-Qeveria e Kosovës miratoi dhe e procedon në Kuvend Platformën Shtetërore për Finalizimin e Dialogut me Serbinë/
-Kosovë-Serbi, 5 vjet nga Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve/
-Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas Kushtetutës së Kosovës. Jo ndryshe. Nuk e formojnë vetë serbët nesër siç kishin paralajmëruar…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 19 Prill 2018/ Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi Platformën Shtetërore për Finalizimin e Dialogut të Kosovës me Serbinë, e cila do procedohet në Kuvend.“Platforma siguron proces transparent dhe gjithëpërfshirës dhe synon të jetë qëndrim unik i institucioneve tona ndaj këtij procesi. Platforma do të procedohet për diskutim dhe aprovim në Kuvendin e Kosovës dhe njëkohësisht do të informohet edhe Presidenti i Republikës së Kosovës”, u theksua në mbledhjen e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Para pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut kryeministror të nisuri në 19 tetor 2012, të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, nga krerët e atëhershëm të dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në raundin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohej nga opozita kosovare.
Në marrëveshje, e para pikë është kjo: “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës”.
Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.
Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja” theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Në raundin e 30-të, të fundit kryeministror në Bruksel, në 27 janar 2016, ku është biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri atëherë dhe rrugën përpara në dialog, temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por nuk ka pasur ndonjë dakordim për afat kohor dhe atëherë kryeminsitri kosovar Mustafa dhe ai serb Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.
Në 23 mars 2018 presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, vijuan bisedimet në Bruksel me lehtësimin e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ku është biseduar edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një deklaratë të lëshuar nga Bashkimi Evropian pas takimit, thuhej se diskutimet u zhvilluan në kuadër të fazës së re të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe “përgatitjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”.
Presidentët shqyrtuan përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, në dritën e takimeve të fundit të grupeve punuese të mbajtura në Bruksel.
“Përfaqësuesja e lartë Mogherini theksoi rëndësinë që BE-ja i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pastaj zbatimin e marrëveshjes për energjisë dhe përfundimin e punimeve për rivitalizimin e Urës mbi Ibër në Mitrovicë”, thuhej në deklaratën, të cilën e ka bërë publike zëdhënësja Kocijançiç.
Mogherini ka përshëndetur angazhimin e vazhdueshëm të të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka rikujtuar se përparimi i të dyja vendeve në axhendat e tyre integruese në BE është i lidhur fortë me përparimet në dialog.
Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi të inauguruar në muajin prill 2016 dhe presidentin Vuçiç të inauguruar në qershor 2017, takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje edhe të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.
Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.
Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.
Në zhvillimet më të reja, në 4 prill 2018 presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj në një takim të përbashkët janë dakorduar për funksionalizimin e Ekipit Menaxhues për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
U paralajmërua se, drafti final i statutit, në fund të procesit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën.
“Kosova me këtë hap përmbushë edhe një obligim ndërkombëtar, duke dëshmuar përkushtimin e saj në rrugën euro-atlantike”, u theksua me këtë rast.
Në 17 prill 2018 shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini e cilësoi një lajm të mirë punën e nisur në Kosovë për hartimin e statutit të asociacionit së komunave me shumicë serbe, si dhe i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë procesin e dialogut.
Gjatë prezantimit zyrtar nga Brukseli të progres-raportit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke iu përgjigjur interesit të mediave ndërkombëtare Mogherini tha se, “do të inkurajoja që kjo punë të vijonte me vendosmëri, rezultate të mira dhe me ritme të shpejta. Ky është një mesazh i rëndësishëm që ua përcjell si Beogradit edhe Prishtinës”.
Në 28 mars 2018 në një tubim të serbëve në veri të Mitrovicës, të këshilltarëve serbë të 10 komunave kosovare ku e bëjnë shumicën e banorëve e përfaqësuesve tjerë, u paralajmërua formimi nga vetë ata i Bashkësisë-Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë në 20 prill, pas 5 vjetësh të Marrëveshjes së Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të nënshkruar në Bruksel.
“Nëse Prishtina nuk do jetë e gatshme që në tre javët e ardhëshme të fillojë punën për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, komunat serbe dhe institucionet do fillojnë vetë formimin e Bashkësisë, trupave dhe institucioneve të saj”, thuhej mes tjerash në konkluzionet e miratura.
I pyetur lidhur me këtë ultimatum të përfaqësuesëve serbë, kryeministri Haradinaj në konferencën e sotme për shtyp pas mbledhjes së qeverisë tha se tani ka ndyshuar gjendja faktike, Kosova është në proces e sipër të hartimit të Statusit të asociacionit në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, e cila e ka paraparë që në fund Gjykata Kushtetuese ta vlerësojë se a është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Ky proces ka filluar dhe tanimë nuk vlenë ai ultimatum”, u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës.
Ndërkohë media serbe ka njoftuar se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk do ta formojnë vet Asociacionin nesër siç kishin paralajmëruar, “por do të presin afatin prej tre muaj e gjysmë të cilin e ka caktuar BE-ja”.Kosova ka gjithësej 38 komuna. Nga 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë 5 janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.Numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas regjistrit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës për zgjedhjet lokale 2017, ishte: Mitrovicë e Veriut – 21.797, Leposaviç – 17.747, Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.