Nga BEPPE SEVERGNINI/
Librat nuk I zgjedhim: n’a zgjedhin ata. Janë bij të kohës së tyre, e ndonjëherë e pagëzojnë: atë që natyra e pengon dhe feja e ndalon në industrinë e librit është e mundur. Lindin, çirren, bëhen të njohur, n’a përkëdhelin, n’a befasojnë; ndonjëherë organizojnë festa papritmas.
Besoj se ka ndodhur kjo me librat që gjej përpara. Në rendin e shfaqjes (mbi tavolinën time, jo në librari): Jean-Francois Revel, “Si mbarojnë demokracitë”; Francis Fukuyama, “Liberalizmi dhe kundërshtarët e tij”; Milan Kundera, “Një perëndim i burgosur”; Aldo Schiavone, “Perëndimi dhe lindja e një qytetërimi planetar”; Carlo Calenda, “Liria që nuk liron”; Chiara Giaccardi dhe Mauro Magatti: “Mbishoqëria”. Ky i fundit ka një nëntitull të mprehtë: “Ka ende kuptim të vihet bast mbi lirinë?”. Përgjigja është: po, duke ditur se basti është bërë i detyruar. Deri pak vite më parë, regjimet e mohonin tiranizimin e qytetarëve (më falni, të nënshtetasve). Sot janë krenarë: përndjekës serialë të pakicave, mëndjemëdhenj fanatikë, autokratë të korruptuar e të pasuruar duke valëvitur me krenari ndryshueshmërinë e tyre mizore tallen me demokracitë tona. Lexoni se çfarë ka thënë Vladimir Putin në Shën Pjetërsburg të premten. I vendosur në një kornizë me një brerore t’artë, si një shenjt në një ikonë, shpjegoi se modeli perëndimor ka mbaruar. “Elitat janë prè e kllapisë. Kacavirren në hijet e së shkuarës dhe nuk pranojnë të njohin realitetet e reja. Por gabohen nëse besojnë që gjithshka mund të kthehet në normalitet duke shmangur rrëmujat. Agjë nuk do të jetë më si më parë”.
Nuk do të vlente t’i përmendnim se qeveritarët perëndimorë shkojnë e vijnë, ndërsa ai është i lidhur në komandë prej njëzetedy vitesh e jeton si një Krez. Me që ra fjala: a e dini kush ishte Krezi? Mbreti i fundit i Lidisë (shekulli i katërt P. K.), një burrë shumë i pasur e i fuqishëm. Tregon Herodoti se kur Soloni shkoi t’a takojë, mbreti i kërkoi të vërtetonte se ai, Krezi, ishte më i lumturi ndër të gjithë njerëzit. Soloni u mendua dhe i u përgjigj: “Për të gjitha gjërat duhet të pritet të shihet si do të përfundojnë”. Krezi u nevrikos. Pak kohë më mbrapa u thye dhe u shkarkua. Çfarë thoni? A do të ketë lexuar Vladimir Vladimiroviç Putini “Historitë” e Herodotit?
“Corriere della Sera”, 18 qershor 2022 Përktheu Eugjen Merlika