Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj janë zotuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve./
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar edhe nga disa prej ministrave të kabinetit të tij, po qëndron në Tiranë, ku me nikoqirin, kryeministrin Edi Rama kanë ndërmarrë nismën për përurimin e Komisionit për organizimin e “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut”.Paraprakisht, Rama dhe Haradinaj janë pajtuar që më 27 nëntor, një ditë para shënimit të Ditës së Flamurit shqiptar, qeveritë e dyja vendeve të takohen në Korçë.
Kosova dhe Shqipëria, ka thënë kryeministri Edi Rama, mund të nisin me ri-aranzhimet e kufirit, duke i bërë kalimet kufitare ndërmjet dy shteteve, të ngjashme me ato që i aplikojnë vendet e Bashkimit Evropian.Po ashtu, tha Edi Rama, shfrytëzimi vetëm i Portit të Durrësit nga ana e Kosovës, nuk është i mjaftueshëm dhe kërkoi që të ketë edhe pika tjera.
Të dy kryeministrat thanë se Prishtina dhe Tirana duhet të thellojnë bashkëpunimin, shkëmbimet tregtare dhe të krijojnë lehtësime për aktivitetet e bizneseve.
Një temë e pashmangshme e takimeve të kryeministrit Haradinaj me liderët rajonal, mbetet edhe çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si një prej kushteve të paplotësuara të Kosovës për liberalizimin e vizave.
Haradinaj, nuk e ka komentuar qëndrimin e fundit të Malit të Zi se Demarkacioni për këtë vend është mbyllur me marrëveshjen e gushtit të vitit 2015, nga Qeveria e kaluar e Kosovës, por të cilën të cilën Haradinaj nuk e njeh. Por, ai tha se do të punohet në gjetjet e reja në lidhje me shënjimin e vijës kufitare.
“Kosova po procedon në përputhje me rregullativën e vet dhe obligimet e saj politike. Kur ta kemi një situatë të re dhe më të qartë të gjeturave tona, ne do t’i drejtohemi fqinjit tonë”, theksoi Haradinaj.
Mirëpo, homologu i tij, Edi Rama kishte një porosi për Haradinajn, duke i kërkuar atij që të gjejë një zgjidhje për Demarkacionin.“Interesi i Kosovës është zgjidhja sa më e shpejtë e këtij problemi i cili është kthyer në ngërç në raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar”, tha Edi Rama.Ai tha se kryeministri Haradinaj tani duhet të ndahet nga qëndrimi i tij i ngurtë sa ishte në opozitë dhe të gjejë zgjidhje sa më të shpejtë për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ndryshe, vizita në Tiranë, paraqet vizitën e parë zyrtare jashtë vendit të kryeministrit të ri të Kosovës.Kryeministri Haradinaj është pritur në Tiranë me ceremoni shtetërore me rreshtimin e Gardës së Republikës së Shqipërisë.Haradinaj pritet të takohet edhe kreun e opozitës, Lulzim Basha, dhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se ky vit do të shërbejë si “yll orientues i rrugës së përbashkët krah për krah njëri-tjetrit në funksion të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë shqiptarët”.