*QEVERIA E KOSOVËS E TËRHEQ NGA RENDI I DITËS DEMARKACIONIN ME MALIN E ZI, PËRFUNDON SEANCA/
*KRYEMINISTRI Mustafa: Qeveria do të vazhdojë me agjendën e saj evropiane dhe euroatlantike/
* Thaçi: Hezitimi nga njerëzit e zgjedhur rrezikon pa të drejtë interesat shtetërore/
* AAK-Seanca e sotme ishte votë kundër Demarkacionit/
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e zhvilluar mes tensioneve e protestave përfundoi pas një debati. Më parë, Qeveria e Kosovës e tërheq sot nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, tha kryeministri Isa Mustafa.
“Si kryeministër i Kosovës konsideroj se sot nuk janë rrethanat dhe nuk është situatë ku duhet të votojmë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Qeveria e tërheq sot këtë projektligj nga procedura kuvendore. Me bashkëbisedim do të provojmë të gjejmë një marrëveshje në lidhje me ligjin. Nuk është mënyra e duhur që të procedojmë me këtë ligj kur kemi presione mbi deputetët. Tërheqja e këtij ligji nuk do të thotë se do të ndryshojmë marrëveshjen mirëpo do ta procedojmë në Kuvend kur qeveria e vlerëson se është gati”, tha kryeministri kosovar Mustafa.
Në seancën e Kuvendit, në emër të grupit parlamentar të AAK, deputeti Daut Haradinaj, kërkoi sot të shqyrtohet e votohet për demarkacionin duke aluruar se koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme. “Ne nuk mund të kushtëzohemi nga Lista Serbe”, tha ai lidhur me mospraninë e deputetëve serbë në seancë.
Lideri i Nismës Fatmir Limaj pyeti pse po tërhiqet ky ligj nga qeveria që shumë kohë këkronte të votohej sot. “Nuk i keni votat për ta votuar demarkacionin në variantin që është, edhe po të ishte këtu Lista Serbe që mungon”, i tha Limaj koalicionit qeverisës.
Glauk Konjufca, kryetar i Grupit Parlamentar të LVV tha se po dështon demarkacioni, kjo tërheqje e qëverisë është dështitm i demarkacionit edhe pa votim se nuk i ka votat koalicioni qeverisës.
“E konsideroj këtë votim, dhe pse dështoi demarkacioni janë pesë faktorë që dua t’i falënderoj, siç është populli i Kosovës, ekspertët e pavarur-profesorët e Universitetit të Prishtinës, pastaj aktivistët që po vuajnë në burgje, deputetët e LDK-së dhe PDK-së që e bënë të pamundur që Qeveria t’i ketë numrat, dhe në fund falënderoj opozitën… E konsideroj si një votim që është votuar e nuk ka kaluar”, tha Konjufca.
Në seancën e Kuvendit të paralajmëruar për në orën 11:30, e të nisur me dy orë vonesë, para demarkacionit në axhendë ishin dy interpelanca sipas kërkesave nga deputetetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të kryeministrit Isa Mustafa, në lidhje me kodin telefonik shtetëror të Kosovës, si dhe në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Por interpelancat i tërhoqi nga rendi i ditës vetë Lëvizja Vetëvendosje që të kalohej më shpejt te çështja e demarkacionit.Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës nis me koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, ndërkohë pati edhe replika.
LVV: ARRESTOHET NËNKRYETARJA E KUVENDIT TË KOSOVËS, AIDA DËRGUTI
Lëvizja Vetëvendosje ndërkohë ka njofuar se, pos deputetes Donika Kadaj-Bujupi., Policia ka arrestuar edhe deputeten tjetër të saj, nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti.
Thaçi: Hezitimi nga njerëzit e zgjedhur rrezikon pa të drejtë interesat shtetërore.Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës shkruan në ‘facebook’:
Rrethanat që po krijojnë zvarritjen e mëtutjeshme të implementimit të agjendës shtetërore të marrëveshjeve ndërkombëtare paraqesin shqetësim serioz për qytetarët e Kosovës dhe për partnerët tanë euroatlantikë.
Ky hezitim nga njerëzit e zgjedhur rrezikon pa të drejtë interesat shtetërore, që ndërlidhen me liberalizimin e vizave dhe themelimin e ushtrisë së Kosovës.
Me këto zvarritje, partnerëve tanë ndërkombëtarë po ua heqim argumentet që të na mbështesin në arritjen e qëllimeve dhe të interesave tona madhore. HTH
KRYEMINISTRI Mustafa: Qeveria do të vazhdojë me agjendën e saj evropiane dhe euroatlantike/
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar pas ngjarjeve në ‘facebook’:
Të nderuar qytetarë,
Ju edhe sot dëshmuat dinjitetin tuaj dhe përkushtimin për shtetin. Thirrja dhe kërcënimet Lëvizjes Vetëvendosje për përmbysje të shtetit nuk gjeti përkrahjen tuaj.
U dëshmua qartë se qytetarët u besojnë institucioneve të kryejnë punën e shtetit dhe jo rrugës dhe dhunës.
Dëshiroj, po ashtu të falënderoj Policinë e Kosovës për punën e tyre në nivelin më të lartë për të mbrojtur rendin dhe qetësinë publike dhe institucionet e shtetit. Policia sot parandaloi përdorimin e mjeteve të rrezikshme në rrugë dhe në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Siguria është përgjegjësi e shtetit dhe të qytetarëve. Sot u vërtetua edhe një herë përkushtimi i përbashkët për vendin.
Qeveria do të vazhdojë me agjendën e saj evropiane dhe euroatlantike. Qytetarëve do t’ua mundësojmë të udhëtojnë pa viza.
AAK-Seanca e sotme ishte votë kundër Demarkacionit
Ajo që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës është votë kundër dhe jo tërheqje e kryeministrit për kurrfarë rrethanash. E sotmja në Kuvend, është rezultat i një pune të mundimshme njëvjecare, politike e qytetare, e një vetëdijesimi të elitave shkencore e intelektuale dhe e shumicës së deputetëve por edhe e një qendrimi krejt abuzues të liderve të tanishëm shtetëror.Nëse duhet veçuar, individualisht dike, atëherë heroi i këtij kundërshtimi, është Ramush Haradinaj! Krejt cfarë mund të ndodhë pas ditës sësotme në lidhje me këtëversion të demarkacionit, mund të jetë vetëm fabrikim i një rezultati të paqenë.
Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i AAK-së..
Populli është më i fuqishëm se Qeveria
Qeveria ka dështuar në zotimet e veta të errëta për Kosovën. Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron fitore tërheqjen e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Kryetari i Lëvizjes Visar Ymeri dhe Sekretari Dardan Molliqaj kërkuar largimin e Qeverisë dhe të klanit ‘Pronto’.
“Treshja Pronto, Veseli-Mustafa-Thaçi dështuan që ta legjitimojnë aktin e tyre të tradhtisë dhe kjo është humbje e jashtëzakonshme për të gjithë ata që më të gjitha energjitë janë munduar ta cungojnë vendin”, tha kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri.
Kryetari Ymeri, më tej shtoi për dështimin e këtij klani për atë që ata ishin zotuar më herët se Demarkacioni do të votohet me 1 shtator dhe kjo është punë e kryer. “Kjo që ndodhi sot është një gjunjëzim për personin që e ka nënshkruar këtë marrëveshje”, vazhdoi Ymeri.
“Sot u dëshmua një gjë se populli është më i fuqishëm se Qeveria. Nga sot situata ka ndryshuar dhe se kjo Qeveria duhet të bije”, përfundoi fjalën e tij Ymeri.
Sekretari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Dardan Molliqaj, foli lidhur me arrestimin dhe procesin gjyqësor për 6 aktivistët e Lëvizjes lidhur me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
“Në seancën e djeshme prokurori i çështjes largoi aktakuzën për armëmabjtje pa leje ndaj aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe se gjithë ajo zhurmë që u bë për armë tash nuk kemi asnjë aktakuzë për një gjë tillë”, tha Dardan Molliqaj.
Ai gjithashtu foli për gënjeshtrat e konferencës së Policisë të cilët kishin thënë se të akuzuarit e kanë pranuar fajin dhe se një gjë të tillë e ka treguar edhe vetë prokurori, i cili ka deklaruar se nuk ka prova që t’u jepet paraburgim aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s.
“Vendimi i sotëm që tre prej aktivistëve, Adea Batushës, Petrit Ademit dhe Frashër Krasniqit që t’u jepet masa e arrestit shtëpiak dhe aktivistëve të tjerë siç janë Astrit Dehari, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi t’u jepet masa e paraburgimit është vendim krejtësisht politik”, shtoi Molliqaj.
“Pas gjithë kësaj ngjarje ne kërkojmë përgjegjësi morale, politike dhe penale për të gjithë personat e mëposhtëm:
Luan Keka, zv.drejtor i antiterrorit
Abdurrahman Islami, prokuror i Prokurorisë Speciale
Fatos Makolli, drejtor i njësisë kundër terrorizmit në PK.
Shpend Maxhuni, drejtor i Përgjithshëm i Policisë.
Mentor Shala, Drejtor i RTK-së.
Ridvan Berisha, kryeredaktor i RTK 3.”
Në fund, Molliqaj kërkoi lirimin e atyre që u arrestuan para seancës dhe pas protestës së sotshme:
Deputetet Aida Dërguti dhe Donika Kadaj-Bujupi si dhe aktivistët: Sadri Ramabaja, Dardan Kadaj, Erden Atiq, Leotrim Bajrami, Qëndron Kastrati, Valton Peci, Shkëlqim Salihu, Drilon Pireva, Ermal Osmani.