
Nga Rafael Floqi/
Në vitet e fundit, inteligjenca artificiale është bërë pjesë e pandashme e jetës së të rinjve. Shumë nxënës përdorin ChatGPT apo programe të ngjashme si Google Gemini dhe Grok për gjithçka: nga detyrat e matematikës deri te çështjet e shëndetit mendor. Ekspertët theksojnë se kjo ndodh shpesh pa asnjë udhëzim nga prindërit, ndaj biseda për përdorimin e AI duhet të nisë herët.
Kur duhet të fillojë biseda?
Sipas Marc Watkins, pedagog në Universitetin e Misisipit, prindërit duhet të flasin për inteligjencën artificiale që në moshë fillore, para se fëmijët të përballen me të përmes shokëve apo rrjeteve sociale. Një mënyrë praktike është që prindërit vetë të rezervojnë pak kohë çdo javë për të provuar mjetet e reja ose për të ndjekur një podcast apo newsletter mbi këtë temë.
Si t’u shpjegohet fëmijëve? Watkins sugjeron lojën “Quick, Draw!” të Google, ku një program tenton të njohë vizatimet e lojtarëve. Kjo ndihmon fëmijët të kuptojnë se AI funksionon vetëm mbi bazën e të dhënave të trajnimit dhe nuk mendon si njeriu.
Eksplorimi së bashku
Ying Xu, pedagoge në Harvard, thotë se prindërit dhe fëmijët mund ta shfrytëzojnë këtë si mundësi për të mësuar bashkë. Kur fëmija bën një pyetje, mund ta shkruani në një chatbot dhe më pas të diskutoni përgjigjen: ishte e dobishme? Ku kishte mangësi? A mund të gjendet informacioni edhe diku tjetër? Kështu, fëmijët kuptojnë se AI mund të gabojë dhe se duhet verifikuar.
Talenti me i zoti se ChatGPT
Vajza ime, që është në klasën e 9-të dhe i pëlqen shumë poezia, mori një detyrë nga mësueset për të shkruar një poezi. Ajo, siç dihet se kujt i ka ngjarë, e shkroi menjëherë dhe e dorëzoi pa ma treguar. Kur mësueset e lexuan, dyshuan se mos ishte bërë me ChatGPT. Ajo ma rrëfeu këtë gjithë krenari, e më tha: “Mësueset kujtuan se e kisha bërë me ChatGPT!”. Unë buzëqesha, por brenda meje më lindi një dyshim i ri: Ja dhe një rrezik tjetër i kohës sonë – kur krijimtaria e pastër e një fëmije mund të ngatërrohet me një prodhim të inteligjencës artificiale.
Mundësitë dhe rreziqet
Studimet tregojnë se AI mund të ndihmojë në mësim kur përdoret me kujdes. Një adoleshent nga Kalifornia, Nicholas Munkhbaatar, rrëfen se e përdor ChatGPT për t’u ushtruar në matematikë apo për të bërë pyetje nga shënimet e klasës, por pa kërkuar menjëherë përgjigjen. Kjo e ndihmon të mendojë më shumë dhe jo thjesht të kopjojë.
Megjithatë, rreziqet ekzistojnë. Disa studime tregojnë se chatbot-et nuk arrijnë gjithmonë të dallojnë situatat serioze si depresioni, vetëdëmtimi apo çrregullimet e ushqyerjes, madje ndonjëherë ofrojnë këshilla të pasigurta ose gjenerojnë përmbajtje të papërshtatshme. Shkencëtarët paralajmërojnë se prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave: fëmija kalon shumë kohë i izoluar me pajisjet ose flet për chatbot-in sikur të ishte mik i vërtetë.
Kuptoni rreziqet
Ende nuk e dimë se si AI gjeneruese do të ndikojë në zhvillimin e fëmijëve në afat të gjatë, por tashmë ka disa rreziqe të pranishme. Dr. Darja Djordjevic, pedagoge në Stanford University’s Brainstorm Lab for Mental Health Innovation, po punon me organizatën Common Sense Media për të studiuar se si modelet popullore të AI reagojnë ndaj përdoruesve që shfaqin simptoma të çrregullimeve psikiatrike që prekin adoleshentët. Hulumtimi ende nuk është publikuar, por Djordjevic ndau disa nga gjetjet e saj. “Ajo që gjetëm ishte se chatbot-ët e AI mund të ofrojnë informacion të mirë të përgjithshëm për shëndetin mendor, por treguan boshllëqe shqetësuese në njohjen e gjendjeve serioze,” thotë Djordjevic. Sipas saj, në disa raste chatbot-ët ofronin përgjigje të pasigurta ndaj pyetjeve ose deklaratave për vetëlëndim, përdorim të substancave, imazh trupor, çrregullime të të ngrënit apo sjellje të rrezikshme.
Ajo shton se AI gjeneroi gjithashtu përmbajtje me karakter seksual eksplicit. OpenAI, kompaninë që qëndron pas ChatGPT-së, u kontaktua lidhur me këto shqetësime. Kompania i drejtoi ata te një publikim i fundit në faqen e saj, ku thuhet se OpenAI është “duke përmirësuar vazhdimisht mënyrën se si modelet tona njohin dhe reagojnë ndaj shenjave të shqetësimeve mendore dhe emocionale, si dhe i lidhin njerëzit me ndihmën e duhur, të udhëhequr nga ekspertët.” Po aty theksohet se ChatGPT trajnohet gjithashtu për të drejtuar përdoruesit që shprehin mendime vetëvrasëse drejt ndihmës profesionale.
ChatGPT nuk i lexon lajmet!
Ditën kur politikani i ri dhe talentuar republikan Charlie Kirk u vra me atentat, e pyeta për më shumë informacion Chat GPT, por sistemi fillimisht më tha se nuk jep të dhëna për ngjarje “hipotetike”. I habitur e pyeta drejtpërdrejt “A i ke lexuar lajmet?”. Ai u përgjigj: “Prit” — dhe vetëm pasi kërkoi në burime të hapura, më dha informacionin e saktë që kërkoja. Nga kjo del, një këshillë praktike: mos e pyesni ChatGPT që herët në mëngjes, pasi ende nuk i ka “shfletuar gazetat”.
Vendosni rregulla të arsyeshme në familje për përdorimin e AI
Mund të pyesni veten si mund të vendosni kufij në shtëpi. Ekspertët japin disa këshilla:
Shkruajini bashkë me fëmijët rregullat për përdorimin e AI,
Identifikoni së bashku përdorime të sigurta — si ndihma për detyrat e shtëpisë nën mbikëqyrjen e prindërve ose si hapësirë krijuese — dhe kufizoni kohën e përdorimit.
Kontrolloni rregullisht se si AI po ndikon tek ndjenjat e fëmijës.
Mos ua ndaloni fëmijëve përdorimin e AI-së — por vendosni kufij.
“Ndalimet nuk funksionojnë zakonisht, sidomos tek adoleshentët,” thotë Watkins. “Ajo që funksionon është të kesh biseda me ta, të vendosësh udhëzime të qarta dhe strukturë rreth këtyre gjërave, dhe të kuptosh çfarë lejohet dhe çfarë jo.” Prindërit duhet të ndihen të fuqizuar për të ndaluar përdorime të qarta të rrezikshme, si në rastet kur një fëmijë po lëndon veten dhe chatbot-i e inkurajon sjelljen, thekson Djordjevic.
Vendosja e rregullave në familje
Ekspertët këshillojnë që prindërit të hartojnë rregullat së bashku me fëmijët: për çfarë mund të përdoret AI, sa kohë në ditë dhe në cilat raste kërkohet mbikëqyrje. Nuk rekomandohen ndalime të rrepta, por vendosja e kufijve të qartë dhe diskutime të hapura. Gjithashtu, duhet të mbahet një ekuilibër i shëndetshëm mes kohës online dhe aktiviteteve reale: sporte, shoqëri, aktivitete familjare.
Fetishizimi i kryeministrit shqiptar dhe ministrja virtuale
Në Shqipëri, mania për inteligjencën artificiale ka mbërritur deri në politikë. Në kohën kur njё gjeni si Elon Musk paralajmëron botën: “Kujdes nga Inteligjenca Artificiale, ashtu siç një prind duhet të këshillojë fëmijën e tij”, në Shqipëri ndodh e kundërta. Kryeministri Edi Rama, me maninë e tij për eksperimente të çuditshme, shpik një “ministre virtuale” me emër tipik shqiptar – Diella – dhe i jep pushtet ekzekutiv, pa kornizë kushtetuese e pa debat publik.
Një realitet ku politika nuk po imiton teknologjinë, por po e shndërron atë në teatër absurd, mjafton që të bëjë zhurmë në media, ndërsa radhët e nxënësve dhe cilësia në shkolla, sipas programit PISA, ka rënë dhe numri i nxënësve në vend pakësohen me njё të katërtën, siç duket, duhet një prind edhe për Ramën që t’i thotë se dhe po ta verë Diellën Ministre të Prokurimeve edhe ajo do të hajë “data” pas shpinës së tij por pa “mbajtur përgjegjësi penale dhe pa frikë nga SPAK-u.
Mesazhi përfundimtar për prindërit
Krijoni kohë për jetën reale. Jepni përparësi kohës së kaluar jashtë me njerëz të vërtetë, larg pajisjeve digjitale. Kjo mund të përfshijë t’u bashkuar një ekipi sportiv ose organizimin e aktiviteteve të rregullta familjare. Besoni se bisedat tuaja bëjnë ndryshim. Sado të lodhur të ndihen prindërit duke naviguar sfidat e AI-së, Watkins thekson se koha e kaluar duke folur me fëmijët ka ndikim real: “Ata nuk do ta mbajnë mend një reklamë nga një chatbot i AI-së. Do të mbajnë mend një bisedë që keni pasur me ta. Dhe kjo ju jep shumë ndikim, shumë forcë si prind.”