Evalda PACI
Departamenti i Studimeve Letrare
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë/
Një grumbull shtëpish të ngjeshura në kurriz a në brinjë të njëra-tjetrës, me çati të përbashkët, ca rrugica lakadredhëse të shtruara me kalldrëm, rrethuar me avlli e mure sa po të ecje krahëhapur, mollëzat e gishtërinjve takonin faqet e gurëve. Përbrenda s’kishte asnjë lëmë tokë të lirë, as pemishte, madje as kopshte. Ky qe fshati.
Mjafton një fragment i tillë që të rizgjohet natyrshëm një ndjesi e shumë viteve më parë, kur shfletimi në seri i skicave e tregimeve të përmbushte me një sërë imazhesh e përfytyrimesh rreth një habitati që autori i letërsisë për fëmijë Naum Prifti e kishte përndarë në sa përshkrime e rrëfime të disa dimensioneve. Si autor i prozës së shkurtër, Naum Prifti ka transmetuar në gjallërinë përkatëse përvoja të një veçanësie të rrallë, të rezervuar nga vetë përjetimet e tij, të risjella në vite në botime e ribotime, fakt që ka pasuruar së tepërmi bibliotekën e letërsisë për fëmijë e të rinj. Këtyre veçorive do t’u kushtohet gjerësisht dhe veprimtaria e ditës së sotme, e organizuar pikërisht në nderim të një shkrimtari që reflektonte dhe dimensionet e publicistit, eseistit, autorit e kritikut të letërsisë e të dramaturgjisë.
Një autor që i kushtohet letërsisë për fëmijë bëhet natyrshëm transmetuesi i një bote të veçantë për lexues të një moshe gjithashtu të veçantë, të pajisur e të karakterizuar nga një kureshtje e natyrshme, gjithnjë me pikëpyetjet rreth çështjesh themelore që më tej do të përkthehen në të tjera sfida e dëshira për të ditur më shumë e më qartë.
Për një brez si imi (lindur në fillim të viteve ‘70), mund të thuhet me plot gojën që letërsia për fëmijë ka qenë një dritare a një horizont që ofronte perspektiva disangjyrëshe, por që dhe shtonte kërshërinë mbi ç’duhet të kishte përtej rrëfimeve e elementeve të botëve që autori për fëmijë ndërmerrte të përshkruante. Vite më parë, një letërsi e tillë kishte mbi vete një mision kompleks edukimi, që vështirë se mund ta zëvendësojë një teknologji e tërë që me gjasë përshpejton hapat e brendësimit të një sërë nocionesh për botën e të rriturve, për dijen mbi natyrën, për përafrimin me marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në këtë aspekt, letërsia për fëmijë në gjuhën shqipe ofron një panoramë të gjerë në pikëpamje autorësh dhe tematikash, e pikërisht në këtë vështrim, Naum Prifti i jep kësaj të fundit një domethënie të mirëfilltë për qasjet dhe konsekuencën në titujt e përzgjedhur. Një autor i tillë ka dhënë nga vetja në çdo krijim me të cilin ka ndërtuar profilin prej shkrimtari, duke reflektuar hollësi dhe elemente të një bote që e përjetuar në një shpirt fëminor e më tej rinor, paraqitet po aq tërheqëse për lexuesit e kohës së vet, të etur për të mësuar jo vetëm për ngjarje tipike në rrugëtimin jetësor të tij, por dhe për një sërë përveçimesh që gjuha autoriale i sjell me bujari dhe në masën e duhur, duke pasuruar kësisoj vetë krijimtarinë e vet me misionin e ruajtësit të pasurisë gjuhësore, leksikore e letrare të cilën ai duket se e njihte natyrshëm. Përkujdesja për gjuhën dhe për vënien në vendin e duhur të fjalëve të rralla i përngjan merakut të një nikoqireje që në përditshmërinë e mirëmbajtjes së asaj çka i është besuar, vendos në mjedisin e vet orendi dhe zbukurime të shijes së vet, por duke prekur njëkohësisht dhe ndjesitë e të tjerëve. Gjuha do të jetë në të vërtetë një medium që autorit i shërben për të sjellë më afër profile njerëzore, ngjyra të stinëve që ai vetë i jeton me një ndjeshmëri të rrallë, elemente të një përditshmërie të dashur e të shkallëzuar ndër vite, asnjëherë të lënë pas dore në kujtesën e tij të fortë.
Emri i Naum Priftit, i pajisur si me dhuntinë e artit të të shkruarit, si me një kulturë që e brendëson që në fazat më të hershme të formimit të tij është pjesë e natyrshme e një historiku të përvijimit të letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe, me fillesa që në skica më mëhershme në letërsinë e Rilindjes, por dhe me qasje të reja në çdo periudhë të zhvillimit të kulturës letrare dhe të kultivimit të leximit në gjuhën amtare. Një fakt të tillë e gjejmë të dëshmuar që në sprovat më të hershme me të cilat ai afirmohet si shkrimtar, por dhe në dekada në të cilat letërsia për fëmijë ishte dhe një mjet edukimi me vështrim nga fakte historike e personalitete të historisë së vendit tonë.
Profilin e një heroi që e gjeje të vizatuar në tregime e rrëfime kryesisht sintetike sigurisht do ta gjeje në më se një autor të kohës, por do ta preferoje pa dyshim ta rilexoje në legjendat e shkruara mjeshtërisht nga Naum Prifti; gjithashtu, frymën bukolike të një natyre që nuk do ta njihje domosdoshmërisht nga afër në kohën kur e lexoje të përshkruar, do ta gjeje sërish në tregimet e të njëjtit autor. Prifti receptohet mirëfilli si një autor që ofron për lexim përjetimet e një fëminie të mbushur me copëza kujtimesh, por dhe me mbresa që duket sikur vetë roli i shkrimtarit po i jep mundësi të shkruajë e të shprehet në një kohë të mëvonë, por asnjëherë të vonuar për atë vetë.
Sot, në një kohë tjetër, kur kohës së leximit i hyjnë në hak dhe hapësira për të tjera pajisje e mjete që nuk arrijnë të të përafrojnë në të njëjtën mënyrë me librin, provon t’i rikthehesh ndjesisë së leximit të rehatshëm të tregimeve të tilla, që të bëjnë të përshkosh udhëtime imagjinare në përjetimet e kujtimet e një autori si Naum Prifti, që ka falur bujarisht për lexuesit e tij pjesëza kulture që përkthehen në momente rikrijimi letrar, por dhe në ndërtime që shumë prej nesh i kanë mësuar pikërisht prej tregimeve të tij, të pasura në elemente të natyrës e të ndikimit të saj në jetën e shumë personazheve të tij. Mjaft personazhe paraqiten të maturuara në personalitetin e vet, duke shërbyer si gurë miliarë në një rrugëtim që hap pas hapi autorin e projekton në disa dimensione, në më të shumtën e rasteve në një raport të qartë me natyrën dhe çdo të mirë që buron prej saj.
Autori ka gjetur hapësirë për t’u dhënë vend analizave karakteriale që lidhen me personazhe të dashura për të, por që në të njëjtën kohë janë dhe frymëzuese të tregimeve të tij, të ekspozuara ndaj vëmendjes fëminore, por dhe ndaj kureshtjes së çdo lexuesi që gjen në këto të fundit përshkrime, emërtime që burojnë nga një botë genuine, për të cilën Prifti pikërisht në krijimtarinë kushtuar fëmijëve gjeti mundësinë për t’i reflektuar e bërë konkrete, më tej për t’i bërë të jenë të ngulitura në një kujtesë që dhe sot po provohet plotësisht se ka mbetur e tillë.
Në tregimet që janë të lidhura me moshën fëminore, por dhe me përjetime tipike për kohën në të cilën ai ka jetuar lexuesi evidenton karaktere, por dhe ngjarje e rrethana të cilat janë shtysë që ai të shtjellojë rrëfime jo përherë të gjata, por reflektuese momentesh të cilat kanë një veçanësi të vetëkuptueshme. Autori ka përzgjedhur portrete personash që lidhen me mësimdhënien, mëmësinë, prindërimin, shoqërinë e fëmijërisë, personazhe që ndikojnë në formimin individual të tij për një sërë arsyesh e për të cilat ai duket qartë se ka detaje mjaft domethënëse për t’i profilizuar. Të tilla hapësira, që janë bërë objekt i një narracioni me prirje natyrshmërie e frymëzimi tipik janë përmbushur dhe me një gjuhë të kujdesuar, në shumë raste të pasuruar me përveçime që përbëjnë një tjetër aspekt për t’u kushtuar vëmendje e kërshëri teksteve në prozë të tij. Gjuha shqipe, elementet e njohjes kulturore të vetë autorit gjejnë një hapësirë të pamatë paradigmatike në të tilla rrëfime, tregime e skica, duke u paraqitur në vështrimin tonë po aq të pastra dhe të vyera dhe në ditët tona. Lexuesi sigurisht del i pasuruar në emocione dhe në edukim tekstor e gjuhësor nga të tilla krijime, por në ditët e sotme një dimension i tillë merr shumëfish rëndësi e vlerësim, aq më tepër kur një rol të tillë dhe kritika jonë letrare mbi letërsinë për fëmijë e të rinj ua ka njohur këtë të fundit pikërisht autorëve të kësaj shkrimtarie.
Në vështrimet e tij kalojnë dhe personazhe historike, që në krijimet e autorëve të tjerë (edhe të krijimeve në prozë për letërsinë për fëmijë) rimerren, por në një tjetër perspektivë shkrimtarie. Në të vërtetë, këtyre personazheve Prifti u ka rezervuar më tepër se një perspektivë, duke i vënë në disa dimensione rrëfimtarie, siç mund të vërehet dhe në rrëfimet që të emërtuara si legjenda, lidhen me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, që vjen herë në përmasa thellësisht njerëzore, herë në ato të një madhështie më se të pritshme për heroin tonë kombëtar, i ndërmendur për armët që përdorte e për përballjen në kontekste jashtë reales në luftime e beteja të përgjakshme. Tiparet dhe përjetimet njerëzore ndërthuren me aspekte të përfytyrimit legjendar, duke qëndruar më së miri në profilin e Gjergj Kastriotit, i projektuar sa në situata të jashtëzakonshme, aq në momente që e paraqesin të prekshëm për lexuesin e kohës. “Legjenda e rrëfime për Skënderbeun” dalë nga një ent tipik editorial siç ishte shtëpia botuese “Naim Frashëri” kanë parë dritën e botimit e të ribotimit, por vetë momenti i përurimit të tyre në kuadër të bibliotekës së nxënësit në fund të viteve ‘70 të shekullit të kaluar është dëshmi e një misioni edukues që pena mjeshtërore e autorit tonë e kryen më së miri, duke i bërë të tilla krijime të tij të lexueshme e të rilexueshme nga moshat shkollore.
Në përjetimet e mia për një autor si Naum Prifti, vetë ndërtimet që ai ka sjellë në brendinë e krijimeve të tij kanë qenë një medium për ta lexuar e rilexuar e në këtë pikëpamje, rishpreh bindjen që sërish do ta kisha po aq për zemër dhe në një kohë tjetër, të njëjtin autor e të njëjtat tregime.
Në javët e fundit, në prirjen për t’iu kthyer kujtesës së mëhershme për krijimtarinë e autorit Naum Prifti, kemi marrë dijeni dhe për sistemimin e vëllimeve të tij ndër vite në bibliotekat tona, përfshirë bibliotekën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë), por dhe biblioteka universitare, të cilat janë dëshmi e një fondi të çmuar botimesh në krijimtarinë për fëmijë të Naum Priftit. Një prani e tillë, e mundësuar nga ruajtja e kujdesshme dhe e përgjegjshme e ekzemplarëve të rrallë, bashkë me tekste shkollore të një rëndësie të veçantë për edukimin e të njëjtave gjenerata e për të cilat bashkautorësia e Naum Priftit vlerësohet si meritë e përveçme nga njohësit e biobibliografisë së tij mbetet një shtysë për realizimin e afërt t ekspozitave ad hoc, në të cilat dhe paraqitja në rend kronologjik e tematik e realizimeve të tij risjell në kujtesë një perkurs jetësor të karakterizuar nga dashuria për librin, kulturën, leximin dhe edukimin.