
(Në 15-vjetorin e botimit të vëllimit “VEPRA” të Shantojës, nën kujdesin e Arben Markut, Niketa Stefës dhe Ardian Ndrecës)
Shkruan: Eugjen MERLIKA/
Në shkrimet jepet një tabllo aspak optimiste e ecurisë së Shtetit shqiptar, të problemeve të tij ekonomike, financiare, administrative. Në to bëhet një analizë anatomike e këtyre dukurive e vihet theksi mbi një aparat burokratik administrativ të stërfryrë që rëndon si një shkëmb mbi një ekonomi të dobët e të pazhvilluar, për të mos thënë të paqënë. “ A thue âsht nevoja për gjithëket personal? A perdoret gjithky personal pse Shqypënija e të mëkambunit e saj kan nevojë për tê, a po pse këta duen të jetojnë në shpinë të Shqypnìs?..” (f.131) pyet me dhimbje autori. Ndihet shqetësimi qytetar i Shantojës që futet deri në skutat më të errta të Vendit të tij, që i bën jehonë skamjes së pjesës më të madhe të popullit që kjo mënyrë organizimi e funksionimi e Shtetit nuk ndihmon aspak t’a lehtësojë. Shqetësimi është i sinqertë, i ndjerë, në përputhje edhe me misionin e famullitarit që përditë prek me dorë hallet e mangësitë e shqiptarëve të thjeshtë që mbushin famullinë çdo të djelë, që revoltohet e shpërthen kur sheh se “ si shkrryhet parja, si shpërdoret mûndi i fukaràs, i popullit, i bulkut, i puntorit. Për me mbajtë njerz parasita……qi nuk dijnë se si me jetue, veçse në shpinë të Shtetit, me nji nênpunësì të vjedhun me protekcjon…”. (f.131) Nuk kemi të bëjmë me një instrumentalizim të tipit marksist të dukurisë por me dhimbjen e thellë të atij që e don me gjithë zemër popullin e tij. Kjo dhimbje arrin deri në revoltë e dëshpërim kur sheh se kriteret e marrjes në punë të morisë së nëpunësve nuk janë meritat dhe zotësitë, por klientelizmat dhe hatëret politike. Janë plagë të hapura e të pambyllura kurrë deri në ditët tona, kur ende përballemi me këto dukuri, duke paragjykuar zhvillimin.
Në artikujt e botuar tek “Ora e maleve” ndihet fuqishëm pulsi i atdhetarit, por ka një dozë të madhe realizmi. Problemet e Vendit përballohen me zemër por edhe me mendje, kryesisht në kah kritik. Shkrimtari ka një objektiv të qartë rreth të cilit vërtitet e gjithë masa e shqetësimeve të tij: Shqipëria që duhet të ecë në rrugën e zhvillimit, të përparimit, të qytetërimit. Dukuritë që pengojnë këtë ecje janë në tehun e kritikës së publiçistit, janë lënda e pamfleteve të tij politike, objekt i fshikullimit, herë herë me tone mjaft të ashpra. Por Shantoja nuk është nihilist, nuk shikon vetëm errësirë në të tashmen e në t’ardhmen e kombit të tij. Ai ka aftësinë të shohë edhe dritën tek njerëzit idealistë që mundohen të shtrojnë rrugën, mbi të cilën breznitë e ardhme do të ndërtojnë shtetin bashkëkohor. “Shqypënìn e ka bâ inteligenca e do t’a mbâjë inteligenca, ose Shqypënìë nuk kem me pasë! Reservoir-i i forcës mâ të shndoshtë në Shqypnìë âsht qandra e saj intelektuale. Kur ndiejm bisedimet plot dieje e hollësië të nji Fan Nolit, dialektikën e shterngûet e të mbâtun të nji Luigj Gurakuqit, fjalën elektrixante te nji Ali Kelcyrës, gjuhën kirurgjike të nji Stavro Vinjaut, arsyetimet ligjore të nji Koço Tasit, na i harrojmë të tana eksplozjonet e soçme e nji fjalë e vetme e e ambël na tingllon në vesh: Po! ka Shqypnìë!” (f.143)
Shantoja është idealist, por në idealizmin e tij ka një farë pragmatizmi. Historia e botës i ka mësuar se popujt, në rrugën e tyre të zhvillimit, kanë arritur synimet kur kanë patur prijsa t’aftë e të kushtuar çështjes së tyre. Në pranì të tyre fashitet pezmi dhe lind shpresa për t’ardhmen e besimi në të. Kjo shpresë gjen burime ushqimi te të rinjtë, te studentët që, në Vende të ndryshme të Evropës, pregatiten me dije, kulturë e profesione e janë të gatshëm t’i venë në jetë këto në Atdheun e tyre. Kështu u krijua ajo elitë kulturore e pasur në Shqipërinë e viteve tridhjetë, që do të kositej pa mëshirë mbas 1944, si “inteligjencë borgjeze”, kundërshtare e regjimit komunist.
Duket se është një fatalitet historik për Shqipërinë fakti që i duhet të ëndërrojë gjithmonë një brez të ri që duhet t’a nxjerrë nga këneta e mbrapambetjes e t’a verë në rrugën e përparimit. “ Idét linden, rriten e frytësojnë vetëm në nji tokë virgjin; në mênden e në zêmbren e të rivet: prej tyne mandej dalin e pastrojnë kalbësinat e gjithshkaf ndalon perparimin o kristalizohet në trajtat e nji kohe qi ka prendue” (f.244) shkruante Don Lazri më 1924. Tetëmbëdhjetë vite më pas Mustafa Kruja, atëhere Kryeministër i Shqipërisë së bashkuar me Italinë, në intervistën dhënë gazetarit të njohur italian Indro Montaneli shprehet:
“Ne kemi një aristokraci të lodhur, të mbetur prapa, me parime që nuk i përshtaten më kohës sonë, një borgjezí të mangët në numur, në mjete e pregatitje, një masë në të cilën 70% është analfabete. Shpresa jonë është tek të rinjtë. Të rinjtë kanë vrulle që herë herë i shtyjnë shumë përpara, por janë të mbrujtur me një dashuri të pastër për atdheun e tyre e sinqerisht synojnë në formimin e një vetëdije kombëtare dhe vetiake. Shumë prej tyrë shkojnë për të studjuar në Itali. Kthehen që andej me padurimin për të ngritur vëndin e tyre në nivelin italian. Shpesh padurimi i shtyn në gabime, por qoftë i bekuar ai që gabon për bujarí. Un nuk dua të rinj të bindur verbërisht, por të ndërgjegjshëm e të disiplinuar. Natyrisht të parët do t’a bënin më të lehtë detyrën time si qeveritar, por nuk do të më jepnin asnjë garancí për të ardhmen. Për ne ajo që ka vlerë është vetëm e ardhmja”.
Sot, mbas gati tetëdhjetë vitesh të tjera, shpresa për të nxjerrë politikën shqiptare nga bataku dhe Vendin nga renditja e fundit në Evropë, është varur përsëri tek të rijtë. Edhe se shpesh hasim në zhgënjime në atë drejtim, mbasi jo çdo gjë që shndrit është ar, mendoj se përtëritja e vazhdueshme e politikës shqiptare është një domosdoshmërì. Për fat të keq nuk shihet në këtë prizëm nga një pjesë e mirë e klasës drejtuese që ruan pozitat e fituara, pa marrë para sysh faktin se koha kalon e nuk mund të ketë njerëz për të gjitha stinët. Megjithatë aktivizimi i mjaft të rijve të diplomuar jashtë Shtetit në administratën shtetërore është diçka inkurajuese, po të mos kishte si kriter zgjedhjeje përkatësinë politike, këtë sëmundje të pashërueshme të jetës shqiptare.
Ndër shkrimet publiçistike të Shantojës mendoj se një vend të dorës së parë zenë ata që i kushtohen ngjarjeve dhe personazheve të politikës shqiptare në një hark kohor prej pothuaj një të katërt shekulli. Shkrimtari ishte një vëzhgues i mprehtë i tyre e, më shumë se pjesëmarrës me funksione të rëndësishme, ishte një viktimë e ndërgjegjëshme e atyre ngjarjeve. Pësoi burgime, internime e mërgime edhe se nuk ka patur asnjëherë ndonjë pozitë të lartë, madje nuk ka qenë as deputet. Por prifti poet është në simbiozë me ato ngjarje dhe protagonistët e tyre e penda e tij, së bashku me oratorinë, ndikojnë herë herë në mënyrë vendimtare në to. Shantoja është gjithmonë koherent me veten dhe parimet. Opinionet mund edhe të ndryshojnë, por vlerësimet kanë një kriter përcaktues e të paluajtshëm: interesi i Atdheut. Ky është metri i vërtetë e i vetëm që shërben si njësí matjeje për këdo e për gjithshka.
Ai ishte i pozicionuar në krahun e Opozitës antizogiste. Idhulli i tij ishte Luigj Gurakuqi që “Me nji duresë e nji palodhësië shembullore shkrîni jetën për idealin e nji Shqipënie të lirë, të madhe, të lume.”, kryetari i Opozitës në vitet 21-24. Martirët e lirisë e të demokracisë ishin Avni Rustemi, vetë Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Elez Isufi, Zija Dibra, Ramiz Daci, Zef Ndoci, Mark Raka. Bashkëluftëtarët me të cilët ndau bindjet e idealet ishin Mustafa Kruja, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Xhevat Korça etj. Në altarin e kombit ishin kolegët e tij më të njohur si Fishta, Gjeçovi, Mjeda, Harapi, Marlaskaj etj. Në fushën kundërshtare ishte Ahmet Zogu, Kryeministër, President e më pas Mbret i Shqipërisë, sinonim për një pjesë të shqiptarëve i së keqes në pushtet, i rrethuar nga bejlerë përkrahës si Eshref Frashëri, Mehdi Frashëri, Faik Konica etj. apo vrasës dhe ideatorë vrasjesh si Baltjon Stambolla, Çatin Saraçi etj.
Në këtë mikrounivers figurash politike Shantoja depërton me fuqinë e pendës , duke na lënë të skalitura bindjet e mendimet e tij. Ato janë frut pikëpamjesh objektive e subjektive të autorit, ndonjëherë edhe të pasioneve politike të tij. Por gjithsesi ata janë dëshmí të rëndësishme, mbasi dalin prej pendës së një personi pa paragjykime, që vlerëson duke u nisur nga faktet. Periudhat të cilave i referohen shkrimet janë ato 1920-24, koha e mërgimit 24-39 dhe vitet 39-43, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga italianët por kishte një status të posaçëm, sepse quhej e bashkuar me Mbretërinë e Italisë.
Për ngjarjet e këtyre hapësirave kohore historike autori mban qëndrime të ndryshme. Me botkuptim të përparuar demokrat mbështet pa rezerva revolucionin e qershorit 1924 dhe ata intelektualë e të rinj të Bashkimit që ishin flamurmbajtës të tij. Çuditërisht i kushton pak shkrime Qeverisë së Nolit dhe më shumë mërgimit politik që pasoi rënien e saj. Ndoshta ky fakt dëshmon për një farë zhgënjimi që pëson publiçisti Shantoja nga ajo qeverisje dhe në vetë të parë nga Kryeministri, të cilin në një shkrim të mëvonshëm e sulmon rreptë. Nga mërgimi në Jugosllavì, Austrì e Zvicër mundohet të analizojë gjëndjen e Shqipërisë reale, që përfaqësohet nga evolucioni i pushtetit të Ahmet Zogut deri në Mbretërì, por edhe atë alternative që ka fytyrën e mërgatës politike shqiptare antizogiste. Në këtë gjëndje konflikti të fortë e të përhershëm duket se nuk ka vend për biseda e marrëveshje. Për Shantojën, ashtu si për të gjithë të mërguarit politikë jashtë Atdheut, “Bota e ka marrë vesht se në Shqipnìë sundon nji President gjaksor, nji President qi mbytë me pare diten për diellë, nji President qi flet vetë me sikarët, qi u premton ndihmen e nji fuqiës s’huej, qi u premton lirim të shpejtë, rrogë të përmuejshme…” (f.370)
Por këtë kundërshtar politik, këtë “President gjaksor”, kur e sheh të diskredituar pa të drejtë nga një gazetë austriake, ka burrërinë t’i kërkojë Kancelarit austriak, Dr. Seipel, ndërhyrjen e tij për të vënë në vend prestigjin e atëhere Kryeministrit shqiptar. Ёshtë një nga perlat e këtij libri, një shembull ideal i moralit politik në një shkallë të lartë, një shprehje e harmonizimit të luftës politike me etikën e saj e me respektimin e institucioneve, një leksion stili për politikën e sotme në Shqipërì e më gjërë.
Vijon