Kosta Nake/
Përgjithësisht zhgënjehem në leximin e dytë të një vepre letrare, edhe kur për të ka patur një vlerësim të gjithëpranuar, kurse “Qytetin pa reklama” lexova me kërshërinë e herës së parë, madje kam vënë re edhe gjëra që më kishin kaluar jashtë vëmendjes. I shkruar në moshën 23-vjeçare, romani duket sikur është shkruar posaçërisht për rininë me ato faqet e ndjeshme ku përzihet seksi dhe dashuria. Më shumë se kaq, do ta quaja një muze ku rinia e sotme të zbulojë një tjetër qasje ndaj dashurisë dhe marrëdhënieve seksuale. Ditët e shkurtra të dashurisë mes mësuesit Gjon Kurti dhe gjimnazistes Stela Mezini janë nga më të bukurat e romanit, po aq sa është e hidhur edhe ndarja, pikërisht atëherë kur dukej sikur jeta për Gjonin po merrte kuptim edhe larg kryeqytetit. Bëhet dyfish e hidhur, kur hapja e rrugës për karrierë bëhet nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve historikë ose letrarë. Vdekja e Mërkurit shfrytëzohet si instrument për të përligjur prishjen e papritur mes Gjonit dhe Stelës. Romanca dhe aventura me ca nota sentimentalizmi janë një karem i mirë për të peshkuar në të dy anët e fashës rinore për pak onanizëm.
Portreti më i plotë dhe më i fokusuar është ai i Stela Mezinit që skicohet gradualisht sipas shfaqjes së tij në sytë e mësuesit. Fillon me zërin e ëmbël kur i përgjigjet apelit dhe me kordelen e bardhë në flokë. Rimerret në vështrimin e motrës së saj, Dianës: sytë e saj butësisht të errët, gjinjtë e rrumbullakët, format e belit dhe të këmbëve, qafa e bardhë e lëmuar. Portretet e tjera nuk detajohen që në shfaqjen e tyre të parë, janë të kursyer dhe plotësohen aty-këtu sipas rrethanave që i bëjnë të dukshme.
Autori paraqet dy portrete të njëpasnjëshëm duke i krahasuar siç bën me Mentorin dhe Evgjenin: Mentori: i kishte syzet të trasha dhe sytë i dukeshin shumë të vegjël, me trupin të shkurtër, të mbushur, me fytyrë babaxhane, por inteligjente, që i thyente syzat çdo muaj nga pakujdesia. Evgjeni: i gjatë dhe i thatë, me gropa në fytyra.
Toni sarkastik për qytetin zbulohet edhe te aludimi për veten “Më kot e pritën vendësit e N. djalin e tyre. Ai jo vetëm që nuk u kthye, por në ca shkrime të tij qe tallur paturpësisht me qyetin lindor.
Në leximin tim të dytë rivlerësova deklarimin e Gjon Kurtit: “Njerëzit çajnë rrugët në jetë në mënyra të ndryshme. Shumica e bëjnë karrierën në mënyrë të pandershme, disa e fillojnë, madje me krime, disa me mashtrime, disa duke dërrmuar të tjerët.” (f.112) Ka një debat me Evgjenin që e konsideron falsifikim dhe tallje me historinë përpilimin e një dokumenti të tillë, për dobinë apo dëmin e tij. Ai e siguron transferimin nga provinca që nuk e donte dhe rikthimin në kryeqytet pikërisht duke sajuar një dokument të rremë.
E habitshme është futja e ca thumbave për shoqërinë e kohës: Filmi rifillon nga që nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv erdhi me vonesë në kinema. Linguistët hahen si gjelat me njëri-tjetrin dhe, për të dalë fjalët e tyre, janë gati t’i nxjerrin sytë gjuhës shqipe. Thumbohet kryetari i Akademisë së Shkencave që kërkon të imponohet me mendimin e tij vetjak se toskërishtja është shkruar përpara gegërishtes dhe ironizohet me shprehjen “me të mëdhenjtë duhet ta kemi gjithmonë mirë.” Përqeshet ateizmi i shtetit shqiptar kur dokumenti i sajuar duhet të paraqitet si laik. Kulmi arrihet kur pretendohet të bëhet aluzion për luftën e klasave dhe kur ironizohet me mendimin “Do të rrinte këtu në provincë t’i shërbente vendit të tij, atje ku e kishte dërguar partia.”
PËRSËRITJA SI TIPAR STILISTIK
Përsëritja si rimarrje e togfjalëshave dhe fjalive të njëjta, shërben si shprehje artistike për të vënë në pah, për të përcjellë veçanti në një gjendje emocionale a psikologjike. Përsëritja nuk është pronë ekskluzive e poezisë, ajo mund të përdoret mjeshtërisht edhe në prozë.
Te romani “Qyteti pa reklama” pas marrëdhënies seksuale me Luiza Angonin, Gjon Kurti dyshon se mund të jetë prekur nga sifilizi. Përballja psikologjike me këtë sëmundje jepet përmes pesë përsëritjeve: “Vetëm të mos jetë sifiliz”, “Po sikur vërtet të ishte sifiliz?”, “Ah, skur të mos ishte sifiliz.” “Ah, skur të mos ishte sifiliz.”
Do vinte Stela Mezini në dhomën e Gjonit pas mesnate? Kjo pasiguri sillet rreth formulës “Kur pret diçka në tension, ajo vjen vetëm atëherë kur e humbet shpresën.” Rimerret shtatë herë: “ai po mendonte ta humbte shpresën”, “ai s’mund ta humbte dot shpresën,” “kur arrinte ta mbyste shpresën”, “tani e humba shpresën”, “kur, befas, lindte shpresa”, “sikur ta humbte fare shpresën”, “po ta humbte fare shpresën.”
Vetmia futet dhjetë herë në ingranazhin bluarës të meditimit duke thithur edhe nuancat “vetë”, “i vetëm”: “Gjoni ndjeu vetmi. Ai ndjeu vetmi, jo se ishte i vetëm, por sepse e mori malli për kohën kur s’ishte i vetëm. Të vetmuarit e vërtetë nuk vuajnë nga vetmia. Gjoni s’kishte qenë kurrë i vetëm…Ai nuk e dinte se cila vetmi do të ishte më e tmerrshme: e natës apo e ditës. Por edhe vetmia e ditës nuk durohej. Vetëm hante bukë në restorant, pinte vetëm cigaret e tij, por edhe cigaret e tij s’i pinte më kush, veç atij vetë.”
Përjetimi nga Gjoni i vdekjes së Mërkurit bëhet si kontrast i atij që ndodhet në varr me peshën e baltës dhe mjedisit me njerëz dhe me tym: “Në tavernë kishte shumë njerëz…Edhe tym kishte shumë. Tymi qëndronte lart në tavan sikur s’donte të përzihej me njerëzit. Megjithatë tymi prodhohej nga njerëzit. Sa zhurmë dhe njerëz kishte përreth. Dhe me tym.”
Zhgënjimi i Stelës nga Gjoni i dehur vjen përmes mungesës së përqafimit dhe mëdyshjes është-s”është: “Ai gjithmonë hidhej dhe e përqafonte atje…Ai duhej të hidhej ta përqafonte atje…Ai nuk ishte. Si nuk ishte? S’kishte mundësi të mos ishte. Kjo ishte dhoma e tij dhe ai duhej të ishte. Jo, ai mund të mos ishte, megjithëse kjo ishte dhoma e tij.”
Përsëritja mund të vihet në funksion të qasjes së autorit ndaj sjelljes së karaktereve. Te novela “Ditë kafenesh” kjo i shërben aventurës së dy të studentëve që fillon dhe mbaron si e tillë. Vargun e parë të përsëritjes e përbën fjalia “vendosëm t’i vinim pikë punës me femrat” e cila rimerret me trajtën e anasjelltë “megjithëse punës me femrat i kishim vënë pikë” dhe trajtës fillestare “vendosëm t’i vinim pikë punës me femrat”, vazhdon me trajtën e anasjelltë “megjithëse punës me femrat i kishim vënë pikë”; ndryshon pakëz si trajtë përmbyllëse “kur i vumë pikë punës me femrat” dhe përmbyset duke kaluar në formën kushtore “në qoftë se i kishim vënë pikë punës me femrat.”
Vargu i dytë i përsëritjeve lidhet me titullin e novelës kur vrulli i kërkimit të dokumentave të çmuara të së kaluarës zhvlerësohet dhe çdo herë rrugët e tyre përfundojnë në kafene, menjëherë pas largimit nga shtëpia e xhaxhait të shokut. Madje në një çast të dy vargjet bëjnë masë kur autori në të njëjtën faqe ku i vë pikë punës me femrat, thotë “menduam që, më në fund, po i vëmë pikë jetës së kafeneve.”
Vargun e tretë të përsëritjes e përbën togfjalëshi “person i panjohur” vendosur në gojën e xhaxhit të shokut si shprehje e qëndrimit refraktar ndaj nismave të gjeneratës së re dhe që e përdor si shtrojë për akuzat që u bëhen studentëve nga opinion që formësohet dhe ushqehet nga kafenet. “Ti erdhe këtu me një person të panjohur për mua dhe unë që në fillim, sikur e ndjeva që ardhja juaj kishte një qëllim të dyfishtë”, “Ju erdhët këtu, ti dhe shoku yt, person i panjohur për mua, me qëllime të errëta.” “Ti dhe shoku yt, person i panjohur për mua, e filluat tërë këtë fushatë të dyshimtë natën, në qytetin tone të ndershëm.”