
Behgjet Pacolli/
Ideja për zgjedhjen e Presidentit të vendit drejtpërdrejt nga populli ka qenë BINDJA IME që nga viti 2007. Mua atëherë askush nuk më mbështeti. Nese shiqoni në retrospektivë, e shifni se kolegët e mi të atëhershëm ( disa nga ata edhe sot janë deputet ), me akuzoni se “ po du me imponuar sisteme të lindjës” Qe tani ku jemi!
Në një sistem demokratik të mirëfilltë, posti i Presidentit duhet të jetë shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe jo rezultat i marrëveshjeve të mbyllura ndërmjet partive politike. Kur Presidenti zgjidhet nga qytetarët, ai merr një legjitimitet të drejtpërdrejtë demokratik dhe përfaqëson gjithë popullin, jo vetëm interesat e një shumice të përkohshme parlamentare.
Sot, kur fati i Presidentit vendoset nga deputetët dhe nga të ashtuquajturit “vota të sigurta” apo kalkulime partiake, institucioni i Presidentit rrezikon të reduktohet në një instrument të politikës së ditës. Në vend që të jetë figurë unifikuese dhe garant i Kushtetutës, Presidenti shpesh shihet si produkt i pazareve politike, marrëveshjeve të fshehta dhe interesave të ngushta partiake. Kjo jo vetëm që e dobëson autoritetin moral të këtij institucioni, por gjithashtu e largon atë nga qytetarët që ai duhet të përfaqësojë.
Është paradoksale që institucioni që duhet të simbolizojë unitetin e kombit të varet nga votat e një grupi të kufizuar deputetësh, të cilët ( nuk logjikojnë ) dhe janë të lidhur ngushtë me kërkesat dhe interesat e udhëheqjeve të partive të tyre.
Në këto rrethana, zgjedhja e Presidentit nga Parlamenti mund të shndërrohet lehtësisht në një proces formal, ku rezultati dihet paraprakisht dhe ku mungon çdo element i vullnetit të drejtpërdrejtë qytetar.
Për më tepër, një praktikë e tillë rrezikon ta degradojë institucionin e Presidentit në një post simbolik pa peshë reale morale dhe demokratike. Kur qytetarët nuk kanë mundësi të shprehin drejtpërdrejt vullnetin e tyre për këtë figurë të rëndësishme shtetërore, krijohet një ndjenjë distancimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve.
Prandaj, nëse duam që Presidenti të jetë vërtet përfaqësues i unitetit kombëtar dhe garant i Kushtetutës e jo kukëll, mënyra më e drejtë dhe më demokratike është që ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Vetëm kështu ky institucion mund të fitojë legjitimitetin e plotë demokratik dhe të çlirohet nga varësia ndaj kalkulimeve të ngushta partiake.
Ndryshe, vazhdimi i praktikës aktuale rrezikon ta kthejë procesin e zgjedhjes së Presidentit në një farsë politike, ku institucioni që duhet të jetë mbi partitë në fakt mbetet peng i tyre.