
Dr. Afrim Shabani/
Mbrëmë ishim në Recitalin AMA, Edicioni i 13-të, dhe e ndjemë atë vazhdimësi të qetë që ndërtohet vetëm me vite pune serioze. Trembëdhjetë vite nuk janë pak, janë kohë e mjaftueshme që një ide të kthehet në traditë.
Salla ishte e gjallë. Fëmijë të vegjël që ndiqnin me sy të hapur çdo tingull. Të rinj që e kuptonin peshën e momentit. Prindër dhe gjyshër që mbanin në fytyrë atë krenarinë e heshtur që vetëm kultura e ruajtur mund ta japë. Ishte një publik i përzier në moshë, por i bashkuar në ndjeshmëri.
Programi kishte maturi artistike dhe rrjedhë natyrale. Repertori klasik, loja në instrumente muzikore, vallja, kënga, poezia dhe elementi tradicional shqiptar komunikonin pa sforcim. Si njerëz që e njohim disiplinën e skenës, e ndjejmë kur një koncert ka strukturë, dhe kjo mbrëmje e kishte. Një moment me peshë të veçantë ishte përkujtimi i të ndjerit Sami Elezi, një kontribuues i madh i muzikës shqiptare në Kërçovë. Përmendja e tij ishte një akt respekti dhe një kujtesë se arti kërkon përkushtim afatgjatë.
Mirënjohje për Besarta Bashën për qartësinë dhe ndjeshmërinë e saj artistike. Për Shoqatën “Uskana”, ShBA që prej 13 vitesh po mban këtë standard me dinjitet.
Dhe mbi të gjitha, respekt për fëmijët që dolën në skenë me guxim e seriozitet, për familjet që i mbështesin, dhe për Shkollën e Manastirit (Çikago) që ruan gjuhën dhe rrënjët tona.
Kur sheh një sallë të tillë, të re e të moshuar bashkë, e kupton se kultura jonë nuk është vetëm kujtim. Është vazhdimësi. ![]()
![]()
(Foto nga Recitali AMA, 13th Ed.)