
Artan Nati/
Pse në Shqipëri mbizotëron sistemi i qokave në letërsi? Pyetja duket letrare, por në thelb është politike, kulturore dhe morale njëkohësisht. Qoka nuk është thjesht një ves personal, por një mekanizëm shoqëror i trashëguar, i përshtatur dhe i institucionalizuar me kohën. Ajo lind aty ku mungon besimi te rregulli dhe vlera, dhe mbijeton aty ku vlerësimi zëvendësohet nga njohja personale. Sistemi i qokave në letërsinë shqiptare nuk është një devijim i rastësishëm, por një trashëgimi e thellë historike. Ai e ka zanafillën në mekanizmat perandorakë të Perandorisë Osmane, ku afërsia me pushtetin vlente më shumë se merita, u konsolidua gjatë komunizmit përmes besnikërisë ideologjike dhe mbijetesës kulturore, dhe sot vazhdon pothuaj i paprekur në letërsinë e tranzicionit. Në diskurs, letërsia shqiptare shpall synimin për Perëndimin: në praktikë, ajo funksionon ende sipas një kodi otoman të pashkruar, ku rrjetet, qokat dhe heshtja e ndërsjellë zëvendësojnë vlerësimin e lirë dhe meritokracinë.
Sistemi i qokave vazhdon pothuajse i paprekur në letërsinë e tranzicionit sepse tranzicioni vetë nuk solli një këputje reale me të shkuarën, por vetëm një ndërrim fasade. Me rënien e ideologjisë, nuk u shembën mekanizmat e vjetër të pushtetit kulturor: hierarkitë, rrjetet e besnikërisë dhe frika nga përjashtimi mbetën të njëjta. Institucionet që duhej të garantonin vlerësimin e pavarur u trashëguan nga e njëjta mendësi, ndërsa mungesa e tregut real letrar dhe e kritikës së lirë e ktheu qokën në monedhë mbijetese.
Në këtë vakuum, shkrimtari i tranzicionit mësoi shpejt se suksesi nuk varet nga forca e veprës, por nga afërsia me juritë, fondet, çmimet dhe mediat. Letërsia, në vend që të çlirohej, u përshtat: nga censura ideologjike kaloi te autocensura sociale, nga frika e diktaturës te varësia nga rrjeti. Kështu, tranzicioni nuk e rrëzoi sistemin e qokave, por e rafinoi atë, duke e bërë më të heshtur, më të padukshëm dhe, për pasojë, më jetëgjatë.
Në letërsinë shqiptare, qoka ka kaluar fazën naive. Sot ajo është filozofike, mitologjike dhe plot referenca që askush nuk i kupton, por të gjithë i përdorin. Qokatarët nuk thonë më “më pëlqeu libri”, por “këtu ka Heidegger”. Nuk e dinë ku është Heidegger-i, por e ndiejnë që bën punë. Në tryeza të tjera, qokat vishen me Kant: flitet për “gjykim estetik” dhe “universale pa interes”, ndërkohë që interesi është i vetmi parim i padiskutueshëm. Libri nuk vlerësohet për atë që është, por për kë është. Këtu nuk funksionon imperativi letrar, por imperativi i qokës: sillu ashtu që recensën tënde ta duan edhe kur të vijë radha jote. Estetika shndërrohet në etikë klienteliste.
Kur komplimentet arrijnë kulmin, skena kalon nga Kant te Hegeli: dy autorë përballë njëri-tjetrit, secili duke kërkuar njohje absolute nga tjetri, por pa konflikt, sepse pa konflikt nuk ka rrezik. Dialektika ndalet te teza, antiteza nuk lejohet, sinteza është një selfie e përbashkët. Historia e letërsisë shpallet “në ecje”, por ecën në vend. Herë pas here, dikush përmend Nietzsche-n, zakonisht për ta quajtur veten “të lirë” dhe “jashtë turmës”, ndërsa turma e qokatarëve e duartroket në kor. Këtu vullneti për pushtet reduktohet në vullnet për çmim, për çmim letrar, për ftesë, për panel. Mbi-njeriu përfundon moderator aktiviteti.
Në Facebook, skena është e përditshme. Një shkrimtar i njohur poston librin e tij. Menjëherë qokatari nderhyn: “Këtu ndjehet qartë ontologjia e qenies, një dialog i heshtur me Heidegger-in dhe mitin e Sizifit.”
Autori i njohur pëlqen komentin. Qoka u certifikua dhe qokatari bëhet i njohur. Në komente të tjera: “Më kujtoi Prometheun, por edhe një lloj Nietzsche-je të butë, pa patos.” “Ka diçka nga tragjikja greke, por e filtruar përmes Foucault-së.”
Askush nuk shpjegon çfarë, ku, si. Filozofët përmenden si hyjni pagane: mjafton t’u thuash emrin që të dukesh i iniciuar. “Ese brilante, një ndërthurje mes hermeneutikës dhe mitit të Orfeut.” “Faleminderit, është një përpjekje për të menduar tekstin si ngjarje.”
Asnjëri nuk pyet: cilin tekst? çfarë ngjarjeje? Pyetjet janë të rrezikshme, sepse mund të zbulojnë boshllëkun. Në promovime librash, qoka bëhet liturgji. Eseisti i vogël flet i pari: “Ky libër është një udhëtim midis Apolonit dhe Dionisit, një përplasje e brendshme mes rendit dhe kaosit.”
Publiku nuk kupton asgjë, por hesht: heshtja këtu është shenjë kulture. Pastaj autori ia kthen qokën eseistit: Shkrimtari “i madh” përgëzon qokatarin.
Në panairet e librit, dialogët janë edhe më të zbrazët:
“E lexova librin tënd si një palimpsest.”
“Po, po, është shumë palimpsestik.”
Askush nuk e di çfarë është palimpsesti, por fjala kalon nga një gojë te tjetra si virus prestigji.
Qokatarët e mëdhenj i përdorin të vegjlit si pasqyrë lavdie: “shih sa të rinj më lexojnë”. Të vegjlit i përdorin të mëdhenjtë si ashensor: “shih kë më prezantoi”. Letërsia, si gjithmonë, mbetet jashtë ashensorit. Kritika reale mungon, sepse kritika prish rrjetin, sepse rrezikon të përjashtohet nga tempulli i qokës, ku filozofia nuk lexohet, por përdoret si dekor.
Pastaj vjen momenti i CV-së së fryrë.
Autori prezantohet: “Autor i 12 librave, pjesëmarrës në mbi 30 konferenca ndërkombëtare, i përkthyer në disa gjuhë.” Nuk thuhet kurrë nëse librat janë lexuar, konferencat dëgjuar, apo përkthimet botuar diku realisht. CV-ja këtu nuk është biografi, është mitologji personale. Sa më e gjatë, aq më pak e vërtetë.Eseistët e vegjël e dinë lojën. Ata i qokasin shkrimtarët e njohur me ese të pakuptueshme, që të duken si pasardhës intelektualë:
“Teksti juaj rezonon me një tragjike parahomerike.”
Shkrimtari i madh aprovon dhe vlerëson qokatarin
Kështu, në këtë teatër të vogël metafizik, të gjithë flasin për mitet, qenien, tragjiken dhe subjekti modern, por askush nuk flet për tekstin. Dhe në fund, letërsia shqiptare duket si një simpozium ku të gjithë citojnë, askush nuk kupton dhe të gjithë përfitojnë.
Libri? Ai rri në cep, i heshtur, duke pritur një lexues që nuk ka nevojë të përmendë as Zeus-in, as Heidegger-in, për të thënë një të vërtetë.
Në letërsinë trilluese shqiptare, fjala “mik” apo “qokatar” rrallëherë ka lidhje me vlerën estetike të veprës apo me kontributin real që libri i jep shoqërisë. Ajo funksionon më shumë si një mekanizëm psikologjik shkëmbimi: unë të bëj qokën sot, që ti të ma kthesh nesër. Jo si akt miqësie, por si investim afatshkurtër në një treg simbolik ku reputacioni blihet dhe shitet.
Ky sistem qokash, për të mos u dukur i zhveshur nga interesat, shpesh maskohet me fjalor filozofik ose me referenca nga mitologjia greke. Emra si Sizifi përdoren si dekor intelektual, për t’i dhënë një aureolë fisnike një marrëdhënieje që në thelb është utilitare. Shkrimtari krahasohet me Sizifin, sikur guri që ai shtyn të jetë barra e artit dhe jo pesha e një sistemi që e detyron të rrotullohet brenda të njëjtave rrethe lavdërimesh reciproke.
Psikologjikisht, ky është një mekanizëm vetëjustifikimi: duke u shpallur Sizif, autori shpëton nga nevoja për të bërë llogari me cilësinë e veprës së vet. Faji zhvendoset nga teksti te “fati”, nga mungesa e vlerës te “vuajtja artistike”. Në këtë mënyrë, guri nuk është më metaforë e krijimit, por alibi për mediokritetin.
Gazetarisht e thënë, problemi nuk është përdorimi i mitologjisë, por abuzimi me të. Kur Sizifi shndërrohet në simbol të qokës dhe jo të absurdit ekzistencial, letërsia humbet funksionin e saj kritik dhe kthehet në ritual social mirësjelljeje të rreme. Dhe aty ku “miku” vlen më shumë se lexuesi, libri pushon së qeni akt kulture dhe kthehet në kartëvizitë brenda një rrethi të mbyllur.
Viset e arta shqiptare te Kastrioteve kanë prodhuar brez pas brezi shkrimtarë dhe patriotë të nderuar, emra që sot përmenden me krenari në libra dhe përvjetorë. Por mjafton të gërvishtësh pak sipërfaqen e arit që të dalë në pah aliazhi: miku dhe qoka. Në ditët e sotme, këto dy “virtyte” e kanë çaluar konkurrencën, e kanë kthyer garën në radhë miqsh dhe meritën në formalitet. Paradoksi është se, ndërsa dëmtojnë funksionimin e drejtë të fushës, ato i fryjnë edhe më shumë mitit të viseve, duke i rritur artificialisht vlerën në patriotizëm dhe letërsi. Kështu, ari shkëlqen më fort në retorikë sesa në provë.
Kur do të marrë fund republika e qokave në letërsinë shqiptare? Kur libri do të pushojë së qeni kartëvizitë shoqërore dhe do të kthehet në atë që duhet të jetë: mall kulture në një treg të lirë, ku nuk fiton ai që njeh botuesin, kritikun apo mikun e mikut, por ai që bind lexuesin? Sot, romani nuk ngjitet në piedestal nga fuqia e fjalës, por nga forca e telefonatës; çmimet nuk jepen për vlerë letrare, por për korrektësi shoqërore. Në këtë panair të përhershëm miqësish, shkrimtari pa qoka mbetet i padukshëm, ndërsa libri i tij vdes në heshtje, pa pasur as shansin të trokasë në ndërgjegjen kombëtare. Vetëm kur lexuesi të bëhet arbitër dhe jo dekor, letërsia mund të dalë nga rrethi vicioz i lavdërimeve reciproke dhe t’i hapë rrugë autorëve që nuk kanë zë në sallone, por kanë diçka për të thënë për shoqërinë dhe transformimin e vendit.
Në shumë grupe shoqërore shqiptare, e vërteta ka fatin e një të huaji pa dokumente: sapo dikush e artikulon, shpallet menjëherë “sherrxhi”, “negativist” dhe armik i harmonisë së rreme. Ndërkohë, ai që kritikohet, mjafton t’ua përkedhelë sedrën të tjerëve me dy fjalë të ëmbla dhe tre komplimente të rreme dhe ngrihet në piedestal si “miku i mirë”, ai djalë i butë që “s’prish punë me njeri”. Po të shfaqet edhe pak patriot i flaktë, nga ata që valëvit flamurin në Facebook ndërsa numëron përfitimet private në Excel, atëherë grupi e shpall menjëherë shenjtor të mëhallës, njeri me “zemër shqiptari”. Dhe kur ky mik i mirë fillon të bëjë hilet e zakonshme për interes personal, shoqëria ngre supet dhe jep vendimin klasik: “Eh, kështu bëjnë të gjithë.” Në këtë treg të marrëdhënieve, sinqeriteti mbetet mall pa qarkullim, ndërsa hipokrizia shitet me zbritje, paketë familjare dhe shpërblim besnikërie.