Nga Guido Santevecchi-Përktheu për Diellin: Eugjen MERLIKA/
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar tejpamje Pekinit përballë gjëndjes së jashtzakonshme shëndetësore, koronavirusit që na ka vënë në kushtrim. Në kumtimin kundrejt botës së jashtëme është parë një tjetër qëndrim. Shkencëtarët kinezë menjëherë kanë botuar dhe vënë në dispozicion të shkencës botërore xhenomën e virusit, të zbuluar prej tyre me shpejtësi të kënaqëshme. Kishin kaluar muaj heshtjeje fajtore në 2002, në kohën e Sars-it. Por është edhe heshtja e zakonshme në njoftimin e popullit kinez. Bashkohet dyshimi që burokracia e Partisë – Shtet është e papërputhëshme me synimet e një mbifuqie politike, “ëndrrës kineze” të Xi Jinping-ut. Kalendari I kësaj krize shpjegon mëdyshjen.
Tani dijmë se i pari pacient me shenja që lidheshin me virusin e mushkërive në Wuhan ka arritur në spital më 8 dhjetor. Një virus i ri natyrisht duhet të zbulohet. Por u fillua të flitej për “sëmundje të fshehtë”, me arsye të panjohur. Shkoi përpara kështu deri në 11 janar. Pastaj përhapja e infektimit detyroi një shpejtim. U zbulua xhenoma e virusit në formë kurore, të botuar në web, filluan kontaktet mes Pekinit dhe Organizatës botërore të shëndetësisë. Mjaft ngushulluese. Por deri më datën 18 janar autoritetet shëndetësore kineze ngulmonin së thëni se të prekurit ishin vetëm pesëdhjetë. U deshën dy pohime prej së jashtëmi për t’i kthyer në realitet. Amerikanët që kanë filluar të kontrollojnë udhëtarët e fluturimeve që arrinin nga Wuhani; epidemiologët e Imperial College të Londrës të cilët, me një llogari të thjeshtë statistike, kanë pohuar se të prekurit në Kinë nuk mund t’ishin më pak se 1700. Dhe mjaft ishin vënë në rrugëtim duke sjellë me vete në mushkëri infeksionin.
Fill mbas këtyre pohimeve, më 19, kinezët kanë “zbuluar” që rastet ishin bërë më shumë se 200 dhe kishin arritur vdekjet e para. Por ende i bëhej qejfi vetes, i rrente mëndja në Pekin se infektimi ishte kufizuar vetëm në tregun e peshkut e të kafshëve ekzotike që pak a shumë tregtoheshin në pazarin e Wuhanit. Më së fundi, më 20, një virolog i njohur kinez tha se ishte vërtetuar “kalimi ndërmjet qënieve njerëzore” Mjeku e shembi murin e madh të heshtjes fajtore dhe është kuptimplotë fakti që ishte thirrur në ndihmë edhe në 2002, për Sars-in.
Në të njëjtën kohë e ka thyer heshtjen edhe Xi jinping-u duke urdhëruar parandalim e kontroll epidemiologjik, sepse siguria e shëndeti i popullsisë janë përparësia më e madhe. Pra, t’i shërbehet popullit (edhe në botë).
Një tejpamje, ndoshta pak e vonë, por e re për karakteristikat kineze. Por ndërsa shkencëtari Zhong lajmëronte kalimin e rrezikshëm të virusit nga njeriu tek njeriu, në Wuhan sapo ishte mbajtur një festë e stërmadhe për 10.000 familje, 40 mijë vetë të ftuar pa asnjë masë mbrojtëse paraprake, me nismën e funksionarëve vendorë (t’i shërbesh popullit edhe në tavolinë mund të ndihmojë për të bërë karierë). Mungesë ndije të përbashkët, refuzim i tejpamjes kundrejt bashkëqytetarëve, të mblidhet një shumicë e tillë njerëzish në tavolina ndërsa në qytet flitet ende për sëmundjen mistërioze. Ishte marrë vesh se pak ditë më parë ishin infektuar nga një pacient i vetëm 15 antarët e një grupi kirurgjikal të qytetit. Nëse fakti do të ishte lajmëruar menjëherë do të ishte kursyer kohë e çmuar dhe vendimtare në të kuptuarit e së vërtetës: kalimit të virusit ndërmjet njerëzve. Tejpamje pak a shumë kundrejt botë së jashtëme, patejdukshmëri e zakontë së brëndëshmi , edhe në shkëmbimin e të dhënave vendimtare ndërmjet departamenteve shtetërore.
Kthesa u bë më 21, të martën e shkuar, kur Partia – Shtet urdhëroi kuadrot se “kush do të fshihte njoftime mbi virusin do të ndëshkohej rreptësisht dhe do të gozhdohej përjetë në shtyllën e turpit”. Pak ditë më pas, të njëjtat autoritete të festës së madhe, kanë vënë në karantinë gjithë Wuhanin, duke u ndaluar udhëtimin 11 milion qytetarëve. Tani që njëri pas tjetrit qytetet e tjera të Hubeit mbyllin stacione dhe aeroporte për të ndaluar rrugëtimin e virusit, ka pak shpresa shkencore që masat e marra të jenë të mjaftueshme. Vetëm nga aeroporti i Wuhanit, për së paku shtatë javë ishin nisur rreth 30 mijë njerëz në ditë. Virusi nuk shtypet sigurisht në xhamin e tejpamjes së re të shpallur nga Xi. Lind pyetja nëse në Pekin kanë numura akoma më të mëdha mbi shtrirjen e infektimit me që po marrin masa kaqë dramatike.
Parashihet një Vit i Topit shumë i keq për presidentin e Republikës, sekretar i përgjithshëm i Partisë dhe kryetar i Komisionit qëndror ushtarak. Në praktikë është një njeri i vetëm në komandë. Shkon në meritë të tij fakti që Xi ka folur për virusin, duke kërkuar një betejë për t’a zhdukur, nuk ka heshtur si paraardhësit e kohëve të Sarsit. Atëherë, në 2002, udhëheqja kineze ishte kolektive dhe e dobët, burokracia u tregua e paaftë që nga fillimi i epidemisë. Tani ka një president përjetë, një burrë të fuqishëm. Përse atëherë burokracia është treguar po aq e mefshtë nga shpërthimi i koronavirusit? Një problem i sistemit më shumë se ai i krerëve të sistemit. Një virus në pushtetin kinez. Një e çarë në ekonominë e dytë të botës që do të mbetet edhe kur virusi do të jetë zhdukur (shpresojmë shpejt). Sepse ka një teori që qarkullon prej muajsh: shumë funksionarë të aparatit të pafund janë terrorizuar nga mundësia për të gabuar, nga kërcënimi i ndëshkimit. Janë të paralizuar, veprojnë vetëm nëse ka një urdhër nga qendra e pushtetit e prandaj vonojnë të kundërveprojnë ndaj rasteve të jashtzakonshme.
“Corriere della Sera”, 24 janar 2020 E përktheu Eugjen Merlika