
Artan Nati/
Mendoja se njerëzit merrnin vendime racionale. Por tani e di që kam gabuar. Vlera e arsyetimit të qetë dhe racional, i cili është gurthemeli i demokracisë, pranohet rrallë sot. Edhe kur mendojmë se jemi racionalë, nuk e dimë se çfarë është racionaliteti në vetvete. Racionaliteti duhet të jetë ylli i gjithçkaje që mendojmë ose bëjmë. Kjo është thirrja e integrimit në Europë, për një kthim te arsyeja në një kohë kur mendimi kritik dhe baza e besimit në prova janë në harresë. Të gjithë ne duhet dhe dëshirojnë të jemi racionalë, ndonëse shumica e shqiptarëve besojnë në të paktën një fenomen që sfidon ligjet e shkencës dhe llogjikës. Fenomene tipike për ne dhe gjithë zonën e ballkanit, nën influencën otomane dhe bizantine janë besimi në miqësi e patriarkalizën, në supersticiozitet e magji, në grup dhe jo në individualitet. Edhe intelektualët e sofistikuar argumentojnë se arsyeja, objektiviteti dhe e vërteta janë thjesht konstruksione shoqërore nëpërmjet të cilave ata justifikojnë privilegjin e grupeve dominuese në politikë e biznes. Ky vasalitet i elitës së vendit ndaj pushtetit dhe parasë është treguesi mungesës së individualitetit në shoqërinë tonë. Me përjashtime të rralla, si ato të Uran Butkës, Dylber Vrionit dhe Spartak Ngjelës, të tjerët iu nënshtruan totalisht për interesa të vogla lidershipit bizantin. Përse ne aspirojmë perëndimin pa përqafuar racionalitetin perëndimor?
Arsyetimi racional është një mekanizëm llogjik trunor që na mundëson të argumentojmë dhe vlerësojmë faktet. Asnjë qenie njerëzore nuk ka arritur ndonjëherë racionalitetin e përsosur, por të bindur se e vërteta objektive është një mundësi, ne kemi zhvilluar rregulla që na mundësojnë t’i qasemi asaj. Ne mund të kultivojmë rregullat e arsyes dhe t’i bëjmë ato normative. Arsyeja i ka mundësuar qenieve njerëzore të arrijnë në hënë, të shuajnë turbekulozin dhe të shpikin kompjuterë, kështu që na vë në kontakt me të vërtetat objektive. Arsyeja na tregon gjithashtu se disa njerëz janë të shtypur, e të tjerë të privilegjuar dhe se duhen marrë masa për të korrigjuar një padrejtësi të tillë. Si rezultat, ne kemi zhvilluar rregullin e artë të racionalitetit, i cili nuk u zbulua nga “Zoti”, por është produkt i evolucionit njerëzor, i zhvilluar në mënyrë të pavarur dhe racionale nga të gjitha kulturat.
Përse ne shqiptarët jemi kaq pak racional dhe besojmë më shumë te kulti i individit dhe në supersticion e magji? Përse ne mendojmë se gjithçka është e pandryshueshme dhe se vetëm fuqitë e mëdha apo ndërhyrja perëndimore mund ta rregullojnë këtë vend, biles shpesh mendojmë se edhe ata manipulhen nga pushtetarët tanë? Shpesh ne mendojmë se diçka është gabim në ADN-në tonë, ose gjakun tonë, siç thotë populli. Në të vërtetë asgjë nuk është gabim në gjakun tonë dhe shumë gjëra janë gabim në kulturën dhe zakonet tona, me të cilat ne krenohemi aq shumë dhe historikisht kemi rezultate negative në politikë, ekonomi e prosperitet dhe fajin natyrisht na e kanë të tjerët. Ndryshimet thelbësore që dallojnë shoqëritë njerëzore dhe qeniet njerëzore nuk janë biologjike. Ato janë kulturore dhe ne duhet t’i evidentojmë me racionalizëm. Një nga shpjegimet më të besueshme është se komunizmi la gjurmë të thella në mënyrën e të menduarit dhe vepruarit. Po kush vallë e solli komunizmin në Shqipëri?
Në fakt përvoja ndërkombëtare, kryesisht e pas luftës së dytë botërore, tregoi se Marksi ishte gabim në tezat e tij, se pas industrializimit dhe rritjes së produktivitetit vendet kapitaliste të Europës perëndimore do të kalonin në komunizëm. Në fakt eksperienca botërore tregoi se komunizmi kërkonte varfëri kulturore, fetare dhe shoqëri komunitare e patriarkaliste, që të lulëzonte. Problemi madhor i kulturës tonë bizantine, e cila mbizotëron në të gjithë ballkanin si edhe në Rusi etj, është se ne, në dallim me vendet perëndimore, besojmë në supersticion dhe të menduarit magjik. ” Mendimi magjik” i referohet besimit se mendimet, veprimet ose fjalët e dikujt mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ngjarjet në botë pa një lidhje logjike shkakësore, shpesh të bazuar në bestytni ose rituale. Në të vërtetë në magji dhe bestytni, ne kërkojmë të manipulojmë botën jomateriale për hir të kontrollit dhe menaxhimit të botës materiale.
Ne mendojmë se në Shqipëri mund të bëhesh i pasur vetëm në pushtet ose në biznes, por gjithmonë në bashkëpunim me pushtetin, dhe nuk besojmë te individi dhe protesta e tij ndaj veprimeve korruptive.Është kjo kulturë bizantine e të menduarit magjik dhe aspak racional që favorizon autoritarizmin në vend, familje, parti politike e çdo organizim tjetër shoqëror. Ne duhet të pranojmë se komunizmin nuk na e sollën të tjerët, por ishte midis nesh, në mënyrën se si ne besojmë te njeriu i fortë dhe qeveria e fortë. Në kundështim me të gjitha tezat aspak racionale se komunizmin na e sollën të huajt, është fakti se si është e mundur që pas viteve 90 ne akoma nuk kemi sistem demokratik, kemi qeveri autoritariste, njerëz të fortë kudo në pushtet, partitë politike, në familje e shoqëri. Rrënjët e lashta dhe bazat fetare të një kulture mund të kenë vërtet një ndikim më të madh në rrugën që një vend ndjek sesa çdo konsideratë racionale, gjeopolitike ose ekonomike. Nëse është kështu, kombet me prejardhje bizantine nuk janë vërtet komode në një botë të dominuar nga perëndimi. Si ka mundësi që partitë politike janë kthyer në organizata mafioze, të kotrolluara nga patriarkët bizantinë, të cilët ne i quajmë liderë historikë, autoriteti i të cilëve është jo vetëm i padisktueshëm, por i admiruar nga anëtarët e partive apo mbështetësit e tyre. Këta patriarkë (kryetarë partie) janë të pagabueshëm dhe nqs ata shpallen non-grata fajin e kanë amerikanët apo perëndimorët, nqs SPAK-u akuzon ata, fajin e ka kundështari dhe nqs SPAK arreston kundështarët, atëhere drejtësia është e pavarur. Ku është rroli i individit, ku janë primaret, ku janë fraksionet dhe mendimi racional? Prandaj perëndimorët thonë se kulturalisht ne jemi në lindjen e mesme dhe vetëm gjeografikisht në Europë.
Të rinjtë tanë studiojnë në Europë, por marrin formën e enës ku u lindën, rritën dhe edukuan, kjo ndoshta edhe për shkak të bizantinizmit tonë, i cili pa e kuptuar na drejton neve në çdo qelizë familjare apo shoqërore. Ne duhet të përpiqemi të reflektojmë në mënyrë racionale në të gjitha fushat e jetës dhe të besojmë se arsyeja duhet të jetë testi përfundimtar. Por kjo është shumë larg të thuhet se arsyeja ka gjithmonë të drejtë. Vendimet më të tmerrshme në histori, nga inkuizicioni deri te spastrimi etnik modern, janë marrë nga njerëz racionalë (kryesisht kanë qenë burra) në bazë të asaj që ata mendonin se ishin baza racionale, pa dyshim me një tren arsyetimi racional. Mendja është e lidhur me të gjithë qenien tonë, duke përfshirë ndjenjat tona, vlerat që kemi përvetësuar kur jemi të rinj, përvojën tonë të jetës dhe vendimet që kemi marrë në të kaluarën. Nuk ka asnjë zëvendësim për të përdorur plotësisht arsyen tonë, për të qenë sa më racional. Por të qenit racional përfshin vëzhgimin e të gjithë këtyre faktorëve të tjerë që influencojnë mendjen, dhe skepticizmin rreth tyre. Ne duhet të jemi skeptik edhe ndaj hamendjeve dhe supozimeve aktuale të shoqërisë në të cilën jetojmë, sepse ato gjithashtu ndikojnë në të kuptuarit tonë të asaj që llogaritet si arsyetim racional.