

Rafaela Prifti/
Instrumentet frymërore e aerofonike shoqëruar me daulle e tupanë të ritmeve ballkanase kumbuan fort në fundjavën e 16-17 janarit në Golden Festival NYC (Festivali i Artë) 2026 në Astoria. Për mbi 10 orë, gjatë dy netëve, katër sallat e Astoria World Manor buçitën nga muzika dhe vallet e rreth 50 orkestrave, ansambleve dhe bandave muzikore nga mbarë Ballkani e përtej deri në malet e Kaukazit dhe stepat euroaziatike.
Golden Festival, që këtë vit feston 40 vjetorin, është arena më e madhe gjithëpërfshirëse e muzikës zanore, instrumentale dhe valleve nga Ballkani. Pas pandemisë, Festivali ka ardhur në Astoria, lagje e njohur si “mini-Ballkan” për shkak të pranisë numerike të komuniteteve greke, shqiptare, serbe dhe boshnjake.
Natën e 17 janarit kompozitori dhe fizarmonicisti fenomenal Raif Hyseni dhe Merita Halili, “bilbili i Shqipërisë së Mesme” me orkestrën dhe këngëtarët e ansamblit të MSU prezantuan muzikën shqiptare në Festival. Salloni i ballove (Ballroom) për gjysmë ore u ngrit peshë prej tingujve të fizarmonikës së Raifit.
Grupi i tyre ka fituar adhurues qysh në shfaqjen e parë në vitin 1997. Pas një ndërprerje, për shkak të luftës së Kosovës dhe, një shkëputje të dytë, për arsye të angazhimeve profesionale, ata kanë qenë pjesëmarrës të rregullt të festivalit, ku herë pas here janë paraqitur me muzikantë shqiptarë. “Ky është viti i 12-të nga koha e hapjes së Katedrës së Parë për Muzikë Shqiptare në Amerikë,” thotë Raif Hyseni me krenari. “Ne kemi prezentu muzikën shqiptare me studentët e Montclair State University (MSU), në Montclair, NJ , në Festivalin Shqiptar, dhe në Golden Festival. Për ne është krenari dhe kënaqësi që prezantojmë muzikën shqiptare në nivel shumë profesional,” pohon themeluesi i MSU Albanian-Balkan Ensemble.
Hareja e Festivalit të Artë Golden Festival NYC 2026 arriti kulmin me programin e Raif Hyseni, Merita Halili dhe ansamblit MSU, nga më të kërkuarit e grupeve muzikore shqiptare në Amerikë. Muzikanti Raif Hyseni solli aranxhime krijuese dhe autentike nga Balkani dhe Shqipëria, ndërsa zëri i kulluar i Merita Halilit, pasur nga tre duete me Eva Primack u shoqëruan edhe nga publiku.
Netët e muzikës tradicionale ballkanike të Golden Festival i përngjajnë një dasme masive të popujve dhe kulturave të gadishullit të Evropës Juglindore. Gazeta New York Times (Nju Jork Tajms) dhe publikime të tjera kanë vlerësuar ndikimin kulturor të Festivalit, që sjell “nën një kulm” grupe të ardhura nga afër e larg, nga Texas si Texas University Balkan Ensemble (grup bullgar) në Filadelfia si West Philadelphia Orchestra. Gjatë pushimeve në program, pjesëmarrësit, disa me kostume popullore, disa me jelek temini, disa me foshnje në duar, të tjerë që e kanë Festivalin vendtakimn e tyre vjetor, shijonin edhe gatimet tradicionale tek charshiya (marketi) si edhe specialitete vendase krahas punimeve artizanale me dizenjo dhe stile të spikatura.
Festivali lindi në vitin 1986 si një nismë e dëshirë e instrumentistëve të apasinouar pas muzikës ballkanike për tu mbledhur dhe luajtur bashkë në Nju Jork. Nisma e dalë nga një kamp muzikor u rrit duke përfshirë çdo vit grupe dhe ansamble të muzikës ballkanase. Lane Harris, trumpetist amerikan, është pjesë e Festivalit për 39 vjet rresht Vëllai i tij, Drew Harris është nga themeluesit e kësaj maratone festive të të gjitha moshave. Muzikantët, këngëtarët, valltarët dhe personeli japin kohën dhe kontributin e tyre krejt vullnetarisht.
Festivali i Artë mund të quhet me të vërtetë Woodstock-u i muzikës së Ballkanit.