


Endrit Himaj/
Muaji i Ramazanit është muaj i mëshirës, i afrimit me Zotin dhe i afrimit mes njerëzve. Një nga momentet më të bukura të këtij muaji është iftari, momenti kur familjet dhe komunitetet mblidhen së bashku për të ndarë ushqimin, mirënjohjen dhe dashurinë për njëri-tjetrin.
Iftaret ndërfetare (Interfaith Iftar) kanë një vlerë të veçantë sepse bashkojnë njerëz nga fe dhe kultura të ndryshme në një tryezë të përbashkët. Ato krijojnë mundësi për dialog, mirëkuptim dhe respekt reciprok, duke treguar se vlerat e besimit si paqja, mëshira dhe drejtësia janë të përbashkëta për të gjithë.
Allahu thotë në Kuran:
“O njerëz! Ne ju krijuam nga një mashkull dhe një femër dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin.” (49:13)
Për ne shqiptarët, kjo frymë ka edhe një domethënie të veçantë. Tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare janë vlera që i kemi trashëguar brez pas brezi. Në historinë tonë, myslimanë, të krishterë dhe besimtarë të tjerë kanë jetuar gjithmonë pranë njëri-tjetrit me respekt dhe dashuri. Tryeza shqiptare ka qenë gjithmonë e hapur për mikun, pa pyetur për përkatësinë fetare.
Prandaj, iftaret e komunitetit tonë nuk janë vetëm një vakt i përbashkët, por edhe një pasqyrim i kësaj tradite të bukur shqiptare: mikpritje, respekt dhe bashkim. Kur ndajmë iftarin me të tjerët, ne ndajmë jo vetëm ushqimin, por edhe vlerat tona – besimin, bujarinë dhe dëshirën për të jetuar në paqe me të gjithë.
Kështu, tryeza e iftarit bëhet një urë që lidh zemrat dhe një dëshmi se feja dhe tradita jonë na mësojnë të jemi më pranë njëri-tjetrit dhe të punojmë së bashku për të mirën e komunitetit dhe shoqërisë.