Nga Abdurahim Ashiku, gazetar, Athinë/*
Në medien e shkruar dhe atë satelitore na vjen një emër i ri, një “ndarje” e re administrative e Shqipërisë –“QARKU I TREMBËDHJETË”…
Qarqet në Shqipëri formohen në një hapësirë territoriale me një numër popullsie që në ndonjërin nuk e kap njëqindmijëshin. Edhe qarku më i madh, Tirana, nuk është më i madh se “Qarku i trembëdhjetë”, qark që në medie nënkupton mërgatën shqiptare nëpër botë. Nuk po përdor fjalën “diasporë” për faktin e thjeshtë se shumica e shqiptarëve që punojnë në Greqi, Itali e gjetkë janë njerëz që bukën e ditës e gjejnë duke punuar dhe paratë i postojnë në adresë të familjeve apo të blerjes së pasurive të paluajtshme. I vetmi ndryshim nga kurbetet e punës (po ta quajmë kështu) në kohë e hapësirë, nën pushtimin osman kur punonin në ndërtimet perandorake shekullit të 19-të, apo të lëvizjeve gjatë gjithë vitit (gollobordasit në ndërtimet në tërë Shqipërinë, reçjanët në ndërtimin e veprave hidroenergjetike, lumjanët në lëvizjet e njohur me blegtori e në punime stinore) është se në kalimet në kufi duhet të paraqesin pasaportën me vizë apo me leje pune apo leje qëndrimi. Mërgata shqiptare (flas për Greqinë) nuk është gjë tjetër veçse qarku më i madh i shqiptarëve në truall të huaj, ngjitur me truallin shqiptar.
Të dhënat statistikore zyrtare më të fundit (censusi) tregojnë se Qarku i Tiranës me 766.000 banorë është më i vogël se “Qarku” i mërgimtarëve shqiptarë në Greqi. Qarqe të tjerë me popullsi të madhe (Fieri me 305 mijë banorë, Elbasani me 293 mijë banorë, Durrësi me 267 mijë, Korça me 216 mijë, Vlora me 173 mijë…kanë më pak banorë se sa ka Athina emigrantë legalë shqiptarë. Gjirokastra me 68 mijë banorë, Kukësi me 83 mijë, madje edhe Lezha, Dibra … kanë më pak banorë sa ka shqiptarë vetëm në ishullin e madh grek të Kretës. Krahasime të tilla mund të bëjmë edhe me qytete të tjerë si Selaniku, ishujt etj. ku shqiptarët punojnë legalisht e jetojnë me dinjitet.
Shqiptarët në Greqi, ata me letra të rregullta dhe ata që hyjnë nga mali apo shfrytëzojnë “90 ditët” për punë sezonale në bujqësi janë sa një e treta e popullsisë së Republikës së Shqipërisë.
Sa sipër, kuptimi që i jepet mërgatës shqiptare si “Qarku i trembëdhjetë”, mua më duket gjumëndjellës për një problem që duhej zgjidhur me kohë dhe që duhet zgjidhur menjëherë me marrjen e pushtetit dhe formimin e shtetit të koalicionit të majtë.
Shteti më i ri në botë, Kosova, ka disa muaj që me vendim Kuvendi ka vendosë të regjistrojë të gjithë mërgimtarët kosovarë shqiptarë në botë.
Shteti më i ri në botë, Kosova, ka një ministri që merret vetëm me mërgatën, ministri që siç më deklaronte ministri Ibrahim Makolli- emrin “Ministri e Diasporës” ia kanë vënë vetëm e vetëm në kuptim të gjuhës së ndërkombëtarëve ndërsa në të gjithë bisedën me të (është e botuar) nuk e përdori në asnjë rast fjalën “diaspora kosovare” por “mërgata kosovare”.
Një “Ministri Diaspore” , emër mjaft i lakuar sidomos nga mërgimtarët, përbën domosdoshmëri për të sotmen dhe të ardhmen e mërgatës shqiptare shpërndarë në të gjitha anët e globit.
Regjistrimi i mërgatës është domosdoshmëri për njohjen pjesëtarëve të saj me emër dhe mbiemër, me adresë banimi, me nivel arsimor e kulturor, me potenciale ekonomike, me të gjitha të dhënat e një regjistrimi kompleks.
Një “Ministri e Diasporës” është domosdoshmëri për të ardhmen e saj, veçanërisht për brezin e ri, lindur e rritur në mërgim, brez i cili sipas studimeve të mija në një sërë shkrimesh dhe në dy libra “Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës”, nga harresa totale e shtetit është në zgrip të humbjes së identitetit gjuhësor e kulturor.
Në qoftë se shkollimi shqip i fëmijëve nuk sanksionohet me ligj (një detyrim ky kushtetues i nenit 8 pika 1 – 2 dhe 3 dhe i nenit 57), nuk i jepen aq fonde sa ka qarku më i madh i vendit, nuk vlerësohen mësuesit njëlloj me mësuesit në shkollën shqipe në Shqipëri, “ QARKU I TREMËDHJEË” mbetet një slogan, pa nerv e pa asnjë kuptim.
“Qarqet trembëdhjetë” në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, SHBA, Kanada…, në qoftë se duam nesër që çdo shqiptar në të gjithë globin ta thotë fjalën e vet për të ardhmen e vendit (miliardave që ka dërguar dhe dërgon për investimet në Shqipëri) nëpërmjet votës së lirë, po nuk u formuan dhe po nuk patën të njëjtën hapësirë ligjore si “Dymbëdhjetë qarqet” aktuale shqiptare, humbin çdo kuptim.
Mërgata shqiptare duhet vlerësuar në tërë aspektet e jetës që përcjell atje ku jeton e punon por edhe në vendlindje. Është pohuar se nga mërgata shqiptare janë postuar çdo vit rreth një miliard euro drejt familjarëve dhe bankave të ndryshme. Bashkuar këtyre edhe detyrimet e saj fiskale dhe të përballimit të jetesës, hamendësoj që edhe qarku më i madh në Shqipëri nuk sjell kaq të ardhura. Mos harrojmë edhe faktin se këta miliarda euro në vit, investuar në ndërtime vetjake, në biznese por edhe thjesht në mbajtjen në këmbë të familjeve të tëra në çdo skaj të vendit, kanë sjellë të ardhura për shtetin nëpërmjet sistemit të taksave dhe tatimeve, ashtu siç kanë mbajtur me të ardhura të drejtpërdrejta Ministrinë e Jashtme nga “vulat dhe pullat” në konsullata.
“Qarqeve trembëdhjetë” duhet tu kthehet pjesa që u takon nga paratë e rrëmbyera deri tani nëpërmjet sistemit fiskal shqiptar. Kthimi duhet bërë nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta në shkollimin e fëmijëve, ngritjen e qendrave kulturore dhe të gjitha ato gjëra që lidhen me dinjitetin e tyre.
Në medien shqiptare flitet e shkruhet përditë për “Qarkun e trembëdhjetë”, në vlerë të votës së emigrantëve për ndryshimin politik në Shqipëri, por nuk flitet se pse këto dhjetëramijëra vota nuk u përkthyen në mandate deputetësh. Edhe ata kandidatë që u vunë në lista nga mërgata shqiptare në Greqi u vunë në rrezen e të pamundurës për të fituar.
“Qarku i trembëdhjetë” tashmë është një realitet, një njësi vendore e veçantë që ka vend për tu sanksionuar me ligj dhe e vlerësuar si të gjitha qarqet e tjerë në Shqipëri. Jashtë kësaj kornize ai do të mbetet një slogan i rëndomtë për “përdorim zgjedhor”.
(Shkruar në korrik 2013 përditësuar në shkurt 2014.)