Ish presidenti Serb Tadiq me koalicionin e majte/
Nga Nebil Çika
Që historia përsëritet, ky është tashmë një fakt i njohur, por që të majtës shqiptare do t’i duheshin vetëm dy dekada për t’u rikthyer në identitet, këtë pak shqiptarë do ta kenë besuar e aq më pak do ta kenë shpresuar. Dy ditë më parë, opinioni publik shqiptar pa të ndodhte ditën për diell atë që në mënyrë aq të ngjashme ka ndodhur në 8 nëntor të vitit 1941 me themelimin e PKSH-së. E majta shqiptare është ribashkuar nën bekimin e vëllezërve jugosllavë të saj, duke firmosur në Shkodër koalicionin Rama-Meta, një traktat që ka vetëm një qëllim, rikthimin në pushtet të ish- komunistëve. Ajo që duket problem nuk është bashkimi i të majtës ish- komuniste shqiptare por rikthimi i sajë në skemat historike të funksionimit politik me bekimin e kumbarit,gjithashtu historik, ish-komunistëve jugosllavë. Pa dyshim kjo aleancë e deklaruar botërisht flet vetë për lidhjet e pa shkulura të së majtës ish-komuniste shqiptare me të majtën ish-komuniste jugosllave një aleancë historike të cilën shqiptarët në të gjithë hapësirën etnike e njohin e ia kanë parë sherrin për më shumë se 50 vjet rresht. Rikthimi apo më mirë rideklarimi publik i aleancës së vjetër politike midis të majtës ish-komuniste shqiptare dhe asaj jugosllave është pasojë e pamundësisë tashmë të provuar për të ardhur në pushtet të ish-komunistëve shqiptar pa ndihme nga jashtë, në mënyrë të veçantë nga fqinjët sllavë, gjë që nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri. E majta komuniste shqiptare u bashkua organizua dhe erdhi në pushtet në vitin 1944 me ndihmën e drejtpërdrejtë të komunistëve jugosllavë një fakt tashmë i njohur e i pranuar botërisht. Mund të thuhet pa frikë që kjo aleancë më shumë se politike i ka kushtuar kombit tonë më shumë se gjithçka tjetër në historinë e tij shekullore. Me porosi, por edhe me përvojën e komunistëve jugosllavë lufta çlirimtare e popullit shqiptar u kthye në luftë civile e vëllavrasëse, ndërsa e majta komuniste shqiptare u vu në dispozicion të qëllimeve dhe veprimeve antishqiptare të padronëve të saj jugosllave duke tradhtuar interesat kombëtare e duke kryer vepra të rënda kriminale ndaj kombit dhe popullit të saj në shkëmbim të pushtetit politik. Janë të njohura krimet dhe pasojat e kësaj aleance antishqiptare që vazhduan për gjysmë shekulli mbi shqiptarët në trojet e tyre etnike krime të klasifikuara siç thashë më lart si e keqja më e madhe që i ka ndodhur ndonjëherë këtij kombi në të gjithë historinë e ekzistencës së tij. Bashkëpunimi, të paktën ai i hapuri, midis ish-komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë u duk sikur mori fund me rënien de jure të diktaturës komuniste më 1992, por me sa duket, një realitet i tillë edhe tani pas 20 vjetësh nuk rezulton i vërtetë. Kur them që ish-komunistët shqiptarë nuk vijnë dot në pushtet pa ndihmën e vëllezërve të tyre jugosllavë nuk flas për një ide hipotetike, por për një realitet të provuar e të prekshëm nga të gjithë. 1944 ishte suksesi i parë i aleancës komuniste shqiptaro –jugosllave, por sigurisht nuk është i vetmi. Një tjetër ardhje tipike komuniste në pushtet e të majtës shqiptare me ndihmën e jugosllavëve ishte ajo me kryengritjen e armatosur e vitit 1997. Çdokush mund të kthejë për pak kokën mbrapa e të kujtojë turmat dhe bandat e armatosura në Vlorë dhe krejt Jugun e vendit që shkatërronin çdo shenjë të shtetit shqiptar, duke marshuar e pozuar para medieve ndërkombëtare me tre gishtat lart, simbol i nacionalizmit serb, ndërkohë që opozita serbe denoncoi në atë kohë një financim prej 30 milionë USD që qeveria e Millosheviçit kishte shpenzuar për të sponsorizuar trazirat e ‘97-ës në Shqipëri, që siç dihet, sollën marrjen për herë e dytë të pushtetit nga ish-komunistët. Kjo përforcohet edhe nga fakti që ish-komunistët shqiptarë ua kthyen nderin vëllezërve të tyre jugosllavë dhe besoj se të gjithëve na kujtohet takimi Nano – Millosheviç në Kretë në vitin 1998, ku në kulmin e represionit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë ai deklaronte se kryeqytet i Kosovës ishte Beogradi. Ndoshta historia e vitit 1944 do të ishte përsëritur, po të mos ishte ndërhyrja e vendeve euroatlantike, udhëheqjet e të cilave korrigjuan gabimin e vitit 1944, kur fatet e Shqipërisë dhe shqiptarëve i lanë në duart e ish-komunistëve jugosllavë të Titos. Por me gjithë pamundësinë për një përsëritje identike të historisë 1997 është prova që ish-komunistët shqiptarë e kanë të pamundur të vijnë në pushtet në rrugë tjetër, përveç asaj të dhunshme e me ndihmën e vëllezërve të tyre jugosllavë. Dihet fakti që ish-komunistët shqiptarë nuk kanë ardhur kurrë në pushtet me votë apo vullnet të shumicës së shqiptarëve, por me dhunë dhe sidomos me ndihmën e fqinjëve tanë sllavë. Në këto kushte kemi të gjithë të drejtën ta konsiderojmë marrëveshjen e Shkodrës midis Ramës e Metës si një përpjekje të tretë të ish-komunistëve për të ardhur në pushtet sërish me ndihmën e aleatëve a vëllezërve historikë të tyre ish-komunistëve jugosllavë. Nuk e di sa e suksesshme do të rezultojë kjo përpjekje e tretë, por di me siguri të them se përbën një rrezik kombëtar, pasojat e dy të tillave të mëparshme, shqiptarët i njohin mirë.
PSE apo ish-LKJ?!
Këta janë edhe të pacipë e të pakufi në mashtrimet e tyre demagogjike. E paraqitën takimin e Shkodrës si samit të Partisë Socialiste Evropiane, por në fakt salla ishte e mbushur me socialistë shqiptarë dhe socialistë të vendeve të ish-Jugosllavisë pjesë të ish-Lidhjes Komuniste Jugosllave të copëtuar e të transformuar në socialistë serbë, sllovenë, kroatë, maqedonas, malazezë, boshnjakë etj. pas rënies së komunizmit dhe prishjes së Federatës Jugosllave. Nuk kishte asnjë përfaqësues socialist apo socialdemokrat perëndimor, madje as grekët e PASOK-ut nuk i kishin begenisur, të gjithë sllavë e ish-komunistë, siç thashë, vëllezër e kumbarë politikë historike të ish-komunistëve të Shqipërisë. Kishte madje edhe antishqiptarë aktivë të njohur si ish-presidenti serb Tadiç, por kjo për të majtët shqiptarë nuk bën diferencë. Ç’bëri Tito, Mugosha, Popoviçi, Milosheviçi apo Tadiç?! Të gjithë janë për ta kumbarë politike faktorë ndihmës dhe shpresa e vetme për të ardhur ne pushtet, të tjerat pak rëndësi kanë për aleancën Rama-Meta. Në samitin e Shkodrës u konsiderua si sukses bashkimi i të majtës ish-komuniste shqiptare nën bekimin e Tadiçit dhe të ish-komunistëve të tjerë jugosllaveve. E njëjta gjë, i njëjti sukses ka ndodhur e është arritur edhe më 8 nëntor të vitit 1941 në Tiranë, nën kujdesin e komunistëve jugosllavë Popoviçi, Mugosha etj. bashkuan grupet komuniste shqiptare të përçara si ishin deri para pak ditësh edhe Rama me Metën. Kaq u desh që PKSH të kthehej atëherë në fuqinë më të madhe e më të keqe në historinë tonë kombëtare, gjë që u përsërit me të njëjtën egërsi në 1997 e që po na troket serish në derë si një kërcënim serioz. Por sot nuk jemi as në 1941 e as në 1997. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe rruga e saj euroatlantike duket e përcaktuar dhe e garantuar mirë dhe sigurisht që nuk ka asnjë shans të kalojë nga Beogradi dhe ish-Jugosllavia. Ka pak apo aspak shanse që mbështetja ish-jugosllave të ndihmojë kthimin në pushtet të së majtës ish komuniste shqiptare me gjithë bashkimin e garantuar prej tyre. Përkundrazi kjo duket se është një shenjë alarmi por edhe një motiv për shumicën e shqiptarëve që nuk e kanë lejuar te majtën ish komuniste të vijë në pushtet asnjëherë me votën dhe vullnetin e tyre, gjë që pritet të jetë edhe këtë here mënyra e vetme e marrjes së pushtetit.
Vëllezërit nga Jugosllavia dhe miqtë nga Kosova!
Që z. Rama ka ekskluzivitetin e teorisë së kthimit në identitet kjo është një gjë e njohur, por besoj se kryevepra e tij në këtë zhanër është rikthimi në identitet i të majtës ish-komuniste shqiptare. Me një projekt të qartë ai ktheu në origjinë të majtën shqiptare, politikisht gjenetikisht dhe historikisht. Riktheu si fillim Bllokun me familjet dhe emrat e njohur të tij. Riktheu filozofinë nga taksa e njohur vepër e dajës së tij Spiro Koleka më 1945 deri tek politika e retorika e “vëllezërve nga Kina dhe miqve nga Kosova” të artikuluar hapur nga komunistët shqiptarë në tribunat e kongreseve të PPSH gjatë kohës së diktaturës komuniste. Fakti që Rama vetëm pak ditë para samitit të Shkodrës zgjodhi të deklaronte faktin se do të realizonte një “Traktat miqësie” me Kosovën flet për një veprim të ndërgjegjshëm përçarës e diferencues midis dy pjesëve më të mëdha të kombit e të qëllimshëm të tij në këmbim të përkrahjes në luftën e tij për pushtet nga ish-komunistët jugosllavë gjë që duket se e konfirmoi publikisht pikërisht në qendër të Shkodrës. Edhe zgjedhja e Shkodrës dhe e Budvës për realizimin e një skenari të tillë duket një veprim simbolik. Pikërisht në këtë hapësirë ka ndodhur Masakra e Tivarit, një nga krimet më të mëdha të bashkëpunimit dhe aleancës së komunistëve shqiptarë e jugosllavë, etër politikë, juridikë e biologjikë të atyre që rikonfirmuan lidhjet dhe aleancën e tyre historike dy ditë më parë në Shkodër. Siç po duket, raportet midis të majtës ish-jugosllave e asaj shqiptare kanë lëvizur pak apo aspak që nga viti 1941 e këtej. Kanë lëvizur e janë transformuar e preshtuar me kushtet e reja të rënies së komunizmit, logot e retorika por jo qëllimet dhe përfitimet reciproke nga kjo lidhje historike që tani i mungon vetëm ylli i përbashkët në flamuj. Sigurisht që koalicioni Rama-Meta nën bekimin ish-jugosllav përbën një problem, por edhe një kërcënim mbarëkombëtar. Samiti ish-komunist shqiptaro-jugosllav i Shkodrës dhe qëllimet e tij kanë pak mundësi t’i shpëtojnë vëmendjes së elektoratit shqiptar megjithëse e medieve në Shqipëri për arsye politike e ideologjike e anashkaluan një fakt të tillë. Ndoshta prania e Tadiçit dhe e ish-jugosllavëve të tjerë në bekimin e bashkimit të majtës shqiptare do të ishte injoruar fare po të mos ishin koleget tanë të Kosovës qe e zbuluan dhe denoncuan publikisht një fakt të tillë. Ky demonstrim i lidhjeve ish-komuniste shqiptaro-jugosllave duhet të jetë edhe një sinjal alarmi për aleatët tanë euroatlantikë që të djegur nga qulli duhet patjetër t’i fryjnë kosit nëse duan të garantojnë kursin euroatlantik të Shqipërisë. Në vitin 1944 ishte “pakujdesia” e tyre që i la shqiptarët dhe territoret e tyre për 50 vjet nën pushtetin gjakatar të aleancës politike e ushtarake sllavo-komuniste për riparimin e pasojave të së cilës kanë paguar e po vazhdojnë të paguajnë shuma të konsiderueshme edhe tani 70 vjet me vonë. Megjithëse nuk besoj tek mundësia e “kalimit, dy herë, të miut nën mustaqe” shpresoj që si ne si popull e komb ashtu edhe partneret tanë ndërkombëtarë ta shikojmë me seriozitet rikthimin e te majtës sonë ish komuniste në këtë sjellje e precedent të rrezikshëm për politiken dhe krejt te ardhmen e shqiptarëve ne Shqipëri e jashtë saj.
Rilindjen e kujt?
Si përfundim, dua të theksoj faktin se aleanca Rama-Meta dhe bekimi ish-jugosllav i saj i dha fund edhe spekulimit publik e mediatik me “Rilindjen” e Edi Ramës. Tani çdo keqkuptim apo keqinterpretim ka marrë fund dhe nuk besoj se ka shqiptar të mos ta ketë kuptuar se çfarë nënkupton dhe tenton të realizojë me projektin politik të pagëzuar me guxim si “Rilindje” nipi i Spiro Kolekës. Siç ka deklaruar vetë Rama, “Rilindja” e tij ka shumë dimensione, por askujt nuk i kishte shkuar mendja që dimensioni i parë i saj do të ishte ky bekim i bashkimit të së majtës ish-komuniste shqiptare nga e majta ish-komuniste jugosllave, një riprodhim i asaj që ka ndodhur 73 vjet më parë. Besoj se për çdo shqiptar që ka vendosur të votojë me mendje në 23 qershor, është e thjeshtë për të shmangur çdo paqartësi për rilindjen dhe autorët e saj gabim.