Kadri Tarelli /
Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.
Festa e mësuesit “7 Marsi” po afron dhe si mësues i vjetër që e nisa dhe e grisa jetën në arsim, mendoj t’i bëj një urim e përshëndetje kolegëve të hershëm e të rinj, të cilët unë i quaj “Misionarë të dijes dhe edukimit”. E meritojnë….!
Ç’ bëri tepër misionari,
kur përhapi Krisht e fe?
Jeta juaj flakë pishtari,
Gjuhë shqipe e mëmëdhe. K. Tarerlli. Libri: “Koha në vargje”. “Gjuhë shqipe e mëmëdhe”. Motrave Qirjazi. 2020.
– Urime! “Ta gëzojmë festën e shkollës shqipe! Është dita jonë e shenjtë”. Dua të gëzoj edhe unë, por seç kam që më pengon dhe më shpon si gozhda në këpucë, duke pyetur veten dhe të tjerët:
. Po simbolin e mësuesisë “Normalen”, ku e kemi, që u zhduk pa lënë gjurmë, sikur të mos ishte fare……!? – Është pyetja e parë që hap thesin e ngjeshur e të pa njohurave dhe të papriturave, që kërkojnë të shpërthejnë.
. Pse u mbyllën shkollat pedagogjike….? Çfarë fituam dhe humbëm? A ka ndonjë studim dhe pendim…..?
. Kujt i preu udhën e të nxënit shqip, mësuesve të rinj që përgatiten e për t’i shërbyer arsimit dhe kombit…..!?
. Cili ministër, kryeministër apo president, mendoi dhe firmosi: Të mbyllej Shkolla “Normale”, simboli i arsimit shqip, nga ku dolën me qindra e mijëra mësues, që pavarësisht vështirësive hapën shkolla edhe aty ku askujt nuk ia priste mendja…..!?
Thesi i pyetjeve është i madh, por po ndalem këtu, në një ngjarje të ndodhur rreth një vit e gjysmë më parë.
U ndodhëm në Elbasan, më: 02, vjeshta e tretë, 2023, të ftuar nga Prof. Dr. Selman Sheme, në sallën e Bibliotekës Publike, “Q. Baholli”, të qytetit të Elbasanit, ku u bë përurimi i librit, “Çështja Çame. Perspektiva e zgjidhjes, perspektivë e integrimit”.
Në rreshtin e parë të të pranishmëve, ndodhej edhe Prof. Rudolf Deliana (1), një burrë i moshuar, i cili kur mori fjalën, u prezantua si kryetari i shoqatës “Normalisti”. Nuk e njihja më parë. Pas tij më erdhi radha të flas edhe unë. Përshëndeta të pranishmit dhe ……., më vjen keq që veprova pa u menduar gjatë, duke thënë: – Meqenëse këtu në sallë na nderon kryetari i shoqatës “Normalisti”, z. Rudolf Deliana, me dhimbje si mësues i hershëm, po bëj një pyetje: – Ku është sot shkolla “Normale”, me të cilën mburrej Elbasani, por mburreshim edhe ne mësuesit? Pse u mbyll dhe nuk a asnjë shenjë të saj? Të paktën, nuk e lanë as për muze…! Kjo shkollë ishte simbol i arsimit shqip. Anëtarë “Normalistë”, besoj janë shumë, por “Normalen” ku e kini…..!? – Vura re se sytë ju mbushën me lot dhe nuk mundi të më përgjigjet. Por edhe unë nuk munda të flas më. E preka aty ku atij i dhembi shpirti, ashtu siç i dhemb shpirti çdo normalisti dhe qytetari elbasanas. Artikulli: “Çamëria, krah i shqyer i kombit Shqiptar”. Botuar: Revista “Albanian Post”. 21. 10. 2023, Gazeta “Dielli”, SHBA. 23. 10. 2023, Gazeta “Bota sot”, 23. 10. 2023, Zemra shqiptare. 25. 10. 2023.
Unë nuk jam normalist, pasi kam mbaruar gjimnazin “16 Shtatori”, (Më pas u quajt gjimnazi “Nako Spiru”), në Durrës, e më pas Universitetin në Tiranë. Kështu nuk kam ato ndjesi si kolegët e mi që kanë studiuar në atë shkollë famëmadhe. Megjithatë jo vetëm dëshira, por më shumë logjika më shtyn në mendoj, se mbyllja kësaj shkolle dhe si motrat e saj në mbarë vendin, ishte një marrëzi e radhës në shtetin dhe pushtetin tonë të quajtur demokratik. Nuk e di si mund t’i japin të drejtën vetes, ata që firmosën mbylljen…….!?
Gjykoni vetë këto pak radhë që kam lexuar në internet: “Pas 111 vjet të punës, “Normalja” u mbyll (1910), me vendim të Ministrisë së Arsimit e Shkencës. U shndërrua në gjimnaz, në të cilin do ta kryejnë praktikën pedagogjike studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. – Pika që s’u bie…..! – Sepse fëmija 6-vjeçar nuk ka nevojë për shkencëtar, dijetar apo profesor, por për “Mësues” që ta mësoj si të lexojë, të shkruaj, të dëgjojë e të përgjigjet, më tej si të sillet në shkollë me mësuesin, me shokët e shoqet, si të veprojë në shtëpi e në rrugë. Po çudirat tek ne nuk paskan të sosur…..!
Ndaj nuk më rrihet pa pyetur veten dhe të tjerët:.
. Çfarë pune i prishte Universitetit, kjo shkollë e Mesme “Normale”, kur aty mësonin nxënës nga mosha 14-18 vjeç, të cilët me të mbaruar arsimin e mesëm, mund të mbushnin sallat e Universitetit……!?
. Po si e pranuan elbasanasit këtë “karamele” të ngjyrosur…..!? Ende nuk i jap dot shpjegim, por e di që, askush nuk më jep sqarim.
. A u bë mirë apo keq…..? Nuk ka nevojë të pyesësh specialistët, as mësuesi e vjetër, mjafton të ngacmosh një drejtues shkolle; se cilët mësues të ciklit të ulët janë më të mirë dhe më të aftë, ata që kanë mbaruar të Mesmen pedagogjike, pikërisht ata që u rritën duke u bërë mësues, apo ata që kanë mbaruar Universitetin, që pasi u rritën e bënë mësues. Jo specialistët, por edhe mendja më pak e kënduar, nuk e përtyp atë çka ndodhi: që Universitetet tanë u mbushën me studentë me arsim të mesëm të çfarëdoshëm, mundet edhe me shkollën e gazhinës apo hotelerisë, të cilët quhen mësues, pa u bërë kurrë mësues.
Mbase gaboj, por çdo analizë, madje edhe më e cekëta, më shtyn të mendoj: Ç’ bëhet me ne shqiptarët, që prishim simbolet e kombit, siç ishte shkolla “Normale” e Elbasanit, që u mbyll me një të rënë të lapsit. Nuk di si ta përtyp edhe unë këtë dukuri të çuditshme.
Para një viti me rastin e 115-vjetorit të “Kongresit të shkronjave”, në Manastir, qeveria jonë e shpalli këtë ditë, 22 Nëntorin, “Festë kombëtare”. Nuk ka gjë më të bukur dhe më fisnike, për një ngjarje pa të cilën, “Mëvetësia” e Shqipërisë, zor se mund të realizohej. Kështu shenjtërimi i kësaj date meriton fjalët më të mira, por qeveritarët tanë harruan se ishin mësuesit ata që i përhapën dhe i vunë, i mbollën në duart, sytë dhe shpirtin e vocërrakëve, shkronjat e fjalës shqipe. Dhe, mësuesit u bënë mësues pikërisht në “Normalen e Elbasanit”, duke i hapur udhën edhe shkollave të tjera në mbarë vendin. A ka vend pyetja: ku shkuan shkollat pedagogjike ….!?
Diku lexoj: “Në ditën e 1 dhjetorit, të vitit 1909, (Pak dit pas një vjetorit të “Kongresit të shkronjave” të Manastirit. 22 nëntor, 1908), në Elbasanin e bukur të Shqipërisë së Mesme, u çel si lule, Shkolla “Normale”, e para shkollë e mesme në gjuhën shqipe, e cila kishte për mision përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe”. Ndaj sot pyes: – A nuk është ngazëlluese pjesëmarrja, ku gjysma e nxënësve ishin nga Dardania e Çamëria……!?
Në fjalimin e tij drejtori i parë, Luigj Gurakuqi, çeljen e Normales e krahasonte me: “Një diell të ri që po lindte në Elbasan, prej nga do të përhapte rrezet e dritës mbi gjithë Shqipërinë”.
Historia është e njohur për të gjithë shqiptarët, në veçanti për normalistët, se “Normalja” e Elbasanit u rrit, u zhvillua, u përvijua nëpër kushte të veçanta të realitetit shqiptar dhe përjetoi fatet e kombit në periudha të ndryshme të historisë 101-vjeçare. Ajo disa herë u mbyll e rihap, për shkak të Luftës Ballkanike, Luftës së Parë Botërore dhe pushtimit italian e gjerman. Megjithatë, mbajti të palëkundur vazhdimësinë e zhvillimit dhe përparimit, falë mbështetjes nga populli arsimdashës i Elbasanit dhe i mbarë Shqipërisë
Periudhën më të qëndrueshme e pat prej vitit 1921 deri më 1939, e më tej, gjatë viteve 1945 deri 2010. Për tërë kohën e qëndresës së saj, i dha arsimit shqiptar 15 000 mësues të përgatitur e kualifikuar, të kalitur dhe edukuar në frymën pedagogjike e patriotike, për të shërbyer në të gjitha shkollat e viseve shqiptare. Në periudhën e “Shqipnisë së Bashkueme” 1941-1944, një pjesë e tyre shkoi në Dardani e viset shqiptare në Maqedoni, duke ngjallur frymën e atdhetarizmit shqiptar dhe bashkimit kombëtar. Jo vetëm kaq, por “Normalistët” e Elbasanit luftuan edhe me armë kundër fashizmit dhe 70 e ca prej tyre, ranë dëshmorë. A nuk mjaftojnë këto zhvillime e qëndrime, që kjo shkollë të qëndronte e hapur, në nderim të mësuesve dhe të rënëve për liri….!? Çfarë duhet të bënte më shumë, që politikanët dhe shtetarët tanë të mendoheshin, që mos bënin atë që bënë?
A nuk duhet të çuditemi dhe të mërzitemi, kur shikojmë, dëgjojmë e vizitojmë “Shtëpitë muze” të personaliteteve që nderuan kombin tonë në fushën e artit dhe kulturës Shqiptare. Shumë mirë bëjmë, madje edhe më shumë duhet të kujdesemi për njerëzit e çmuar të kombit, pasi Ciceroni që nga lashtësia na kujton: “O popuj, ruani njerëzit e mëdhenj, se nëpërmjet tyre do t’u njohë bota”.
Ndërkohë “Normalja” e Elbasanit, “Ikona e arsimit shqip”, me aq vlera mësimore dhe atdhetare, u fshi nga faqe e dheut, sikur nuk ka qenë fare. Unë i mirëkuptoj qytetarët e Elbasanit, që nuk mund të përplaseshin me qeverinë dhe vendimin e saj, madje as mund të përplasen edhe sot. Por në këtë gjykim, më duket edhe më e pakta mundësi, kërkesa që ndërtesa e shollës të bëhet “Muze”. Me një fjalë të themi: “Na ishte një herë!”, kur qytetarët janë bërë të flasin me vete….!
Ndoshta e teproj me pyetje, të cilat më së shumti mbeten pa përgjigje, ndaj i detyruar po vazhdoj: – Çfarë vlere kanë titujt dhe nderimet që i janë dhënë kësaj shkolle dhe profesorëve të saj, kur ajo nuk është më, as si objekt shkollor? – Gjykoni dhe thoni të vërtetën si ndjeheni kur lexoni këto pak radhë:
– “Normales së Elbasanit iu dha titulli i merituar ‘’Nderi i Kombit” (2014). Ose: Në shenjë kujtimi, në 105-vjetorin e saj u lëshua në qarkullim pulla postare me foton dhe tekstin: Shkolla Normale e Elbasanit. Ndërsa në 110-vjetorin (2019), u shtyp në bankënotën 100 lekësh, në njërën anë foto e ndërtesës së Normales dhe në anën tjetër, foto-portreti i drejtorit të parë, Luigj Gurakuqi. Po kur paska pasur kaq merita e vlera dhe ka nderuar kombin, pse e mbyllën shtetarët tanë të ndritur. Shkolla nuk ra dëshmor, megjithëse qëndroi si heroinë në trazirat e historisë. Çudia shqiptare vazhdon: – Shkollës ia mbyllën gojën e ia shuajnë emrin, pa ju dridhur dora, buza, syri dhe qerpiku.
Të them të drejtën, dua t’i mallkoj ata që dikur i hartuan dhe i zbatuan reformat, por nuk ngjit mallkimi im, pasi nuk jam as prift e as hoxhë. Dua të shaj por nuk jam analist, që rrihen me njëri-tjetrin dhe nuk lenë pa sharë, babë, nënë, motër e vëlla, madje edhe me libër shtëpie. Dua të bërtas, por nuk më dëgjohet zëri, se nuk jam as politikan dhe as shtetar, që premtojnë shumë dhe s’bëjnë asgjë, ose bëjnë të kundërtën, duke u mbuluar e fshehur, me shprehjen tashmë dalëmode: “Në emër të reformave”. Reforma që nuk paskan fund, aq sa janë vendosur mbi njëra-tjetrën duke i zënë frymën vetvetes.
Në këto hulli mendimi, ka gjetur shteg edhe mbyllja e shkollave pedagogjike, që “çuditërisht” do bënim çudira, me hapjen e degëve nëpër Universitetet, që u shtuan si kërpudhat pas shiut. Cilat janë rezultatet…? – Nga sa dëgjojmë nëpër mediat tona, duhet të lemerisemi, se analfabetizmi është shtuar e shtruar këmbë kryq në mjedisi tonë. Ngushëllohemi me shpresë se këto lajme tronditëse nuk janë të vërteta.
Do më pëlqente të isha i gabuar në trajtimin e një teme që prek një nga shtyllat kryesore të kombit dhe shtetit tonë, që është arsimi në tërësi dhe ai pedagogjik kombëtar, në veçanti. – “E ardhmja nuk fal. Justifikimet janë vetëm motivime banale të së tashmes, por jo të së ardhmes”. – Thotë Tomor Plangarica, kur trajton këtë temë të mprehtë me theks kombëtar.
Shkolla dhe arsimi ynë është një pemë delikate, që u mboll e u rrit me mundim e gjak brezash. Pemë që nuk duron goditje të panevojshme, sepse lulëzon ngadalë dhe i jep frutat pas 20 vjetësh, kur shkollari del në jetë.
Urime dhe sukses kolegë të nderuar! Arsimi ynë ka nevojë për misionarë të gjuhës e shkollës shqipe.
Kadri Tarelli.
Fund shkurti 2025.
Shënim:
1. Më 02, shkurt, 2024, Rudolf Deliana. Kryetari i shoqatës “Normalisti”, është ndarë nga jeta, në moshën 92-vjeçare. Një prej mësuesve më të njohur e ndër më të nderuarit e gjuhës shqipe në Shkollën Normale të Elbasanit.
Deliana ishte pasardhës i familjes së Kostandin Kristoforidhit.
2. Foto është marrë nga gazeta “Dielli”.