Menduam se u rrëzua më 1990…..….Por u ringjallë më 2013/
Nga Frank Shkreli/
Thonë se është pjesë e historisë, andaj si i tillë duhet të respektohet, madje edhe në ceremoni zyrtare, siç ndodhi me vendosjen e portretit të diktatorit komunist shqiptar, siç duket në fotografi, pas kryeministrit, në ceremoninë zyrtare të përkujtimit të 29 Nëntorit. Në vend që Enver Hoxha dhe regjimi i tij gjakatar të akuzohen për krime politike dhe abuzime ndaj popullit të vet, portreti i Enver Hoxhës, i cili që konsiderohet si njëri prej diktatorëve më të mëdhej të Europës dhe të botës shpaloset, për herë të parë pas rënjes së komunizmit në Shqipëri, gjatë një ceremonie të sanksionuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare.
Nuk duhej të ndodhte një gjë e tillë! Pse ndodhi këjo, kush e vendosi dhe kush e miratoi praninë e portretit të diktatorit? Asnjë njëri nuk ka dhënë ndonjë përgjigje zyrtare, as qeveria as ndonjë zëdhënës i saj. Por analistë kanë mbrojtur këtë masë, duke komentuar aty këtu se pse mos të vendoset portreti i Enver Hoxhës, pasi ai është pjesë e historisë shqiptare dhe si i tillë porteti i tij e ka vendin dhe meriton të vendoset në një ceremoni shtetërore siç ishte ajo e 29 Nëntorit.
Fatkeqsisht, është e vërtetë se Enver Hoxha është pjesë e historisë shqiptare, por ky fakt nuk justifikon glorifikimin e tij duke ngritur portretin e tij gjatë një ceremonie që synonte nderimin dhe kujtimin e sakrificave të dëshmorëve të kombit. Unë nuk sugjeroj që Enver Hoxha të fshihet nga historia. Përkundrazi, ai është pjesë e historisë, andaj si pjesë e historisë që ai është, Enver Hoxha nuk duhet të harrohet kurrë por të kujtohet si njëri prej diktatorëve më të njohur të botës për tmerret dhe krimet e regjimit të tij kundër një popullësie të pafajshme. Historia shqiptare nuk e zgjodhi atë. Ai iu imponua historisë shqiptare nga agjentët sllavo-komunistë. Këtë gjë nuk e meritonte kombi shqiptar, dhe as historia shqiptare nuk e meritonte Enver Hoxhën. Për më tepër, as Shqipëria e sotëme nuk e meriton portretin e tij. Enver Hoxha duhet të mbahet mend si dishepulli më i devotshëm i Stalinit, diktatorit, i cili vrau e preu, burgosi dhe dërgoi miliona njerëz të pafajshëm në kampet e përqëndrimit duke krijuar një gjenocid të vërtetë në ish Bashkimin Sovjetik dhe në Europën Lindore, njësoj si Hitleri, mos më shumë. Enver Hoxha vrau e internoi me mijëra familje shqiptare, që nuk ishin dakort me sistemin e komunist që ai i imponoi vendit dhe kombit, por ai njëkohësisht spastroi me dhunë edhe radhët e Partisë Komuniste, disa nga më të afërmit e tij ideologjikisht, përfshirë edhe zhdukjen e ajkës intelektuale të vendit, të kohës së tij. Është e vërtetë se ai nuk vrau e preu sa Hitleri dhe Stalini, jo se nuk ishte i aftë moralisht të bënte një gjë të tillë, por sepse nuk kishte as miliona shqiptarë për të vrarë dhe as hapësirën gjeografike për të bërë krime të tilla, jo se nuk kishte vullnetin dhe dëshirën për të zhdukur ata që ai i konsideronte armiqë të tij dhe të sistemit komunist që ai përfaqsonte, qofshin qenë ata edhe me miliona në numër.
Krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij komunist duhet të jenë patjetër pjesë e historisë, ashtu siç janë krimet e nazismit, komunizmit dhe krimet e të gjithë diktatorëve anë e mbanë botës, me qëllim që ato regjime dhe krimet e tyre kundër njerëzimit, të mbahen mend për personifikimin e vërtetë të natyrës së të keqes dhe që krimet e tyre të mos harrohen kurrë nga brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm. Enver Hoxha dhe regjimi i tij duhet të kujtohen në histori për aleancat e tija ideologjike me armiqët, historikisht, më të mëdhej të kombit shqiptar, të cilët nuk ia donin të mirën shqiptarëve as atëherë as sot, duke filluar nga lidhjet e ngushta të Enver Hoxhës dhe të komunistëve shqiptarë me sllavo-komunistët e Titos, të cilët në të vërtetë e krijuan Partinë Komuniste Shqiptare, këtë pjellë të huaj sllavo-aziatike. Pastaj, historia duhet t’i njohë Enver Hoxhës ”meritën” e madhe fatzezë për kombin shqiptar, edhe për lidhjet e tija të ngushta me diktatorët më të egër që ka njohur shekulli i kaluar: lidhjet e tija me Stalinin dhe eventualisht aleancën me Mao tse Tungun e Kinës së kuqe që, si rrjedhim, çoi një spastrim të kulturës dhe traditave shekullore shqiptare, përfshirë edhe zhdukjen e të drejtës për të ushtruar lirshëm besimin, ndërkohë që mori vendimin absurd duke shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë. Më në fund, ai u prish me të gjithë këta ndonëse të gjithë ata i kishin parë gënjeshtrat e sistemit të tyre, dhe të cilët sipas Enverit kishin devijuar nga rruga e drejtë e marksizëm leninizmit dhe e deklaron veten si i vetmi marksist leninist i vërtetë në botë.
Aty nga fillimi i 70-ave, Enverit nuk i kishte mbetur mik në tokë, iu shuanë flakët e revolucionit ndërkombëtar, u ndërprenë aleancat ideologjike dhe mbeti i vetëm duke ushtruar, në emër të “komunizmit të vërtetë” shtypje e mizori mbi popullin shqiptar pa kurrfarë ndëshkimi nga askush. Me fjalimet e tija ai sugjeronte se ishte një zë i diskredituar — brenda dhe jashtë vendit — që i fliste vetvetes në errësirën shpirtërore dhe morale që kishte kapluar jo vetëm atë personalisht dhe regjimin e tij, por fatkeqsisht edhe të gjithë Shqipërinë. Si burrë shteti që ishte, ai fliste haptasi për përdorimin e dhunës për të likuiduar armiqtë e modelit të tij komunist, sidomos brenda vendit, gjë që e realizoi me shumë sukses dhe i shpalli luftë të gjithë botës. Realiteti ishte Enveri kudo, kurdoherë dhe për gjithmonë.
Enver Hoxha duhet të jetë pjesë e historisë shqiptare, jo për tu venë në piedestal, por për tu studjuar nga hostorianët e pa-anshëm me qëllim për të zbuluar të vërtetën e mizorive të regjimit të tij. Sa familje shqiptare të ashtuquajtura “të prekura” njohim secili prej nesh, që në një mënyrë ose në një tjetër, vuajnë edhe sot e kësaj dite, brez pas brezi, pasojat e atij sistemi, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Enver Hoxha dhe regjimi tij duhet të njihen dhe të studjohen nga historia me qëllim që krimet e tij kundër njerëzimit të zbulohen dhe të dokumentohen me shpresë që të mos përsëritën më. Shpalosja e portretit të Enver Hoxhës në atë tubim zyrtar në Tiranë ishte një shuplakë ndaj viktimave të komunizmit dhe familjeve të tyre në Shqipëri dhe kudo të përhapur nepër botë. Ishte një glorifikim dhe justifikim i paturpshëm i krimeve të regjimit të Hoxhës.
Në vend që Tirana zyrtare të riabilitojë figurën e Enver Hoxhës, të hapë dosjet që shqiptarët dhe bota të shohin krimet e regjimit të tij! Për ndryshe, siç ka thënë edhe fituesi i Çmimit Nobel, Elie Wiezel, “Cila është alternativa? Për të mos thënë të vërtetën? Të lejohet që e vërteta të zhduket? Të lejohet që e vërteta të zhduket së bashku me viktimat?” Siç duket, ky ishte qëllimi i atyre që shpalosën portretin e Enver Hoxhës më 29 Nëntor. Shpalosja e portretit të Enver Hoxhës më 29 Nëntor ishte në të vërtetë një kurorëzim i mos veprimit të politikës shqiptare të këtyre 20-viteve të kaluara, e cila ka refuzuar të hap dosjet, ka heshtur ose aktivisht ka mohuar dhe përgnjeshtruar të vërtetën mbi krimet e regjimit të Enver Hoxhës si dhe të vërtetën mbi vrasjet dhe zhdukjen e mijërave viktimave të këtij regjimi, fati as varrezat e të cilëve nuk dihen as sot.
Megjithëse fjala gjenocid qe përdorur fillimisht për krimet që kanë ndodhur në kampet naziste të përqëndrimit për të përshkruar masakrat naziste dhe Gulagun komunist sovjetik, përcaktimi i kësaj fjale i referohet edhe akteve që regjime të ndryshme komuniste, përfshirë regjimin enverist, kanë ndërmarrë gjatë qeverisjes së tyre, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ”Me qëllim për të zhdukur pjesërisht ose në terësi, një grup nacional, etnik, racial ose fetar”, e që sipas OKB-së përfshinë edhe dëmet mendore dhe kufizimet e ndryshme ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Quaje si të duash, luftë klasash ose gjenocid, këjo ësht historia e komunizmit jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë. Andaj, Enver Hoxha si përfaqsuesi kryesor i këtij regjimi, do e s’do, është pjesë e kësaj historie të tmerrshme të kombit shqiptar, por këjo nuk justifikon që portreti i diktatorit Hoxha të shpaloset gjatë një ceremonie zyrtare, të sponsorizuar nga qeveria e sotëme shqiptare, për herë të parë të këtyre 20 e sa vjet pas rënjes së komunizmit. Duke gjykuar nga heshtja zyrtare e Tiranës, duket se vendimi për ngritjen e portretit të Enverit është marrë me aprovimin e plotë të udhëheqjes më të lartë të qeverisë shqiptare.
Ke donte të kënaqte qeveria duke lejuar një spektakël të tillë më 29 Nëntor? Është për tu habitur për arrogancën e heshtjes që pasoi këtë vendim, megjith kërkesat nga organizata të përndjekurish dhe nga media për një shpjegim zyrtar të shpalosje ssë portretit të diktatorit. Askush nuk ndjenë asnjë përgjegjësi për të shpjeguar arsyet e marrjes së vendimit për vendosjen e portretit të dikatorit në një ceremoni të tillë dhe në një vend publik, për herë të parë në dy dekadat e fundit të Shqipërisë post-komuniste. Me këtë heshtje, pa-përgjegjësia institucionale ka arritur kulmin!
Ndryshe nga Kuvendi i Shqipërisë, Parlamenti europian ka miratuar një numër rezolutash dhe deklaratash për të kujtuar dhe nderuar viktimat e komunizmit dhe ka caktuar 23 Gushtin si ditën për të kujtuar me, “dinjitet dhe pa-anëshmëri”, të gjitha viktimat e regjimeve totalitare dhe autoritare. Për ata që mund të kenë harruar natyrën e vërtetë të komunizmit, Komisionerja për Drejtësi e Bashkimit Europian, Viviane Reding ka thënë se, “Regjimet totalitare përfaqësojnë mohimin e dinjitetit njerëzor si dhe shkeljen e të gjitha të drejtave themelore të shoqërive tona, të ndërtuara në bazë të demokracisë dhe të respektit për rendin dhe ligjin. Ne jemi të detyruar që viktimave të këtyre krimeve, si dhe familjeve të tyre t’u ofrojmë simpatinë, mirëkuptimin dhe të jemi të vetdijshëm dhe të ndërgjegjëshëm ndaj vuajtjeve të tyre. Çdo viktimë e cilit do regjim totalitar ka të njëjtin dinjitet njerëzor dhe si e tillë meriton prej nesh drejtësi, kujtesë dhe njohje të vuajtjeve të tyre”.Të nderuar pushtetarë të qeverisë dhe të Kuvendit shqiptar: Ju e shpalosët zyrtarisht portretin e Enver Hoxhës, po kur do të kujtoni dhe të “nderoni me pa-anëshmëri” edhe viktimat e pafajshme të regjimit të tij?
Menduam se u rrëzua më 1990…..….Por u ringjallë më 2013
Sali Bollati says
Intelektuali I mirenjohur Atdhetar me shume te drejte denon aktin e shemtuar. Vecse nje gje duhet te mbetet e qarte: megjithese nje pjese e politikaneve te Tiranes “krenohen” dhe e mbajne vehten “per te djathte”, ata mbeten nxenesa dhe vazhduesa te enverizmit ne Shqiperi
Me ligjin e e famshem 7501, ata vazhduan enverizmin kunder prones private duke e bere katraure pronen per te penguar investimet.
Dhe asnjehere nuk e denuan ANTISHQIPTARIZMEN ENVERIANE??!
Si mundet qe ende sot enveri te “gezoi” dy tituj si hero kombetar??Rama e tregon qe eshte enverist, po Berisha pse fshihet mbrapa antienverizmit??!
Frank Shkreli says
I nderuar, Z. Bollati, falenderimet e mia per komentin dhe respektin tuaj. Jam plotesisht dakort me ju se gjate 20-viteve te kaluara asnje prej qeverive nuk kan bere asgje per te mbeshtetur klasen e shtypur dhe viktimat e komunizmit, perfshire ceshtjen e prones. Une kete e kam theksuar disa here edhe ne shkrime te meparshme. Nuk mungova as kesaj here, ta theksoj kete, sic mund te vini re me larte, ku them se, “Shpalosja e portretit të Enver Hoxhës më 29 Nëntor ishte në të vërtetë një kurorëzim i mos veprimit të politikës shqiptare të këtyre 20-viteve të kaluara, e cila ka refuzuar të hap dosjet, ka heshtur ose aktivisht ka mohuar dhe përgnjeshtruar të vërtetën mbi krimet e regjimit të Enver Hoxhës si dhe të vërtetën mbi vrasjet dhe zhdukjen e mijërave viktimave të këtij regjimi, fati as varrezat e të cilëve nuk dihen as sot.”
Fatkeqsisht,fjalet tona bien ne veshe te shurdhet, por kejo nuk do na demoralizoi dhe keto ceshtje duhet te terheqin vemendjen e Tiranes zyrtare dhe te cdo shqiptari, pasi nuk besoj se mund te kete zhvillim normal te shoqerise pa zgjidhjen e drejte dhe reivendosjen e te drejtave ndaj viktimave te komuniymit, perfshire edhe pronen.
Me respekt, Frank Shkreli