
Frano Kulli/
Gjithësa po ndodh me qeverisjen tonë, me një dyzinë ministrash e ministreshash nën akuza hajnjie, e kur të parit të këtyre minstrave e ministreshave nuk i bjen syni në qerpik as me kërkue ndjesë e le më me i shkue nëpërmend me dhënë dorëheqje, kishte me qenë shkak më se i mjaftueshëm që populli të dalë në rrugë për kërkuar hesap për hajninë që i bëhet. Për akuza që nuk vijnë prej “fjalëve të hallkut” që si “birat e gardhit” nuk mbyllen kurrë, por vijnë prej vetë organeve akuzatore të shtetit shqiptar.
Populli është në një gjumë letargjik dimror e s’ka kurrfarë gjaset se do t’i dalë as në pranverë. Për popullin e mbetur këtu, deshta me thanë, po pse jo edhe për shqiptarë, që këto zapitat tonë të shtetit e të politikës i kanë degdisë nga sytë këmbët, nëpër kontinente. Bash atë pjesën vitale të popullit, brezin e punëve e të prosperitetit si të cilitdo vend. Krahun e punës e të lëvizjes, brezin e mesëm që lind e rrit fëmijë, që përbën të sotmen e projekton të ardhmen. As më pak as më shumë se ç’farë kanë bërë pushtuesit me të parët e tyre, në kohët para se vendi të rrethohej me telat me gjemba prej prijësve të socializmës . Kurse mendtarët, ata që japin ide e ndërtojnë platforma prosperiteti, heshtin. Ata pak që kanë mbetë këtu e të tjerë më të rinj e më të zot, që kanë ikë andej, gjithashtu.
E dhimshme deri në palcë, kjo që po ndodh. Heshtja e mendimtarëve këtu po rekrutohet në shumicë. Në të dy mënyrat; duke jua blerë atë, heshtjen ose duke jua dënuar fjalën… me shpërfillje. Ose , edhe për më keq, ditunarë , që rikthehen e ia shesin shpirtin Krajlit (pushtetit), më parë se t’ia ofrojnë përvojen e mendësinë e përparuar të botës, vendit e shoqërisë. Kjo ka sjellë për pasojë konformizmin modern. Kriza e besimit se Shqipëria mund të bëhet i ka pllakosë njësoj edhe ata, bartësit e mendimit të përimtë, mendimtarët. Njësoj si popullin që veçse zien përbrenda.I mpitë e i pafuqishëm. Zëri i tyre është zbehë e nuk rezonon thuajse askund. Është njëjtësuar me zërin e atyre turmave të mpita, që do të duhej me qenë zbatuesit e platformave e projekteve prosperuese që lindin prej mendimtarëve.
Prijësia shqiptare, politika e politikanët këtu i kanë bërë një dredhi të madhe lirisë së mendimit e të fjalës; e kanë lejuar atë, i kanë hequr rrethimin me tela e burgimin, por ndërkohë kanë investuar zhvleftësimin e fjalës e të mendimit e të mendimtarëve. Çka ka sjellë shkurajimin si mendësi e sjellje dhe e ka vënë shoqërinë e këtushme në një pakujdesje të plotë për fatet e veta. Edhe kur ata vidhen edhe kur ata plaçkiten; edhe kur ata fyhen e përbuzen. Me format modernitare të “investimeve strategjike “ dhe “investitorëve të huaj” të ardhur prej …s’dihet se ka, ka thyer shpresën se ky vend është i vendasve. E po e orienton popullatën shqiptare drejt një rruge tjetër më pa krye e të rrezikshme; drejt ikjes, zvetënimit të kombit. Numri i personave që ikin, në dekadën e fundit është rritë…me progresion gjeometrik. Vendi po shpopullohet. E kjo është drama më e madhe që po i ndodh Shqipërisë.
2
Zëri i opinionbërësve, i konceptuar dikur si zëri kritik i ndërgjegjes së kombit, duket se është bërë llogari nën presionin e konformizmit modern. Më shumë sesa mbrojtës të së vërtetës ajo sot funksionon si shërbestare e pushtetit. Ngjan se jetojmë në një shoqëri ku heshtja shpërblehet dhe fjala dënohet. Më së paku me shpërfillje. Zëri i elitës shqiptare tingëllimin e vet të fortë e ka pasë në vitet 20-’40 të shekullit që shkoi. Albanologu i njohur bashkëkohës Robert Elsie, këtë periudhë historike dhe kulturore do ta përkufizonte si: “koha e artë” dhe “rruga e modernitetit” në historinë shqiptare. Gazetat dhe revistat e asaj kohe, do të qe mirë të ishin model për ta emancipuar medien tek ne, te principet bazë mbi të cilat ekziston e zhvillohet media. Në radhë të parë si përfaqësuese e opinionit publik.
Më vjen ta përsëris shpesh një ndodhi të Gjergj Fishtës.Përposë katër dekoratave shumë të larta që Fishta ka nga të huajt: “Mearif, kl.II, 1912”, akorduar prej Qeverisë Osmane, “Ritterkreuz, 1912” prej Austro-Hungarisë, prej Papa Piut XI “Medaglia di Benemerenza, 1925” dhe prej mbretit të Greqisë “Phoenix”, 1931 , të cilat figurojnë në jakën e zhgunit të fratit, në një foto të vitit 1932, është edhe një tjetër që pak është e njohur dhe rrallë përmendet…Ka qenë një dhuratë e shtrenjtë prej Krajl Nikollës së Malit të Zi: një komplet (lugë, pirun, thikë) prej ari, që Fishta e mbante në një vend të dukshëm të dhomës së tij në Kuvendin e Gjuhadolit dhe kishte dëshirë t’ua tregonte miqve, duke shtuar, jo pa ironi, se “këto janë punë krajlash”….
Ironia që Fishta përdor edhe për një dhuratë të çmuar është , posë të tjerash edhe një ekstrat i asaj mardhënie që ka ekzistuar në atë periudhë të historisë me Malin e Zi, fqinjin tonë lakmitar verior, mardhënie, shpesh e mbrujtur me pabesi e mosbesim…Po qe një elitë shqiptare atëhere, atdhedashës të mëdhenj, të cilët çmoheshin shumë edhe nga të huajt, anipse këta të fundit, herë armiq në potencë e herë pushtues të vërtetë, nuk i donin as ata e as vendin e tyre, domethënë Shqipërinë tonë.Megjithatë, ndër konflikte sipërore ka patur edhe çaste paqeje. Paqja dhe prosperiteti i Shqipërisë, në radhë të parë; ky ka qenë edhe vokacioni shpirtëror i njerëzve tonë të ndritur dhe atë e kanë shërbyer në plotpërputhje me normat e sjelljes së qytetrimit europian. Kurse sot…
Si mund ta shërbejë interesin publik një medie , gazetarët e së cilës lëvizjen në kërkim të lajmit e kanë sa perimetri i zyrave në qendër të Tiranës ?! Ç’lidhje kanë me interesin publik ata medie (vizive) që, ditë për ditë kohën prime time ja vënë në dispozicion gjithmonë dhe vetëm politikës dhe personazheve të saj edhe atëhere kur ata s’kanë se ç’të thonë, ndërsa me veprimet e tyre janë kryekëput kundër interesit të publikut ? Ose pronarë mediesh që ndërtojnë kulla të larta në Tiranë dhe posedojnë pasuri marramendëse. A mund të përftohen ato pa shitblerë interesa? A mund të jenë këta pronarë e gazetarë përfaqësues të interesit kombëtar, ani pse ca syresh emërtohen televizione kombëtare ? Është një neveri e madhe. Gazetari i famshëm italian, Indro Montanelli thoshte: Një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera.