Recencë nga Dr. Paulin Marku/
Federata Pan-shqiptare e Amerikës “Vatra” promovoi dy libra të ish-editorit të gazetës “Dielli”, Dalip Greca, i cili drejtoi me përkushtim e profesionalizëm për 12 vite organin më të vjetër të shtypit shqiptar në diasporën shqiptare të Amerikës. Z. Greca u nda nga jeta një vit ma parë duke lënë një boshllëk të madh në familje, miq e në komunitet. Veprimtaria e tij publicistike e mediatike ishte e gjerë. Këtë e dëshmojnë edhe shkrimet e shumta nëpër gazeta të ndryshme dhe me daljet publike në televizione të ndryshme kombëtare. Ikja e parakohshme e tij nga kjo jetë, krahas dhimbjes që la pas, ai kishte edhe projekte në proces që nuk arriti t’i përfundonte sa ishte gjallë. Pjesë e projekteve të papërfunduara të Dalip Grecës janë edhe këto libra që u promovuan nën përkujdesjen e Federatës “Vatra”, në bashkëpunim me familjen Greca. Ky projekt u realizua falë punës të një grupi pune që u angazhuan për të përgatitur për botim këto dy libra. Padyshim, që për ne është nder dhe përgjegjësi që të marrim përsipër punën që i ndieri Greca kishte lënë pa përfunduar. Por qëllimi ishte të kontribuojmë që veprimtaria e tij, të mos ngelë e pabotuar por të rrojë gjatë në opinionin publik, si një prej intelektualeve shqiptar në diasporën e largët të Amerikës, padyshim si një prej njerëzve te rëndësishëm në Vatër që la gjurmë në drejtimin e gazetës “Dielli” për dymbëdhjetë vite me radhë. Promovimi është i rëndësishëm sepse sjell në fokusin e opinionit publik dhe shpalos nëpërmjet këtyre librave veprimtarinë publicistike e gazetareske të Dalip Grecës. Falë eksperiencës së tij profesionale, këmbënguljes e përkushtimit arriti të çojë përpara gazetën për dymbëdhjetë vite duke informuar opinionin publik me ngjarje të karakterit kombëtar, politik, aktualitet dhe kulturë, si dhe, nëpërmjet pasqyrimit të aktiviteteve të ndryshme atdhetare, kulturore e artistike zhvilluar në komunitetin shqiptar në Amerikë. Këto libra “Editorët e Diellit në 110-vite histori” dhe libri “Editorial”, vijnë si pjesë e pandashme e veprimtarisë se tij në fushën mediatike.
Gjatë karrierës së tij, ai kishte mbledhur material arkivorë, literaturë, shkrime gazetash e kujtime të shumta të intelektualeve shqiptar me qëllim për të zbardhur nëpërmjet dokumenteve veprimtarinë atdhetare të paraardhësve të Diellit. Ai ishte i përkushtuar që të zbardhet sa më shumë të jetë e mundur mbi punën e editoreve që shërbyen ne drejtimin e gazetës në mënyrë që të pasqyrohet puna e tyre sa më gjerësisht. Gjetja e këtyre materialeve nga familja dhe vënia në dispozicion për botim ishte e rëndësishme dhe duhet të botoheshin me patjetër për të mos i lënë në pluhurin e harresës dhe të humbiste puna disa vjeçare që Dalipi kishte bërë me pasion dhe profesionalizëm për Editorët e Diellit gjatë 110 vite histori. Po ashtu, pa asnjë hezitim, grupi i punës shprehu gatishmëri e përkushtim për të bashkëpunuar që veprat e të ndierit Dalip Greca të botohen sa më parë. Vlera e këtyre librave është se gjenden material historike, letrare, politike e social-kulturore nëpërmjet një pune disa vjeçare kërkimore të palodhur e skrupuloze të Dalip Grecës.
Libri “Editorët e Diellit në 110 vite histori” është i ndare në nëntë kapituj kryesisht përshkruhet dhe analizohet veprimtaria e editoreve të editoreve të Diellit, ku nuk mungojnë tema të ngjarjeve historike për themelimin e Vatrës, marrëdhëniet e komunitetit shqiptar në Amerike dhe lidhjet e tyre me vendlindjen. Po ashtu, trajtohen dinamikat e zhvillimet e brendshme të “Vatrës” botuar në gazetën “Dielli”. Në këtë libër autori sjell në vëmendje të opinionit publik profilin dhe kontributin e drejtuesve të gazetës “Dielli”.
Të gjitha këto materiale, autori i mblodhi me profesionalizëm për t’i venë në dispozicion të opinionit publik që të kenë mundësi të dinin më shumë rreth këtyre njerëzve mendjendritur që drejtuan gazetën Dielli për dekada me radhe. Po ashtu, autori analizon rrjedhat e ngjarjeve historike qysh prej themelimit të gazetës Dielli, rolin e saj në diaspora, vështirësitë e ndryshme që pati kjo gazetë për t’i rezistuar kohërave të ndryshme dhe problemeve të shumta që u shfaqen gjatë 110 viteve ekzistencë. Në rendin kronologjik libri rendit ngjarje, fakte dhe veprimtari të shumta të vatranëve në shërbim të çështjes kombëtare. Libri ‘Editorët e Diellit në 110 vite histori’ mbyllet me një kronologji të drejtuesve të gazetës Dielli dhe të kryetarëve të Vatrës nga themelimi deri në ditët e sotme. Me profesionalizmin e tij, libri u përgatit për botim nga studiuesi, Idriz Lamaj dhe redaktor shkencor, Dr. Paulin Marku.
Libri “Editorial” pasqyron veprimtarinë e gjerë publicistike të Dalip Grecës. Në këtë libër janë përzgjedhur në mënyrë profesionale e autentike shkrime të shumta të cilat flasin për tema nga më të ndryshmet trajtuar në 12 vite. Në këtë libër trajtohet kontributi atdhetar i vatranëve në periudha të ndryshme. Me interes lexuesi do të gjejë tema me karakter të ndryshme si: historik, të çështjes kombëtare, problemet politike, kulturore e sociale. Po ashtu, në libër flitet për disa prej përfaqësuesve të rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Amerikë.
Nëse e vërejmë me kujdes, z. Greca përpiqet të trajtojë profilin e gazetës Dielli duke prekur tema nga më të veçantat, atdhetare e kulturore, vizionin për gazetën dhe ndikim që Vatra kishte në komunitet në diasporë. Po ashtu, libri me “Editorial” përfshinë shumë prej ngjarjeve dhe aktualitetit në Shqipëri, Kosovë e më gjerë. Dalip Greca ndiqte me interes situatën politike, shoqërore e kulturore në atdhe dhe përpiqej të jepte opinionin e tij si në mediat e shkruara ashtu edhe ato televizive.
Libri “Editorial” mbyllet me bibliografinë e shkrimeve të Dalip Grecës me referencat përkatëse të çdo shkrimi, vendin ku është botuar shkrimi, me datën e botimit si dhe temën që ai ka trajtuar, në mënyrë që të ketë të dhëna të plota për hulumtime të tjera.
Ky libër është përgatitur për botim nga editori i gazetës “Diellit”, Dr. Sokol Paja dhe redaktor shkencor, Dr. Paulin Marku.
Këto libra janë vlerë e shtuar për të plotësuar një boshllëk të historiografisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, e cila mbart vlera dhe kontribut të çmuar në ngjarje të rëndësishme qysh me Pavarësinë e Shqipërisë, periudhën e shtet-formimit të Shqipërisë dhe të oponencës kundër regjimit komunist dhe për të vazhduar me lobimin e vatranëve në institucionet amerikane për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës.
Këto libra hedhin dritë për ngjarje të rëndësishme historike dhe janë analizë e thelluar për Editorët që drejtuan Diellit në 110 vite veprimtari. Botimi i këtyre dy librave pasurojnë katenën e botimeve dhe ndihmesë e madhe për këto që ka interes studimor e shkencor për t’u thelluar për veprimtarinë e patriotike atdhetare të vatranëve dhe gazetës “Dielli”.
Shpreh mirënjohje Vatrës për botimin dhe promovimin e këtyre dy librave, të gjithë bashkëpunëtoreve që morën pjesë për realizmin me sukses të këtyre botimeve, veçanërisht përgatitësit për botim të librit ‘Editorët e Diellit në 110 vite histori’ studiuesit Idriz Lamaj, i cili me profesionalizëm e përkushtim arriti të përgatisë materialin dhe ta kemi në duar librin e lënë të pabotuar z. Dalip Greca.
Një mirënjohje i dedikohet editorit të Diellit Dr. Sokol Paja, i cili arriti të gjejë dhe të përzgjedhë shkrimet e Dalip Grecës, për t’i përmbledhur ne librin “Editorial”, realizuar me pasion dhe profesionalizëm.
Familjes Greca i shpreh ngushëllimet e mia, të rrojnë e ta kujtojnë gjithmonë kryefamiljarin e tyre të dashur. Jam i bindur se dhimbja për njeriun tuaj të zemrës është e madhe por duhet të jeni krenar për veprën që Dalip Greca la pas. Ai ju bën krenar juve, po ashtu gazetën Dielli së bashku me Vatrën sepse me punën dhe kontributin e tij publicistik e mediatik, vepra e tij do të rrojë përgjithmonë.
Dalip Greca do të kujtohet gjithmonë si një prej editoreve të çmuar të gazetës Diellit që me përkushtim, profesionalizëm e pasion çoi përpara gazetën si një trashëgimi e pandalshme e paraardhësve të tij.