Nga MASSIMO GAGGI
Kur Zelenski kërkoi më shumë ndihma ushtarake, duke pohuar se me armë më bashkëkohore ushtria ukrainase do të kishte patur mundësi të kundërshtonte më fuqishëm ushtrinë ruse, n’Evropë u ngritën shumë zëra qortues: kishte nga ata që donin të kufizoheshin vetëm në ndihmat njerëzore, duke braktisur në fatin e tyre ushtarët e Kievit dhe ata që, të bindur se ushtria e Zelenskit nuk mund t’i a dilte e vetme, kërkonin një ndërhyrje më të drejtpërdrejtë të NATO-s. Strategjia mbi të cilën Amerika e Biden-it përkoi aleatët atllantikë, e vulosur nga shumë si një rrugë e mesme pak e efektëshme, po zbulohet skajshmërisht e tillë.
Nuk mund të flitet për strategji fitimtare sepse lufta është e paracaktuar të zgjasë ende gjatë dhe një Putin i vënë me shpatulla mbas muri mund të ketë kundërveprime të dëshpëruara e tejet të rrezikshme, si përdorimi i armëve kimike ose bumbave bërthamore taktike. Shpartallimi i Izymit që e vë në tehun e kritikave të së djathtës kombëtariste, mund t’a shtyjë të shpallë që Vëndi është në luftë, duke mbaruar me retorikën e “veprimit ushtarak të posaçëm”, e duke urdhëruar një mobilizim të përgjithshëm ose të pjesëshëm, me pasojë shkallëzimin e kofliktit. Por sot nuk mund të mohohet se guximi i popullit dhe i ushtrisë ukrainase dhe qëndrimi i matur por i vendosur i aleatëve perëndimorë janë duke patur sukses, edhe se në një skenar lufte që detyron vuajtje të padëgjuara të Vëndit të mësyer dhe vështirësi të rënda ekonomike pjesës tjetër t’Evropës, e vënë përballë krizës energjitike dhe rrezikut të rënies ekonomike.
Sigurisht ndërprerja e furnizimeve me gaz rus Vëndeve të BE, si armë trysnie frikëson dhe detyron flijime. Por fakti që Putini është katandisur të shpresojë në “gjeneral dimrin” – muaj shumë të ftohtë për të vënë në prova shumë të ashpra popujt evropianë, të pamësuar më me mungesa – e që po shkon në mbledhjen e nivelit të lartë të Samarkandës me kapele në dorë për t’i kërkuar Xi Jinping-ut ndihma ushtarake e teknollogjike kineze të pambërritura kurrë megjithë premtimet e udhëheqësit aziatik për një “aleancë pa kufizime”, janë prova të vështirësive skajore në të cilat po përpëlitet presidenti rus.
Disfata n’Ukrainë, me humbjen e pothuaj të gjithë tokave të pushtuara në Donbas gjatë gjashtë muajve të luftës, është e rëndë sepse është aq e gjërë sa nuk mund të fshihet. Tërheqja rrënuese nga Izumi, tregon më pas se ushtria ruse, me trupa të demoralizuar, të stërvitur e të pajisur keq, nuk është në gjëndje t’u bëjë ballë fuqive ukrainase: më të pakta në numër por më të vendosura, të stërvitura mirë e të mbështetura nga NATO, përveç furnizimit me armë, me ndihmë nga satelitët, aeroplanë spiunë e sisteme ndërprerësish të lidhjeve që i lejojnë ukrainasve të kuptojnë më shpejt se çfarë do të bëjnë trupat ruse.
Ndërsa ushtria e Moskës lëviz n’errësirë dhe përveç mangësisë së komunikimeve, duhet të përballojë edhe mungesën e zinxhirit furnizues: tashmë ka dëshmira të reparteve që nuk kanë pranuar t’u binden urdhërave të sulmit sepse ishin të pajisur shumë keq. Putini ka vënë në heshtje opozitën demokratike, por në rrjetet sociale ruse shpërthen zëmërimi i blpgerëve kombëtaristë që tashmë e qortojnë haptas edhe sepse, në të njëjtat orë në të cilat ushtarët rusë iknin pështjellas nga Donbasi, presidenti përuronte një rreth të stërmadh panoramik në një Moskë që festonte pa asnjë fre për shpenzimet tetëqindeshtatëdhjetëepestin përvjetor të lindjes së saj. E gjithë kjo ndërsa ushtarët rusë luftojnë me armë të dobta nga cilësia, pa kontrolluese shëmbëllimi të natës dhe pak ndihma për të plagosurit, ultrakonservatorët e ndjekin këmba këmbës dhe tani i kërkojnë Putinit një mobilizim të përgjithshëm të Vëndit për të mposhtur Ukrainën.
Si do t’i kundërveprojë dështimit presidenti rus? Zgjedhjet e tij janë të pakta e të gjitha shumë të këqija. Në këtë pikë mund të jetë i shtrënguar të miratojë një mobilizim të pjesëshëm, por sigurisht nuk don t’a tërheë Vëndin në një klimë lufte saktësisht për arsyen për të cilën shkoi të shtunën në një park lojërash: “Është e rëndësishme”, tha, “që rusët të gëzojnë pak pushim me miqtë dhe familjet e tyre”. Deri tani Putini ka arritur të shmangë kundërshtitë edhe sepse në Rusi jeta nuk ka ndryshuar shumë që nga shkurti e deri më sot: simbas Levadës, një institut demoskopik i pavarur, 48 përqind e rusëve nuk ka parë asnjë ndikim nga lufta e përditëshme e thotë se nuk dëgjon më të flitet për të.
Të thirret një mobilizim i përgjitshëm do të thotë të rekrutohet përdhunshëm e të dërgohet për të vdekur një brez i tërë të rinjsh krejtësisht të papërgatitur për luftë, të paralizohet ekonomia, t’i duhet shpjeguar popullit të vet përse i shpall luftë një Vëndi vëlla që po lufton me heroizëm për pavarësinë e tij: politikisht një rrënim. Atij të brëndëshmit, do t’i pasojë ai ndërkombëtari nëse do të shkojë deri në fund me ndëshkimet energjitike: Evropa do të vuajë, por në dy vite do të arrijë autonominë nga gazi rus dhe n’atë pikë Moska do të ketë humbur lidhjet me Perëndimin. Me një NATO më të fuqishme rrezikon të shtyhet drejt Azisë. Një evolucion i kundërt me natyrën ruse, që do t’a vinte përgjithmonë në një rol të nënështruar kundrejt Kinës. Me një rrethanë rënduese: sot Moska nuk ka as burimet ekonomike dhe as teknollogjinë për të kthyer drejt Kinës dhe Hindisë të gjithë gazin që nuk do të shesë më në Evropë.
Sigurisht, është gjithmonë e mundëshme një lëvizje e dëshpëruar e Putinit e paracaktuar të shndërrojë një luftë lokale në tragjedi planetare. Por deri tani, me gjithë mizorinë e tij dhe llogaritë e gabuara, Putini ka treguar se ka në mëndje synime t’arsyeshme. Dhe Perëndimi ka arritur të bëjë të veprueshme mekanizmat e frikësimit: me ndihmat e tij të tërthorta NATO ka qënë shumë e efektëshme, ndërsa Putini, mbasi ka kërcënuar ndëshkime kundër Vëndeve që ndihmojnë Kievin, e ka mbajtur luftën brënda kufijve t’Ukrainës.
“Corriere della Sera”, 12 shtator 2022 Përktheu Eugjen Merlika