Deputeti Vangjel Dule thërriti në interpelancë kryeministrin Edi Rama për prishjen e kishës në Dhërmi, duke thënë se nuk do e besonte kurrë se në nje vend me harmoni fetare si Shqipëria, mund të ndodhte diçka e tillë.
“Nuk e kuptoj sesi në vendin tonë mund të shembet një objekt fetar. Nuk e besoja se do të vinte një moment i tillë. Dua të di bazën ligjore për prishjen e kishës”, tha Dule.
Kreu i qeverisë theksoi se interpelanca është thirrur Keni thirrur gabim, pasi çështja e ngritur nuk ka të bëjë me detyrat e tij. Gjithsesi, Rama dha shpjegimin e kërkuar.
“Ngrehina e rrëzuar, për të cilën ju dhe shumë të tjerë bëtë kaq shumë potere, nuk është kisha martire e Shën Thanasit, dhe nuk ka qenë kurrë kishë. Kanonet kishtare na mësojnë se jo çdo objekt kulti meriton të quhet kishë. Ajo ngrehinë nuk ka qenë ndonjëherë e shuguruar konform rregullave nga Autoriteti Kishtar. Objekti i interpelancës është nul pasi Inspektorati Ndërtimor nuk ka shembur kishë. Ajo ishte ngrehinë, garazh apo stallë pa leje, e ndërtuar nga brutaliteti individual i viteve ’90”, tha Rama.
“Pjesa dërrmuese e banorëve ka qenë dakord me prishjen e objektit”, shtoi kryeministri.