Dr. Elmi Berisha*/
I nderuar Kryeministër, komandant emblematik i UÇK-së, njeri i qëndresës, sakrificës dhe burrështetas i shtetndërtimit,
Deputet Besnik Tahiri,
Të dashur bashkëkombas,
Zonja dhe zotërinjë,
Më lejoni që në emrin tim dhe të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” t’i dëshiroj një mirëseardhje të ngrohtë dhe të veçantë një personaliteti të shquar, një figure emblematike të lirisë dhe qëndresës së shqiptarëve – ish Kryeministrit dhe ish Komandantit Emblematik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zotit Ramush Haradinaj.
Sot ne nderojmë një njeri që përfaqëson frymën e rezistencës dhe të dinjitetit kombëtar. Një luftëtar i përkushtuar që sfidoi padrejtësitë më të mëdha, një udhëheqës që qëndroi i palëkundur në përballjen me vuajtjet dhe vështirësitë më të mëdha për lirinë e Kosovës.
Zoti Haradinaj është një simbol i qëndresës dhe një shembull i pashuar i sakrificës për atdheun. Me guximin e tij të pashoq dhe përkushtimin e tij të pakushtëzuar, ai ka treguar se çfarë do të thotë të qëndrosh besnik ndaj idealeve kombëtare dhe të mos përkulesh kurrë përballë sfidave. Ai ka qenë gjithmonë aty, në radhët e para të betejës për liri, duke i udhëhequr me krenari dhe vendosmëri të gjithë ata që kërkuan drejtësi, liri dhe pavarësi.
Ramush Haradinaj është një nga burrështetasit që me vendosmëri punoj pandalshëm në etapat sfiduese të shtetndërtimit, që Kosova jonë e shënjtë të forcohet, zhvillohet, dhe të zëj vendin me krenari si demokraci e konsoliduar bashkë me kombet dhe vendet e tjera në strukturat euro-atlantike.
Zoti Haradinaj është mik i “VATRËS”, bashkë me deputetin parimor dhe unifikues, mikun tim dhe të “VATRËS” z. Besnik Tahiri janë binom i kujdesit dhe respektit që kanë për trungun shqiptar në SHBA.
Zoti Haradinaj,
Sot “VATRA” si kurrë më parë është në një dinamikë të shtuar të angazhimeve për cështjen shqiptare. Duke e ditur se jemi në kohë sfiduese të krizave globale dhe jostabilitetit në Ballkanin Perëndimor, ne kemi ndërtuar relacione të ngushta komunikimi dhe koordinimi me qendrat kryesore vendimmarrëse në Vashington filluar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, Senati dhe Kongresi si dhe qarqe të tjera që kanë impakt në avansimin e cështjes shqiptare në përgjithësi, Kosovës dhe trojeve etnike në vecanti. Në vizitat e mia të fundit ne viset shqiptare, kam takuar të gjithë përfaqësuesit tonë politik dhe institucional, kemi partneritet me dy Parlamentet relevante në Tiranë dhe Prishtinë, jemi në komunikim të përhershëm edhe me Shkupin, Preshevën, Ulqinin e Tuzin në mënyrë që të shtyjmë përpara kauzat, agjendat dhe interesat tona kombëtare në Vashington.
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” me të gjitha potencialet e veta është e përkushtuar që të mbështes shtetin e Kosovës në të gjitha fushat. Kohëve të fundit kemi intensifikuar kontaktet dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet e shtetit mik amerikan si aleati dhe garantuesi kryesor por edhe partneri strategjik i progresit të gjithmbarshëm të Kosovës drejt antarësimit në NATO dhe integrimet euro-atlantike.
Ju faleminderit,
Z. Haradinaj.
*Fjala e kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha në nderimin që Vatra i bëri z.Ramush Haradinaj.