Shkruan:Nga Arben Dedaj
Shoqata e punonjësve të rendit “Illyrian Society of Law Enforcement” mbajti takimin e parë të anëtarëve për vitin 2014. Aktiviteti u zhvillua më 16 janar në Mill Yacht Club, Howard Beach, New York City. Takimi u hap me hymnin amerikan dhe pastaj vazhdoi me fjalën e hapjes, e cila u mbajt nga kapiten Flamur Cani, president i shoqatës. Ai përshëndeti të pranishmit duke ju uruar një vit të ri të suksesshëm dhe me efikas për gjithë shqiptarët anembanë.
Takimi vijoi me prezantimin e pjesëmarrësve, të cilët me këtë rast u njohën me kryesinë e shoqatës dhe njëri – tjetrin, gjë kjo tepër e rëndësishme për të krijuar një sistem kontaktesh dhe bashkëpunimi. I pranishëm ishte dhe Z.Emin Egriu, i cili në zgjedhjet e nëntorit 2014 kandidon për në Dhomën e Perfaqësuesve në zonen e Buffalo, NY. Fjalimi i tij u prit me duartrokitje nga të gjithë pjesëmarrësit të cilët nuk ngurruan t’i shprehin përkrahjen e tyre.
Në vazhdim fjalën e morën kapter Naim Kacaj, toger Ylli Dautaj dhe detektiv Ismet Hoxhaj, të cilët shprehën kënaqësi për pjesëmarrjen dhe optimizëm për të ardhmen e kësaj shoqate.
Z.Elton Shametaj bëri një pasqyrë të ngjarjeve për vitin 2014 duke vënë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së anasjelltë në komunitetin shqiptar të SHBA.
Fundi i këtij takimi u mbizotërua nga atmosfera festive për shkak se ky aktivitet koincidonte me 101-vjetorin e Policisë së Shtetit Shqiptar. Torta me emblemën e Policisë Shqiptare dhe me mesazhin “Happy Birthday Albanian State Police 1913-2014″ u pre nga Presidenti i Shoqatës i “Illyrian Society of Law Enforcement” kapiten Flamur Cani dhe Z.Elton Shametaj, të cilët së bashku me të gjithë pjesëmarrësit i uruan suksese të gjith stafit të Policisë së Shtetit Shqiptar.