Një kujtesë historike kur deputetë shqiptarë 115-vite më parë kërkonin votën e sovranit për të mbrojtur interesat kombëtare në Parlament në Stamboll, ndërsa deputetët sot kërkojnë votën e popullit për të mbrojtur interesat personale e familjare në Parlamentin e Shqipërisë.
Dr. Paulin Marku/
Në vitin 1908 ndodhen ndryshime të rëndësishme në Perandorinë Osmane. Ashtu si turqit edhe popujt me kombësi të ndryshme nën sundim perandorak, përfshirë edhe 4-vilajetet me shumicë shqiptare e mirëpriten shpalljen e kushtetutës dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 1908 si dhe amnistinë politike. Kushtetuta perandorake ishte shpallur tre dekada më parë por ajo nuk ishte zbatur. Në vitin 1908 u shpall zyrtarisht aplikimi i kushtetutës, ndryshimet e legjislacionit, amnistitë politike, hapjen e fushatës elektorale dhe zgjedhjet parlamentare. Studimi do të trajtojë qasjen e qeverisë xhonturke dhe qëndrimin e disa prej deputetëve shqiptarë në seancat parlamentare 1908-1912. Fushata elektorale dhe qasja elitës politike, ndiqej me interes nga diplomacia e huaj dhe nga fqinjët ballkanik. Komiteti “Bashkim e Përparim” apo siç njihet edhe ndryshe me emrin lëvizja xhonturke zhvilloi takime në të gjithë perandorinë dhe shikohej si zgjedhja e duhur për të sjellë ndryshimet e shumëpritura. Fale programit politik dhe premtimeve të shumta, mori mbështetje të madhe në popull dhe fitoi shumicën parlamentare. Pjese e listës që kandiduan me siglën xhonturke apo të mbështetur drejt për drejt prej tyre për mandatin e deputetit ishin dhe disa deputet shqiptar. Ndryshimet kushtetuese dhe platforma politike xhonturke në vitin 1908 u mirëprit dhe mori mbështetje të gjerë. Shqiptarët mirëpriten ndryshimet për fakti se shqiptarëve iu lindi e drejta të votonin dhe të votoheshin për ne parlamentin e Stambollit. Po në gusht të vitit 1908, u shpall amnisti e përgjithshme për të burgosurit politik dhe të dënuarit në mungese për veprimtarinë e tyre politike. Nder shqiptarët që përfituan nga amnistia ishin, Ismail Qemali, Ibrahim Temo, Dervish Hima, etj,,, . Shqiptarët i mbështetën anëtaret e Lëvizjen Xhonturke për disa arsye: a) i bashkonte opozitarizmi kundër regjimit Hamidian; b) premtimet e shumta që morën për përmirësim të situatës administrative, ekonomike e shoqërore në viset shqiptare; c) të kishin përfaqësues, deputet shqiptar në parlamentin e Stambollit për të mbrojtur interesat dhe kërkesat në parlament dhe synonin të arrinin të kishin vet-administrim të vilajeteve shqiptare me drejtues që gëzonin mbështetje në popull dhe për të arritur aspiratat shekullore për të patur një far autonomie.Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara gjatë periudhës, nëntor-dhjetor 1908 nxorën fitues “Bashkim e Përparim” dhe xhonturqit fituan shumicën parlamentare. Ne këto zgjedhje parlamentare dolën fitues emra të njohur, si: Ismail Qemali*, Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Azis pashë Vrioni, Shahin Ypi Kolonja, Esat Pashë Toptani dhe disa hoxhallarë shqiptar. Vetëm disa prej tyre përfaqësonin forcat patriotike shqiptare, të cilët edhe shfaqen hapur kundërshtitë e tyre dhe qëndruan në opozitë ndaj politikës xhonturke.Hapja e parlamentit dhe reformat e qeverisë për shqiptarëtHapja e parlamentit ne Stamboll me 17 dhjetor 1908, me një shumice te konsideruar deputetesh shqiptar dhe me premtime te shumta elektorale, ngjallte shpresat ne popullate se gjendja e tyre do te përmirësohej. Sapo u formua Kabineti i ri qeverisës, ndërmori disa reforma të rëndësishme dhe mjaft të debatueshme, te cilat ishin: administrative; ekonomike; taksa dhe tatime të reja të shtuara; kthimi i detyrueshëm i shërbimit ushtarak; çarmatimi i popullsisë, si dhe për ata që nuk pranonin të dorëzojnë armët e municionet me vullnet të lirë duhej të përdorej forca për çarmatimin e tyre. Pikërisht, për këto arsye reformuese, të cilat shkonin kundra interesave të shqiptareve, një grup deputetesh, kryesuar nga Ismail Qemali, Nexhip Draga, Hasan Prishtina kundërshtuan reformat dhe akuzuan qeverinë se nuk iu përmbanin premtimeve dhe programit elektoral xhonturk. Një tjetër ngjarje që thellonte pakënaqësinë ishte çështja e alfabetit për gjuhën shqipe, nëse do të përdoreshin germat arabe ose latine. Porta e Lartë bëri përpjekje të ndryshme për të imponuar alfabeti turko-arab në katër vilajetet me shumicë shqiptare duke e lidhur edhe me besimin fetar islam, me arsyetimin se, meqë shumica e shqiptarëve janë të besimit mysliman duhet të mbështesin propozimin e tyre. Këto veprime preknin sedrën kombëtare në të gjithë viset shqiptare, ndaj edhe qëndrimi i deputetëve opozitar shqiptar, bashkë me popullatën shqiptare, te cilët u bashkuan pa dallim feje e krahine për të vendosur për të ardhmen e alfabetit. Hasan Prishtina i kërkonte me këmbëngulje ministrit të Brendshëm, Talat Beu që t’u ndalohej ndërhyrja nëpunësve të qeverisë në çështjen e alfabetit.Ky qëndrim u mbështet fuqishëm nga intelektualët shqiptar në “Kongresin e Alfabetit” në nëntor të vitit 1908, në Manastir. Vendosja e alfabetit me germa latine shkaktoi pakënaqësi të madhe tek xhonturqit. Po ashtu, u aplikuan disa reforma centralizuese që u kundërshtuan në parlament nga deputet shqiptar dhe nga popullata në viset shqiptare duke u organizuar në protesta, rebelime e kryengritje, gjate vitit 1910 në vilajetin e Kosovës, në 1911 në atë të Shkodrës dhe 1912 në kryengritje të përgjithshme. Reagimet e deputetëve opozitar shqiptar në mbrojtje të interesave të bashkëkombësve ishin të vazhdueshme dhe pati debate të forta parlamentare me kabinetin qeverisës. Qeveria u përball me reagim të menjëhershëm të trembëdhjetë deputetë shqiptarë, te cilët kundërshtonin ekspedita ndëshkimore ushtarake ndaj shqiptareve. Nexhip Draga e quante të padrejtë dhe dënonte vendimin e Portës së Lartë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vilajetin e Kosovës. Ismail Qemali akuzonte qeverinë se po iu mohonte të drejtat kushtetuese dhe cenohen të drejtat e shqiptarëve. Deputetet pohonin nga foltorja e parlamentit se nuk janë gegët që nuk po mbajnë fjalën por janë xhonturqit që nuk zbatojnë premtimet. Deputetet shqiptar vunë në dijeni edhe diplomacitë e huaj. Opozitarizmi parlamentar shqiptar dhe betejat e përgjakshme të popullatës rriten ndjenjat e nacionalizmit shqiptar dhe shtuan protestat dhe rebelimet e shqiptareve, kryesish në vilajetin e Kosovës dhe të Shkodrës. Xhonturqit kishin siguruar një numër të madh deputetesh në zgjedhjet e vitit 1908 por pozitat e tyre po lëkundeshin për çështjen e luftës së Tripolit dhe pakënaqësitë ndaj qeverise shtoheshin gjithnjë e më tepër për shkak të reformave imponuese duke përdorur forma të ndryshme për zbatimin e tyre, si dhe për problemet që shfaqeshin në radhët e ushtrisë. Opozita e bashkuar përbëhej me deputet me kombësi të ndryshme, shqiptar, maqedonas, grek, arab, armen etj, që u përkrah edhe nga disa deputetë osman. Në fund të vitit 1911 kriza në qeveri ishte në rritje për shkak të akumulimit të pakënaqësive tek popujt e shtypur. Deputet të vilajetit të Kosovës, Shkodrës e të Manastirit që kishin qenë deri në atë periudhë anëtarë të Komitetit “Bashkim e Përparim” i paraqiten komitetit Qendror Xhonturk një deklaratë të hapur me nënshkrimet e tyre se hiqnin dorë nga qenia e tyre në lëvizjen e Turqve të Rinj me motivacioni se kishin shpresuar që Komiteti do të sillte drejtësi por mosinteresimi i qeverisë në zgjidhjen e plotë të problemeve të shqiptarëve, i detyronte ata të largohen nga lëvizja xhonturke. Në seancën parlamentare të sesionit të parë, janar 1912, fjalën e mori deputeti Hasan Prishtina, i cili shprehej se fliste në emrin e tij dhe të gjithë shqiptarëve që dëshironin të drejta sovrane. Deputetët shqiptarë kishin mbledhur fakte konkrete që t’i provonte Vezirit të Madh gjendjen e vështirë që përjetonin shqiptarët.Hasan Prishtina shprehej se: “Mjerisht, në këtë vendin tonë shpërdorimi i pushtetit është bërë një gjë e zakonshme; prandaj ndodhemi para një problemi të rëndësishëm; kësaj detyre, sado e vështirë qoftë, ne duhet t’i kushtojmë vëmendjen e duhur”. Kryetari i seancës Ahmet Riza beu i kërkoi deputetit H. Prishtina që të linte të tjerët në punën e vet dhe të mos hapte debate të tilla.Fjalimi i tij u kundërshtua dhe nga deputetë të tjerë që mbështesnin qeverinë xhonturke.Deputetët shqiptar, akuzuan qeverinë për mos mbajtje te premtimeve elektorale, mohimin të drejtave kombëtare nëpërmjet politikës shtypëse dhe centralizuese si dhe për dhunën e ushtruar ndaj bashkëkombësve të tyre duke u shkaktuar dëme të mëdha në ekonomi dhe kulturore.Përplasjet e qeverise me opozitën e bashkuar parlamentare dhe rritja e vazhdueshme e pakënaqësive në popull detyroi kabinetin xhonturk të reflektonte mbi situatën e krijuar. Para se të fillonte procedura për shpërndarjen e parlamentit, filluan procedurat për të ndryshuar nenin 35 të kushtetutës për shpërndarjen e parlamentit në interes të pushtetit. Propozimi i qeverise u kundërshtua nga deputetët opozitar, përfshirë edhe ata shqiptar kërkonin të respektohej afati i mbarimit të mandatit të deputetit, në vjeshtë të vitit 1912 dhe pastaj të zhvilloheshin zgjedhjet e tjera parlamentare. Qeveria përshpejtoi procedurat për miratimin e projekt ligjeve. Interesi i xhonturqve ishte që së bashku me projekt-ligjet të marrë miratimin në parlament edhe neni 35.Xhonturqit synonin që të mos i japin më kohë që të zgjerohej opozita në parlament dhe të përzgjidheshin kandidatë të bindur të Komitetit në mënyrë që të fitonte një mazhorancë të gjerë dhe të kishte sa më pak kundërshtarë në parlament. Po ashtu një tjetër arsye madhore pse qeveria insistoi me çdo kusht të shpërndante parlamentin ishte se ajo mund të përdorte në interesin e saj, ligjin mbi shtypin, mbi mbledhjet dhe shoqatat, si dhe kishte mundësinë që nëpërmjet pushtetit, mund të ushtronte presion dhe të përdorte forcat ushtarake.Në janar të vitit 1912 u miratua shpërndarja e parlamentit, u vendos për zgjedhje të parakohshme dhe parlamenti i ri duhet të mblidhej brenda 90 ditëve nga dita e shpërndarjes. Porta e larte tentonte të rifitonte besimin e shqiptarëve nëpërmjet ndonjë lëshimi në zona të caktuara dhe ju premtoi malësorëve se do të zbatonte marrëveshjen e gushtit të vitit 1911. Në gazetën “La nazione albanese” me datë 31 janar 1912 thuhej se Porta e Lartë i ndiqte me prioritet ngjarjet në viset shqiptare dhe po angazhohej në rrugë zyrtare që të shuante pakënaqësitë dhe të provonte nëse ia arrin qëllimit të rifitonte besimin e tyre.Pas shpërndarjes së parlamentit në janar të vitit 1912, Porta e Lartë evitonte përplasjet dhe tregohej më tolerante në disa aspekte si: në mbledhjen e taksave, përmbushjen e ndonjë premtimi, qeveria ndiqte nga afër organizimet e shqiptarëve dhe tentonte të shuante zemërimin e tyre. Turqit e Rinj shpresonin të shtypnin me çdo kusht trazirat e shqiptarëve dhe synonin që nëpërmjet lëshimeve të shmangnin përplasjet me shqiptarët. Shpërndarja e parlamentit të Stambollit në janar të vitit 1912, tentativa e qeverisë për bashkëpunim dhe as udhëtimi i ministrit të Brendshëm, Haxhi Adil beu, nuk arritën të parandalojnë rrjedhën e ngjarjeve në viset shqiptare. Pas shumë debatesh parlamentare, me në krye, Ismail Qemal beun, Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën etj., me kabinetin e qeverisë xhonturke, ishin disa prej shkaqeve që acaroi më tepër gjendjen në viset shqiptare. Qëndrimi opozitar i elitës parlamentare shqiptare, shtonte bindjen se të drejtat e shqiptareve mund të fitoheshin vetëm me organizimin e popullit shqiptar në një kryengritje të përgjithshme. Si pasojë e një situate të rënduar politike, ekonomike e shoqërore që po përjetonte popullsia shqiptare, në janar të vitit 1912 u organizua takimi i një grupi intelektualesh shqiptarë në lagjen Taksim të Stambollit*. Ata vendosen unanimisht që populli shqiptar nuk kishte rrugë tjetër veçse atë për t’u organizuar në një kryengritje të përgjithshme (duke u iniciuar nga Vilajeti i Kosovës, pastaj në atë të Shkodrës, për t’u shtrire në Jug të viseve shqiptare) me qëllimin për të fituar të drejtat kombëtare, politike dhe ekonomike Lëvizja do të shpërthente fillimisht në Vilajetin e Kosovës dhe çetat kryengritëse do të organizoheshin nga Hasan Prishtina, për t’u shtrirë dhe për t’u bashkuar me Shkodrën, Mirditën dhe Shqipërinë e Mesme që do t’i organizonte Esat Pashë Toptani për të vazhduar me shqiptarët e Jugun, të cilët do t’i organizonin Myfit bej Libohova, Syrja bej Vlora e Aziz pashë Vrioni, ndërsa Ismail Qemali do të shkonte në Evropë për të siguruar mbështetjen e kancelarive diplomatike në çështjen shqiptare si dhe do të takonte kolonitë shqiptare për të iu kërkuar mbështetje dhe ndihma materiale e ekonomike. Në përfundim mund të thuhet se qëndrimi opozitar i deputeteve shqiptar në parlament në Stamboll, betejat e vazhdueshme të shqiptareve në kërkim të një Shqipërie të Lire e të Pavarur, me mbështetje të diasporës shqiptare dhe ndonjë aleati ndërkombëtar u arrit akti i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Foto: Albanian Time