DIELLI
Psikologe Enxhi Beqiri iu bashkua Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ajo erdhi me shumë dëshirë dhe kureshtje për të parë nga afër historinë e Federatës Vatra, për tu njohur nga afër me personalitet e kombit shqiptar dhe kontributin e tyre historik në Vatër në dobi të çështjes kombëtare. Psikologe Enxhi Beqiri e vlerësoi jo vetëm rolin e Vatrës dhe të gazettes Dielli, por u impresionua nga Biblioteka Shkencore e Vatrës me titujt e pasur dhe mundësinë për çdo kërkues shkencor nga Amerika dhe Diaspora që ta shohë si një mundësi studimi dhe hulumtimi në fushat e historisë, albanologjisë, gjuhësisë, medias, shkencave politike dhe antropologjisë kulturore. Psikologe Enxhi Beqiri u shoqërua në Vatër nga vatrani Erlind Cela dhe u prit nga Editori i Diellit Sokol Paja i cili i shpjegoi imtësisht rolin dhe etapat në të cilat ka kaluar gazeta Dielli dhe Federata Vatra që nga krijimi e deri në ditët e sotme. Psikologe Enxhi Beqiri ka mbaruar studimet universitare në Universitetin e Tiranës në degën Psikologji, Master Shkencor në Psikologji Shkollore dhe ka punuar në New York në një program riaftësimi me fëmijët me autizëm. Vatra i shpreh mirënjohje të thellë çdo patrioti që vjen dhe angazhohet si një vlerë e shtuar në familjen tonë patriotike me qëllim që rruga dhe ideali i pastër kombëtar i etërve që e themeluan të vazhdojë në histori. Të rinjtë intelektualë, të rinjtë që e duan kombin dhe atdheun e tyre, të rinjtë e suksesshëm janë oksigjeni i Vatrës. Psikologe Enxhi Beqiri theksoi se do të kontribuojë në Diell me shkrime në fushën e psikologjisë dhe siguroi se do të ofrojë edhe shumë të rinj e të reja intelektualë dhe aktivistë me qëllim që Vatra të trashëgojë idealet dhe vlerat që na trashëguan etërit themelues.