
*QERIM PANARITI, IN MEMORIAM…
PANARITI, Qerim (1892–1976). Publicist, veprimtar i Federatës “Vatra”. Lindi në Panarit të Korçës. Qysh herët emigroi në SHBA, ku u aktivizua si korrespondent i gazetës “Dielli”. Me këtë detyrë ka shërbyer në Shqipëri gjatë qeverisjes së Princ Vidit (shih), kohë në të cilës shkruante me pseudonimin “Opinga”. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit (1924, shih) mori pjesë në grupin politik: Federata “Bijtë e Shqipërisë” dhe u bë bashkëthemelues e bashkëdrejtues i gazetës së përjavshme shqiptare “Immigranti” (Uorçester, SHBA, 1925–1926). Në v. 1926 u diplomua për gazetari në “College Clark” të Uorçesterit, me Medaljen e Nderit “Washington Franklin”. Punoi si redaktor në gazetën e përjavshme “Republika Shqiptare” (1926) dhe në të përkohshmen “Revista letrare” (1927) etj. Për disa vite është zgjedhur si sekretar i Federatës “Vatra” dhe ka bashkëpunuar ngushtë me Fan S. Nolin (shih). Kryesoi mitingun e Shqiptarëve të Bostonit kundër pushtimit fashist të Shqipërisë, mbajtur më 16 prill 1939. Bashkëpunoi me shoqëritë e organizatat antifashiste shqiptare dhe të huaja për krijimin e një fronti të bashkuar shqiptar antifashist në emigracion. Veprimtaria më e njohur e Q.P. është drejtimi prej tij i gazetës “Dielli” për rreth 20 vjet (1943–1963). Ka bashkëpunuar si analist i çështjeve të Shqipërisë dhe të Ballkanit në shtypin qendror amerikan. Është bashka-utor i studimit të intelektualëve shqiptarë dhe studiuesve amerikanë të Universitetit të Harvardit: “The Albanian Struggle in the Old World and New” (“Përpjekja shqiptare në botën e vjetër e të re”, Boston, 1939); ka përgatitur dhe botuar librin “Albania – The Rock Garden of Southe-astern Europe and other Essays” (“Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore dhe ese të tjera”, 1957) të F. Konicës dhe “Albumin II” (1966) të F. Nolit. Ai është gjithashtu i pari biograf i tyre. Ka lënë dorëshkrim një studim të vëllimshëm “The Albanian Historical Society of Massachusetts” (“Historiku i shoqërisë së Shqiptarëve të Masaçusetit”).
*Nasho Jorgaqi, Fatmira Rama – Marrë nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar. Vëll. 3. ASHSh. 2009, faqe 1924.
Dërgoi për botim: Vilma Proko