Dr. Ernest Nasto/
Siç ishte njoftuar, dje u zhvillua veprimtaria e degës së Vatra Çikago me temë “Rajonet shqiptare në kuadrin e zgjedhjeve në SHBA: programet e partive, konfliktet dhe rëndësia gjeopolitike” e cila doli me sukses të plotë.
Në prezantimin tim në pjesën e parë u ndala në disa aspekte të polarizimit politik, situatës së tensionuar parazgjedhore si edhe të rreziqeve që i kërcënohen demokracisë amerikane nga pririrjet e hapura autoritariste brenda dy partive kryesore.
Ndërsa në pjesën e dytë prezantimi i Dr. Jani Gjoni, n/kryetar i AANO Chicago, shtjelloi aspekte të ndryshme të situatës gjeopolitike në botë dhe disa rrjedhime të mundshme të rezultatit të zgjedhjeve për vatrat kryesore të konflikteve, e veçanërisht për rajonet shqiptare në Ballkan.
Më pas, nën moderimin profesional të Ing. Artan Nati u vazhdua me një bashkëbisedim të gjallë me pjesëmarrësit e shumtë të cilët shprehën mjaft interes për temat e prekura gjatë prezantimeve, duke theksuar gjithashtu nevojën për të zhvilluar më shumë takime e biseda të tilla.
Falenderojmë me këtë rast për diskutimet interesante të gjithë pjesëmarrësit, që mund të themi se përfaqësonin krejt trevat shqiptare. Një mirënjohje e posaçme i takon z. Naser Hoxha dhe Qendrës Kulturore Shqiptare në Berkeley IL, që na vunë në dispozicion ambientet e tyre duke na krijuar kushte të përsosura. Po ashtu edhe z. Jani Gjoni për bashkëprezantimin, si dhe AANO Chicago, duke uruar për bashkëpunime të mëtejshme ndërmjet dy organizatave tona. Ndërkaq edhe anëtarët e Kryesisë së Vatrës Chicago u shquan për kontributet e tyre të veçanta: Ardian Ruci për anën organizative, Shkelzen Cakeri e Anjeza Muca për teknikën dhe Artan Nati e Dhimo Jano për sponsorizimin e koktejlit në mbyllje të takimit.
Suksesi i kësaj veprimtarie na inkurajon që Vatra Chicago të ndërmarrë edhe në të ardhmen të tilla të ngjashme, duke bashkëpunuar me AANO e organizata të ndryshme shqiptare në Chicagoland.