Nga Át Vitor Demaj, OFM/
Hymje/
Kur grekët e vjetër filluen me u marrë me histori, menduen me trajtue historinë si shkencë për dy qëllime. Ata thojshin se historia shërben për me mësue prej gabimeve të maparshme; dhe që këto gabime të mos përsriten ma. Grekët mendojshin se natyra e njeriut âsht lehtësisht e manipulushme e se ngjarjet edhe ato mâ tragjike mund të përsriten. Historiani duhet të grumbullojë fakte, ngjarje, dëshmi të njerëzve që jetuen ato ngjarje, dokumente, të kërkojë nëpër arkiva, të lexojë libra të shkruem posaçe për atë periudhë. Grekët mendojshin se tue u a mësue historinë brezave të rij do të parandalonin problemet e së kaluemes. Tue studiue historinë edukoheshin e formoheshin breznitë e reja me të mirat e me të këqijat e të parëve tyne. Edhe sot shërben për né që ta njohim historinë për me njoftë të kaluemen e sidomos që ajo të mos përsritet.
Ketë vit u banë kremtimet për 70-vjetorin e çlirimit të Shqipnisë. Historianët e historisë sëré e kanë nxjerrë kryet, nostalgjikët e sistemit komunist japin sentenca, ndërkohë që rikthehet frikshëm fotografia e Enver Hoxhës në mbledhje publike. Simboli i së keqes vijon të mbijetojë në mendjet e disa shqiptarve. Bile hija e tij po i ndjek mbrapa. Ambasadori amerikan e dënoi qartë rikthimin e figurës së Enver Hoxhës e ndërkohë shumë prej nesh heshtën.
Nëse e shikojmë me objektivitet ketë vit i bjen të kujtojmë 70-vjetorin e fillimit të tiranisë, të diktaturës mâ çnjerëzore të popullit tonë. Nuk duem të paragjykojmë të vramët gjatë Luftës së Dytë Botnore, sidomos të ramt ndër partizan e komunista. Për komunistatpat deklarue P. Anton Harapi, në vjetin 1944se veprojshin me krye në thes, pa e dijt se kush po i udhëhiqte. Nuk dijshin se kush po i drejton. Shumë sish kishin luftue për nji Shqipni të lirë e jo për diktatorin e vrasësit e tij. Historinë nuk mund ta lexojmë vetëm nëpërmjet nji date ose mbas nji rase të caktueme, atë duhet ta kontekstualizojmë dhe ta lidhim me atë se çka ndodhi mâ vonë. Ajo çka erdhi mâ vonë nuk lejon kurrqysh që 29 nandori i vjetit 1944 të jetë ditë gëzimi.
1 Asgjasimi fizik i Klerit katolik
Kaluem prej pushtimit fashist në ferrin komunist. Nuk kaluem në liri, por prej pushtimit në diktaturë. Shqiptarët nuk e panë lirinë mbas nandorit të vjetit 1944. Në ketë humbje të madhe, peshën kryesore e mbajti Kisha Katolike. Ajo humbi gjithçka.
Po rreshtojmë ngjarjet në trajtë kronologjike që vuejti Kisha Katolike e Françeskanët Shqiptarë.
Kleri katolik me qendër në Shkodër u konsiderue prej qeverisë shqiptaro-jugosllave si qendra anti-shqiptare e cila duhej shfarosë nji orë e mâ parë. Hapi i parë vjen e kryhet në kumbonaren e Gjuhadolit ku përkrah flamurit shqiptar, i cili valvitej i vetëm që prej 13 qershorit të vjetit 1913, vihet edhe flamuri jugosllav.
Menjherë fillon persekutimi. Vritet në malet e Dragobisë prej komunistave françeskani i parë Át Lekë Luli. Ky do t’u paraprinte çetës së ardhshme të martirëve. Forcat jugosllave vrasin në pabesi fratin Leonard Tagaj, famullitar i Hotit e Grudës. Fill mbas Át Leonardit, vritet edhe Át Bernardin Llupi, i cili kishte përshkrue në kujtimet e tij luftën ndërmjet ushtrisë serbe e Dukagjinit në vjetin 1915. Në janar të vjetit 1945 arrestohen Át Gjon Shllaku, Át Giovanni Fausti e Át Daniel Dajani. Pushkatohen sa dalin në gjyq si anmiq të popullit me datën 4 mars 1945.
Arrestojnë Dom Ndre Zadejen, i njoftun prej publikut për kulturën e tij të gjanë. E pushkatojnë pa gjyq. Fill mbas tij në tortura të paimagjinueshme vdes publicisti e përkthyesi Dom Lazer Shantoja.
Gjimnazet e Fretënve e të Jezuitëve konsideroheshin si qendra anmiqsore të cilat simbas regjimit të ri enverian veprofshin kundra interesave të kombit.
Në Dukagjin arrestojnë Pater Anton Harapin. Mbasi e mbajnë për disa muej nën tortura në burgun e Tiranës, e pushkatojnë në shkurt të vjetit 1946. Sot as vorri i tij nuk gjindet.
Terrori vazhdon nëpër kisha e kuvende. Anmiqt e popullit duhen asgjasue me çdokusht. Ky kje urdhri prej Tirane i drejtuem prej qeverisë jugosllave.
Kuvendi i Gjuhadolit në Shkodër kje qendër e vertetë kulture e humanizmi. Në ketë kuvend jetuen e vepruen personalitetet mâ të randesishëm të kombit tonë, si Át Gjergj Fishta, Át Shtjefën Gjeçovi, Mons. Vinçenc Prennushi, Át Pal Dodaj, Át Pashk Bardhi, Át Marjan Prelaj, Át Ambroz Marlaskaj, Át Bernardin Palaj, Át Donat Kurti, Át Anton Harapi, Át Martin Gjoka, Át Justin Rrota, etj., të cilët hodhën themelet e kulturës shqiptare. Po në Kuvendin françeskan kreu vizita të shpeshta Faik Konica e shumë figura të shqueme të Shqipnisë. Ndërsa martiri i kombit Luigj Gurakuqi kishte zyrën e tij në kuvendin e fretenve. Në dhetor të vjetit 1946 Kuvendi i Gjuhadolit kthehet në burg, ose siç e quen P. Zefi “Burgu i Kishës”. P. Pal Dodaj-n e torturojnë memetoda nga mâ çnjerëzoret. P. Bernardin Palaj-n e gozhdojnë e Marie Tucin e fusin nji thes bashkë me nji mace. Maria vdes prej torturave të shumta. Ishte vetëm 22 vjeçe. Për nji pagëzim pushkatohet në vjetin 1971 Dom Shtjefen Kurti. Ndërkaq folkloristin e njoftun Dom Lekë Sirdani bashkë me Dom Pjetër Çunin i mbysin në nji gropë të ujnave të zeza në Koplik.
Po në vjetin 1946 u arrestuen tre Ipeshkëvij, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Frano Gjini, Imzot Jul Bonati, Provinciali i Françeskanëve e disa klerik të tjerë. Ato u mbajtën të burgosun në Kuvendin e Gjuhadolit. Në shkurt të vjetit 1948 pushkatojnë pothuejse krejt kryesinë e Kishës katolike, Imzot Frano Gjinin, P. Ciprijan Nikën bashkë me P. Mati Prendushin, Provincialin e françeskanëve. Mons. Vinçenc Prennushi do të vdesë nën tortura në mars të vjetit 1949. Vdesin si martir tue i fal të gjithë. Trajtoheshin si kriminel Imzot Luigj Bumçi e Imzot Gaspër Thaçi, Imzot Bernardin Shllaku, Imzot Ernest Çoba, Imzot Antonin Fishta, Imzot Pjeter Demaj e shum meshtar të tjerë. Kisha Katolike po shkonte drejt asgjasimit të plotë.
Persekutimi vijonte. Torturat ishin nga mâ të ndryshmet. I groposnin nëpër nevojtore, i banin me pi urinën e tyne, i lejshin të varun nëpër mure, pemë e shkallë përditë e net sidomos gjatë dimnit, i djegëshin nën stjetull me vezë të nxehta, u mbushnin me kryp e uthull plagët, i djegëshin në zjarrm, kuja nën thoj, i rrashin me konop të lagun, përdorojshin korentin në veshë e gojë e në pjesë mâ delikate të trupit, i linin pa gjumë, i shtinin nëpër biruca në ujë për shumë ditë rresht gjatë dimnit, i kryqzojshin nëpër dysheme, i shtrijshin të plagosun në prush, i lidhnin me të dekun etj. Ndërkohë që gjatë natës dëgjoheshin britma vuejtjeje që u vinin prej plagëve, partizanët këndonin kangë revolucionare për mos me i dëgjue populli vuejtjet e martirëve.
Arqipeshkvin e Shkodrës, Mons. Ernest Çoben, mbasi u mbyllën kishat, e detyruen të punonte si pastrues nëpër rrugët e qytetit. Ky ishte Aqipeshkëvi i fundit. Vdes i helmuem prej sigurimsave të shtetit.
Fishtës prej urrejtjes së madhe në vjetin 1967 i nxjerrin eshtnat prej vorrit e ia hedhin në Lum të Kirit. Në vorrin e tij kishin mbetë vetëm pak eshtna, me të cilat mbas rihapjes së Kishës në vjetin 1990, rishtas iu ndërtue vorri po në Kishën e fretënve në Gjuhadol-Shkodër.
Bashkë me martirët që i përmendem, janë edhe shumë të tjerë të cilët hoqen mundime të shumta për të vetmin faj, për besimin në Krishtin e bashkimin me Papën e Romës e se deshtën Shqipninë e shqiptarët. Ndër këta po përmendim Át Frano Kirin, Át Mark Harapin, Át Nikoll Mazrrekun, Át Gegë Lumaj, Át Klement Miraj, Át Benedkit Dema, Át Marin Sirdani, Dom Frano Ilia, Dom Mark Dushi, Át Leon Kabashi, etj.
Dishmitarët okularë si P. Zef Pllumi, P. Konrad Gjolaj, Dom Simon Jubani, Gjovalin Zezaj, e shumë të tjerë na tregojnë se cila kje ftyra e vërtetë e komunizmit. P. Donat Kurti, mbasi kreu 17 vite burg jetoi në nji vorfni të skajshme brenda nji kolibe, i braktisun e i harruem prej të gjithëve. Bash si P. Donati jetuen e vdiqën shumë meshtarë në nji vorfni të skajshme, të detyruem në punë të vështira e në nji kalvar të pafund mundimesh, shamjesh, vuejtjesh e mjerimi.
1 Shkatërrimi i veprës kulturore
Po trajtojmë grabitjen e bibliotekave, të arkivave e Dioçezave, të famullive, të kuvendeve, etj. Bilanci âsht vërtetë tragjik. Biblioteka e famshme françeskane, e cila përdorej edhe si redaksi e Hyllit të Dritës, kthehet në gjykatore prej tiranit. Shkatërrohet krejtësisht tue shembë për dhé raftat me libra të vjetër për Shqipninë e shqiptarët. Shumë prej librave nuk dihet se ku përfunduen. Nji pjesë e tyne i kaluen bibliotekës së qytetit të Shkodres, nji pjesë bibliotekës kombëtare në Tiranë e nji pjesë jo e vogël shkatërrohet. Biblioteka françeskane numronte mâ shumë se 20.000 vëllime.
Të njajtin fat pat edhe Arkivi i fretënve. U shkelën me kambë dokumentat e vjetër. Partizanët thojshin se historinë “do ta bëjmë ne e kështu nuk na duhen gjë këto dokumente”. Simbas dëshmisë së P. Zef Pllumit, arkivi fillonte me dokumenta qysh prej vjetit 1415, vijonte me dokumenta të shekujve XVI-XVIII përfundonte me Luftën e Dytë Botnore. Arkivi përmbante shkrime origjinale të arbëneshëve të Italisë, letërshkëmbim të vlefshëm rreth ngjarjeve që sollën pamvarësinë e Shqipnisë, dorëshkrimet të P. Gjergj Fishtës, P. Shtjefen Gjeçovit, P. Pal Dodaj, Luigj Gurakuqit, Imzot Prennushit, P. Ambroz Marlaskaj, etj.
Mbas shkatërrimit të bibliotekës dhe arkivit i erdhi rradha Muzeumit të themeluem prej P. Shtjefen Gjeçovit. Shumë prej objekteve të mbledhuna aty nuk dihen se ku përfunduen. Përveç Muzeut të Gjeçovit u shkatërrue edhe oda muze ndertue për nder të poetit kombëtar P. Gjergj Fishtës. Në odë kjenë vendos sendet personale e dorëshkrimet e poetit. Njikohsisht u grabit edhe Pinakoteka e ndertueme prej P. Gjergj Fishtës me piktura shum të vjetra. U sekuestrue Shtypshkroja Françeskane e cila që prej vjetit 1916 kishte nxjerrë në dritë nji shumësi botimesh me vlerë të paçmueshme për kulturën tonë. Bashkë me mbylljen e Shtypshkrojes Françeskane, u mbyll edhe shtypshkroja e Jezuitëve e cila funksiononte që prej vjetit 1870. Kjo shtypshkrojë pat funksionue edhe para pamvarësisë së Shqipnisë.
Me urdhën të premë prej Tirane u mbyllen revistat kulturore Hylli i Dritës e Leka e bashkë me to edhe revistat me karakter kryesisht fetar e kulturor,Zani i Shna Ndout e Lajmëtari i Zemrës së Krishtit.
Umbyll kolegji Saverian e bashkë me të edhe shkollat që drejtoheshin prej etenve Jezuit. U shembë për dhé Muzeu i tyne e u grabit koleksioni i çmueshëm i Numizmatikës. Mbyllin Liceun Klasik të Françeskanëve i cili kje themelue që në vjetin 1921. Përveç Gjimnazit, në atë kohë françeskanët drejtonin mâ shum se 20 shkolla fillore. Sikurse Liceu Klasik edhe këto shkolla u mbyllen me pretekstin se ishin reaksionare. Edhe shkolla femnore e motrave Stigmatine në të cilën u edukuen e u formuen shum të reja, u mbyll.
Arkivat e zyrave famullitare si dhe të kuvendeve ishin shum të pasun me materiale rreth historisë e gjuhësisë shqiptare. Vetëm arkivat e zyrave famullitare të Françeskanve mbajshin dokumenta të shekullit XVI e në vijim. Të gjitha u shkatërruen. Persona të papërgjegjshëm grabiten e djegen ketë pasuni të çmueshme të kulturës tonë. U mbyllen edhe Shoqnitë, si ajo Antonjane, muzikore, fetare-kulturore të themelueme prej Françeskanëve, Jezuitëve e prej klerit dioçezan. Rreth këtyne shoqnive kjenë edukue rinija, e u formuen brezat e ardhshëm në muzikologji, gjuhësi, histori, etnologji, etj.
Vala e persekutimit vijon. Mehmet Shehu hedh në erë me dinamit Kishën mesjetare të Vaut të Dejës, ndërsa në vjetin 1967 me mbylljen e kishave fillon nji periudhë e ré persekutimi. Përveç burgosjes e pushkatimeve të meshtarëve, shkatërrohen veprat e artit, kishat e vjetra, afresket nëpër kisha e kuvende. Kishat u kthyen në kinema, pallat sporti, magazina, tue përçudnue artin fetar e arkitekturën e tyne. Digjen librat e meshëve. Shumë prej kishave të vjetra që sot do të ishin monument kulture janë shembë për dhé. Gurët e këtyne kishave u përdoren prej regjimit për me ndërtue mjedisete realizmit socialist. Vejnë dorë deri edhe nëpër vorre, tue hek kryqat e tue i zavendësue me “yllin e kuq”.
Përmbyllje
Për Kishën Katolike dhe për Françeskanët, 70-vjetori nuk kje festa e lirisë, por fillesa e pushtetit të së keqes e eliminimit fizik dhe e asgjasimit në masë të veprës kulturore që kishin ndërtue gjatë shekujsh. Nuk jemi shkëput ende préj Diktatorit! Vijon të shfaqet si hukubet nëpër mitingje. Jo vetëm Kisha Katolike por kréjt Shqipnia vuejti diktaturën e pashembullt të pushtetarëve komunist. Kini nderim për vuejtjen dhe eleminimin fizik që i shkaktuen popullit shqiptar e në veçanti Kishës Katolike e njerëzve të saj. Komunizmi në Shqipni nuk kje thjeshtë nji diktaturë, por Enver Hoxha me klanin e tij kreu genocid ndaj popullsisë shqiptare.
Ky përvjetor duhet të përkujtonte viktimat e sistemit që ai vet shkaktoi. Prandej, nuk duhet të festojmë, por duhet të reflektojmë që e keqja të mos përsritet.
Fritz Radovani says
Motivi i shkrimit asht i kjarte dhe me pelqej.
Ne vitin 1945 keni te PARIN Klerik qe u pushkatue ne Tirane Me 5 Mars 1945 Don Lazer Shantoja, i masakruem(jo vdeke).
Me 25 Mars 1945 asht pushkatue Don Ndre Zadeja me grupin e Preke Calit, ne Zallin e Kirit, prane Rremajit, ne Shkoder.
Ndersa At Fausti, Dajani, Shllaku, xhakoni M Cuni dhe grupi i “Bashkimit Shqiptar” asht pushkatue me 4 Mars 1946, prap ne Shkoder.
Imz. Ernesto COBA, ka vendin nder te mbytunit nga sigurimi i shtetit ne Degen e Mbrendshme te Shkodres, dhe jo me te vdekunit jashta sigurimit. Asht MARTIRE I MADH po i lanun ne “heshtje”, qe nuk e dij as sot arsyen.
Pjesa ma e madhe e dorshkrimeve dhe dokumentave historike jane ne Arkivin e Shtetit dhe Biblioteken Kombtare, edhe pse ka 25 vjete qe Ju duhet ti kishit terhjeke, mbasi jane PRONE E JUEJA. Me respekt F.Radovani.