Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Që kur u paralajmërua vizita dhe morëm programin konfidencial, në vijim të një shkrimi që kam botuar disa ditë më parë, kisha menduar që në takimin me gazetarët, t’i drejtoja edhe unë një pyetje zonjës Merkel. Zakonisht në vizita të tilla,kur koha është shumë e kufizuar protokolli ka fjalën e parë.
Grupi i gazetarëve ishte vendosur në Bernerhof në Leuchtersaal në sallën e caktuar për konferencën për shtyp dhe paraprakisht drejtuesi i i saj, zvkancelieri dhe zëdhënës i Këshillit Federal z.André Simonazzi na tha se mendohet të ketë rreth katër pyetje, fifty-fifty, gjysma nga pala gjermane dhe gjysma nga pala zvicerane.
Konferenca filloi dhe nga çasti në çast isha gati të kërkoja leje dhe aty për aty vendosa që pyetjen ta transformoja në një kërkesë apo lutje. Por, ndërkohë katër pyetjet për dy Kancelaret u konsumuan shpejt dhe zoti Simonazzi duke lajmëruar përfundimin e konferencës, na kujtoi se duhet të nxitonim shpejt tek autobusat me drejtim Universitetin e Bernës. Megjithë nxitimin iu afrova z.Simonazzi. Ne kemi bërë shumë aktivitete dhe njihemi. Ishte për Kosovën më pyeti. Ne na identifikojnë përgjithësisht me Kosovën. Jo, i thashë, kësaj here e kisha për Ballkanin Perëndimor dhe ia tregova. Pyetje e mirë më tha. Kisha gabuar unë, nëse do ta kisha konsultuar me zotin Simonazzi më herët, pyetja do të ishte bërë.
Gjatë mbulimit të vizitës së Merkelit në Bernë, edhe një herë vumë re se ky vend i vogël si CH, të mbush me krenari për thjeshtësinë, përpikmërinë, disiplinën dhe funksionimin e shtetit ligjor. Një demokraci e drejtëpërdrejtë që buron nga populli. Natyrisht, tema e refugjatëve është e vështirë, por gjithmonë ekziston vullneti për dialog bilateral e multilateral me BE-në dhe shtetet e saj për zgjidhje me marrëveshje. Paçka se vizita u bë në masa të forta sigurie, gjatë parakalimit zyrtar të dy presidenteve në Münsterplatz, kjo ceremoni ishte e lirë të ndiqej nga kalimtarë, turistë e qytetarë, me të cilët Kancelarja Merkel ndau autografë dhe selfie.
Në pyetjet që iu bënë zonjës Merkel në presskonferencë dhe në auditoriumin kryesor të Universitetit të Bernës ku u nderua me Honoris Causa në fokus ishte kriza e refugjatëve, sidomos pas qendrimeve ekstremiste të Kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbant, se feja e refugjatëve përbën shqetësim për kristianizmin dhe shoqërinë Perëndimore. Merkel mbajti qendrim të qartë, i përjashtoi frikërat dhe bëri thirrje për humanizëm e solidaritet, ndërkohë që tashmë shumë vende të BE, përfshi të parën Gjermaninë kanë hapur dyert për refugjatët e dërmuar nga qindra e qindra kilometra rrugë në këmbë që shpesh fiksohen nga kamerat dhe fotoaparatet e gazetarëve me pankarta ku lexohet Mother Merkel, Mutter Merkel, Mama Merkel. Një atribut i mrekullushëm për të cilën ata njerëz kanë nevojë. Që t’iu dalë dikush në mbrojtje, që t’iu dalë Europa në Mbrojtje. Dhe Europa sot identifikohet me zonjën Kancelare të Gjermanisë.
Po a është e mundur që Angela Merkel të jetë një Mutter Courage und ihre Kinder – një Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, por jo ashtu si e përshkruan në kryeveprën e tij Bertold Brechti? Që të mos lejojë t’i sakrifikohen fëmijët nga luftrat dhe krizat. Fëmijë e Angela Merkelit sot është edhe Aylani i vogël.
Nga ana e tij, shtypi e kritikon Angela Merkel si Die ewige Kanzlerin – Kancelare e Përjetëshme, për BE-në thotë se ka mbetur pa para e pa lidërship, ndërsa Anne Applebaum shkon më tutje dhe e konsideron shumështresore hipokrizinë e Europës për refugjatët. Në fakt, preludi i kësaj krize startoi me krizën e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor, të cilën BE-ja bëri sikur nuk e vuri re. Nga Ballkani Perëndimor ranë kambanat e para të alarmit. Në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka Isis, por nuk ka as punë dhe as perspektive. Në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka Isis, por ka informalitet, papunësi, korrupsion dhe pak shanse për të jetuar normalisht. Vala e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor ishte pasojë e harrimit dhe lënies së këtyre qytetarëve në mëshirën e regjimeve mizerabël, ku pushtetarët jetojnë në luks ndërsa populli në ferrin e mjerimit.
Ballkani Perëndimor, po flas për shqiptarët, ashtu sikur sirianët sot, megjithë zhgënjimin,vazhdojnë ta duan Europën e BE e të kenë besim tek Angela Merkel, por gjithmonë në kontekstin e Aleancës Verio-Atlantike.
Them zhgënjim sepse Ballkani Perëndimor, prej rënies të Murit të Berlinit, priti 25 vjet një Plan Marshall, që nuk iu akordua. Nuk them se përse BE vijon t’i japë miliarda Greqisë, por pyes përse për Ballkanin Perëndimor nuk bëhet asgjë. U bënë dy konferenca, ajo e Berlinit dhe e Vjenës, me temë Ballkani Perëndimor, por pa rezultate. Në kohën midis njërës Konferencë tek tjetra plasi kriza e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor. Kjo është e vërteta.
Marie Colbin, një tell-truther trime thoshte se „Misoni i gazetarit është t’ua tregojë të vërtetën pushtetit, të fuqishmëve“, që këta të reagojnë. Marie Colbin e tregoi tragjedinë e fëmijëve sirianë dhe alarmoi gjithë Perëndimin. Por Perëndimi nuk e dëgjoi. Ajo foli e foli deri sa mbeti e vrarë në Homs nga regjimi kriminal i Baschar al-Assad. E prapë Perëndimi nuk reagoi dhe vazhdon ende të mos reagojë.
Pyetja ime, që në fund vendosa ta transformoja në lutje, kishte të bënte pikërisht me situatën tejet të rënduar të Ballkanit Perëndimor. Desha t’i kujtoja zonjës Kancelare Planin Marshall dhe Murin e Berlinit. Amerikanët në 1948 kur akorduan 13 miliardë $ që sot përkthehen në 130 miliardë $ për të shpëtuar Gjermaninë Perëndimore dhe Europën Perëndimore shtrënguan rripin, hëngrën nga një racion mish më pak, duke e patur si idéal sloganin e famshëm „Whatever the weather, we must move together“ – „Sido që të jetë moti, ne duhet të jemi bashkë“. Nëse amerikanët do t’i kërkonin Europës Perëndimore përmbushje standardesh, Stalini do të kishte dalë në bregun lindor të Atlantikut.
Ballkani Perëndimor ka mbetur në mëshirë të fatit dhe mëshirën e regjimeve të korruptuara që e keqqeverisin. BE-ja ka harruar se Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës. BE e ka harruar sloganin që ishte edhe kauza e Planit Marshall. BE ka harruar se popujt e këtij rajoni kanë dalë nga pushtime dhe regjime kriminale diktatoriale. BE-ja ka harruar thelbin e vet që është humanizmi. Ballkani Perëndimor ndihet i huaj në shtëpinë e vet, në shtëpinë e përbashkët, që është Europa dhe paçka se Muri i Berlinit ka 26 vjet që është rrëzuar, tani BE-ja ka ngritur një mur të ri midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor duke i trajtuar qeveritë e korruptuara të këtyre vendeve si partnerë, ndërsa popujt e këtyre vendeve si qytetarë të dorës së fundit. Vala e refugjatëve nga Ballkani Perëndimor drejt Gjermanisë tregon se ky rajon vijon të mbetet Fuçi baroti, sepse kriza politike është transformuar në një krizë ekonomike, ndërsa banorët e tij i kanë sytë dhe shpresen tek Perëndimi, tek Gjermania, prandaj ata me fëmijët në krah, i pranojnë kushtet e pamëshirshme të trafikantëve të qënieve njerëzore, mjafton që të arrijnë në Gjermani. Por kjo nuk është zgjidhja që i duhet Ballkanit Perëndimor, ndërkohë kriza e refugjatëve nga Siria, Iraku etj nuk duhet të tërheqë vemendjen e BE-së nga kriza e Ballkanit Perëndimor, e cila kërkon zgjidhje.
Prandaj, në presskonferencën në Bernë, do t’i perifrazoja kancelares Merkel lutjen që presidenti Ronald Reagan në Berlinin e ndarë e përpara Brandenburger Tor – Portës së Brandenburgut do ta drejtonte për Gorbaçovin, sado absurde që të duket, me një ndryshim, se unë besoj tek ajo: „Tear down this wall Madam Bundeskanzlerin“ – Shëmbe këtë Mur fantazëm midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Dhe me Ballkanin Perëndimor veproni ashtu si veproi Gjermania Perëndimore me ish-DDR pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Duke u unifikuar!
Veç shpejt, mjaft u vonuat, që të mos jetë nesër vonë.