…. Vini re se arritja me e madhe në diplomaci e Ministrit është “Filozofia e Fesë dhe Metafizika, se ku përputhen këto me diplomacinë vetëm ti si kryeministër mund ta dish). Së dyti, ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015). Po pse do t’i duhej një titull në të njëjtën fushë dhe titull Master nga Universiteti i Sorosit që Hungaria e mbylli? /
Nga Rafael Floqi/
“Metoda e parë për vlerësimin e inteligjencës së një sundimtari është të shohësh burrat e shtetit që ai ka rreth tij, thotë tek Princi Niccolò Machiavelli, pastaj vazhdon “Nuk jam i sigurt për këshilltarin e mbretit. A ka ndonjë gjë në kokën e tij, apo është e zbrazët?”
Çfarë do të thotë kjo po të spotrohemi në kohë dhe hapësirë në Shqipëri dhe të shohim ty “mbretin tone”, z. Edi Rama dhe ministrat e tu të rinj?
Le të shohim CV e ministrit më të përfolur, gjeniut të lëçitur, të cilit më së fundi iu zbulua edhe përvoja. “Gent Cakaj ka lindur në Prishtinë, më 6 korrik 1990, është shkolluar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari. Në vitin 2017, Gent Cakaj ka marrë gradën Master Shkencor në Filozofi, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera nga Universiteti i Leuven-it në Belgjikë, Qendra për Metafizikë, Filozofi të Religjionit dhe Filozofi të Kulturës të Institutit të Filozofisë të këtij universiteti. ( Vini re se arritja me e madhe në diplomaci e Ministrit është “Filozofia e Fesë dhe Metafizika, se ku përputhen këto me diplomacinë vetëm ti si kryeministër mund ta dish). Së dyti, ai është diplomuar me titullin Master në shkencat politike nga Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest, Hungari (2015). Po pse do t’i duhej një titull në të njëjtën fushë dhe titull Master nga Universiteti i Sorosit që Hungaria e mbylli? Ndërsa studimet universitare i ka kryer për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit AAB në Prishtinë (2016), si dhe studimet për filozofi në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës (2012).
E keqja është z Rama se ne dimë të lexojmë në rreshta dhe ndërmjet rreshtave. P.sh. pas studimeve ku sipas sugjerimit të Batonit siç ka deklaruar ai vetë ia coi si stazhier Vali Bishga duke e caktuar këshilltar dhe rrogën e parë të punës e ka nisur me ju z Rama si këshilltar, por më thuaj a kishte ndonjë ditë përvojë punë zyre.
Gent Cakaj thuhet se ka një ekspertizë të thellë në Analiza Politike dhe Politika Krahasuese, në Filozofi Moderne dhe Metafizikë thuhet, por “Metafizika është dega e filozofisë që shqyrton natyrën themelore të realitetit, duke përfshirë lidhjen midis mendjes dhe materies, midis substancës dhe atributit, dhe mes mundësisë dhe aktualitetit, thotë American Heritage® Dictionary of the English Language (5th ed.). 2011, ndërsa Diplomacia është arti i të mundshmes me mjetet e te pamundshmes, një art ashtu si shahu, që sado të kesh mundësi dhe te jesh një mendje e ndritur do edhe përvojë. Pasi siç thotë një thënie amerikane “ There is no replacement for experience.” Nuk ka zëvendësues për përvojën. Në politikën e jashtme sidomos kur je një vend i vogël nuk ka vend për voluntarizëm dhe as për akrobacia, eksperimente dhe dëshira personale në një kohë mjaft me rëndësi, kur priten marrëveshje të rëndësishme për kufijtë me Greqinë, miratimi i anëtarësimit në BE, kryesimi i OSBE-së dhe bisedimet me Serbinë për ndryshimet e kufijve me Kosovën. Kush e merr seriozisht Shqipërinë me këtë “enfant prodige” që vetëm Ju dhe Batoni e shihni?
Ne si analistë, mund të analizojmë operacionet e sistemeve ndërkombëtare, por burrështetasit i ndërtojnë ato. Dhe ekziston një dallim i madh midis perspektivës së një analisti dhe atij të një burri shteti. Analisti mund të zgjedhë problemin që dëshiron të studiojë, ndërsa problemet e burrështetasve i imponohen atij. Analisti mund të japë çdo kohë që është e nevojshme për të arritur një përfundim të qartë; sfida e madhe për burrështetasin është presioni i kohës. Analisti nuk rrezikon. Nëse përfundimet e tij provojnë gabim, ai mund të shkruajë një tjetër shkrim. Apo jo Baton? Burrështetasit i lejohet vetëm një mendim; gabimet e tij janë të pakthyeshme, z. Rama.
Prandaj z. Rama duhej më shumë kujdes. Këmbëngulja juaj mund të shërbejë si djep për teori konspirative me emërues te përbashkët Sorosin, Ju edhe Thaçin. Gjë që unë nuk ngutem t’i besoj, por nuk e kuptoj ku e gjen të drejtën një analist si Baton Haxhiu të kërcënojë presidentin Meta. Kjo më le të dyshoj, edhe pse nuk dua, por prapë se prapë më bren një pyetje. Si shpjegohet se që të dy ministrat kosovarë të qeverisë Rama vijnë nga Universiteti i Sorosit? A mund të më japësh ndonjë shpjegim për këtë ?
Personalisht mendoj se ndër të 7 ministrat që ndërrove, nga sa e kam dëgjuar në intervista në TV, Gent Caka është një djalosh i ri, i lexuar, me llogore, e fjalor argumenti shkencor, por pa eksperiencë, dhe duke qenë në një fushë të vështirë, mendoj se risku është shumë më i madh se shpatullat e tij, ndaj dhe Meta ta futi, kur të tha që të bëhesh dhe ti Ministër, duket se të ka hequr siguresën .
Ju Ministër i Jashtëm de jure shkëlqesia juaj z. Edi Rama mund të mendoni se shkuarja me atlete në mbledhjet e BE-së është diplomaci, mund të mendoni, se provokimet, apo kërcënimet ndaj BE-se janë diplomaci, se deklaratat kundër presidentit, atëherë kandidatit Trump janë diplomaci, se deklaratat për Kosovën në Beograd mund të ngjallin një frymë entuziazmi patriotik, por cili është rezultati …. Ja Vuçiçi po vjen shpejt në Tiranë, dhe ai është bërë figurë e Ballkanit dhe jo Ju. Besoj Macroni ju bleu mendjen nga atletet, dhe Merkel nga veprat…
Politika e jashtme e Shqipërisë ka vuajtur nga personalizimi i saj nga kryeministrat. Dhe Ju besoj se ndryshimet në qeverinë e re nuk i bere nga qefi por e bëre nga halli i situatës të brendshme, se sa nga përpjekjet për të rilindur Rilindjen. I bëre ndryshimet jo si thua, në intervista me shtypin e huaj, për rigjallërim të punës, sepse ministrat nuk kanë qenë autoritete të ardhura nga jeta politike e vendit, as dhe nga PS-ja, por janë përzgjedhja e juaj dhe e Lindës në atë që përbën enturazhin tuaj. Prandaj, ministrat për ju nuk personifikojnë autoritete të fushës, por individë që do të ndihmojnë në realizimin e idesë suaj. Prandaj, ishte edhe një numër kaq i madh ministrash 7-të, të shkarkuar për 7 minuta, në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare të PS, ku emrat e ministrave të rinj vetëm t’i i dije.
Dhe kjo ka ndodhur se politika e jashtme gjatë qeverisjes së Rilindjes ka qenë dhe ka vijuar si një diplomaci show, pa asnjë vizion i qartë, pa asnjë vazhdimësi për të siguruar stabilitetin dhe sovranitetin e Shqipërisë, por ka qenë një personalizim i politikës së jashtme nga ju z. kryeministër dhe tani dhe ministër i Jashtëm adintering, Rama. Nuk besoj se Bushati ka bërë ndonjë belbëzim, pro Merkelit a kufijve të Kosovës me Ju.. Këtu ka do gjëra të errëta. Pse duhej të na e kujtonte i pari, ish ministri i jashtëm Grek, Kotzias se Bushati po largohej se nuk pranonte shkëmbimin e territoreve Kosovë –Serbi?
Dhe një çështje tjetër. Nëse një shtet është njëkohësisht shtet i vogël, politika e tij e jashtme kërkon shumë përpjekje për të pasur sukses. Me gjithë mundësitë e kufizuara shtetet e vogla e të reja, mund të realizojnë këto synime dhe të gjejnë vendin e tyre në marrëdhënie ndërkombëtare, sidomos nëse janë të afta të përcaktojnë dhe të realizojnë ndonjë pozicion specifik të tyre në kuadër të rrethanave ndërkombëtare. Në kësi situate, diplomacia publike efektive paraqet një mbështetje të madhe për realizimin e interesave të jashtme të shtetit.
Një nga veçoritë e diplomacisë publike të shteteve të vogla është se ato duhet të përqendrohet në aktivitete që synojnë tërheqjen e vëmendjes së publikut ndërkombëtar. Kjo nuk arrihet lehtë. Në janar 2018, Gent Cakaj i është bashkuar Kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë si këshilltar politik, përgjegjës kryesisht për procesin e integrimit evropian dhe politikës së jashtme. Po ka një pyetje këtu pse fshihej kjo biografi . Ka pasur ndonjë sugjerim të eminencës gri, Baton Haxhiut, nuk dua t’u besoj komenteve nga Kosova, por figura e tij ka shume hije se dritë.
Duket se arsyeja e vetme, që i ndërrove ministrat nuk është puna e pesëvjetëshit, se ajo është loja. Kuajt nuk ndërrohen kur janë të suksesshëm. Siç pohove se ishin ministrat e larguar, z. Rama. Por shkaku i vërtetë s’qenka jo rigjallërimi i qeverisë siç i pohove gazetares gjermane, por sic i deklarove vetë opozitës, se” ministrat e rinj s’kemi mundësi të m’i shani për korrupsion”. E në këtë mes nuk e besoj se kundërshtimi i ish-ministrit të jashtëm, Ditmir Bushati për korrigjimin e kufijve nuk mund të jetë shkaku.
Një palë iku, një palë erdhi, dikush erdhi si rilindas, por nuk lindi asnjëherë. Anonimati i ministrave të rinj besoj se të shërben. siç u shprehe vetë për t’u mbrojtur përkohësisht nga akuzat e opozitës për figura të korruptuara. Dhe aman më qafsh, Bracen e zgjodhe zëvendëskryeministër se të bënte zhurmë e s’doje të bezdiste me kuisjet e tij në Parlament?
Duke ju referuar fjalimit të parë të këtij Cakaj dukej se artikulimi i tij diplomatik ishte i papranueshëm. Si mund të jetë ministër i jashtëm një që s’ka koncepte e artikulim serioz e që emocionohet para kryeministrit të tij si një fëmijë që reciton para shkollës Kur dëgjon dikë që ka një dalje publike dhe është e pamundur të komunikojë me audiencën, sigurisht që nuk të krijon një habi të madhe, si gjeni, enfant prodigue, sikur e ke prezantuar . Si mundet që ky njeri të mund të drejtojë një ministri kaq të rëndësishme. Në mënyrën se si ai u pozicionua kur mori kompetencat, tregonte mosdije totale për detyrat e shtetit. Po ishte i lexuari i paditur.
Këto gjëra thotë Machiaveli, mund të ju tregojnë shumë për një sundimtar, për sjelljen e tyre, për prirjet e tyre dhe inteligjencën e tyre. Nëse të gjithë të tjerët janë duke u përulur shpesh, ose duke lavdëruar sundimtarin, mund të jeni në gjendje të mendoni rreth nivelit të pasigurisë. Po njësoj, nëse gjithkush do t’i nënshtrohet liderit “Më të zgjuarit prej nesh të gjithëve!”
Dhe ajo zonjëza Besa Shahini në atë intervistën me atë ekscentrikun Çani, pikërisht këtë gjë tregoi. Se me gjithë përvojën e madhe me politika për arsimin, ajo nuk gjykonte dot me kokën e saj po me atë tënden, jo më me kurrikulën e fillores. Po me këmbënguljen e pacipë të Çanit, u zbulua edhe ajo tjetra, se shoqja Veliajt dhe e ministres tjetër Elisa Spiropalit vinte dhe ajo nga studimet e Universitetit të atij mikut tënd, Sorosit, aty ku edhe ajo hartonte politika zhvillimi si edhe metafiziku ynë i jashtëm.
Ore kam një ide tani që Sorosit ia mbyllën Universitetin në Hungari, pse si thua ta hapë atë në Shqipëri, pasi mund të nxjerrësh ndonjë para, edhe për ata të gjorët, studentët e Universitetit të Tiranës, tani që je vënë në krye të revoltës së tyre….
Mu dhimbs ai Genti sa në siklet qe. E kuptoj e kishte hallin të mos zhgënjente kryeministrin, ty pra, e jo të kryente detyrën për Shqipërinë. Pasi marrëdhëniet nuk janë brenda institucionit, por marrëdhënie kanalizohet në mënyrë personale, si dishepulli për mjeshtrin. A nuk po e bën punën edhe Ministri i Brendshëm ish-gjenerali Sandër Leshi, që u degradua dhe u gradua në lesh, nga dashuria për ty ? Kjo mund të jetë një çelës për inteligjencën e vërtetë të ministrave (si dhe për mençurinë e tyre).
Po pse i ndërrove aman, në Shkodër në kohën e Enverit qarkullonte në barsaletë .U mor vesh se fatorinot e autobusëve merrnin lekët dhe nuk jepnin biletat pasagjerëve , do të hiqeshin nga Parku. Ato protestuan pse na hiqni do të kaloj ca kohë dhe të rinjtë do mësojnë hilet tona, ne jemi ngopur disi por të rinjtë janë më të uritur, është më mirë të na lini ne. Morali kuptohet.
E kuptoj që je zënë ngushtë, dhe pse bëre ndryshime në aparatin qeveritar, po këto ekzibicione politike si duket nuk po të sjellin sukses. Ministria e Punëve të Jashtme, është një post që të solli kokëçarje. Më lind pyetja mos vallë në fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi ndoshta i duhet patjetër një ministër i tillë sa për firmë.
Nuk e kuptoj o kryeministri ynë pse mediat e kazanit, siç i quan ti si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë, duke i parë sjelljet e tua po të krahasojnë me Putinin dhe Erdoganin. A man më thuaj sa për qind te Putinit pëlqen dhe sa për qind të Erdoganit ? E prapë ai Makiaveli më porosit shikoni njerëzit me të cilët ai rrethohet? Çfarë mendoni për ta, inteligjencën e tyre dhe shijen e tyre? Z. Rama si ju percepton bota ju, shpesh bazohet në atë që ju dukeni ( me atlete) si dhe në njerëzit që keni përreth pa asete.
E di se autoriteti i juaj nuk pranon që të ketë dikë tjetër si sfidues në qëndrime, duke i menduar ministrat të gjithë në funksion të politikës suaj dhe jo si përfaqësues institucionalë në bazë të Kushtetutës. Sepse po të shohim atë që e shite si një hap pozitiv në Ballkan në marrëdhënien e re mes Serbisë dhe Shqipërisë, sot po e shohim se me shumë zgjuarsi është përdorur nga Serbia për të fituar dhe realizuar skenarin për rikthimin e Serbisë në rajon si protagoniste, duke përdorur elementin shqiptar, pas një humbjeje të madhe morale dhe politike me gjenocidin ndaj Kosovës? Kur është në pyetje pozita reale e një shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe aftësia e tij për të realizuar interesat e jashtme, burime të fuqisë si madhësia, pozita gjeografike, resurset ekonomike, fuqia ushtarake apo kultura… janë përcaktuese. Edhe tradita e gjatë shtetërore është përparësi e madhe. Zotërimi në masë të kufizuar i këtyre dhe burimeve tjera të fuqisë, nga ana e shteteve të vogla dhe të reja ka ndikim të drejtpërdrejtë në planifikimin dhe zbatimin e politikës së jashtme. Prandaj duhet mençuri dhe përvojë z. Rama dhe jo cicmice dhe provokime koti në Amarcord si me Greqinë. Nuk na duhet amarkordi apa amorpropri yt, para Çamërisë dhe kufijve detarë të Shqipërisë.
Winston S. Churchill, thoshte se diplomacia Diplomacia është arti i njerëzve që u thonë bashkëbiseduesve shkofsh në djall por në mënyrë të tillë që ata vetë t’i kërkojnë drejtimet e rrugës ” dhe Genti Caka, sado djalë i lëçitur qoftë, në metafizikën e Kantit, nuk i di ende rrugët dhe adresat. E tregoi fakti që ndërroi adresën e Twitterit pa u zgjedhur ende ministër e tregon foshnjërinë e tij … Z Rama nuk kam asgjë ndaj ministrave kosovarë dhe është gjë e mirë që të vazhdojë tradita e ministrave nga Kosova në qeverinë shqiptare, por duhet duhet një Hasan Prishtine, për të zgjidhur çështjet e mëdha kombëtare të kufirit me Greqinë dhe me Serbinë. Diplomacia nuk është lojë xing z. Rama. Është lojë që nuk të fal. Ti e di si kujtohet Zogu për Shën Naumin.
Çfarë lloj njerëzish e rrethojnë një lider? A është ajo një bandë e “yes –menësh ” apo janë ata ekspertë të lëndës, të gatshëm për t‘ia përplasur me shuplakë sundimtarin të tyre? Asnjë ministër se ka bërë këtë gjë gjer më sot në Shqipëri. Madje as dhe një dorëheqje. Të gjithë flasin vetëm sa hiqen. Aman ai Manjani! Por sa janë ata në qeveri janë të gjithë të butë, të pangopur, kukulla goxha, shkurt, pak më shumë se lodra për të gudulisur egon tënde prej buratinai?
Në fakt më fal se këto pyetje, s’janë të miat por të Makiavelit, dhe 500 vjet më parë.
PS :Nëse ka një ngjashmëri me Ju qeverinë e re tënde të re , kjo mund edhe të mos jetë e rastit.