Kryeministri Edi Rama, duke folur në ceremoninë e hapjes së Zyrës së re të Punës në qytetin e Kavajës, tha sot se “punëdhënësi më i madh është sipërmarrja private, ndaj dhe prioriteti kryesor i Qeverisë, rritja e punësimit, është domosdoshmërisht e lidhur me krijimin e kushteve dhe nxitjen e zhvillimit të kësaj sipërmarrjeje”. Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishëm dhe me efekte pozitive të ndërsjellta, bashkëpunimin e Zyrës Kombëtare të Punësimit dhe atyre rajonale me biznesin privat. Ndërsa përsëriti angazhimin e qeverisë, tashmë drejt legalizimit të plotë, paketën fiskave me masa lehtësuese për industrinë fasone, Kryeministri bëri të ditur se shumë shpejt, në afërsi të qytetit të Kavajës do të ndërtohet një zonë industriale, në përbërje të së cilës do të ngrihen kapanone në shërbim të zhvillimit të industrisë fasone, çka, sipas tij, do të krijojë mundësinë për punësim të mijëra grave dhe vajzave të këtij qyteti. Rama solli të konkretizuar me shifra suksesin e zyrave të reja të punës në muajin e parë të vitit. “Në vetëm një muaj tre zyra të sapoçelura kanë ndërmjetësuar dhe kanë mundësuar punësimin e 1055 personave, ndërkohë që gjithë rrjeti kombëtar i punësimit në Shqipëri vitin e kaluar, ka arritur të punësojë vetëm 600 vetë”, tha Rama. Sipas tij, 2855 gra dhe vajza të qytetit të Kavajës, të regjistruara si punëkërkuese, do të mund të punësohen nëpëmjet kooperimit të zyrës së punës me nevojat për kapitale njerëzore të sipërmarrjes.