Sokol Paja/
“Rebeli” i Ilir Ikonomit na njeh imtësisht me Shqipërinë, politikën shqiptare, institucionet dhe shqiptarët në vitet 1920-1924. Këto katër vite janë me luhatje të vrullshme të cilat shkaktojnë stuhi politike të panjohura më parë në Shqipëri që nga shpallja e Pavarësisë. Monografia e z.Ikonomi skanon dhe na jep detaje historike me veprimtarinë e gjërë politike, diplomatike si dhe fetare e kulturore të Imzot Fan Nolit. Udhëtimi i tij që nga Amerika e largët dhe ardhja në Shqipëri më 8 prill 1921 në një terren me një larmishmëri politike, konjuktura dhe përplasje brenda dhe jashtë partie pëshkruhet me detaje në libër, deri në momentin e largimit përfundimtar nga Shqipëria më 26 dhjetor 1924. “Rebeli” si dëshmi historike, mjeshtrisht hedh dritë, trajton me detaje dhe skicon figura politike e atdhetare që dominuan dhe tronditën skenën politike shqiptare 1920-1924.
Libri përshkruan udhëtimet e Nolit nëpër Evropë dhe ecejaket për të zbritur në territorin shqiptar dhe pengesat e shtetit shqiptar me preteksin se cënonte marrëdhëniet me Greqinë. Studiuesi Ilir Ikonomi përmes “Rebelit” na sjell një rrëfim të jetës së Peshkop Nolit ku çështja e autoqefalisë së Kishës Ortodokse dhe zhvillimi i saj ishte një paralele që shoqëroi Nolin klerik e politikan gjatë gjithë rrugëtimit të tij diplomatiko – politik. Autori Ikonomi referohet në burimet arkivore kryesisht të huaja si: raportet e ministrit amerikan Grant-Smith, atij britanik Harry Eyres; francezit Jean Béguin Billecocq si dhe të shumë diplomatëve perëndimorë.
Është interesante sesi gazeta Dielli e shihte Nolin si shpëtimtarin e Shqipërisë, teksa libri citon nga një artikull ku thuhet se tek ai “Shqipëria do të gjejë udhëheqësin që i duhet sot, këshilltarin e vërtetë, njeriun që do ta nxjerrë nga baltovinat e sotme në rrugën e drejtë, në udhën e përparimit”.
Noli u fut në Parlamentin shqiptar që quhej Këshilli Kombëtar si deputet i Vatrës dhe Sotir Peci për shkak të marrëdhënies së komplikuar me Nolin më herët te gazeta Kombi në Boston, tentonte ta mbante larg Nolin nga Shqipëria duke i ofruar pozita të larta shtetërore jashtë Shqipërisë. Në libër përshkruhen anëtarët e Parlamentit Shqiptar ku “Shumë prej deputetëve mbanin fezin e bardhë ose të zi, trashëgim nga Turqia; të tjerë e kishin kokën zbuluar. Hoxha Kadri mbante një fez të kuq me turban të bardhë sipër. Noli kishte ardhur me veshje civile, mjekrën e kishte të gjatë, ndërsa kapela me strehë e bënte të dukej si klerik hebre”.
Maturia dhe diplomacia e shkëlqyer e Nolit në Lidhjen e Kombeve, diskursi kundër Jugosllavisë e Greqisë, me një oratori dhe elokuencë të shkëlqyer, jo vetëm tërhoqi vemëndjen e opinionit publik ndërkombëtar si dhe të mediave por dhe lartësoi imazhin e Shqipërisë në Perëndim. Noli paraqitet te “Rebeli” si një atdhetar i madh, poliglot me njohuri të disa gjuhëve të huaja, i ditur, i zgjuar, i aftë të përdorte një retorikë brilante në takimet e tij publike qoftë brënda apo jashtë vendit. Po ashtu ky libër përshkruan fushatën e mbledhjes së fondeve nga shqiptarët e Amerikës veçanërisht nga Vatra e njohur në opinionin publik si “Huaja kombëtare” e Vatrës për shpëtimin e shtetit shqiptar.
Libri na njeh dhe me ankesën e Kostë Çekrezit dhe padinë e avokati Arthur Baldwin në Departamentit amerikan të Shtetit se zgjedhja e Fan Nolit deputet nga Vatra cënonte interesat amerikane. “Rebeli” pasqyron në detaje intrigat e politikës së Tiranës gjatë viteve 1920-24 që rrëzojnë qeveritë e njëpasnjëshme në Tiranën e brishtitë politike, institucionale, ekonomike dhe kulturore. Interesante në studimin “Rebeli” paraqitet elita intelektuale e diasporës në Amerikë në angazhim dhe veprimtari plitike pjesëmarrëse aktive ku Federata Vatra luante rol të veçantë. Fan Noli shfaqet në libër si një njeri i rrethuar nga xhelozë dhe intrigantë, shpifës, mashtrues, ambicjozë, të etur për pushtet dhe ego personale për të përmbushur qëllimet dhe përfitimet personale.
Me veprimtarinë dhe suksesin e tij në Lidhjen e Kombeve pa frikë mund të thuhet se Fan Noli ka qenë Ministri i Jashtëm më i suksesshëm që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Ai ishte një kalibër i veçantë intelektual, diplomatik e kulturor. Studimi “Rebeli” paraqet figurën trimërore dhe burrërore të Elez Isufit, rebelimet e Gjon Markagjonit, Bajram Currit kundër qeverisë dhe nxjerrë në pah njeriun energjik, të fortë e të mprehtë, Ahmet Zogun, i gatshëm për të shtypur kryengritjet e rebelimet kundër tij.
Studimi “Rebeli” na njeh me veprimtarinë e grupimeve politike në skenën shtetërore e parlamentare të Tiranës si: Bashkimi i Shenjtë, Partia Popullore, Partia Përparimtare, Partia Indipendente, Partia Liberale, Ahmedistja, Klika etj. Tirana paraqitet në libër si një fushëbetejë përplasjesh, përleshjesh, vrasjesh e lufte të tmerrshme politike. Rrëfimet të rrënqethin me panorama kryengritjesh, “revolucionesh”, rebelimesh të armatosura, përleshje e vëllavrasje, ekzekutime me varje në publik etj.
Përmes “Rebelit” mësojmë se Federata Vatra ndihmoi opozitën e Fan Nolit dhe themeloi në Shqipëri gazetën “Shqiptari i Amerikës” në Korçë më 21 tetor 1922, e drejtuar nga Hasan Bitincka. Faik Konica i dha një dorë të fortë Nolit nëpërmjet kritikave të ashpra në gazetën Dielli në Boston duke e quajtur qeverinë “Sodoma e Re”, deputetët e shumicës i quante “Klika e Dudumëve”, ndërsa ministrat “palaço” dhe “hajdutë”. Në libër paraqiten me shumë interes debatet e ashpra në Parlamentin e Shqipërisë, sulmet ndaj Vatrës, Diellit e Faik Konicës dhe mbrojtja e shkëlqyer që bën Fan Noli duke renditur vlerat e Faik Konicës dhe kontributin historik dhe ekonomik të Vatrës për shtetin Shqiptar.
Një tjetër fakt interesant në libër përmëndet se më 27 prill 1923, drejtori i Zyrës së Shtypit, Terenc Toçi, i rekomandoi qeverisë të ndalohej gazeta Dielli me masa ligjore, pasi ajo “ftonte popullin për kryengritje” dhe “helmonte shpirtin e popullit”. Në libër mësojmë përceptimin e Imzot Nolit mbi kabinetin qeveritar të kundërshtarëve teksa i quante Kabineti i Pykave. “Ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlerat civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë. Noli këto i shoqëronte me “pesë anarkitë” shtetërore, shoqërore dhe institucionale: anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia morale, anarkia patriotike, anarkia e idealeve.
Në libër përshkruhen udhëtimet e shpeshta të Nolit në Itali e Austri, intervistat për gazetat perëndimore dhe kontaket e rregullta e miqësitë me diplomatët perëndimorë. Noli në shenjë respekti dhe nderimi mbajti një fjalim brilant në Parlament për ndarjen nga jeta të presidentit të SHBA Woodrow Wilson, të cilin Noli e quante amerikani i madh, idealisti bujar dhe mbrojtësin e Shqipërisë. Libri na njeh imtësisht me Nolin madhështor që shkëlqen së jashtmi në diplomacinë ndërkombëtare dhe i dobët për të qeverisur vendin së brëndshmi. Studimi “Rebeli” shpalos fjalimin e Nolit në Lidhjen e Kombeve, më 10 shtator 1924 ku ai kërkoi ndihmë ekonomike për Shqipërinë përmes një retorikë të fortë, argumenteve të fuqishme, logjikës dhe finesës diplomatike.
Studiuesi Ilir Ikonomi te “Rebeli” përshkruan përplasjet politike të Zogut dhe Nolit, rivalitetet politike në Shqipëri, luftën e etur për pushtet, luajalitetin e skenës politike përgjatë viteve 1920-24 si dhe analizon atentatet politike gjatë kësaj periudhe. Figura e atentatorëve Beqir Valteri e Avni Rustemi, dialogjet, planet dhe skena politike, përplasjet dhe intrigat politike, kaosi gjithëpërfshirës dhe pa dyshim opozita e fortë e Faik Konicës kundër qeverisë nëpërmjet gazetës Dielli zënë një vënd të rëndësishëm në libër. Përgjatë viteve 1920-1924 Fan Noli tentoi të sillte qytetërim në një botë shqiptare orientale që nuk ishte gati për atë kapërcim aq të shpejtë kulturor e institucional. Libri na njeh me detaje mbi veprimtarinë e Fan Nolit në raport me kryeministrat që qeverisën Shqipërinë përgjatë periudhës 1920-1924: Sulejman Pashë Delvina, Iljaz bej Vrioni, Pandeli Evangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Xhafer Ypi, Ahmet Zogu, Shefqet bej Vërlaci dhe Iljaz bej Vrioni.
Nga “Rebeli” mësojmë se krisja e parë e Nolit me Konicën erdhi kur Noli nuk dënoi atentatin që iu bë Zogut në Parlament. Faik Konica e këshillonte Nolin që të organizonte zgjedhje politike në Shqipëri në mënyrë që Shqipëria të kishte një qeveri legjitime të ardhur nga zgjedhjet e lira.
Si pasojë e këtyre përplasjeve politike gjatë kësaj periudhe ndodhën vrasje politike, armiqësi politike për interesa pushteti dhe shumë konflikte të armatosura. Pakënaqësitë në rritje ndaj qeverisë së Nolit, mosrealizimi i premtimeve për reforma, mungesa e njohjes ndërkombëtare, lufta e ashpër e kundërshtarëve, mospajtimi i Zogut dhe rikthimi i tij në dhjetor 1924 solli dështimin dhe rrëzimin e qeverisë së Nolit. Në libër detajohen të përmbledhura qeveri afatshkurtra që ngrihen e bien, atentate, kryengritje, rebelime, vrasje, hakmarrje, diplomaci, pushtet e intriga të pa imagjinueshme. Me një gjuhë të ëmbël e stil të pasur autori Ilir Ikonomi pasuron kolanën historike mbi Imzot Nolin nëpërmjet studimit të thelluar hulumtues, përshkrues, rrëfyes e orientues. Përmes “Rebelit” gazetari i shquar Ilir Ikonomi i bën një tjetër shërbim të shkëlqyer historiografisë, shtetit, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.