![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/03/FLOQI-1024x576-1.jpg)
Nga Rafael Floqi/
Tirania e shumicës është një koncept në shkencën politike dhe filozofinë që i referohet situatës në të cilën një grup i shumicës, ose shumica e shoqërisë, i imponon vullnetin e tij pakicës, pa marrë parasysh të drejtat apo interesat e tyre. Kjo mund të ndodhë në demokraci, ku vendimet merren me votë popullore, por mund të ndodhë edhe në forma të tjera qeverisjeje.
“Historia nuk përsëritet, por përsëriten mësimet nga ajo” (2017, 9) është fjalia hapëse e Timothy Snyder në librin Mbi Tiraninë : Njëzet Mësime nga shekulli i njëzetë. Libri ofron një paralajmërim të fuqishëm kundër një qëndrim dorëlëshuar në lidhje me vrullin e demokracisë amerikane por rezonanca e tij është mbarë ndërkombëtare. Libri tregon ai si mund dhe duhet të mësohet nga gabimet e bëra gjatë historisë, pro-parashtron mënyra në të cilat njeriu mund të njohë tiraninë dhe fashizmit dhe komunizmin dhe sqaron mënyrat për të luftuar totalitarizmin në çdo formë.
Ndërsa baballarët e kombit debatonin mbi kushtetutën e Amerikës ata i nxorën mësimet nga historia që ata njihnin, të shqetësuar se demokracia e re që do të ngrinin mund të rrëzohej, ata hulumtuan rënien e demokracive dhe republikave dhe shkarjen në oligarki dhe në perandori. Sepse ata e dinin sesi Aristoteli paralajmëronte që pabarazia sjell jo stabilitet, ndërsa Platoni besonte se demagogët shfrytëzojnë lirinë e fjalës për ta vendosur veten si tiranë.
Nëse baballarët e demokracisë amerikane vëzhgonin historinë e demokracive të tjera për të nxjerrë mësime këto nuk i kanë hyrë në kokë tiranëve tanë të vegjël.
Vendimi i kryeministrit Rama dhe i shumicës parlamentare socialiste për të refuzuar komisionin hetimor McGonigal është qartësisht anti-kushtetues dhe anti-demokratik.
Për justifikuar këtë mediat pranë qeverisë kanë filluar të artikulojnë një arsyetim politiko-historik që përpiqet të mbulojë diellin me shoshë. Ato tashmë argumentojnë se Berisha nuk mund të ankohet sepse ai kur ishte në pushtet i ka refuzuar dy komisione hetimore opozitës së atëhershme socialiste, komisionet për hetimin e Gërdecit dhe për hetimin e 21 Janarit.
“Kemi të bëjmë me një argument pa sens sa në përmbajtje edhe në pasoja për demokracinë. Fakti që Berisha shkeli kushtetutën dje duke i mohuar opozitës socialiste hetimin e korrupsionit qeveritar nuk e bën aspak kushtetues dhe demokratik vendimin e socialistëve sot për ti mohuar komisionin hetimor opozitës demokrate. Një dhunim i kushtetutës dje nuk justifikon dhunimin e saj sot. Përkundrazi, nëse socialistët pranojnë se Berisha dje dhunoi Kushtetutën e Shqipërisë duke u mohuar atyre komisionet hetimore, atëherë ata duhet të pranojnë në mënyrë urgjente ngritjen e komisionit hetimor McGonigal për të mos përsëritur sot të njëjtën shkelje kushtetuese, shkruan në një editorial Blendi Kajsiu .
Mocioni për debat i kësaj të enjte konfirmoi atë që dihej, Rama nuk do të përgjigjet për çështjen McGonigal. Ai u shmang të gjitha dilemave të ngritura në publik, stigmatizoi, fyeu dhe ironizoi madje edhe aktakuzën amerikane ku përmendet plot 14 herë, e lexoi në anglisht dhe jo në shqip. Qëllimi i tij qe i qartë: të mos linte gjurmë dhe të shpërndante vëmendjen. Madje në shërbim të kësaj strategjie ishte edhe prodhimi i një lajmi, sa bombastik aq dhe spekulativ, për një non grata të re, që u përgënjeshtrua menjëherë nga ambasada e SHBA. Në këtë kuptim, ai ndoqi të njëjtën strategji të daljeve në media pa thënë asgjë, të mospranimit për t’u nënshtruar pyetjeve të interpelancës dhe të qëndrimit antikushtetues: nuk dua unë, prandaj s’ka për të pasur kurrë komision hetimor për këtë çështje..
Ne gjendemi sot në një sistem personal kryeministror dhe jo në një republikë parlamentare. Edi Rama e ka projektuar vetën mbi ligjin dhe llogaridhënien. Siç deklaroi dhe vetë në “Opinion”, ai po të dojë nuk shkel në kuvend, ai jep urdhër të mos ngrihet komisioni hetimor, ai nuk do dhe nuk u përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Prandaj është e kotë që këta të fundit të lodhen duke i kërkuar Ramës përgjigje për McGonigalin. Ai nuk do ta bëjë kurë për sa kohë i ka të gjitha në dorë. Ai nuk do të pranojë deri sa ka mundësi komandojë politikisht Lindita Nikollin, ta urdhërojë Taulant Ballën, të mbajë peng një Gjykatë Kushtetuese, ekzistenca e së cilës justifikohet me moszgjidhjen e problemeve.
Të gjithë duhet të kuptojnë se zgjidhja nuk vjen duke detyruar Ramën brenda kornizave të sistemit pervers që ka ndërtuar vetë, por duke punuar për ta shkatërruar atë. Prandaj, objektivi, jo vetëm i opozitës, që vazhdon ti bjerë murit me kokë, por i gjithë shoqërisë, sot, duhet të jetë përmbysja e këtij rendi të gjërave, që i lejon një njeriu të jetë mbi ligjin.
Është një logjikë me pasoja fatale për demokracinë tonë sepse e shkatërron atë duke e “mbrojtur”. Ideja se garancitë kushtetuese dhe liritë politike themelore janë vetëm për engjëjt dhe jo për djajtë politik si Berisha na lë në mëshirë të tiranisë së shumicës. Sidomos në një shoqëri si e jona ku engjëjt në politikë janë kaq të rrallë në raport me djajtë dhe ku dallimin mes tyre e bën vetë shumica. Kjo logjikë mund të shkatërrojë demokracinë duke e mbrojtur atë, pasi ajo mund të përdoret për të justifikuar vendime që nuk janë në interes të të gjithë qytetarëve, por vetëm për një grup të caktuar ose për të qëndruar në pushtet.
Në përgjithësi, tirania e shumicës është një kërcënim serioz për shoqëritë demokratike dhe kërkon vigjilencë dhe përpjekje të vazhdueshme për të parandaluar që ajo të pushojë. Duke mbrojtur të drejtat e pakicave, duke promovuar gjithë përfshirjen dhe duke nxitur një kulturë tolerance dhe respekti, ne mund të krijojmë një shoqëri ku të gjithë kanë një shans të drejtë për t’u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në formësimin e vendimeve që ndikojnë në jetën e tyre.
Dr. Snyder është një profesor i historisë evropiane në Yale. Libri i tij i shkurtër dhe i zymtë detajon metodat që demagogët, përfshirë Adolf Hitlerin dhe Joseph Stalinin. Kërcënimet ndaj demokracisë nuk kanë përfunduar me humbjen e Hitlerit ose me rënien e komunizmit. Njerëzit lehtë mund të shtyhen drejt bindjes; institucionet demokratike janë të parat që shpërbëhen nga një diktator; një parti e vetme politike mund të eliminojë të gjitha të tjerat. Fashistët përçmonin të vërtetat e vogla të ekzistencës së përditshme, i donin parullat që rezonante të emërtuara si një fe e re, dhe preferonin mitet krijuese në vend të historisë apo gazetarisë. Ata përdorën mediat e reja, që në atë kohë ishte radio, e sot social media për të krijuar një zhurmë daulleje e propagandës që ngjallte ndjenja para se njerëzit të kishin kohë për të konstatuar fakte.
Çështja McGonigal ka hedhur edhe një herë në qarkullim tezën se Edi Rama është përgjegjësi kryesor për lëngatën politike të opozitës. Është ky i fundit që, në fillim me Sorosin dhe më pas me FBI-në, e ka varrosur opozitën shqiptare dhe bashkë me të edhe demokracinë. Ndaj “skandali” McGonigal paraqitet mbi të gjitha si provë e asgjësimit të opozitës nga ana e pushtetit nëpërmjet korruptimit të SHBA-ve. Kemi të bëjmë me një konspiracion që ka gjetur një “kokë turku” për të fshehur shkaqet reale të krizës.
Tirania e shumicës është po aq e rrezikshme sa edhe tirania e një diktatori të vetëm “Zëri i shumicës nuk është domosdoshmërisht zëri i së vërtetës”. Shkruante – Friedrich Nietzsche.
Tiranët janë individë që ushtrojnë pushtetin dhe kontrollin mbi të tjerët në një mënyrë të ashpër dhe shtypëse, shpesh pa marrë parasysh pak mirëqenien ose të drejtat e të tjerëve. Ndërsa nuk ka asnjë sjellje të vetme ose përfundimtare që shfaqin të gjithë tiranët, ka disa tipare dhe modele të zakonshme të sjelljes që priren të lidhen me udhëheqësit tiranë
Po marrim tre tipare që shpjegojnë qëndrimin e Ramës për çështjen McGonigal dhe më gjerë Autoritarizmi mënyra se si ai përdori sarkazmin për të mbuluar përgjegjësinë e vet me një Narcisizëm ekstrem, duke besuar se janë superiorë ndaj të tjerëve dhe kanë të drejtë për trajtim dhe privilegje të veçanta dhe Manipulimi, duke përdorur një sërë taktikash si propaganda, mashtrimi dhe frikësimi për të arritur qëllimet e tyre, madje të përcaktojnë se kush është e kush nuk është “ non grata “ edhe kur Ambasada Amerikane e përgënjeshtron. Mos do të thotë kjo se nuk është vetëm një McGonigal.
Në përgjithësi, sjellja e tiranëve karakterizohet nga një dëshirë për pushtet dhe kontroll, mungesë ndjeshmërie për të tjerët dhe gatishmëri për të përdorur çdo mjet të nevojshëm për të arritur qëllimet e tyre.
Kur shumica i imponon vullnetin e saj pakicës pa marrë parasysh të drejtat dhe interesat e tyre, ajo minon vetë themelin e demokracisë, e cila është ndërtuar mbi parimet e barazisë, lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Kjo mund të çojë në një prishje të kohezionit social, rritje të polarizimit dhe madje edhe dhunës. Për më tepër, tirania e shumicës mund të çojë në humbjen e besimit në institucionet dhe proceset demokratike, pasi njerëzit mendojnë se zërat dhe shqetësimet e tyre nuk dëgjohen ose merren seriozisht. Kjo mund të krijojë një rreth vicioz apatie, mosangazhimi dhe cinizmi që minon legjitimitetin dhe efektivitetin e qeverisjes demokratike.
Tirania e shumicës është kërcënimi më i madh për lirinë dhe drejtësinë në çdo demokraci. Por te mos harrojmë atë që thoshte – filozofi egsistencialist Søren Kierkegaard “Pakica është gjithmonë më e fortë se shumica, sepse pakica në përgjithësi formohet nga ata që kanë vërtet një mendim”.