mendja se ka burra që i thonë vetes të dijshëm dhe duan të ecin hap më hap me kohën dhe guxojnë të dalin publikisht e të përligjin me argumente serioze fshehjen e gruas brenda një perdeje të zezë.” Pastaj Tajar Zavalani vazhdon: ” Të merremi vesh mirë, ç`kuptojnë me fjalën qytetërim, dhe a mund të jetë i qytetëruar një skllav? I pari fitim i qytetërimit është triumfi i lirisë personale. Gruaja myslimane është skllave e burrit derisa ky e detyron të dalë e mbuluar.” – Ndoshta femrës shqiptare i pëlqen të dalë e mbuluar? Kjo është një fyerje për gocën, vajzën, gruan, femrën tonë e cila ka dëshirë të zjarrtë të jetë e lirë dhe e qytetëruar si çdo krijesë njerëzore që jeton në këtë milenium. A thua me të vërtetë shamia, çarçafi, ferexheja e ruajnë namuzin e femrës? Nga përvoja në shtetet arabe e aziatike mbulimi sjell vetëm shëmtim që bie në sy, shëmtim nga zgjedha e shpikur nga shpirtrat sadistë.
Nuk duhet kthyer mbrapa
Këtu në trevat shqiptare nuk duhet të kthehemi prapa dhe të lejojmë krijimin e një krijese fatkeqe që të këput shpirtin. Çfarë aftësie mund të ketë ajo për të rritur fëmijë. Ata fëmijë që do të jenë shpresa e së nesërmes së këtij vendi. Trashëgimia e atdheut dhe krenaria e kombit. Dija, në romanin e Haki Stërmillit në ditarin e saj thotë: ”Sikur t`isha djalë do t`i tregojsha botës mashkullore se dora që e përkund djepin është ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerëzisë, sepse ajo, vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndritura. Femra myslimane e mbyllur brenda katër mureve asht e mpitë, e dobët dhe e pazhdrivillueme, sepse asht shtypë e mbytë nga zgjedha e randë e nji edukate që nuk këshillon e nuk porosit tjetër veçse ndalimin: mos prek,mos fol,mos dil,mos qesh ,mos e mos e mos”. Kur ne i hapim derën, atëherë të huajt mezi s`presin të na japin leksione. Njëfarë ndërkombëtari Juerg Loneburg paska pas thënë se ferexheja na qenka pjesë e kulturës shqiptare.(???) Jo vetëm atij, por edhe bashkëkombësve të mi u them se çarçafi e ferexheja janë kulturë turko-arabe që ka pasuar me zgjerimin e Perandorisë Osmane, islamizimi i të cilit është kryer deri në fund të shekullit të 19`të. Feja e besimi është çështje shpirtërore individuale. Duhet të vëmë në rend të parë kombin. Pra se jemi shqiptarë dhe të punohet shumë në uljen e tensioneve ndërfetare tek shqiptarët. Duhet të jemi shumë syhapur dhe të urtë ndaj ndikimeve dhe rrymave radikale fetare të cilat këmbëngulin në tjetërsimin e identitetit tonë shqiptar. Përndryshe nuk do të jemi më ata që jemi sot.
Samiu says
kjo eshte si te kthehesh prapa 2-3 shekuj
rasim hulaj says
Sepse havalja eshte ne kundershtim me ligjet a natyres dhe te zotit.
Alboo says
Ohh kqyr kush ka shkruar se Fahriuuu…një Islamofob, pojj ne nuk presmi dic shkrime me ndryshe nga ju, sa gjynah që jeni, vec injorantat e budallenjët janë në krah jush.