![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476385022_1043450277823494_160040026702588807_n.jpg)
Bexhet Asani/
Në ish Jugosllavi ishte e ndaluar të shikohej RT SHQIPTAR, sidomos pas vitit 1981. Valët e TV Shqiptar depërtonin gjer në Prishtinë. Më 1978 ndiqnim programet e TVSH -së te Konviktet e Studentëve në Prishtinë, miza – miza dhe me zhurma po neve na dukej se e shikonim “pastër”. Në zonat kufitare shihej më pastër me më pak miza dhe me më pak zhurma. Pas vitit 1981 ndryshoi gjendja. TVSH-ja ndiqej fshehur me perde të mbyllura. Programet e TVSH-së i ndiqnin të gjithë shqiptarët e Komunës së Strugës. Antenat e TVSH-së gjendeshin në Qafë Thanë. Po aty gjendeshin edhe kundër antenat e Jugosllavisë!
Disa katunde të rrjedhës së majtë të Drinit të Zi, e zinin më pastër TVSH-në. Fshatrat e rrjedhës së majtë të Drinit të Zi e zinin më dobët dhe me vështirësi i ndiqnin valët me antenat herë në ballkon, herë mbi çati, herë në mullar, herë nëpër pemë… e ku nuk i kërkonim valët e Televizionit Shqiptar?!
Shpesh ndodhte që ndonjë anëtar i familjes të ishte “viktimë” apo “hero” ose altruist që mbante antenën në duar në majë të mullarit apo në majë të çatisë ose në majë të qershisë, në drejtim të Qafë Thanës, derisa të përfundonte programi që e shikonin anëtarët e familjes! Antenat përforcoheshin edhe me legenë alumini me qëllim që të përmirësoheshin valët e ekrani të mos kishte “miza”!
Shkonim nga një kushëri te tjetri nga një komshi te tjetri, nga një mik te tjetri të shikonim programet e TVSh-së, programet e mëmës Shqipëri.
Vitet tetëdhjetë të shekullit të njëzetë lindi pyetja: “A e zë Tateshin?” Për: A e zë Televizioni Shqiptar? Si lindi kjo pyetje nuk arrita ta gjej as sot e kësa dite!
Tateshi është një katund shqiptar në rrethin e Strugës. Tateshi gjendet në veri të Qafë Thanës.
Po, pse pikërisht Tateshin?! Pse jo ndonjë katund tjetër? Pyetje këto që vështirë t’ u jepen përgjigje!
A e zë Tateshin? (A e zë Televizionin Shqiptar?)
Po unë e zë.
Në Ohër e zënë më pastër Tateshin!
Valët e TVSH-së që kalonin mbi Liqenin e Ohrit kaltërosh, nuk i pengonte asgjë. Në fshatrat e rrjedhës së djathtë të Drinit të Zi aty – këtu i pengonin kodrat e Malit Jabllanicë. Viktimë e këtyre kodave ishte katundi Ladorisht. Vetëm shtëpitë poshtë Vakçares kishin privilegjin të shikonin programet e Tateshit? (Programet e Televizionit Shqiptar)
Struganët kënaqeshin duke parë programet, dramat, emisionet dokumentarë dhe filmat e Televizionit Shqiptar.
Unë herë e zija Tateshin , herë humbnin valët!
Ika unë tani te kushëriri im, ta shikoj Tateshin se sonte shfaqet drama “Gjaku i arbërit”!
Antenat e televizorëve struganë të gjitha ishin të kthyera nga Qafë Thana pa marrë parasysh pengesat nga UDB-ëja jugosllave.
Programet e TELEVIZIONIT SHQIPTAR ishin ushqim shpirtëror, ishin jetë për ne!