Rafaela Prifti/
Lajmi i hapjes së ekspozitës së një artisti aktivist për të drejtat e njeriut është pasqyruar në faqet e shtypit dhe agjencive ndërkombëtare të lajmeve. Kjo paraqitje ka ngjallur reagime dhe protesta diplomatike që e kanë burimin në qëndrime të kundërta ndaj të drejtave njerëzore.
Ekspozita provokative e artistit disident kinez Badiucao hapi dyert të shtunën për vizitorët në qytetin e Italisë së Veriut, Brescia, (Bresha) duke mposhtur presionet e ambasadës së Kinës në Romë për ta anuluar.
Në letrën e ambasadës përmenden kërcënime të kamufluara për ekonominë duke nënvizuar marrëveshjen tregtare me Kinën, si tentativë për ta ndaluar ekspozitën solo nga Badiucao – emri pseudonim i artistit i cili me artin e tij vë në shënjestër qëndrimet e Kinës në sferën e të drejtave të njeriut. “Punimet në ekspozitë janë plot gënjeshtra antikineze, shtrembërojnë fakte, përhapin informacione të rreme, mashtrojnë mirëkuptimin e popullit italian dhe lëndojnë rëndë ndjenjat e popullit kinez duke rrezikuar marrëdhëniet miqësore midis Kinës dhe Italisë,” thuhet midis të tjerave në shkresën zyrtare.
Kryebashkiaku i Breshës, Emilio Del Bono, ju përgjigj letrës me “finesë dhe vendosmëri” tha Elettra Stamboulis, kuratore e ekspozitës në muzeun e qytetit Santa Giulia (Xhulia), njofton agjencia e lajmeve Associated Press. “Sigurisht jemi disi të preokupuar jo aq shumë për sigurinë e artistit por sepse e dimë se ka shumë rrugë të fshehta për t’i bërë të heshtin artistët disidentë,” tha ajo.
Pas anulimit të një ekspozite vetjake në Hong Kong në 2018 për shkak të presioneve. Badiucao tha se ndihet “krenar dhe i lumtur” që krijimet e tij do të shihen nga publiku në Bresha.
“Arti im ka në qendër temën e të drejtave të njeriut në Kinë dhe kjo më bën mua armikun numer 1,” that Badiucao. “Më gjurmojnë. Më ndjekin mua, familjen, kërcënojnë njerëzit që punojnë me mua, pa pushim. Kjo është arsyeja pse është shumë e vështirë për mua të hap ekspozita në galeri të njohura, dhe muze si ky.”
Në punimet e tij ka piktura në vaj, instalime dhe art performativ. Një prej tyre lidhet me një skandal kontaminimi të ushqimit të foshnjeve të eksportuara nga Kina në 2018, një tjetër që sjell jehonën e masakrës në sheshin Tiananmen dhe një krijim kushtuar Lëvizjes Çadra që përfaqëson demonstratat pro-demokratike të Hong Kong-ut të shtypur nga Kina, shkruan agjencia e lajmeve Associated Press.
Në ditët që ekspozita do jetë e hapur, Badiucao do ulet në një karrike torturash dhe do lexoj nga ditari i një banori të qytetit Wuhan, Kinë, vendi ku u identifikua për herë të parë coronavirus.
“Kushdo që provoi të thotë të vërtetën ose të tregonte diçka që nuk ishte konform vijës së qeverisë kineze do pësonte ndëshkim, prandaj unë u drejtova një apel publik në Twitter banorëve të Wuhan-it për t’a mbartur barrën dhe rrezikun bashkë me ata, Nëse më besoni, më dërgoni çfarë dini,” tha Badiucao. Leximi i ditarit që përmban ngjarjet e 100 ditëve është pjesë e artit performativ të artistit.
Ai e mbajti të fshehtë identitetin e tij për vite me radhë, dhe dilte me maskë në takime publike për të mos rrezikuar anëtarët e familjes. Ruajtja e sekretit kaq gjatë madje u krahasua me artistin britanik të grafiteve Banksy, identiteti i të cilit ka mbetur një mister. Për Badiucao-n, krahasimet e huqin thelbin e problemit.
“Nëse Banksy zbulohet se kush është një ditë, ai ose ajo nuk do përndiqen nga shërbimi sekret policor anglez, kurse rasti tim është diçka krejt tjetër,” tha ai. “Po ashtu, jam shumë i zemëruar me Banksy-n sepse nuk ka krijuar asgjë që kritikon qeverinë kineze.”
Zëdhënësi për Amnesty International Italia, Riccardo Noury, ka shprehur “kënaqësi që Bresha është vendi mikpritës i ekspozitës së një artisti të ndjeshëm ndaj të drejtës i cili me artin e tij demaskon shkeljet e të drejtave njerëzore.”
Ekspozita ndërkomëtare përshkon karrierën artistike të Badiucao-s nga fillimi deri në punimet e fundit të krijuara në situatën e rëndë të shkaktuar nga pandemia Covid 19. Në një punim të titulluar “Si e Lufton Kina Coronavirusin” paraqiten katër figura, të ngjashme me ato që paraqiten në pamfletet e njoftimeve publike por maska, në vend të mbulojë pjesën e poshtme të fytyrës, bëhet shuk për të mbyllur gojën. Tema e lirisë është harku lidhës i krijmeve dhe bashkë me të fuqia e qëndresës ndaj cenzurës e shprehur në punimin “Ideas Are Bulletproof” (Idetë Nuk Vriten nga Plumbi).
Badiucao, i cili ka qenë asistent i një tjetri artist disident kinez në Berlin, Ai Weiwei, tani krijon në azil nga Australia.
China Is (Not) Nearby” (Kina (Nuk) Eshte Prane) do jetë e hapur deri në 13 shkurt, 2022 në sallat e Museo di Santa Giulia, Brescia.