Nicholas C. Pano*
Historian/
Në këtë vëllim të dytë të biografisë së tij autoritative për Fan Nolin, Ilir Ikonomi përqendrohet në jetën dhe veprimtarinë e Nolit gjatë viteve 192024. Vendndodhja kryesore e veprimtarisë së Nolit gjatë kësaj periudhe zhvendoset, nga komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara, në Shqipëri dhe Evropë. Këto vite do të shënonin zenitin në atë që mund të quhet faza publike e jetës dhe karrierës së Nolit. Siç dokumentohet nga autori në vëllimin e parë të kësaj vepre, Noli ishte shfaqur në vitin 1920 si personaliteti dominues i komunitetit shqiptaroamerikan. Udhëtimet e tij në Shqipëri dhe kolonitë shqiptare në Evropë, midis viteve 1911 dhe 1915, kishin afirmuar më tej kredencialet e tij si patriot dhe veprimtar. Fama e tij, brenda asaj që mund të quhej bota shqiptare, i atribuohej roleve drejtuese që ai kishte luajtur në themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë (1908), të gazetës Dielli (1909) dhe të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra (1912).
Të gjitha këto subjekte, si përfaqësuese të rëndësishme dhe praktike të nacionalizmit shqiptar, e kishin nxjerrë komunitetin shqiptaro-amerikan në ballë të kësaj lëvizjeje. Fama që fitoi emri i Nolit i detyrohej gamës së gjerë të kontributeve të tij si klerik, autor, lobist, orator dhe organizator në çështjen kombëtare shqiptare. Diploma që mori në Harvard, i kishte shërbyer atij më së miri kur u bë zëri që fliste në emër të Shqipërisë, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe jashtë saj. Faza e karrierës së Nolit në Shqipëri erdhi pas vendimit të Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës, me miratimin dhe mbështetjen financiare të Vatrës, për të inkurajuar krijimin e një kishe ortodokse autoqefale shqiptare në atdhe që do t’u kundërvihej mëtimeve greke se të gjithë të krishterët ortodoksë shqiptarë ishin grekë dhe se territoret ku ata banonin ishin pjesë e Greqisë. Me qëllim që të çoheshin përpara përpjekjet e reja për formimin e një kishe kombëtare shqiptare, Noli së bashku me etërit Vangjel Çamçe dhe Vasil Marko u nisën për në Shqipëri në korrik 1920. Dy priftërinjtë u lejuan, ndërsa Nolit iu mohua hyrja në Shqipëri, siç duket për shkak të shqetësimeve se dorëzimi i tij peshkop në korrik 1919 nuk ishte bërë sipas rregullave të kishës dhe se ardhja e tij mund të kishte një ndikim politik përçarës brenda vendit.
Noli mbeti në Evropë dhe, në nëntor 1920, atij iu kërkua të kryesonte delegacionin shqiptar në Lidhjen e Kombeve për të argumentuar nevojën e pranimit të Shqipërisë në atë organizatë. Siç tregon autori, aftësitë diplomatike të Nolit luajtën rol thelbësor për të arritur mbështetjen e duhur që çoi në votimin e njëzëshëm për pranimin e Shqipërisë në Lidhje, më 17 dhjetor 1920. Noli shpesh do të vinte në dukje se ai i konsideronte përpjekjet e tij që çuan në pranimin e Shqipërisë në Lidhje si arritjen më të rëndësishme të karrierës së tij publike. Misioni i suksesshëm i Nolit në Gjenevë shërbeu për të rritur popullaritetin e tij në Shqipëri. Më pas, atij do t’i kërkohej të përfaqësonte Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve edhe për çështje të tjera që lidheshin me vendin.
Në prill 1921, Noli u emërua nga Vatra për të zënë vendin si deputet në Këshillin Kombëtar, siç njihej atëherë Kuvendi i Shqipërisë, vend që i ishte dhënë në shenjë mirënjohjeje për shërbimin e vyer që i kishte bërë Shqipërisë dhe popullit të saj. Ky ishte fillimi i përfshirjes intensive të Nolit në politikën shqiptare. Ai do të bëhej një lojtar kryesor në këtë arenë midis viteve 1921-24. Vitet 1920-24 janë ndër periudhat më komplekse dhe më të turbullta të historisë shqiptare. Gjatë këtij pesëvjeçari u bënë dymbëdhjetë ndryshime qeverish me nëntë kryeministra të ndryshëm. Kabineti i Nolit (qershordhjetor 1924) ishte i fundit prej tyre. Për fat të mirë, Ilir Ikonomi na sjell një rrëfim të besueshëm dhe të shkathët për të kuptuar politikën dhe personalitetet e asaj kohe të trazuar. Qeveria jetëshkurtër e Nolit ishte e dënuar të dështonte për një mori arsyesh që autori i trajton në libër. Ato variojnë, nga mungesa e unitetit brenda lidershipit të koalicionit qeverisës dhe mbështetësve të tij, pamundësia për të marrë fonde aq të nevojshme nga jashtë, mungesa e gatishmërisë së qeverive të huaja për të njohur qeverinë revolucionare, e cila nuk u përpoq të legjitimonte statusin e saj në kohën e duhur, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik, e deri te mungesat e gjata të Nolit nga Shqipëria dhe shpallja e parakohshme e programit të tij të reformës prej 20 pikash, që rriti në mënyrë jorealiste pritshmëritë e ndjekësve dhe i shtoi më tej radhët e kundërshtarëve.
Ndonëse Noli ishte i fokusuar kryesisht në politikë dhe diplomaci mes viteve 1921-23, ai vazhdoi të inkurajonte nismën për krijimin e një kishe autoqefale. Në një nivel më personal, çështja e mundimshme e konsakrimit të parregullt të Nolit si peshkop do të zgjidhej me dorëzimin e tij kanonik, më 4 dhjetor 1923. Megjithatë, ai zhgënjeu disa nga rivalët e tij politikë, të cilët shpresonin se peshkopi tani do ta braktiste politikën për hir të fesë. Ndërsa hynte në fazën politike të karrierës, Noli kishte arritur të përfundonte dhe botonte, në vitin 1921, biografinë mjaft të lexuar në shqip për Skënderbeun, e cila kishte për qëllim të rriste krenarinë dhe ndërgjegjen kombëtare të bashkatdhetarëve. Edhe pse kjo nuk ishte një periudhë produktive, përsa i përket prodhimtarisë letrare të Nolit, ajo u bë e tillë në aspektin e oratorisë së tij. Për këtë arsye, autori ka përfshirë në libër tekstet e tre kryeveprave oratorike të Nolit, të mbajtura gjatë viteve 1923 dhe 1924.
Më i famshmi prej tyre është f jalimi i Nolit në Lidhjen e Kombeve, më 10 shtator 1924, ku ai kërkoi ndihmë ekonomike për Shqipërinë nga kjo organizatë. Fjalimi është një perlë retorike që u prit mirë nga shumë njerëz në sallën e Asamblesë dhe nga pjesa më e madhe e shtypit evropian dhe amerikan të kohës. Fatkeqësisht, Lidhja nuk ishte në gjendje të jepte apo garantonte një hua për Shqipërinë. Tonet e sarkazmës e të arrogancës që përshkonin f jalimin, si dhe tallja me Lidhjen e me sistemin parlamentar, ofendoi disa udhëheqës politikë evropianë dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptaroamerikan, duke përfshirë Faik Konicën. Me rënien e regjimit të Nolit, flirti i shkurtër i Shqipërisë me demokracinë përfaqësuese do të merrte fund. Vendi do të merrte formën e një republike autoritare. Me largimin e tij, ndikimi i jashtëzakonshëm i komunitetit shqiptaroamerikan në vendin amë do të fillonte të venitej.
Pas rënies së qeverisë së Nolit, një numër ndjekësish të tij radikalë do të shkonin në Bashkimin Sovjetik, ku do të formonin Grupin Komunist Shqiptar dhe, pas stërvitjes e indoktrinimit, do të dërgoheshin në Shqipëri ose në komunitetet shqiptare të Evropës për të organizuar celula apo grupe komuniste. Me ikjen nga Shqipëria, në dhjetor 1924, Noli do të jetonte në mërgim, kryesisht në Austri dhe Gjermani, ku do të lidhej me disa organizata të f inancuara nga Kominterni, midis viteve 1925-29. Pas kësaj, ai ndërpreu lidhjet me këto grupe dhe shpalli tërheqjen nga politika si dhe dëshirën për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara. Por këta kapituj të jetës së Nolit do të jenë ndër temat që do të trajtohen në vëllimin tjetër të këtij rrëfimi të jetës së Nolit, të shkruar e të dokumentuar më së miri dhe me nuancat e duhura, një ndërthurje mjeshtërore e biografisë me historinë.
*Parathënie mbi librin “Rebeli” vëllimi i dytë i biografisë së Ilir Ikonomit kushtuar Fan Nolit.