• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LEONARDO DiCAPRIO NË NJË UDHËTIM LUGINËS SË DRINIT TË MBETUR…

November 30, 2021 by s p

Abdurahim Ashiku/

Aktori Leonardo DiCaprio ka reaguar sërish për mbrojtjen e lumit “Vjosë”, duke kërkuar nënshkrimin e një peticioni për ta bërë atë një park ndërkombëtar.
Ai ka kërkuar me anë të një posti në “Instagram” nga ndjekësit që ‘Vjosa’ të jetë Park Kombëtar në mënyrë që zona të mbrohet nga digat dhe një kërcënim i ri si shpimet e naftës dhe gazit.
Ai shprehet se përveç mbrojtjes së lumit, do të rritej turizmi duke tërhequr rreth 1.5 milionë vizitorë çdo vit.
Në fund të postimit aktori fton të gjithë për të nënshkruar peticionin…


Jam me Të. Jam që çdo pëllëmbë tokë; lumë, liqen e det të mos betonohet, shkatërrohet, mbytet e përmbytet për interesa korruptive. Kërkoj që të ma dërgojnë peticionin dhe do ta firmos me dëshirë e kënaqësi.
Nuk e di në se aktori i madh ka qenë ndonjëherë luginës së Vjosës, nga pika kur hynë në territorin e Shqipërisë së vitit 1913 e deri në derdhje të saj apo e ka me të thënë, përfshirë presidentin Meta, del me thirrjen që Vjosa të mos preket. Sido që të jetë bashkohem me të që Vjosa të qëndrojë ashtu siç e ka krijuar natyra.
Si gazetar kam një kërkesë për Leonardio DiCaprio, një ftesë për të vizituar lumin më të madh  të Shqipërisë Drinin e Zi, të masakruar në tërë gjatësinë e vet, nga dalja nga liqeni i Ohrit e deri në derdhje në Bunë apo në bregdetin e Lezhës.
Besoj se nuk ka lumë më të masakruar në botë se sa Drini.
Tre prerje rrjedhe e tre hidrocentrale mbi të nga dalja nga liqeni i Ohrit e deri në Miresh në kufi me Shqipërinë 1913. Në territorin maqedon Drini nuk është lumë, është gjol. I ka humbë emri.
Katër prerje rrjedhe, katër diga në Fierzë, Koman, Vaun e Dejës dhe Bushat.
Ka mbete vetëm hanxhari i Skavicës që ai të humbë emrin, të kthehet në Drin-hurdhë.
Do të dëshiroja që ftesën ta merrte nga deputeti i Dibrës zoti Lavdërim Krrashi, me formim perëndimor e një prej mijërave që i mbyten trojet e të parëve.
Do të desha që ftesën ta merrte nga zëvendësministrja e ministrisë së E Turizmit dhe Mjedisit zonja Almira Xhembulla Zebi që ka detyrën e mbrojtjes së çdo pëllëmbe toke në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Do të desha që ftesën ta merrte nga Dr. Prof. Adem Bunguri njeriu që e njeh më mirë se kushdo historinë dhe arkeologjinë që mbyt hurdha e Skavicës.
Kam besim se ata do ta shoqërojnë tërë Luginës së Drinit të Zi, nga Mireshi në Skavicë e do ti tregojnë se mbytja e Dibrës është një krim nga më makabrët që njeh ai; ekologjik, historik, njerëzor.
Ta ngjisin në pikën që dominon luginën, në Sukë të Arrasit dhe ti tregojnë se prapa është Sina, vendlindja e Skënderbeut e poshtë këmbëve të tij, në fushën e Çidhnës dhe të Kastriotit është zhvilluar beteja e parë e madhe në Evropë e shqiptarëve të udhëhequr nga biri i tyre kundër turqve osmanlinj, është shënuar fitorja e parë e madhe duke hap themelet e ngritë murin e mbrojtjes së Evropës nga pushtimi mesjetar anadollak,
Ti thonë se kjo betejë dhe 17 betejat e tjera fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut u zhvillua në luginën e Drinit të Zi.
Italia sot (dhe Evropa), në mos do të fliste turqisht, do të ishte një ndër vendet ku mbi minare do të dëgjohej çdo mbrëmje ezani që i fton njerëzit të hanë iftar.
Ti thotë se nuk ka luginë lumi në botë që ka kaq eshtra pushtuesish e varre trimash thellë tokës.
E ato varre, eshtra, shpata, shigjeta janë atje e duhen nxjerrë në dritë për ti treguar botës trimërinë e një vendi të vogël kundër një perandorie të madhe, më të madhen e kohës.
Ata nuk mund ti zhysë e mbysë përgjithmonë llumi i Skavicës.
Ti thonë se po ta mbytin Drinin, po e ndërtuan Skavicën, mbysin historinë e një populli, historinë e “Kalorësit të kryqit” siç e quan Perëndimi Gjergjin e Gjon Dibranit, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.
Jam i sigurt se nga ajo pikë që e sheh luginën në pëllëmbë të dorës do të skicojë skenarin e një filmi serial me beteja të njëpasnjëshme të Skënderbeut në Dibër e Shqipëri. Me siguri do të marrë vlerësime që nuk i ka marrë kurrë.
Më tej ta çojnë të vizitojë bukurinë e Setës, e po pati takat dhe nuk i merren mend të kalojë rrugës së ngushtë në krahë të rrjedhës së kanalit të Çidhnës për të lexuar fragmente të trimërisë së Dibranit në ndërtimin e një vepre të madhe të pashoqe ndërtimore.
Ti tregojnë se Setën e kanë marrë me po të njëjtin oreks siç po marrin Skavicën njerëz që dinë vetëm një gjë: të shkatërrojnë natyrën për të mbush xhepat.
Ti tregojnë se 100 vjet më parë dibranët, të bashkuar, korrën fitoren më të madhe historike mbi pushtuesit serbë në betejën e Lanë Lurës dhe nuk i lanë sllavo-jugosllavët ta kenë Drinin kufi të parë të tyre për të vijuar për ta këput Shqipërinë për mesi e për të dalë në Durrës, ëndërr që edhe sot e shikojnë.
Ti tregojnë edhe se Drini, siç thotë poeti i madh Lasgush Poradeci është boshti i shqiptarëve, palca e prerë nga Londra 1913.
Drini është i shenjtë jo vetëm për Dibrën por për tërë Shqipërinë.
Palca e tij duhet të mbetet e gjallë në pritje për tu bashkuar me palcën e mbetur në anën tjetër të shqiptarëve autoktonë.
Ta ngjisin në Lurë e ti tregojnë “sytë” e saj që qëndrojnë pezull midis tokës dhe qiellit, liqenet e famshme të Lurës.
Ta shoqërojnë edhe në Fushë të Pelave e ti tregojnë se fusha e ka marrë emrin nga hergjeletë e pelave që mbarështoheshin për të pjellë e rritë kuaj luftarakë të ushtrisë së Skënderbeut.
Të kalojnë “ylberin” dhe butë-butë të ulen në Bjeshkën e Zonjave ku dy gjeneralë e diplomatë Julian Emery dhe Reginald Hibbert që qëndruan atje gjatë Luftës së Dytë Botërore shkruanin:

“…Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë për thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford…”. 

 
”Unë kam mbaruar Universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një Universitet të dytë, atë të Dibrës”.


Dhe jam i sigurt se ai peizazh i papërsëritshëm do ta tërhiqte për një skenar të madh lojërash dimërore duke luajtur rol të parë, gara skish e sllallome gjigande të përmasave botërore ku jo 1.5 milionë por dhjetë herë më shumë turistë do të vinin në Gramë e bjeshkët e mrekullueshme të Korabit, gjithë vitin, verë e dimër.
Dhe të bindej se Lugina pjellore e Drinit të Zi do të ishte buka, mishi, perimet, fruti dhe gjella e kësaj bukurie. Se pa Luginën e Drinit të Zi nuk ka turizëm as tek liqenet e Lurës, as tek liqenet e Kacnisë, as në Korab, askund në Dibër
Nga kjo, jam i sigurt se e vetmja thirrje e Tij do të ishte: “Mbroni Luginën e Drinit të Zi !” “Ndal shkatërrimit të saj!” “Jo Skavicës!”. “Rrugë të asfaltuara, teleferikë, investime të mëdha kapitale për tu ngjitur fshatrave e maleve të Dibrës më pak të eksploruarat në Evropë!”… 
Dhe ti rekomandojnë të lexojë Johann Georg von Hahn, librin e tij.
”Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit”  dhe zonjën e bukur M. Edith Dyrham që i donte këto vise si të ishte bijë e lindur dhe e rritur atje.
Ftova një deputet, një zëvendës ministre mjedisi dhe një shkencëtar, me emër e mbiemër.
Nuk e di në se këtë do të mund ta bëjnë e ta financojnë, nuk e di në se do tu presin rrugën e do ti ndalojnë patronazhistët që e duan Dibrën gjol e hurdhë, të mbytur e të zhdukur përgjithmonë. Ata do ti gjejnë në rrugë duke propaganduar gondola, skafe luksoze, porte në fjorde, vila luksoze e rrugë të gjëra e shëtitore buzë liqenit…
Një gjë ama mund ta bëjnë: Ta përkthejnë në gjuhën e nënës të DiCaprios dhe t’ia dërgojnë në të gjitha adresat e tij, fizike e elektronike.
Dhe jo vetëm ata. Edhe ti djalë e vajzë që je në Angli, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, SHBA, Kanada, Australi që tu dha mundësia ta mësosh me themel gjuhën e vendit ku punon dhe jeton larg atdheut, ta përkthesh e ta përcjellësh në adresë DiCaprios, ta botosh në gazeta e portale si një thirrje publike për ti thënë ndal një krimi nga më makabrit e këtij fillim shekulli. 
T’ia dërgosh edhe dibranes së këngës Bebe Rexha, këngëtare me famë botërore që ta thotë fjalën e vet në mbrojtje të vendlindjes.
Por edhe gjithë zërave të mëdhenj shqiptarë duke i ftuar të thërrasin publikisht “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!”
Dhe të më shkruajë në adresën  a_ashiku@yahoo.gr 

Abdurahim Ashiku
20 nëntor 2021

Filed Under: Kronike Tagged With: Abdurrahim Ashiku

UDHËTIM NË DY KOHË

November 26, 2021 by s p

Përshkrim

Nga arkivi i gazetarit

Abdurahim Ashiku

Pas ngeli Zogu i Zi me zhurmën e makinerive të ndërtimit, me renë e pluhurit dhe makinat e vogla e të mëdha që kërcejnë nëpër gropa në dhimbjen e një bote në transformim. Kjo nyje është prezantimi i parë me kryeqytetin, është ajo që sheh kur hyn dhe ajo që ndjen kur ikën. Kur e kalon këtë nyje, si lart po ashtu poshtë ndjen të renë, atë që është transformuar dhe atë që është në transformim, ndjen qendrën e kryeqytetit, Parkun Rinia, Lanën nën një gjelbrim të ripërtrirë. Ndjen Rrugën e Durrësit deri në lidhje me autostradën në një hapsirë që rrallë kryeqytete të botës moderne e kanë..

Mikrobusi i djalit të një mikut tim, Rexhep Manit, një njeri që gruas sime i bëri përshtypje të veçantë për kulturën e komunikimit me njerëzit, hyn në urën mbi lumin e Tiranës tek ish fabrika e tullave. Ura është e ngushtë, dy makina mund të kalojnë mbi të me kujdes, me vështirësi. Ura lidh dy rrugë, ende në zgjerim e në ndërtim që përcjellin në të dy krahët dy rradhë makinash. E ngushtë ura tek shtrydh morinë e makinave që vijnë e ikin drejt Veriut. E ndërtuar që në vitin 1963, pas shirave tepër të rrëmbyera të dhjetorit 1962, shira rryma e të cilëve e bëri aq kryeneç lumin sa ta rrëmbejë si një fije kashte urën e drunjtë, pas pasarelës së përkohëshme që na lidhëte ne studentët e bujqësorit me kryeqytetin, do të ndërtohej e betontë, e fortë. Ashtu është edhe sot. Por ajo do zgjeruar, don që të hidhen këmbë të reja mbi shtratin e lumit…E don koha, e don zhvillimi…

Ura e Matit, apo e shënuar në kujtesën e popullit si Ura e Zogut, është e heshtur, është si një urë muze, si një relike e kohës së largët. Mbi të, megjithëse nga larg, nga Greqia ku punoj e jetoj, pata parë një kronikë televizive ku me figurë e zë flitej për rikonstruksionin e saj. Sot nuk pashë ndonjë makinë të kalojë mbi të. Blloqet e betontë e kufizonin hyrjen nëpër të…

E përmenda sepse ura më kujtoi një kohë të shkuar, vitet pesëdhjetë, gushtin e vitit 1954 kur mbi të kalova natën, udhëtimet e më vonëshme ditën. Asokohe, me autobuzin e linjës niseshim nga Tirana në orën 7 të mëngjesit për t’i rënë rreth e qark nga Vora, nëpër një rrugë të paasfaltuar e për të arritur në Rrubik në mesditë. Atje, në një gjelltore që shihte Fanin, nxirrnim nga trastat bukën e marrë me triskë ose të bërë në shtëpi dhe merrnim ndonjë gjellë. Në Peshkopi arrinim vonë, shumë vonë, pas 13 -15 orë rrugë.

Kjo rrugë do të mbyllej aty nga viti 1957, do t’a përpinte liqeni i Ulzës…

Nuk hymë në Urën e Zogut, morëm djathtas me pamjen në të majtë të deltës që formohet kur bashkohet Mati me Fanin, me luginën e Fanit në njerin krah e atë të Matit në krahun tjetër. Në këtë pamje nuk ka se si syri të të mos ndalet në kurrizin e një rruge, mbi shinat që dikur kaloi treni, shina tek tuk të shqyera e të rrëmbyera. Kjo pamje do të na humbiste nga sytë kur merr krahun drejt Rrubikut e Rrëshenit për të na u shfaqur në Burrel e në luginën e lumit që të çon në Klos. Kurrize të shqyera, shina  që në vend të trenave e lokomotivave mbajnë tenda rrushi, ura të betonta diku të plota e diku vetëm në këmbët e betonta, stacione treni me ndonjë kolonë betoni të lartë si dëshmi e një dëshire të parealizuar…

Lugina e Matit është ndër luginat më të bukura të vendit. Në atë luginë ka diçka epike e heroike, nga e kaluara e largët kur Sënderbeu kalonte këtej ushtrinë e vet në pusitë që i zinte armikut. Nga e kaluara e afërt kur njerëzit, varur me litar, çanin me qysqi shëmbin e gëdhendnin  atë që do të hynte në historinë e jetës sonë si një monument i jashtzakonshëm trimërie e burrërie, atë që do të quhej  ( që quhet edhe sot ) Rruga e Dritës. 

Në Shkopet pimë një kafe në një lokal ku syu nuk ka se si të mos të ndalet tek një tabelë ku shkruhet në formë harku “ Hidrocentrali i Shkopetit -1963 “. E kam vizituar atë hidrocentral në shkëmb menjëherë pas ndërtimit. E kam vizituar edhe hidrocentralin e Ulzës, menjëherë pas  ndërtimit, në vitin 1957. Detyra e gazetarit më ka përcjellë në mjediset e brendëshme të të dy hidrocentraleve në fund vitet ’70. Hidrocentrali i Ulzës, ndërtimi i tij, ka një histori që nuk ka se si mos të jetë një nga monumentet më madhështore të historisë sonë të pasluftës. Në një stadium të lojrave me dorë në Athinë, një burrë i moçëm nga jugu i Shqipërisë ma pat përcjellë mendjen menjëherë në Ulzë. Jo në Ulzën e sotme me Liqenin e bukur që pikturon me hollësi retë në kaltërsinë e qiellit, por me Ulzën e viteve ’50- të me vullnetarët nga e gjithë Shqipëria, me Ulzën që pas hekurudhave, bëri hapa të fortë në zgjimin e gruas dhe vajzës shqiptare, në luftën kundër analfabetizmit dhe në frymën shoqërore, në Ulzën që lidhi dashuritë e mëdha midis të rinjëve e të rejave, dashuri që thyen zakonet e egra të kohës. Në një shtëpi tiranase një përmetar që në ato vite kishte punuar në Peshkopi me rininë, më tregon se si punonin asokohe për të zgjuar brezin e ri nga errësira e së kaluarës, si punonin për t’i përcjellë të rinjtë dhe të rejat që nuk kishin kaluar kufijt e fshatit, në hidrocentral…Një faqe, nga më të lavdishmet e historisë sonë të re që çuditrisht është fshirë nga media jonë, është fshirë nga politika jonë pas tabusë se ajo kohë dhe ato veprime, ato hidrocentrale dhe ato tubime- shkollë ishin të regjimit komunist e të Enver Hoxhës. Ato tubime, ato hidrocentrale, që nga ai i vitit 1951 që i dha, siç thotë kënga, “Ujë e Dritë Tiranës” e deri tek ai i Vaut të Dejes, Fierza e Komani, ato tunele të hidrocentraleve që nga ai i Selitës ku emri i Sabri Shinit hyri në legjendën e kohës si “luani i tunelev” e deri tek ai i Fierzës e Komanit, ishin dhe janë djersë dhe gjak i një populli të tërë, ishin dhe janë emancipim i gjërë dhe i thellë i një brezi sakrificash teje të mëdha. Dhe në qoftëse ky brez, këta njerëz, të nxitur nga një idealizëm i lartë ngritën në pesëmbëdhjet vjet tre hidrocentrale ( të Tiranës, Ulzës e Shkopetit ) a nuk meritojnë një mirënjohje të thellë kombëtare? A nuk meritojnë një lapidar të madh diku në luginën e Matit apo gjetkë ? Dhe në qoftëse ata njerëz, të nxitur nga ideali i kohës, bënë në pesëmbëdhjet vjet tre hidrocentrale, pse brezi i sotëm, politikanët e sotëm, në pesëmbëdhjet vjet nuk ndërtuan asnjë hidrocentral, madje edhe një hidrocentral të lënë përgjysëm si ai i Banjës e lanë në harresë, e abandonuan dhe e shaktërruan ?…Dhe marrin dritë nga djersa dhe gjaku i brezit të shkuar ?…

…Me Burrelin më lidhin shumë kujtime të moshës së rinisë dhe të kohës kur punoja si gazetar i ATSH-së. Sot, tek përballem me të diçka më gëzon dhe më shqetëson. Bulevardi kryesor i tij ëshë çarë nga kanale të shumtë. Po rikonstruktohet. Po zgjerohet e po transformohet, po bëhet më i bukur se ka qenë. Kjo më gëzon. Po ajo që më hidhron janë gardhet dhe gardhiqet e tij, produkt i një mentaliteti të ngushtë për pronën. Burreli, për t’a kaluar atë, ka pasë një unazë, ose më mirë me thënë dy gjysëm unaza. Njera shkonte djathtas për të dalë tek rruga e Qafë-Shtamës dhe muzeu historik, e tjetra shkonte majtas për të zbritur pjerrësinë e fortë e për t’u takuar poshtë me gjysmën tjetër të unazës. Nëpër të parën shonin e vinin makinat e rënda të ngarkuara me mineral kromi e me metal ferrokromi. Në të dytën shkonin e vinin skodat me rimorkio që merrnin kromin e Bulqizës, Batrës, Cërrujës. Të dy këto gjysëm unaza të Burrelit nuk jetojnë më. Ato janë coptuar si të ishin prej kashte nga pronaret e trojeve… Dhe ne… detyrohemi të kalojmë rrugicave të tij, mes pallateve e pazareve për të dalë në qosh të tij, përballë burgut të njohur të tij, nën një lloj “burgimi” rrugor.

Lugina nga Zenishti në Klos është shumë e bukur. Mati ujë kristal, herë zhytet e herë del kanioneve të thella të gjelbruara. Misri, nën ujin jetëdhënës të një kanali në funksion harbon duke mbajtë nën krahë kallinj të mëdhenj që varin mustaqet e gjata deri poshtë. E re në këtë luginë janë lokalet e shërbimit, njeri më i bukur se tjetri, ngritur në burime ujrash, në tunele gjelbrimi. Në këto lokale, po të gërmosh pak nën cipë, do të gjesh djersën e emigrantëve, të djemëve të Matit që rrahën Greqinë, Italinë, Gjermaninë, botën. Matjanët nuk kanë qenë shquar për shërbime të ushqimit social. Ky konstatim imi, i jetuar në shumë vite udhëtimi e pune, sot ka ndryshuar, është bërë tjetër. Djemtë e Matit, bashkë me paratë dhe investimet, sollën në vendlidje edhe përvojën e tyre në shërbimet e ushqimit social nga vendet  ku punuan e jetuan…

Në Klos, kur merr kthesën e i ngjitesh të përpjetës për në Qafë të Buallit vështrimin m’a qepin me gajtanë, pashë më pashë, dy pamje. 

Njera lidhet me një luginë që shkëputet nga ajo e Matit dhe merr djathtas. Andej ka kaluar në histori ajo që në gjuhën e popullit quhet “Rruga e Dibrës” e në gjuhën e historianëve quhet “Rruga e Arbërit”. Historitë e kësaj rruge i kam dëgjuar që në fëmini, asokohe kur babai me një kalë misër apo groshë, udhëtonte drejt Tiranës duke bërë tre ditë vajtje e tre ditë ardhje rrugë më këmbë. E prisnim me gëzim por edhe me frikë atë javë të lodhëshme udhëtimi. Me gëzim e prisnim se do të merrnim ndonjë rrobë të re, ndonjë karamele, portokall apo ullinj që me bukën e misërt shkonin shumë. Me frikë e prisnim se Shkalla e Tujanit, nga tregimet e shumëta ishte shkalla e frikës, shkalla ku kuajt, në atë tërkuzë ecjeje nëpër shkëmb, rrëshqisnin e nuk i gjëndej nami e nishan kafshës dhe mallit. Kësaj rruge, të transformuar disi në kohë, thuhet se do të kalojë rruga e re drejt Dibrës e më tej drejt Gostivarit e Tetovës. Madje, në fushatën elektorale, pamë nga Athina kryeministrin të presë shiritin e fillimit të punimeve.. Kur të bëhet (kurdo që të bëhet ) Tirana me Peshkopinë nuk do të jetë më larg se Tirana me Fierin.

Nga lartësia ku po ngjitem, në vështrim pa i ulur sytë, ushëtoj me mendje në një tjetër rrugë, rrugë që thonë se është rrahur nga makinat në fund të viteve 40-të. Në atë rrugë, shtruar me një kalldrëm të trashë, kam udhëtuar në tetor të vitit 1964 në shoqëri të një publicisti të madh, të një diplomati të dëgjuar, të Javer Malos. “Gazi”, me 15 – 20 kilometra në orë, na ngjiti në bjeshkët e Shëngjergjit, një bukuri e rrallë e maleve tona të Shqipërisë së Mesme, pamjen madhështore të të cilës e ruaj ende në kujtesë. Nuk e di pse kësaj rruge nuk ia kam dëgjuar zërin, nuk e di pse kjo bukuri e maleve tona mbahet ende fshehur nga syri i udhëtarit vendas dhe të huaj. Asaj kohe mund të justifikohej me sekretet ushtarake e strategjike. Sot nuk ka asnjë arsye që ajo rrugë, ato vende të heshtin…

Kur ngjitesh në Klos Katund, Patini që zhytet mes gjelbrimit t’i ngjit sytë si me zamkë. Të ngjit edhe veshët nëpërmjet një kënge me çifteli, një kënge të re epike, këngë që flet për një djalë të fisit të Pisleve, Flamurin, një djalë për të cilin një regjisor grek ka krijuar një film të tërë, filmin ‘ Omiros ‘ – Pengu. Një emigrant që është edhe në këngë, edhe në film…

Duke u ngjitur më lart vështrimi më ndalet te dy traverbankët dhe tek fabrika e pasurimit të kromit e Klosit. Traverbankët synonin nivelin e pestë të minierës së kromit të Bulqizës. Nëpër to do të kalonte lumi i kromit shqiptar. Do të kalonte edhe lumi i ujërave të nëntokës së Bulqizës që do të vinte nën ujë pjesën kodrinore e malore të luginës së Matit. Fabrika e pasurimit të kromit do të lidhej me hekurudhën. Traverbankët e shohin luginën si dy sy të verbër. Fabrika, në shkatërrimin e saj hesht.

Kështu hesht edhe Rampa e Qafës së Buallit në ballin e së cilës sa e sa herë kam zbritur dhe kam fotografuar njerëzit në punë. Ajo synonte nivelin e pestë në zbritje e ngjitje me kamionë…

Bulqiza është po ajo. Me fabrikën e pasurimit në qetësi, me minierën mbi krye që nuk nxjerr  më shumë krom se sa nxirrej një herë e një kohë në një muaj, me qytetin që duket se mbijeton nga tregëtia e rrugës dhe kafenetë e shumëta, me qytetin e ri dhe atë të vjetër në mes të të cilëve është ringjallur këneta e dikurshme, një “liqen”  zgjerohet ditë për ditë e vit për vit…

Kur hyn në luginën e Zallit të Bulqizës ndjen  bukurinë që sjellin livadhet e Zerqanit. Kur del prej saj e hynë mes për mes Shupenzës, përshtypje të bën gjelbrimi i misrit dhe i jonxhës, ngarkesa e pemëve, shfrytëzimi deri në madhësinë e pëllëmbës së dorës i tokës. Përshtypje të bëjnë ndërtimet e bukura me çati të tipit alpin, lokalet e ngritura e në veçanti një lokal që zgjatet mbi ujrat e Drinit, pak poshtë ku ai takon ujërat e Zallit, ujëra që vijnë nga Bulqiza,  Ostreni e Okshtuni.

Maqellara është  këthyer në një qytet të vërtetë. Këtë përshtypje nuk t’a krijojnë vetëm ndërtesat e bukura në qendër dhe në fshatrat për rreth por edhe gjallëria e jetës, gjallëria që sjellin duart punëtore të maqellarasve, të emigrantëve që prej vitesh rrahin rrugët e largëta të Evropës..

Qenokut, në majë të të cilit ndahen të Dy Dibrat, ajo e poshtmja me Nëntë Malet dhe e Sipërmja me Dibrën e Madhe m’atanë, prerë mizorisht nga Evropa e 1913-s, i ka mbetur diçka nga e kaluara, I kanë mbetur disa blloqe me kumbulla ( që këtë vit nuk kanë prodhuar fare), i kanë mbetur edhe arrat që pas plakjes së kumbullave do të përbëjnë një pyll të tërë. Kështu e patëm menduar në vitin 1966 me Xhavit Hysën kur piketonim dhe mbillnim bllokun frutor të Qenokut, bllok asokohe me 53 mijë rrënjë pemë. Në një pjesë të tij, atje ku në dorë e morën “të zotët e zabelit” këtë ide të madhe të Xhavit Hysës, njeriut që meriton një lapidar të madh për ndihmesën teknike e shkencore në krijimin e blloqeve të mëdhenj frutorë në Dibër e sheh të gjallë…

Kthesa e Llasenit të sjell në pëllëmbë të dorës Peshkopinë. E ndarë mes për mes nga përroi i llixhave, e prerë në dy pamje që të japin qytetin në dy kohë, atëhere kur nga një fshat i zakonshëm  u kthye ( nga prerja drastike që iu bë qytetit të Dibrës ) në kryeqendër të krahinës dhe pamjes sot.  Peshkopia duket si një gonxhe që matet të çelë. Nga e bukura e pesëmbëdhjet vjeteve të shkuara ka mbetur shetitorja e saj  ku blinjtë përqafohen njeri me tjetrin në tërë gjatësinë, ku njerëzit, të pa shqetësuar nga makinat, shetisin mbrëmjeve dhe mëngjeseve, ku duart e kujdesëshme mëngjeseve e mbrëmjeve lajnë, si të lajnë shtëpinë e tyre, tërë gjatësinë e rrugës. Nga e kaluara, nga ajo që jam rritur e jam gëzuar si fëmijë, nga lulishtet e shumëta që shoqëronin tërë rrugët e qytetit, nga lulishtet e Agush Selishtës, njeriut biografia fioristike e të cilit fillon nga Pallati i Pionierëve në Tiranë, lulishtja pas monumentit të Skënderbeut e Parku Rinia, pothuajse asgjë nuk ka mbetur, pothuajse të gjitha janë shëndrruar në beton e pllaka të ngjyrave të ndryshme…

Në perëndim të ditës, atëhere kur dielli pushon paksa mbi Runjë, mora rrugën drejt Zdojanit, fshatit tim ku linda dhe kalova fëmijërinë për t’u çmallur me gurët e drurët, me vendet dhe njerëzit, me pamjen me Drinin tërkuza e ujtë e të cilit më sjell shumë kujtime e ngjarje…

Abdurahim Ashiku

Tiranë – Peshkopi 13 gusht 2005.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku

A KISHTE DJE LURAS NË LANË LURË?

October 28, 2021 by s p

Abdurahim Ashiku/


Po shfletoj kronikën e djeshme të përurimit të lapidarit të ri për betejën e Lanë Lurës (Qafë Gëlqeres) dhe një nga një fotot e celularit  që një mik mi dërgoi në adresën time të ngushtë.
Midis autoriteteve, me emër dhe mbiemër të përveçëm, më dalin në sy drejtues të qarkut e të bashkisë, nëpunës zyrtarë shtetëror…
Nuk më del asnjë deputet, as i majtë dhe as i djathtë.
Nuk më del asnjë autoritet zyrtar i Lurës.
As drejtues i njësisë vendore, kryetar, sekretar, zyrtar…
As edhe një kryeplak apo kryeplakë nga Fushë Lura, Krej Lura, Arrmolla, Gurë Lura, Pregj Lura, Ndërshena…
Nuk ishin as mësuesit dhe nxënësit e shkollave nëntë vjeçare e të mesme (a ka shkollë të mesme në Lurë?) të cilët mund të merrnin leksionin më domethënës të historisë, trimërinë e gjyshërve të tyre që luftuan e derdhën gjakun që vendlindja e tyre të ishte Shqipëri e jo Serbi…
Nuk më del asnjë drejtues shoqatash të shumta me emër … Lura…
Nuk më del asnjë biznesmen nga ata që kanë makina malore e autobusë për të mbledhë lurasit (si i mbledhin në votime) nga janë e nga s’janë (veçanërisht ata të Gjirit të Lalëzit) dhe e mbushin cep më cep fushën…
Për të mos u ngrënë hakun ishin dy përfaqësues të shoqatës “Lura jonë”, Kadri Hasdede dhe Tom Kaçorri. Shënoni në protokoll…
Në Lanë të Lurës u bë dasmë…
Ishin të ftuarit…
Munguan të zotët …
Në Lanë Lurë munguan lurasit…
Në Lanë të Lurasit, siç shkruan në një koment Bashkim Mashkulli, mungonin dibranët, ata të rrënjës, personalitetet e Dibrës së Madhe…
Çudi dibrane në katror.

NJË PYETJE PËR ARKITEKTË E NDËRTUES POPULLORË

Ma thoni sinqerisht, e jo si patronazhistë partiakë

Lapidari i ngritur në vitet ’80-të në kujtim të betejës së Lanë-Lurës, ishte i tëri prej hekuri e betoni, ngulur në shkëmb një metër thellë…
Në vitin 1992 u shkul dhe u copëtua bashkë me pllakën e mermerit.
U shkul natën që kriminelëve historikë mos u dilte surrati…
Lapidari i ri i përuruar dje. Pllaka informuese, e kritikuar paraprakisht edhe për drejtshkrim të gabuar të gjuhës shqipe, siç e shikoni në fotografi është e mbështetur në dy këmbë hekuri L – 3, mbi një shtresë betoni të varfër.
Pyes: A do ti rezistojë kjo pllakë përkujtimore erërave të forta, pikës  poligon  i erërave dhe furtunave të njohura të Lanë Lurës?
A do ta mbajnë në këmbë pllakën ato dy këmbë hekuri?
A do tu rezistoj agjentëve të njohur atmosferikë?
Nuk pyes për “kapuçonët” e anti shqiptarizmës. Ata i kanë  edhe ditën, edhe natën, të tyre?
Thjeshtë për kërshëri po pyes…

Abdurahim Ashiku

28 tetor 2021

Filed Under: Histori Tagged With: Abdurrahim Ashiku

13 TETORI – DITA E ARISTIDH KOLËS

October 12, 2021 by s p

Nga Abdurahim Ashiku

Ai sot do të ishte 76 vjeç e 97 ditë… Moshë e re për një krijues të madh, një studiues të madh të çështjes arvanite, një njeri të dashuruar pas arvanitëve, gjini e gjak i të cilëve ishte.

Nuk është. 21 vjet të shkuara, më 13 tetor 2000, ai iku. Grekët kanë një fjalë ngushëlluese në raste të tilla, nuk thonë “vdiq” por “IKU”.

Aristidh Kola IKU fizikisht për të qëndruar midis njerëzve shpirtërisht, me fjalën e tij të ëmbël, me tonin e veçantë të një avokati të një çështjeje madhore të asaj që lidhej me “Arvanitasit dhe prejardhja e Grekëve”, vepra madhore e tij, vepër që sikur të kishte jetë do ta pasonte  “Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane”…

E kam takuar më 4 shkurt 2000 në një mjedis shqiptarësh kur ai do të referonte me kompetencën e një shkencëtari të shkencave historike temën “Arvanitasit dhe kontributi i tyre në kishën ortodokse“. E fotografova tek fliste dhe midis njerëzve. I dhashë disa pyetje në shqip për të marrë disa ditë më vonë përgjigjen në zyrën e tij. E fotografova tek më lexonte përgjigjen. Një shok i tij më bëri nderin duke më fotografuar bashkë me të.

Megjithëse e publikuar e quajta të nevojshme ta ripublikoj atë që kam shkruar vite më parë, bisedën që kam bërë me të më 9 shkurt 2000…

Fjalën e Aristidh Kolës është kulturë ta lexosh jo vetëm njëherë…

TRIMËRITË  E HERKULIT DHE HERKULËT INTELEKTUALË 

            Bisedë  me  Arvanitasin e Madh Aristidh Kola

Athinë, 9 shkurt  2000

1. Çfarë thotë Aristidh Kola për veten e tij ?

Linda në vitin 1945, më 8 korrik, në fshatin Leontari të Thivës ( Tebës ), një fshat arvanitësh që atëherë quhej Kaskaveli. Atje viteve të hershme bënin djathin e mrekullueshëm kaçkavall, ladhotiri . 

Fëmijërinë e kalova në fshat, në një mjedis ku jo vetëm gjuha por edhe doket e zakonet, këngët dhe vallet, morali, sjelljet dhe karakteri i njerëzve mishëronin në mënyrë të theksuar karakterin e Arvanitit. 

Në vitin 1963 fillova studimet në Universitetin e Athinës në jurisprudencë, drejtësi. Pas diplomimit, deri në vitin 1987,  vazhdova të ushtroj profesionin e avokatit. 

2. Kur filloi dhe sa janë përmasat e punës suaj në shërbim të studimit të çështjes arvanite ?

Fillimet u përkasin viteve ‘ 70-të, por nga viti 1975 mund të  them se jam marrë sistematikisht me gjurmimin dhe studimin e gjuhës arvanite, të historisë dhe të folklorit arvanit. Fryt i këtij studimi të gjatë ishte libri im i parë: “ Arvanitet dhe prejardhja e helenëve “ . Libri , që nga viti 1983  e deri sot,  është në rend të ditës dhe numëron 9 botime. Libri nuk është ndonjë histori e arvanitasve por rishikim dhe ripërcaktim i historisë helenike në përgjithësi. Këtu qëndron origjinaliteti i tij, zhurma dhe interesi i madh ndaj tij. U përpoqa të faktoj, dhe më duket se e faktova,  se historia greke që nuk merr parasysh arvanitët në epokën e re dhe pellazgët në atë të lashtë, as greke e as histori nuk mund të quhet. Është thjesht një histori e sajuar. 

Do të vijë koha të shkruaj historinë e arvanitasve. Dhe në qoftë se nuk do ta arrij unë, do ta bëjnë bashkëpunëtorët e mi më të rinj, në bazë të ideve dhe udhëzimeve të librit  “Arvanitët dhe prejardhja e helenëve” . Këtu qëndron edhe vlera e madhe e këtij libri; një libër i ngjalljes së vetëdijes dhe jo një rrëfim historik 

3. Aristidh  Kola ishte i pari, në ballë të mbrojtjes së çështjes kosovare e të popullit të Kosovës në ditët më të vështira të tij. Cilët ishin motivet e kësaj mbrojtjeje ?

Që në vitin 1991 kisha parashikuar zhvillimin e ngjarjeve të lidhura me Kosovën, lëvizjet e Millosheviçit dhe të qarqeve nacionaliste të Beogradit. Shqetësohesha sepse në planet e tij të çmendura donte të ngatërronte edhe Greqinë me qëllim që të gjejë mbështetje për zgjidhjen e problemit shqiptar. Kërkonte nga Greqia që ta ndihmojë në çastin e përshtatshëm me një kundërgoditje në Jug të Shqipërisë. Po ashtu kërkonte edhe nga Gligorovi të përgatitej për një përballim të përbashkët të problemit sepse edhe në atë shtet, shpejt apo vonë do të ngrihej problemi i shqiptarëve.

Siç e dini, çdo veprim politik ose ushtarak, që të ketë  sukses, kërkon një parashtrim teorik për të bindë aleatët dhe popullin. Millosheviçi foli si ortodoks i krishterë në Kishën greke e cila është me ndikim të madh në popull, foli si komunist në Partinë Komuniste Greke dhe si socialist popullor në PASOK. Ai me nacionalizmin dhe serbomadhizmin e tij arriti të mallëngjente nacionalistët dhe shovinistët  e këtushëm. Ai mundi të rrëmbejë dhe të ngatërrojë shumicën e botës politike greke dhe si rrjedhojë edhe të popullit. U gjendën disa gazetarë grekë të cilët kuptuan, parashikuan dhe denoncuan planet aventureske gjakatare të Millosheviçit. Unë më duket se isha i vetmi që kisha theksuar dhe paralajmëruar se propaganda filoserbe dhe antishqiptare, e cila aso kohe sapo kishte filluar,  ishin dy anë të së njëjtës monedhe. 

 Atëherë  ishte shumë e vështirë të shkruaje e denoncoje për këto sepse e gjithë bota politike dhe Kisha qenë viktima  të një mashtrimi dhe të një aventure me rrezik të madh. Nuk ishte fjala se kisha frikë për jetën time, por se nuk do të më dëgjonte askush. Shikoja se Millosheviçi, Karaxhiçi, Shesheli, Arkani dhe bandat e tyre kriminale prisnin të lanin hesapet me Bosnjën dhe me Kroacinë dhe pastaj të lajnë duart një herë e mirë me Kosovën. Atëherë , për herë të parë, ndonëse kisha qenë antiamerikan, thashë: “ Nuk ka shpresë tjetër veç Amerikës ! “ Jeta luan role të çuditshme; shumë herë mbytesh nga miqtë dhe shpëtohesh nga armiqtë. 

Në qoftë se nuk ndërhynte Amerika dhe Evropa do të kishim probleme shumë të mëdha, të cilat u përpoqa t’i tregoj  dhe t’i  theksoj në libër. U përpoqa të lajmëroj udhëheqjen politike se po luan haptazi me zjarrin duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën dhe tërësinë e shtetit grek. Mjerisht ai libër u varros krejtësisht në Greqi. Nuk pati asnjë jehonë e popullaritet në vitin 1995 kur u botua. 

Në vitin 1999 kur shpërtheu kriza e Kosovës ua dërgova librin disa politikanëve me horizonte të hapura dhe e rivendosa në librari, ku ndonëse u shit, nuk iu dha përsëri asnjë popullaritet. Një vello heshtjeje ! Ekzistonin njerëz këtu që kujtonin se Greqisë i leverdiste një “ Serbi e Madhe “. Për fat të mirë grekët kurrë nuk do të mësojnë se çdo të thoshte për Greqinë një “ Serbi e Madhe “. Këtu nuk mungon vetëm njohja e historisë. Mungon edhe fantazia…  

Për sa  i përket  “Betejës së Kanaleve “, e dija se shkoja në gojë të ujkut. Më kishin ngritur kudo kurthe, nuk më linin të flas kur shikonin se po ndikoja në opinionin publik me mendimet e mija. Shkoja i ndërgjegjshëm  për të gjitha ato vështirësi dhe bashkë me mua shkuan edhe miq e bashkëpunëtorë të tjerë si J. Miha dhe J. Korizis dhe njerëz të tjerë të ndershëm  me të cilët nuk kisha kontakt dhe bashkëpunim deri atëherë si R. Sumeritis, Xhanetakos, Theodhoraqis ( jo kompozitori ), Dhimu e të tjerë. Bëmë një betejë krejt të pabarabartë, një betejë ama që e kishim detyrë ta bënim. Ekzistonin sigurisht rreziqe të mëdha, por kur vendos të bësh diçka të rëndësishme në jetën tënde patjetër duhet të kesh parasysh gjënë më të keqe dhe të vesh  “ kokën në torbë “. 

4. Vepra  Juaj “ Greqia në kurthin e serbëve të  Millosheviçit “ e botuar edhe në shqip që evokon ngjarjet në Bosnjë a do të pasohet nga një  volum i dytë me temë  Kosovën ?

Librin “ Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit “ e ka përkthyer Mite Guga. Libri ka një parathënie të bukur  të  mikut tim të dashur  Moikom Zeqo me të cilin jam njohur para disa viteve në Athinë kur erdhi në shtëpinë time bashkë me të madhin Dritëro Agolli.

Është një joshje e madhe të shkruaj një pjesë të dytë me brendi ngjarjet e fundit në Kosovë . Por, si ka thënë Gëte , “ Ndërsa  arti është i pafund, jeta është e shkurtër.”  Nuk kam kohë. Po përpiqem të botoj veprën time  “ Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane “,  ku përcjell materiale dhe të dhëna shumë të rëndësishme për periudhën parahistorike dhe kryesisht paraardhësit e kosovarëve, Dardanët . Nga ana tjetër shumë gjëra i kam  shkruar në revistën “ Arvanon “ me të cilën merrja pjesë në betejë bashkë me kosovarët. Dhe së fundi :problemi kosovar mori një fund fatlum.

5. Me  çfarë planesh për çështjen shqiptare  hyn Aristidh Kola në shekullin e ri ?

Planet duhet t’i bëjnë vetë shqiptarët. Unë dhe sa të tjerë ju duam  dhe ju ndjejmë vëllezër në të gjithë botën. Bëjmë vetëm plane për ndihmë. Por që të të ndihmojnë duhet që ti vetë me punët dhe veprat e tua të tregosh se sa vlen, se lufton në një rrugë të mirë për një qëllim të shenjtë. Barra bie mbi shpatullat e udhëheqjes politike dhe shpirtërore – kulturore të shqiptarëve. Nuk dua të hyj në fushën e politikës për shumë arsye. Dua ama të  shpresoj tek udhëheqja intelektuale.. Vëzhgoj ndërhyrjet dhe luftën e të madhit  Ismail Kadare në fushën botërore. Është ambasador i madh i Shqipërisë në botën e jashtme. Pres akoma një lëvizje  të madhe dhe mbështetjen e fuqishme të vlerave të mëdha  intelektuale brenda Shqipërisë. Atje do të bëhet lufta më e madhe dhe më e vështirë, luftë kjo e domosdoshme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Problemin ekonomik e zgjidh lehtë shqiptari kudo që gjendet. Problemin e kombit, historisë dhe kulturës si do t’i zgjidhë në kushte kaq të vështira, me influenca e ndikime nga kaq rryma që vërshojnë  çdo ditë në vend ose që pranojnë emigrantët në vendet e huaja?  Trimëritë e Herkulit kanë nevojë për trimëritë e Herkulëve të rinj intelektualë. 

Kjo është rruga e ndritshme e lavdisë për njerëzit e artit e të shkronjave….

Shënim: Në gusht të vitit 2013 mu kërkua nga Ministria e Diasporës e Kosovës që, me qenë se je emigrant në Greqi do të na bëje nder të dilje në tubimin e Prekazit, tubim që bëhet për vit në mjedisin ku heroizmi i Jashareve dhe i Kosovës është bërë legjendë, që të merrja e ti dorëzoja familjes së Aristidh Kolës vlerësimin e lartë që Kosova i bënte Atij,  për veprën “Arvanitët dhe prejardhja e helenëve”, “Greqia në kurthin e Millosheviçit”, veprave të tjera dhe mbrojtjes që Ai  i bëri çështjes së Kosovës në ditët më të vështira të saj.
E quajta një privilegj dhe nder të madh, moment që është fiksuar atë ditë edhe në disa fotografi e takime me personalitet të lartë të jetës e kulturës kosovare.
Vlerësimin e kam në bibliotekën time. Mjerisht gjatë këtyre tetë vjetëve nuk kam arritur, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, që vlerësimi që erdhi për të nga Kosova të bije në dorë të pasardhësve e miqve të tij. Paradoksale por, siç e kam vërtetuar, familja dhe bashkëpunëtorët e tij i druhen një publikimi, trysnisë së segmenteve greke me të cilët Aristidh Kola u përball pa  iu trembur syri.
Aristidh Kola ishte një heroi që nuk iu tremb kurrë syri…

Abdurahim Ashiku

Athinë,

12 tetor 2021

Filed Under: Kulture Tagged With: Abdurrahim Ashiku, ARISTIDH KOLA

100 VJET LANË- LURË, 100 VJET KUFIJ TË SHQIPËRISË

October 4, 2021 by s p

28 Kronika në një 100 vjetor të lavdisë shqiptare

Abdurahim Ashiku

Është një ngjarje e jashtëzakonshme, një ngjarje që më kishte vrarë në shpirt, larg në kohë, 29 vjet të shkuara kur i vetmja shenjë kujtese, një lapidar i vogël, në krye të një fushe të madhe, u thye në shkronjë, u thërrmua në beton e hekur, u tentua të përcillet në harresë, në interes të dikujt që nuk e ka deshtë dhe nuk e donë Shqipërinë. Pyeta: Kujt i intereson…? Nuk mora përgjigje…Një tjetër ngjarje historike, 100 vjetori i Luftës së Vlorës, ma solli në kujtesë…Një vit më parë iu drejtova opinionit publik që më 28 tetor 2021 në vendngjarjen e madhe kur dibranët thërrmuan armën moderne të kohës serbo-jugosllavisë, në 100 vjetorin e saj të organizohej një përkujtim i denjë, me sesione shkencore historike, me festival të këngës patriotike të lidhur me historinë betejave dibrane, me një përmendore në shkëmbin e lartë të Tajanit (ku e tërë Dibra të vjen në pëllëmbë të dorës)…Kishte kohë, një vit të tërë…E harroi Bashkia e Dibrës…E harroi Akademia e Shqipërisë. Në planin e saj për vitin 2021 nuk figuron asnjë veprimtari apo kujtesë për 100 vjetorin e betejës së Lanë Lurës dhe për 100 vjetorin e konsolidimit përfundimtar nga Lidhja e Kombeve të kufirit që kemi sot. Megjithatë, (më mirë vonë se kurrë), siç më shkruan Dr. Mustafa Tola diçka do të flitet në sallën diku tek 100 metra katrore të Akademisë së Shkencave…Larje duarsh apo përveshje krahësh që 28 tetori 1921 dhe 9 nëntori 1921 dita kur Këshilli i Lidhjes së Kombeve mori vendimin për “largimin e menjëhershëm të ushtrive agresore jugoslllave nga Shqipëria…” të shkruhen në histori, të shkruhen në librat shkollorë, të përkujtohen në çdo përvjetor
Kam kërkuar këto ditë, në kuadrin e rubrikës: “28 Kronika në një 100 vjetor të lavdisë shqiptare” në shumë adresa, në libra dhe në internet.
Sot po u përcjell Kristo Frashërin, të vetmin historian që guxoi, shkroi dhe botoi “HISTORIA E DIBRËS”,  që “Nga lashtësia deri në mars 1939”, një vepër tash 9 vjet në qarkullim.

Abdurahim Ashiku
Athinë, 4 tetor 2021 

BETEJA E LANË LURËS DHE VENDIMI I KËSHILLIT TË LIDHJES SË KOMBEVE 28 TETOR – 9 NËNTOR 1921

Kristo Frashëri, HISTORIA E DIBRËS…

Ofensiva ushtarake jugosllave filloi në mëngjesin e 21 tetorit 1921, me një bombardim të gjatë kundër pozitave shqiptare, i cili u pasua nga sulmi i gjithanshëm i reparteve të rregullta dhe mercenare. Shqiptarët rezistuan me heroizëm, por krahu u Muhurrit, nga sulmonte tradhtari Taf Kaziu, u detyrua të tërhiqej. Këtë çarje e shfrytëzuan forcat jugosllave, të cilat depërtuan në thellësi të Malësisë, deri sa dolën në Dejën e Macukullit, në shpinë të forcave shqiptare. Në sektorët e tjerë,  ushtarët dhe vullnetarët dibranë rezistuan gati 40 orë, pastaj u tërhoqën në Lurë. Ditën e tretë, më 28 tetor 1921, në Lanën e Lurës u zhvillua beteja vendimtare. Me një vetëmohim të jashtëzakonshëm, malësorët dibranë, ushtarë dhe civilë, u përleshën me ushtritë jugosllave dhe, në përfundim të një beteje të përgjakshme, e detyruan armikun të tërhiqej në breg të Drinit. Fitorja e Lanës së Lurës pati pasoja të rëndësishme. Me të u dogj karta e fundit e qeverisë së Beogradit. Fuqitë e mëdha u bindën për saktësinë e akuzave që qeveria e Tiranës kishte ngritur herë pas here kundër qeverisë së Beogradit. Veprimet aventureske të Jugosllavisë vunë në shqetësim edhe miqtë e saj. Britania e Madhe e informuar me saktësi mbi çfarë po ndodhte në Dibër u shqetësua jo aq për fatin e Shqipërisë se sa për atë të Jugosllavisë. Kjo për arsye se Jugosllavia po e çonte vendin e saj në një konflikt me shqiptarët e egërsuar, nga i cili ajo mund të kishte pasoja të rënda. Për të evituar këto pasoja të rënda, të cilat qeveritarët nacionalistë të Beogradit nuk donin t’i merrnin parasysh, kryeministri britanik, Llojd Xhorxh, i drejtoi Lidhjes së Kombeve , më 7 nëntor 1921, një telegram me një ton tepër idhnak e tepër të prerë. “Përparimi i vazhdueshëm i trupave jugosllave në Shqipëri – thuhej në telegram – duke qenë nga ato veprime që turbullojnë paqen ndërkombëtare, po e shtyn qeverinë britanike që të tërheqë vëmendjen e Këshillit të Kombeve mbi këtë ngjarje dhe ju lutet që të merrni menjëherë masa për të thirrur mbledhjen e Këshillit me qëllim që të studiojë situatën dhe të bjerë në ujdi mbi masat që duhen marrë në bazë të artikullit 16 në rast se qeveria jugosllave do të refuzojë ose do të vonojë zbatimin e detyrimeve që i ngarkon statuti i Lidhjes së Kombeve. Konferenca e Ambasadorëve – thuhej më tej, – i ka caktuar kufijtë e Shqipërisë. Vendimi i saj do t’u njoftohet shumë shpejt palëve të interesuara. – Llojd Xhorxh”
          Në bazë të nenit 16, Jugosllavia akuzohej kështu si shtet agresor kundër Shqipërisë dhe paralajmërohej se po të mos tërhiqte trupat e veta nga treva dibrane do të përjashtohej nga Lidhja e Kombeve. Në të njëjtën kohë u shpall se po nisej për në Shqipëri një komision ndërkombëtar për të vërtetuar në terren zbatimin e vendimit që mori Këshilli i Lidhjes së Kombeve më 9 nëntor 1921, për largimin e menjëhershëm të ushtrive agresore jugosllave nga Shqipëria. Megjithatë, qeveria e Beogradit i vazhdoi provokacionet për të shkaktuar trazira në Shqipëri, përpara se të vinte në kufi komisioni ndërkombëtar i caktuar për të vëzhguar zbatimin e vendimit të Lidhjes së Kombeve.
          Në fakt, këtë radhë, qeveria e Beogradit nuk pati më mundësi t’u bënte bisht akteve ndërkombëtare. Ajo mori menjëherë masa për të tërhequr ushtritë nga trualli shqiptar para se të arrinin në Dibër anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar. Kështu, kur komisioni i përbërë nga një finlandez (J.J.Sederholm), një njorvegjez (J. Meinich) dhe një luksemburgas (Ch.Schaefer), pqasi kaloi përmes Lumës arriti në Arras më 11 dhjetor 1921, ushtritë jugosllave ishin larguar përtej kufirit 24 orë më parë. Disa ditë më vonë, ata i raportuan Këshillit të Lidhjes së Kombeve, ndër të tjera:
          “Të gjitha fshatrat që ndodhen në fushën e Drinit, kanë vuajtur barbarisht nga serbët; në pjesën më të madhe të këtyre fshatrave, shumica e shtëpive janë rrënuar. Megjithatë duket se këto rrënime u takojnë okupacioneve serbe të viteve 1913 dhe 1920, por ka mundësi që ndonjëra prej tyre të jetë rrënuar këtë vit”.
            Vendimi që mori Këshilli i Lidhjes së Kombeve më 9 nëntor 1921 për largimin e menjëhershëm të ushtrive agresore jugoslllave nga Shqipëria, ishte një fitore e madhe që korri Shqipëria në arenën ndërkombëtare, të cilën popullsia patriote e Dibrës e pagoi duke i dhënë atdheut me qindra dëshmorë. Se ç’vlerë pati kjo fitore shqiptare për palën jugosllave , do t’ia lëmë të na e thotë një studiues serb, Dragutin Nikoliqi, doktor i shkencave në fushën  e së drejtës ndërkombëtare, i cili ka shkruar ndër të tjera: “Kudo u formua bindja se Jugosllavia kishte synime agresive ndaj Shqipërisë. Ja përse qeveria jugosllave doli nga kjo grindje jo vetëm e poshtëruar, por njëkohësisht e mundur sepse kjo qeveri, në këto rrethana nuk mundi të bënte asgjë tjetër veçse të nënshtrohej përpara vendimit të 9 nëntorit 1921, kundër të cilit do të ngrihet gjithë opinioni publik i vendit” Kristo Frashëri, Historia e Dibrës, faqe 365-367. 

Filed Under: Histori Tagged With: Abdurrahim Ashiku

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kryeministri Kurti përkujtoi dëshmorët në Rogovë të Hasit, Vraniq, Bishtazhin e Gadish
  • Karadaku, Bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në Grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës
  • Kosova në mes të betejave morale dhe pragmatike
  • SA PËR RIKUJTIM!
  • FUQIZIMI I SHQIPTARËVE NË SERBI DO TË DOBËSONTE SYNIMET NACIONALISTE SERBOMËDHA NË KOSOVË
  • THIKË MU NË ZEMËR TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE!
  • PSE KJO PO NDODH VETËM TEK NE? KU ËSHTË PROBLEMI?
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVUAN 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT